Board logo

RRETHANAT SHOQRORO-EKONOMIKE DHE POLITIKE N REPUBLIKN E MAQEDONIS N PERIUDHN 2000-2001
bledi - 23-1-2006 n 04:49

RRETHANAT SHOQËRORO-EKONOMIKE DHE POLITIKE NË REPUBLIKËN E MAQEDONISË NË PERIUDHËN 2000-2001


Shkatërrimi i RSFJ-së dhe mëvetësimi i Republikës së Maqedonisë shkaktuan ndryshime të thella politike, shoqërore dhe ekonomike në vend.
Pluralizmi manifestohej me formimin e partive politike të cilat, në vend të atij ideologjik, kishin karakter të fuqishëm etnik. Si rezultat i këtij tran­zicioni, një pjesë e madhe e popullsisë mbetet pa punë, kurse varfëria, korrupsioni, kriminaliteti dhe kriza ekonomike marrin përmasa shumë të mëdha.
Ekonomia e shkatërruar, aferat dhe skandalet politike, korrupsioni dhe marrëdhëniet e keqë­su­ara ndëretnike edhe më shumë e destabilizuan vendin.
Duhet të theksohet fakti se me Kushtetutën e vitit 1991, shqiptarët i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me Kushtetutën e vitit 1974. Për këto shkaqe Kushtetuta u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë në Parlament.



Periudha e viteve 2000-2001 karakterizohet me papunësi të madhe (400.000 persona të aftë për punë janë të papunë­suar kurse 80.000 familje marrin ndihma sociale) dhe me procesin e papërfunduar të privatizimit i shoqëruar me pro­cedura për falimentim për shumë ndërmarrje. Vërehet rënie e standardit të jetës.
Jeta politike karakterizohet me parti një etnike, ndërsa Qeveria udhëhiqej nga parti nacionaliste. Qeverisja ishte e centra­li­zuar, kurse sistemi juridik dhe ligjet nuk ishin të përfunduara (nuk ishin miratuar ligjet e nevojshme, ndërsa ato të mira­tu­arat shpesh ndryshonin dhe gjykatat shumë ngadalë vendo­sin për lëndët).
Edhe pse në Parlament kishte përfaqësues shqiptarë dhe në koalicionin qeveritar kishte ministra-shqiptarë, në administratë dhe strukturat shtetërore, shqiptarët nuk ishin proporcionalisht të përfaqësuar. Partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni publikisht va­zhdo­jnë të tregojnë pakënaqësinë nga statusi i tyre në jetën politike dhe publike në vend. Tensionimi i marrëdhënieve ndëretnike vjen në shprehje gjatë protestave të shqiptarëve me kërkesë për rritjen e të drejtave kolektive ku ndëshkohen dhe konfrontohen me policinë si dhe gjatë protestave të maqedonasve kundër shtimit të të drejtave të shqiptarëve.



Periudha e viteve 2000-2001, në Republikën e Maqedonisë karakterizohet me ndryshime të ndërlikuara shoqëroro-ekonomike dhe politike si rezultat i tranzicionit.
Shumë kapacitete industriale falimentuan dhe u mbyllën, një pjesë e madhe e popullsisë mbeti pa punë dhe varfëria morri hov. Privatizimi ishte i shoqëruar me parregullshmëri të ndryshme, dobësi të legjislacionit dhe keqpërdorime të rënda. Qeveria aktuale në të cilën participonin edhe shqi­ptarët nuk mundej ta përballonte më këtë situatë në vend. Partitë politike ishin të formuara në baza etnike.
Rrethanat politike situatën në vend e bënin të pasigurte, më së shumti për shkak se për Maqe­doninë ishin vitet e para si shtet i pavarur.




SHKAQET PËR FILLIMIN E KONFLIKTIT TË ARMATOSUR DHE PALËT NË KONFLIKT

Diskriminimi ndaj shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës shoqërore, e cila ishte e pranishme edhe në sistemin e mëparshëm, edhe më shumë u shfaq pas mëvetësimit të Republikës së Maqedonisë. Gjatë procesit të privatizimit të kapitalit shoqëror, autoritetet vetëm maqedonasve u mundësuan që me kushte shumë të volitshme ti blejnë fabrikat dhe kapacitetet tjera ekono­mike në vend.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore ishte minimale. Mos­për­faqësimi, sidomos në strukturat e sigurimit (polici dha armatë), te shqi­ptarët shkaktoj një ndjenjë mosbesimi në këto institucione. Kjo sidomos do të shfaqet gjatë ngjarjeve të Bit-pazarit dhe në Gostivar (protestat për shkak të pamundësisë të përdorimit të simboleve etnike), ku gjatë përle­­­shjeve me policinë mbeten të vrarë dhe të maltretuar shumë shqiptarë.
Për shkak se në sferën e arsimit sipëror nuk kishte asnjë institucion për shkollim të lartë në gjuhën shqipe, shqiptarët ishin të detyruar që në vitin 1994 ta themelojnë Universitetin e tyre në Tetovë. Si rezultat i intervenimit policor, në ditën e hapjes, disa shqiptarë e humbën jetën.
Partitë politike të shqiptarëve në Parlament nuk arritën që ti institucionali­zojnë kërkesat e tyre dhe shërbenin vetëm si dekor sepse çdo herë ishin të mbivotuar nga deputetët maqedonas. Nga ana tjetër, mospërfilljen e kër­ke­save të shqiptarëve, të cilët ndiheshin si qytetarë të rendit të dytë, politikanët maqedonas e arsyetonin nën pretekstin se me ndryshimin e statusit të shqiptarëve në vend do të federalizohej Maqedonia, ndërsa më vonë edhe do të ndahet. Kriza kosovare e vitit 1999 dhe roli i UÇK-së ishin shkak për rritjen e vetëbesimit dhe bashkimit të shqiptarëve në rezistencën ndaj institucioneve të Maqedonisë.
Për shkak të represionit sistematik nga ana e sistemit, ideja për kryengritje të shqiptarëve kulminoi me konfliktin e armatosur në fillimin e vitit 2001.
Si palë në konflikt paraqiten, nga njëra anë, forcat e bashkuara të sigurimit të Maqedonisë (ARM dhe policia) dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare, nga ana tjetër.

Për shkaqet e fillimit të konfliktit të armatosur ekzistojnë shpjegime të ndryshme. Sipas inter­­pretimit oficial të shqiptarëve (partive politike, intelektualëve, organizatave joqeveritare) shka­­ku kryesorë për fillimin e konfliktit të arma­tosur ka qenë diskriminimi i shqiptarëve i shpre­hur në Kushtetutën e Maqedonisë (përdorimi i kufizuar i gjuhës dhe simboleve etnike si dhe mungesa e institucioneve të larta arsimore në gjuhën shqipe) dhe në sferën e jetës publike (punësimi dhe tretmani nga ana e admi­ni­stra­tës, organeve gjyqësore dhe policisë).
Sipas shpjegimit më të përhapur të popullata maqedonase, shkaku i vërtetë për konfliktin e armatosur ka qenë lufta për territore, me qëllim të fundit, krijimi i Shqipërisë së madhe ose së paku që të mos pengohet kontrabanda më drogë dhe armë dhe aktivitete tjera kriminele.
Oficijalisht, konflikti i armatosur është përleshje mes Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) nga njëra anë dhe forcave të sigurimit të Maqe­do­nisë nga ana tjetër. Jooficijalisht, konflikti i arma­tosur shihet si përleshje mes bashkësisë shqiptare dhe maqedonase, për shkakë të për­shtypjes që fitohej se aktivitete e UÇK-së janë të pranuara dhe përkrahura nga ana e popu­llatës shqiptare kurse aktivitetet e forcave të sigurimit nga popullata maqedonase.

Kishte më shumë shkaqe për fillimin e konfliktit. Nën pretekstin se i kër­kojnë të drejtat dhe liritë të fituara me Kushtetutën e vitin 1974, disa qarqe shqiptare brenda dhe jashtë Maqedonisë dëshironin ta realizojnë idenë për Shqipëri të Madhe. Partitë politike të shqiptarëve në vend e nxisnin nacionalizmin te popullata shqiptare për realizimin e qëllimeve radikale.
Eskalimi i krizës kosovare të vitit 1999 kishte ndikim negativ në Maqedoni. Ajo ndikoi në rritjen e unitetit shqip­ta­rë dhe formimin e grupeve të arma­tosura të përbëra nga shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Këto grupe me veprimet e tyre kriminele dhe ile­gale, në pjesën veriore të Maqedoni­së, do ta destabilizojnë atë në fushën e sigurisë.
Kah fundi i vitit 2000 dhe fillimi i vitit 2001 ndodhën edhe incidentet dhe përleshjet e para mes formacioneve të armatosura shqiptare (UÇK-së), të përbëra nga grupe kriminele, terro­rist dhe mercenar islamik nga njëra anë dhe forcat e sigurimit maqe­do­nas nga ana tjetër.








RRJEDHA E KONFLIKTIT DHE AKTIVITETET USHTARAKE NËPËR RAJONE


Konflikti filloi në fshatin Tanush, rrethina e Shkupit, dikur kah mesi i shkurtit të vitit 2001 dhe së shpejti u zgjerua edhe në fshatrat e Tetovës, në disa pjesë të qytetit, në rajonin e Lipkovës, rrethina e Kuma­novës dhe në disa fshatra të Shkupit (Haraçinë, Radushë dhe Luboten).
Popullata shqiptare moralisht dhe materialisht plo­tësisht e përkrahte UÇK-në, kurse popullata maqe­donase e përkrahte ARM dhe policinë. Megjithatë, nuk kishte konflikt direkt mes popullatës civile që kontribuuan për anashkalimin e luftës qytetare në Maqedoni.
Gjatë konfliktit, armata dhe policia granatonin shumë fshatra shqiptare. Si rezultat i këtyre aksi­oneve ushtarako-policore, humbën jetën shumë civil shqiptar si psh. familje të tëra në fshatin Sllup­çan dhe në rajonin e Lipkovës. Masakrat e policisë dhe ushtrisë vazhduan edhe në fshatin Luboten, në lagjen e Çairit dhe shumë vende tjera. Shokante dhe rrëqethëse për shqiptarët ishte vrasja e mon­tuar e babait me të birin para kamerave televizive afër stadiumit të qytetit në Tetovë.


Konflikti i armatosur filloi në rrethinën e fshatit Tanushë (Mali i Zi i Shkupit) në shkurt të viti 2001. Aktivitetet luftarake zhvilloheshin në rajonin e Kumanovës dhe Lipkovës, atë të Tetovës dhe Shkupit. Gjatë konfliktit UÇK-ja i sulmonte forcat e sigurimit të Republikës së Maqedonisë (me sulme direkte të stacioneve policore, sulme të konvojeve si dhe me minime të rrugëve dhe sulme në pritje), mobilizoi një pjesë të popullatës shqip­tare për të marrë pjesë në aktivitetet luftarake dhe akti­vitete kundër popullatës civile (kidnapime, burgosje, mby­llje të objekteve vitale-ujësjellësi i Kumanovës). Forcat e sigurimit i sulmonin pozitat UÇK-së me armatim të rëndë, përgatitnin prita për anëtarët e UÇK-së, arrestonin qyte­tarë që dyshohej se ishin anëtarë dhe bashkëpunëtorë të UÇK-së, bënin aktivitete kundër popullsisë civile (kid­napime, arrestime, shpërngulje të detyruar). Në rajonet e krizës dhe përreth ishin vendosur postblloqe policore.
Shumë njerëz i lëshuan vatrat e tyre në rajonet e krizës dhe si refugjatë ose si të zhvendosur të brendshëm, vendoseshin në vende tjera, brenda dhe jashtë vendit.
Në të dyja anët kishte viktima në njerëz (mes tyre edhe civilë), kurse në rajonet e krizës kishte edhe dëme mate­riale ndaj shtëpive dhe pronës së popullatës si dhe shkatërrime të objekteve fetare dhe kulturore-historike.



Konflikti i armatosur filloi me disa aksione terroriste në janar të vitit 2001, më saktësisht me sulmin e stacionit policor në Tearcë, rajoni i Tetovës, ku humbi jetën një anëtar i policisë me përkatësi etnike maqe­donase.
Fillimi i konfliktit arriti kulmin me mitingun e mbajtur në Tetovë, më 14.03.2001, kur intelektualët shqip­tarë publikisht e ftuan popullatën shqiptare të ngrihet në kryengritje, në emër të drejtave të tyre. Nga rajoni i Tetovës, konflikti u përhap në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës (Lipkovë) ku shqiptarët ishin shumicë. Në këto rajone kishte përleshje të armatosur mes forcave të rregullta të policisë dhe ushtrisë nga njëra anë dhe UÇK-së nga ana tjetër. Këta të fundit në fillim i quanin terroristë që më vonë të shndërrohen në luftëtarë për të drejtat e njeriut.
Gjatë kohës së konfliktit kishte kidnapime të popu­llatës civile, vrasje në pritë të anëtarëve të policisë dhe rezervistëve ushtarakë në fshatrat Vejce, Kar­pa­llak dhe Luboten; digjen dhe shkatërrohen objekte fetare, bëhet spastrim etnik dhe shkatërrim i shtë­pive maqedonase në vendet ku shqiptarët ishin popullsi dominante.






REFLEKTIMI NDAJ REGJIONEVE TJERA
Konflikti kishte ndikim të ndryshëm ndaj rajoneve të cilat nuk ishin direkt të kyçura në konflikt. Gjatë kësaj kohe ishim dësh­mitarë të dhunës permanente të ushtruar ndaj shqiptarëve, sidomos, në ato pjesë ku shqiptarët ishin pakicë. Në Prilep dhe Manastir digjeshin shtëpitë, shitoret dhe xhamitë që të detyrohen të shpërngulen nga vatrat e tyre. Kudo që jetonin shqip­tarët ishin të vendosur punktet policore të cilët i kontrollonin dhe maltretonin ata.
Gjithashtu, gjatë kësaj kohe u paraqit një ide absurde për ndërrimin e territoreve dhe popullatës nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).

Rajonet tjera të vendit u ballafaquan me të vendosurit e brendshëm që u larguan nga rajonet e krizës. Njëko­hësisht, nga rajone të ndryshme rekrutoheshin vullnetarë si në radhët e forcave të sigurimit maqedonas ashtu edhe në radhët e UÇK-së. Në ato anë të vendit të cilat direkt nuk ishin të përfshira nga konflikti i armatosur sulmoheshin objekte kulturore-historike, fetare si dhe prona private të qytetarëve me përkatësi fetare islame, ndërsa kishte edhe sulme me bombë ndaj pronës së qytetarëve.
Në tërë territorin e shtetit ndiheshin pasojat në fushën eko­nomike kurse për shkak të deficitit buxhetor u vendo­sën edhe tatime të reja.

Edhe pse konflikti zhvillohej vetëm në pjesën veriore dhe atë veri-perëndimore të Maqedonisë, ai u reflektua në gjithë territorin. Personat e zhvendosur nga vendet e krizës ishin të vendosur te familjarët dhe miqtë e tyre si dhe në qen­drat kolektive të organizuara nga shteti. Nën ndikimin e ngjarjeve në rajonet e krizës, një pjesë e popullatës maqe­donase shprehu mllefin e vetë duke djegur dhe shkatërruar objektet fetare dhe pronat private të myslimanëve (kryesisht shqiptarë), në Prilep dhe Manastir.
Situata bëhej gjithnjë e më kritike për shkak të mundësisë për eskalim të konfliktit në tërë territorin e sidomos në anën e Dibrës, Kërçovës, Strugës dhe Gosti­varit ku jetojnë shumë shqiptarë.
Një pjesë e popullatës maqedonase ishte e mobilizuar në radhët e ushtrisë dhe policisë si rezervistë. Shumë ma­qe­donas u paraqitën si vullnetarë për mbrojtjen e atdheut.
Në këtë periudhë në tërë vendin, me ligj, u vendos taksa ushtarake me çka edhe më shumë u keqësua situata ekonomike e popullatës.




























ROLI I PARLAMENTIT, QEVERISË, POLICISË DHE USHTRISË GJATË KONFLIKTIT TË ARMATOSUR
Gjatë konfliktit, Parlamenti si organi më i lartë ligjdhënës në Maqedoni nuk mund ta kontrollonte situatën dhe të vendoste baraspeshë etnike, përkundrazi, ai u vu në anën e elitave politike maqedonase.
Me miratimin e ligjit për taksën luftarake, Parlamenti, në të vërtet mundësoi që pa­­ratë e të gjithë qytetarëve të përdoren për luftën e forcave të sigurimit maqedonas.
Me vendim të Qeverisë, në radhët e MPB-së, në krye të së cilës ishte Lube Boshkov­ski, u formua njësiti për intervenim të shpejtë Luanët, në përbërjen e së cilës kishte vetëm maqedonas etnik.


Elita shtetërore nuk ishte e koordinuar (kryetari, kryeministri dhe disa ministra në qeveri dilnin me deklarata kundërthënëse). Gjatë konfliktit Parlamenti u mblodh vetëm dy herë. Në sesio­nin parlamentar diskutohej për konfliktin por nuk u shpall gjendje lufte. Edhe përkundër kësaj, gjatë konfliktit u inku­adrua edhe ushtria.
Policia dhe ushtria ishin të angazhuara qysh në fillim të kon­fliktit të armatosur. Në operacionet e tyre nuk merrnin pjesë pjesëtarët shqiptarë. Për ti përforcuar radhët e saj, policia formoi njësinë speciale Luanët, e formuar kryesisht nga vullnetarë.
Popullata maqedonase i konsideronte ata si mbrojtës të vendit, për dallim nga popullata shqiptare e cila në ta shihte forca destruktive të cilët ndikonin në vazhdimin e konfliktit të arma­tosur.

Pas fillimit të konfliktit të armatosur, në pranverën e vitit 2001, policia dhe parlamenti e qeveria, në të cilat parti­ciponin partitë politike maqedonase (VMRO-DPMNE dhe PLD) dhe ajo shqiptare (PDSH), ndërmorën masa të armatosura adekuate mbrojtëse për ta ruajtur integri­tetin dhe sovranitetin territorial të Maqedonisë. Megjithatë, ashtu si rrjedhte konflikti aq më pak mundeshin të kontro­lloheshin aksionet guerile të UÇK-së dhe maltretimet e kryera ndaj popullatës civile.
Qeveria ishte e pakoordinuar, kryeministri ishte i pafu­qishëm dhe insistonte që të shpallet gjendje lufte për shkak të mundësisë për kyçje legale të ushtrisë në luftën kundër UÇK-së. Për shkak se parlamenti nuk shpalli gjendje lufte, mbrojtja e vendit mbeti vetëm në duar të policisë, e cila as teknikisht e as si kuadër nuk ishte e plotësuar. Për mbrojtjen më efikase të vendit u formua njësiti për intervenim të shpejtë Luanët.



KONTRIBUTI I BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE GJATË ZHVILLIMIT DHE PËRFUNDIMIT TË KONFLIKTIT TË ARMATOSUR
Për shkak se palët në konflikt nuk kishin vizion të qartë dhe fuqi që të përballen me situatën në vend, Bashkësia ndër­kom­bëtare ishte e detyruar që në mëny­rë direkte të involvohet për zgjidhjen e konfliktit.
Nën trysninë e Bashkësisë ndërkombë­tare (BE, SHBA dha NATO-së) u formua Qeveria e koalicionit të gjerë, e përbërë nga katër partitë më të mëdha politike te maqedonasit (VMRO-DPMNE dhe LSDM) dhe shqiptarët (PDSH dhe PPD). Qeveria funksiononte në mënyrë kaotike dhe të pakoordinuar dhe nuk arriti ti jepte fund konfliktit. Bashkësia ndërkombëtare, për­mes përfaqësuesve të saj F. Leotar dhe Xh. Perdju, i detyroi autoritetet vendase që të ulen në tryezën e rrumbullakët dhe të nënshkru­ajnë Marrëveshjen kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të arma­tosur në Maqedoni.



Bashkësia ndërkombëtare ishte aktive që nga fillimi i konfliktit të armatosur edhe pse pjesëmarrja e saj nuk ishte e barabartë. Në fillim ajo i dënonte aktivitetet e UÇK-së dhe i shpalli si terroriste kurse më vonë kërkonte nga Qeveria dhe Parlamenti që ti marrin parasysh kërkesat e tyre.
Nën ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare formohet edhe qeveria e koalicionit të gjerë e përbërë nga katër partitë më të mëdha, në të cilën përveç VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së hynë edhe LSDM-ja dhe PPD-ja.
Përmes përfaqësuesve të saj të emëruar nga BE dhe SHBA, Bashkë­sia ndërkombëtare merrte pjesë në formulimin e Marrë­ve­shjes Kornizë dhe e stimulonte nënshkrimin e së njëjtës. Menjëherë pas kësaj, vëzhgojnë dhe stacionohen forca të NATO-së në territorin e Republikës së Maqedonisë.


Në këtë kohë, faktorët ndërkombëtarë kishin rrolin e arbitrit duke u munduar që të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për të pamundësuar eskalimin e situatës luftës qytetare në Maqedoni. Nën shtypjen e tyre, me qëllim të zgjidhjes së konfliktit, në vend u formua Qeveria e koalicionit të gjerë, në të cilën, përveç par­tive aktuale merrnin pjesë edhe LSDM-ja dhe PPD-ja.
Bashkësia ndërkombëtare pandërprerë dërgonte për­faqësuesit e vetë politik si ndërmjetësues. Njëri prej tyre ishte përfaqësues i lartë i BE, Havier Solana, i cili bënte shtypje permanente ndaj strukturave politike ma­qedonase. Si rezultat i saj erdhi deri te nënshkrimi i marrëveshjes kornizë të Ohrit me 13 gusht 2001. Marrë­veshja ishte e nënshkruar nga liderët e katër partive udhëheqëse politike maqedonase (VMRO-DPMNE dhe LSDM) dhe shqiptare (PDSH dhe PPD), nga kryetari i Republikës, Boris Trajkovski dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare si garantues për implementimin e saj.




FUNDI I KONFLIKTIT TË ARMATOSUR DHE RËNDËSIA E MARRËVESHJES KORNIZË TË OHRID
Me 13.08.2001, liderët e katër partive nga Koali­cioni i gjerë, kryetari i shtetit Boris Trajkovski dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare e nënshkruan Marrëveshjen e Ohrit.
Kjo marrëveshje për shqiptarët ishte legjitimim i sukseseve luftarake dhe realizim i qëllimeve të kamotshme për status të barabartë-popull kon­stituiv në vend.


Konflikti i armatosur përfundoi me nënshkrimin e Marrë­veshjes kornizë së Ohrit. Ajo paraqet një marrëveshje politike mes liderëve të katër partive më të mëdha poli­tike në Republikën e Maqedonisë: VMRO-DPMNE, LSDM, PDSH dh PPD. Në marrëveshje ishte paraparë të mira­to­hen Amendamente në Kushtetutë dhe të bëhen ndryshime në ligje me qëllim të rritjes së të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë.
Me ndryshimet ligjore dhe strukturore në shtet duhet të rregullohet përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë e dytë zyr­tare, përfaqësimi i barabartë i bashkësive etnike në orga­net e qeverisë, të bëhet decentralizimi i shtetit etj. Njëko­hësisht erdhi deri te marrëveshja për mbledhjen e armëve jolegale në vend, të amnistohen pjesëmarrësit e konfliktit të armatosur dhe të kthehen të zhvendosurit e brendshëm.

Kjo marrëveshje, të cilën maqedonasit e konsi­derojnë si të padrejtë, e nënshkruar nën shtypjen e faktorit ndërkombëtar, u implementua në Kushtetutën e Maqe­donisë. Ndryshimet kushtetuese ishin të pavolitshme sidomos për maqedonasit, ndërsa për shqiptarët kishin karakter të fitimit të statusit si popull i dytë konstituiv në vend dhe mundësi për federalizmin e Maqedonisë.
Përkundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat, siç thek­suam, ishin në dobi të shqiptarëve, problemet mes shqiptarëve dhe maqedonasve nuk u tejkaluan. Shqip­tarët jo vetëm që insistonin në realizimin e shpejtë të marrëveshjes kornizë por edhe më tej dalin me kërkesa të reja në lidhje me të drejtat dhe liritë e tyre.


NDIKIMI I KONFLIKTIT TË ARMATOSUR NDAJ PROCESEVE DEMOKRATIKE NË MAQEDONI
Edhe pse konflikti i ngadalësoi proceset demo­kra­tike në vend dhe drejtpërdrejt i keqësoi marrë­dhëniet ndëretnike, megjithatë, për shqiptarët ishte mënyra e vetme që tju tregojnë maqedo­nasve se modeli i qeverisjes ishte i gabuar.
Nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë dhe imple­mentimi i saj në Kushtetutën e Maqedonisë për shqiptarët shënon një faqe të re të jetës në Maqedoni.


Gjatë konfliktit dhe në lidhje me konfliktin e armatosur janë shkelur shumë të drejta dhe liri themelore por është thyer edhe eko-sistemi.
Si rezultat i marrëveshjes së mira­tuar, e cila solli ndry­shi­me në Kushtetutën e Maqedonisë, fillon decentralizimi i pushtetit me orientim qytetar ku potencohet karakteri multietnik dhe multikulturor i vendit.


Konflikti kishte ndikim negativ në marrëdhëniet ndër­etnike, të proceseve demokratike në tërësi dhe sido­mos për ndjenjën e bashkëjetesës si një zgjidhje e pranueshme.
I njëjti do të jetë shkak për ngadalësimin e proceseve integruese të Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, BE dhe NATO.