Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Kongresi i gjuhės shqipe (1972) nė krizė!
sefedin

Postuar mė 18-11-2002 nė 01:18 Edit Post Reply With Quote
Kongresi i gjuhės shqipe (1972) nė krizė!

Mesazh

LETËR E HAPUR OPINIONIT KULTUROR TIRANAS

Nuk na ndihmoni nëse nuk na e thuani të vërtetën në fytyrë!

Tridhjetë vjet më vonë, konstatoj se protagonistët janë po ata (Ajeti, Lafe, Demiraj, Qosja…), se argumentimi është po ai (nacionalromantik, skajshmërisht i politizuar, ku anatemohen e ndiqen ata që mendojnë ndryshe), referencat janë po ato (Kostallari, Konica, Naimi, Materializmi dialektik…), se përfundimet janë të njëjtat. Mungonte vetëm fizikisht Enver Hoxha dhe linguisti shtetëror Androkli Kostallari. Po them, fizikisht, sepse shpirtërisht ata ishin aty. Triumfantë, si gjithmonë.

Migjen Kelmendi

Ka vite që nuk e shkruaj standardin gjuhësor të vitit '72. Praktikoj shkrimin e një gegërishteje ashtu si më kujtohet dhe si e flas me njerëzit e dashur të mi, ashtu si e flasin 2 milionë njerëz, shqiptarë të Kosovës, në familje, në rrugë, nëpër dasma e deka, nëpër kafeteri, nëpër jetë.

Por, duke pasur një respekt të madh për opinionin kulturor të Tiranës, ndoshta më mirë të them për mileun kulturor të Tiranës, vendosa që këtë letër të hapur ta shkruaj në gjuhën standarde, duke shprehur admirimin tim më tepër për toskërishten se sa për një grusht rregullash ortografie të caktuara me 1972. Sepse, unë nuk mund ta përjetoj e konceptoj ndaras toskërishten nga gjuha dhe kultura shqipe, ashtu si ndodhi me idiomën tjetër, gegërishten, gjatë gjithë kësaj kohe. Unë nuk mund ta kuptoj kulturën shqiptare pa njërin nga këto dialekte. Pa cilindo nga to, gjuha dhe kultura shqiptare për mua është më e pakuar, më e varfër dhe më e vogël.

Po shkruaj në gjuhën standarde sidomos për të shprehur respektin dhe vlerësimin tim të lartë për po këtë mile që gjuhë të veten ka toskërishten e ngritur në standard. Ndoshta duhet shpjeguar shkurt se çka mendoj me fjalën Mile Kulturor: për mua mile janë gjithë ata njerëz të kujtuar e të dhënë pas çështjeve kulturore, që ndjejnë një përgjegjësi për fjalën e thënë publike, që kanë sens të zhvilluar për drejtësi, që reagojnë publikisht dhe me zë, që kanë dhe mbajnë qëndrim ndaj çështjeve me rëndësi të përbashkët, që mundohen me qenë të argumentuar, dhe kanë aftësinë ta dëgjojnë tjetrin dhe argumentet e tij, dhe e thonë zëshëm e publikisht të vërtetën 'sikur edhe të duken qesharakë', si do të thoshte Sartr.

Jam thellësisht i bindur se njeriun e respekton po e respektove mënyrën e të folmes së tij. Gjuhën e tij. Dhe, vice versa. Këtu edhe konsiston një angazhim imi publik prej vitesh në Kosovë: e drejta për të qenë i tjetërt, i ndryshëm. Pa u shpall tradhtar, përçarës, pa paragjykuar. Mendoj se sot shkrimi dhe botimi i gegërishtes nuk mund të shpjegohet më përmes kontekstit ideologjik. Me këtë nuk them se kontesti politik i gjuhës standarde ka humbur, sepse nuk mund e shohim gjuhën jashtë shoqërisë, jashtë njeriu. Por, gegërishtja në kontekstin kulturor e gjuhësor të sotëm ka kuptimin e nji sfide ndaj tolerancës brendashqiptare. Gegërishtja si provokim i tolerancës që e ka ose s'e ka kultura shqiptare. Si mund të pretendojmë tolerancë ndaj kulturave tjera, sidomos në Kosovë, kur ne mund të jemi aq jotolerantë ndaj asaj pjese të kulturës sonë - gjuhës shqipe - pjesë e pandashme e monument auditiv i së cilës është dialekti gegë.

Ishit ju, mileu kulturor tiranas, që më thatë mua, me qëndrimin kritik tuajin, me angazhimin tuaj publik ndaj padrejtësive në shoqërinë shqiptare, pra, ju që më këshilluat mua përmes shembullit personal dhe veprës tuaj, mua një kosovari të humbur në Tiranë, nji alieni të përkryer në këtë qytet, se çka ka ndodhur me gjuhën shqipe gjatë asaj kohe komunizmi. Se sa të deformuar e të palexueshëm jemi ne në Kosovë brenda gjuhës standarde shqipe. Se çfarë paragjykimesh e stereotipesh tashmë janë krijuar në Tiranë nga ky mossundim i standardit nga ana e njerëzve të Kosovës. Dhe, sado të dhimbshme që ishin ato të vërteta, ju falënderoj për të gjitha. Se m'i thatë, e kuptova edhe si respekt. Nuk m'i kishin thënë në Kosovë. Nuk e mësova në Prishtinë, në Kosovë, se çka ka ndodhur me gjuhën shqipe. Ishte Tirana, ishit ju, si mile kulturor tiranas, që më iluminuat dhe më bëtë ta perceptoj e ta përjetoj tashti Kosovën nën dritën e kësaj të vërtete të rëndë e të hidhur që mësova nga ju.

Po, cila është kjo e vërtetë e cila ma jep guximin dhe kurajon që të këmbëngul në angazhimin tim publik për nevojën emergjente që të rishikohet e të rivlerësohet norma dhe standardi gjuhësor shqip?

Është realiteti lingual kosovar. Është ajo që kishit hetuar dhe diktuar ju menjëherë, sapo u bë e mundur për kosovarët që ta vizitojnë Shqipërinë: joautenticiteti i kosovarit brenda standardit shqip. Kosovari me tërë peshën e epigonizmit të tij. Kosovari me tërë infantilitetin e një nacionalizmi romantik të vonuar. Kosovari me atë standard qesharak të tij që ju bëri me gaz. Është Kosovari në rolin e një Kloni të Deformuar, një diçka si karikaturë e pasuksesshme e mileut kulturor tiranas, i cili kur e kuptoi se qesheni me te, u rebelua. Është Kosovari si një Klon i Rebeluar i cili do tashti t'i mbajë ligjerata dhe ders edhe Mjeshtrit, Krijuesit të tij. Autorit. Mileut Kulturor Tiranas. Kosovari i cili nuk i pëlqeu opti që pa në pasqyrën tuaj. Dhe, në vend se të kujtohet e t'i gjejë rrënjët e këtij deformimi, Kloni i Rebeluar Kosovar do që ta thejë pasqyrën. Është Kosovari si një Pinokio i rebeluar i cili s'e ka kuptuar se është i krijuar Mjeshtri.

Nuk na ndihmoni nëse nuk na e thuani të vërtetën në fytyrë. E di, është e zorshme t'i thuhet të çalit - i çalë, t'i thuhet kurrizos - kurrizo. Është e zorshme t'i thuhet Pinokios se është prej druri. Por, kjo heshtje ndaj realitetit lingual në Kosovë nuk e ndihmon nevojën emergjente të ndërmarrjes së masave që do ndihmonin dhe do ndikonin që ky realitet gjuhësor që shndërron një shqiptar Kosove në diçka joautentike, të ndryshojë.

Angazhimi im publik për nevojën imediate të rishikimit të standardit e ka kuptimin e një alarmimi të përgjithshëm me përmasat e këtij deformiteti gjuhësor në Kosovë. Ne mund të vazhdojmë të bëhemi të shurdhët ndaj këtij realiteti lingual në Kosovë, por një shoqëri që pretendon se është demokratike, se kultivon dhe aplikon metodat dhe të arriturat shkencore edhe në gjuhë, që kupton thellë të drejtat e njeriut dhe është më se koshiente për diversitetin dhe pluralitetin si vlera të nji shoqërie moderne e jo fatkeqësi, nuk besoj se mund t'i lejojë vetes të mbetet e shurdhët.

Kosova e reprezentuar përmes këtyre autoriteteve që morën pjesë në konferencën ndërkombëtare në Tiranë, nuk është Kosova e vërtetë linguale. Këto autoritete e fshehin këtë realitet lingual të Kosovës.

Po cili është ky realitet?

Me përgjegjësinë më të madhe prej njeriu publik e them hapur se aplikimi i standardit letrar në Kosovë ka dështuar. Ju ftoj ju, mileun kulturor tiranas, të mos i besoni këtij konstatimi tim, por të vini në Kosovë, ta bëni ju atë që nuk po e bëjnë Institutet e Akademitë e Kosovës, shkencëtarët e linguistët e Kosovës, që nuk po e bëjnë këto 'Konferenca Ndërkombëtare, e këto 'Seminare Ndërkombëtare". Ta bëni ju këtë demoskopi linguale, këtë hulumtim jo vetëm shkencor, por edhe njerëzor në Kosovë. Përse ky shqetësim imi që dua ta ndajë me ju? Arsyeja dominante është rinia kosovare. Kosova është shumë e re. Mos paçin përgjegjësi këta njerëz ndaj fëmijëve tanë, duhet ne ta marrim përgjegjësinë për ta. Shtatëdhjetë për qind e Kosovës sot është nën tridhjetë vjeç. Jo se ky shtatëdhjetë përqindsh nuk e sundon standardin e vitit 72, po standardin nuk e sundojnë as mësuesit e tyre të shqipes, as profesorët e tyre, as prindët e tyre ekonomistë, mjekë, juristë, gazetarë. Në Kosovë ende shtatë ditë të javës nuk di kush t'i shkruajë pa bërë të paktën një gabim. Sot, tridhjetë vjet më vonë aplikimi të tij. E di, tingëllojnë të rënda e kuturu këto fjalë e konstatime, por ju lus të mos më besoni. Ejani në Kosovë, në Prishtinë, cognito ose incognito, vërtetohuni. Unë do ju kërkoj falje publikisht nëse këto konstatime nuk vërtetohen. Vizitoni shkollat fillore në Kosovë, bisedoni me mësuesit e gjuhës shqipe. Kërkoni nga ata t'ju shkruajnë diçka në gjuhën standard. Bisedoni më fëmijtë shkollorë të Kosovës. Do të prekeni nga paaftësia e tyre për t'u artikuluar në gjuhën standarde. Do ta ndiheni të pushtuar po asaj pyetje që isha unë: çka ka ndodhur me gjuhën shqipe që i bënë fëmijtë tanë në Kosovë të duken si të retarduar. Por, edhe kur diçka mësojnë, duken si Pinokio. Falco. Joautentikë. Shkoni në gjimnaze, në shkolla të mesme. Kërkoni bisedë me profesorët e gjuhës shqipe. Bëni pyetje. Bisedoni me tinejxherët e Kosovës. Shkoni mandej në Fakultete, në ate të Gjuhës dhe Letërsisë. Bisedoni me profesorë, me studentë. Vizitoni Institutin e Gjuhës dhe Akademinë e Kosovës. Bisedoni me akademikë. Shikoni dokumentet zyrtare. Shikoni programet televizive. Dëgjoni radiot. Lexoni gazetat në Kosovë. Dhe, pasi ta keni bërë këtë hulumtim, le të takohemi së bashku, kështu publikisht, për t'i nxjerrë përfundimet. Jam i bindur se, ashtu si ju kam lexuar dhe ju kam njohur, do të jeni të kapluar nga i njëjti shqetësim.

Po bëhen tridhjetë vjet qëkur kultura shqiptare u përcaktua për nji standard dhe normë letrare. Asnjëherë dhe nga asnjë intelektual që ka mbajtur një qëndrim kritik ndaj atyre vendimeve, nuk kam lexuar se ka qenë ose është kundër nevojës për një standard gjuhësor. Ajo që është kontestuar gjithmonë është përgjegja që i bënë kësaj sfide civilizuese reprezentët e kulturës shqiptare në Tiranën e vitit 1972.

Përcolla me vemendje disa kontribute që u bënë në Konferencën ndërkombëtare për gjuhën shqiptare në Tiranë. Asnjë hulumtim me të cilin do të provohej suksesi, niveli i nxënies, prakticiteti i standardit nuk u promovua. Për pjesëmarrësit e kësaj konference Gjuha Standrade është mirë. Është në rregull. Vetëm disa njerëz (ata prej Kosove) janë shtrembër. Këta shkencëtarë dhe humanistë edhe një herë na provuan publikisht se janë më parë të gatshëm që t'i hedhin e t'i rishikojnë e ridizajnojnë njerëzit, gjeneratat e tëra me të rinj (sidomos në Kosovë), se sa t'i rishikojnë e rivlerësojnë vendimet që u morën në kushtet e mungesës së mendimit të lirë dhe lirive të përgjithshme në Tiranën e vitit 1972.

Po bëhen tridhjetë vjet dhe kultura shqiptare nuk e ka as edhe një hulumtim të vetëm me të cilin provohet e dëshmohet nxënia e standardit. Sidomos në Kosovë. Janë tridhjetë vjet që Kosova ka Institue e Akademi, që ka linguistë e shkencëtarë, që ka njerëz prej profesioni. Por, po ashtu, janë tridhjetë vjet që në Kosovë nuk është bërë as edhe një shkrim më i vogël për, ta zëmë - diglosinë. T'i lëmë fenomenet tjera gjuhësore. Për diglosinë si fenomen që qysh Çabej alarmonte se mund të paraqitet si i padëshiruar nëse njëri dialekt i shqipes sundon standardin.

E Kosova jo se s'ka diglosi - Kosova është rast frapant diglosie sot në Ballkan. Nuk mund të iket e shpëtohet nga ky argument i akullt i Kosovës sot, duke u munduar që të riinterpretohet, riformulohet e të shumëkuptimësohet fjala - diglosi. Kosova si Mbretëri Diglosie është argument krucial i dështimit të standardit gjuhësor në Kosovë. Nuk e di a mund të jetë shkaku se të shkruash për diglosinë do të thotë të pranosh se aplikimi i standardit ka dështuar, apo kjo është vetëm mungesë totale e përgjegjësisë profesionale dhe njerëzore e gjuhëtarëve kosovarë. Por, ky është - fakt. Ju ftoj të vini në Kosovë, të bisedoni me njerëzit e Kosovës, të vërtetoheni vetë se si do transformohen në sytë tuaj, se si do hutohen duke u përpjekur të flasin 'letrarçe", se si do zvogëlohen e belbojnë para jush, duke u munduar që të kalojnë nga një e folme në tjetrën.

Vokabulari triumfant që dominoi këtë konferencë nuk mendoj se i bën nder kulturës shqiptare. Realiteti lingual në Kosovë nuk i jep të drejtë as shfryerjes nga kënaqësia as tonit triumfant.

Reprezentët e kulturës shqiptare që ishin në sallë, më parë se të nxjerrin përfundime historike e fjalë të mëdha, do duhej nis matjet empirike, demoskopitë, duke biseduar me njerëz, duke i pyetur për problemet gjuhësore që kanë, duke krijuar e kultivuar debatet e transparencën, e sidomos, duke i dëgjuar edhe mendimet e argumentet e kundërta. Si mund të jetë shkencore një konferencë ku gjithë diskutantët janë të një mendimi? Konferencë ku nuk ftohen e nuk dëgjohen zërat që kanë mendim dhe argumentim tjetër. Si mund të quhet shkencore diçka që nuk krijon kushtet e ballafaqimit të argumenteve? Diçka është e vërtetë vetëm atëherë kur i bën ballë argumenteve që e kontestojnë. Nëse Standardi Letrar i vitit 72 qenka i arrirë, i gjetur, i pazëvendësueshëm, përse nuk lejohet që t'i nënshtrohet një argumentimi tjetër. I bëri ballë pyetjeve dhe skepticizmit të atyre që s'mendojnë si lingustët në sallën e kësaj konference, Standardi vetiu do dëshmohej i gjetur e i saktë. Por, zë tjetër në sallë nuk u dëgjua. Po si në vitin 72.

Tridhjetë vjet më vonë, konstatoj se protagonistët janë po ata (Ajeti, Lafe, Demiraj, Qosja…), se argumentimi është po ai (nacionalromantik, skajshmërisht i politizuar, ku anatemohen e ndiqen ata që mendojnë ndryshe), referencat janë po ato (Kostallari, Konica, Naimi, Materializmi dialektik…), se përfundimet janë të njëjtat. Mungonte vetëm fizikisht Enver Hoxha dhe linguisti shtetëror Androkli Kostallari. Po them, fizikisht, sepse shpirtërisht ata ishin aty. Triumfantë, si gjithmonë.

"gazetajava"

12.11.2002, Prishtinë






[Edituar më 21-11-2002 nga sefedin]

View User's Profile E-Mail User Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member This User Has MSN Messenger
Goni

Postuar mė 18-11-2002 nė 06:49 Edit Post Reply With Quote
Marre nga Gazeta55

Gjuha shqipe dhe pushteti i duartrokitjeve
"A di të bëhesh gjykatës dhe xhelat i ligjit tënd?" NIÇE

nga Mehmet ELEZI

1.
Te njoftimi se Akademia e Shkencave e Tiranës në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Prishtinës dhe Universitetin e Tiranës do të organizojë një tubim shkencor për 30‑vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit shumëkush lexoi kumtin se më në fund shteti po kujtohet njëmend për gjuhën shqipe. Televizioni shtetëror, që nuk e di përse në çdo ditar përsërit me këmbëngulje se është televizion publik, nisi me i përcjellë drejtpërdrejt punimet prej Pallatit të Kongreseve.
Pra diçka të rëndësishme paska këtu. Kthesë?
Tridhjetë vjet janë një kohë e mjaftueshme me vrojtue ç'të mira pati një kongres, ç'fryte solli e si mund të çohen më tej, por edhe (sidomos) ç'dëme i solli gjuhës e si mund të ndreqen ato, aq sa mund të ndreqen sot.
Në fund të fundit dobia e një pune matet me ndryshimet e mira që sjell; kjo është njësoj e vërtetë edhe në shkencë. Çfarë të rejash pruri në fatin e gjuhës shqipe ky tubim për gjuhën e standardizuar dhe shoqërinë shqiptare ("Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot", 11‑12 nëntor 2002), cilat janë vendimet premtuese të tij?
Media publikoi një rezolutë të mbushur me fjalët "bën thirrje". Kjo thirrje të kujton një OJQ. Por Akademia e Shkencave nuk është OJQ. Ajo sponsorizohet prej shtetit, si institucioni më autoritar që duhet të grumbullojë e të mbështetë trurin për t'i zgjidhur problemet madhore të kombit.
Pra: për t'i zgjidhur.
Problemet e gjuhës së një vendi të lirë nuk rregullohen me thirrje drejtuar opinionit a kujtdo tjetër. Madje duke i përmendur herë pas here e duke mos marrë masa për t'i zgjidhur, përftesa është e kundërt: shoqëria mësohet me praninë e të këqijave e nis me u shqetësue gjithnjë e më pak për to.
Ishte rasti që Akademia e instituti i saj i gjuhësisë, të financuar prej shtetit, të vinin në tubim me ide të qarta çfarë duhet ndryshuar. Dhe këto ide të pasqyroheshin në një projekt të dokumentit kryesor të përgatitur me kohë, siç ndodh kudo në botë në tubimet serioze. Konferenca më pas mund ta rrëzonte, ta ndryshonte a ta plotësonte atë.
Por vendin e një dokumenti‑program e zuri një thirrje gjyshërore për ta dashur gjuhën dhe për të ngritur një a disa komisione dado.
2.
Disa prej plagëve të gjuhës shqipe u përmendën e u trajtuan në ligjërime të veçanta, hapur e me kthjelltësi. Por në to nuk u ndërhy; kurrfarë strategjie e kontrollueshme nuk u përcaktua për shërimin e tyre. U hijesuan me mbulesë presidiumesh, u përkundën me ninullë mikrofonesh. Gjithçka mbeti në mëshirën e moralit të shtetit, i cili deri tashti nuk ka dëshmuar asnjë nerv të dridhshëm lidhur me treguesin më të qartë të identitetit europian të shqiptarëve, me gjuhën shqipe.
Se cilat janë disa prej këtyre pikave të dhimbshme, për këtë kam shkruar disa herë në hollësi në këtë gazetë dhe ngjeti ("Gjuha shqipe: plagët e Gazullit e plagët e saj", qershor 2002, e të tjera). Por me që është rasti po i cek shumë përmbledhtas duke i parë në lidhje me tubimin e fundit.
Çfarë mungoi në këtë tubim?
3.
Në këtë tubim mungoi më e para e më e thjeshta: një kumt klithmë i njëzëshëm në emër të gjithë pjesëmarrësve për qeverinë që gjuha shqipe të futet menjëherë e me seriozitet të madh në programet e shkollave të mesme e të larta. Një kërkesë e tillë përmendet diku pas një lidhëse "gjithashtu" midis paragrafëve të rezolutës, thjesht "më ka çue nana me la gojën".
Në botën e qytetëruar, përfshi SHBA, dy provimeve u kushtohet rëndësi vendimtare: gjuhës amëtare e matematikës. E kam prë vetë në vend se si edhe për t'u bërë mësues i thjeshtë fiskulture në një vend si Bullgaria provimi më i vështirë që i bën me ra në peshë konkuruesit për akademinë e kulturës fizike e sporteve është gjuha bullgare. Me këtë logjikë pritej që Hirushes së deritanishme të quajtur Gjuhë Shqipe t'i vishej këpuca e princit, të cilën kësaj gjuhe ia ka paracaktuar vetë Zoti. Gjuha shqipe është ndër më të vjetrat e më të mëdhatë e kontinentit, për të mos përmendur një vlerësim të Kadaresë që e rendit ndër dhjetë gjuhët më të rëndësishme të rruzullit. E pikërisht kjo gjuhë shqipe vazhdon me qenë zyrtarisht më e nënvleftësuara e më e shpërfillura në atë pjesë të atdheut të saj që quhet Republika e Shqipërisë.
Në shkollat e mesme e të larta të Shqipërisë gjithçka mund të mësohet, vetëm gjuha e shqiptarëve jo. Gjithkush e di se gjuha mbi baza shkencore mësohet vetëm në shkollë. Ishte e udhës që Akademia, Universiteti, organizatorët e tubimit, të kishin rënë qysh më përpara në një mendim të përbashkët me ministrinë e arsimit dhe problemi të merrte rrugë. Dhe në se nuk do të kishin gjetur mirëkuptimin e nevojshëm, atëherë, po, le t'i drejtoheshin opinionit me një thirrje për të kërkuar mbështetjen e tij në marrëdhëniet e tyre me shtetin, duke i shprehur qartë mospajtime me të.
Asnjë qëndrimi akademik institucional për ta përmbysur këtë dhunë të heshtur shtetërore mbi gjuhën nuk u përcoll nga kjo konferencë.
4.
Në këtë tubim pritej që të shqyrtohej me përgjegjësi kombëtare lehtësimi e çlirimi i gjuhës shqipe prej rregullave të ngrira orwelliane, që u vendosën në kohë të diktaturës, pikërisht në Kongresin e Drejtshkrimit 30 vjet më parë.
Njësimi i gjuhës në Kongresin Drejtshkrimit e sidomos pranimi e institucionalizimi i rregullave të reja drejtshkrimore në Kosovë, në Maqedoni, Në Mal të Zi e në të gjitha trevat e tjera shqiptare ose ku flitet shqip, pavarësisht nga të metat thelbësore të këtyre rregullave, për rrethanat e kombit shqiptar ishte një fitore historike. Ky njësim shërbente me e ruejtë njësinë (unitetin) e brendshme të kërcënuar të kombit. Ky njësim u kundërvihej tezave përçarëse bizantine të Beogradit e mbështetësve të tij, duke i dëshmuar botës se shqiptarët në Ballkan kanë qenë e mbeten një komb i pandashëm, pavarësisht nga copëtimi e dhuna e historisë mbi ta.
Në këtë vështrim akademikët e trevave jashtë kufijve shtetërorë, që votuan për normat e reja të drejtshkrimit, sadoqë orwelliane, u dëshmuan vizionarë.
Por kjo fitore historike pagoi një haraç të madh krejtësisht të panevojshëm, duke u shndërruar gati në një fitore si e Pirros për gjuhën e më gjërë. Këtë haraç krejtësisht të panevojshëm ia pagoi politikës së ditës.
Ndërsa prej atij kongresi dukej se gjuha shqipe doli buzëgaz, ajo buzëqeshje e mbërthyer prej rregullave a la kompraçikos të sillte ndër mend Njeriun që Qesh të Hygoit. Ose njerëzit e qeshur të pikturave më përfaqësuese të realizmit socialist.
Kongresi i Drejtshkrimit qe organizuar nën mbikqyrjen e rreptë të kreut të piramidës së kuqe, që përcaktonte njësoj edhe ku do të hapej një pus nafte e ku do të mbilleshin hudhra, edhe ku do të hiqeshin y‑të për t'u zëvendësuar me i ose u. Me një zell të tepruar ai përjashtoi mujshëm thesare të pallogaritshme të gjuhës shqipe në dialektin gegë të saj. Shqelmoi vlera që janë në përdorim prej rreth tri të katërtave të shqiptarëve, të vetmet që ishin pasqyruar qindra vjet rresht edhe në shqipen e shkruar.
Ky përjashtim nuk u bë sipas kritereve shkencore. Ai u bë sipas kritereve politike vetiake, që vetëm kombëtare nuk mund të quhen. Prapavijën e këtij përjashtimi e kam trajtuar më përpara e nuk është vendi me u ndalë tashti.
5.
Dëshiroj me e shpalosë qartë qysh në fillim se nuk shtrohet problemi gegërishtja a toskërishtja.
Problemi shtrohet: gjuha shqipe, pasi duke u lënë mënjanë pasuritë e gegërishtes, u cunguan pasuritë e vetë gjuhës shqipe, pjesë e pandashme e së cilës janë njësoj si gegërishtja edhe toskërishtja. Shqetësimi kryesor nuk është pse e pësoi gegërishtja. Shqetësimi kryesor është se duke u kryqëzuar gegërishtja e pësoi gjuha shqipe e qytetërimi shqiptar. Duke therur njërin ka në mes të lavrës krimi bie mbi kaun e therur, por në një vështrim të gjërë dëmi afatgjatë bie mbi lavërtarin dhe arën e shterpuar.
Këto pasuri të nëpërkëmbura i përkasin fjalësit (leksikut), strukturës gramatikore dhe fonetikës. Aq i madh është gjymtimi, saqë shkrimtarë të mëdhenj që kishin shkruar e botuar vetëm 20‑30 vjet më parë, si Fishta, Mjeda etj., për gjuhën e standardizuar u bënë të largët e të pakuptueshëm gati si arbëreshët e Italisë. Pa folë për kryevepra si Visaret e Kombit, Eposi i Kreshnikëve etj., të cilat, bashkë me autorët e mësipërm, për t'i bërë të kuptueshme për brezat e rinj duhet me i "përkthye" prej shqipes në shqip. Eshtë e kotëorvatja me e fshhë këtë të vërtetë me praktikën e strucit.
Një shkëputje kaq e thellë prej vlerave gjuhësore kombëtare brenda 20‑30 vjetëve nuk është dëshmuar në asnjë gjuhë të botës në kohët e reja. Një shkëputje kaq e thellë prej vlerave gjuhësore kombëtare brenda 20‑30 vjetëve nuk mund të jetë në nderin e meritat e një gjuhe të standardizuar dhe as në shërbim të qytetërimit e të njësisë (unitetit) të popullit që e flet.
Gjuha shqipe e standardizuar tashti i ngjan një lumi që rrjedh nëpër një shtrat të mbyllur e të zënë në të katër anët me beton. Muret e betonta nuk lënë asnjë curril të kthjellët me u derdhë në të. Këto mure duhen shpërthyer me një mendim shkencor, profesional. Duhen çelë presa që të vijnë aty të gjitha prurjet e pastra prej tërë trevave shqiptare.
Atëherë çfarë duhet bërë?
6.
Kongresi i Drejtshkrimit nuk është nja tabu. As bibël nuk është. As kushtetutë dyqindvjeçare, megjithëse edhe kushtetuta të tilla monumentale amendohen.
Rishikimi kritik i vetes është vlerë dhe dëshmi jetësie. Eshtë përgjegjësi e seriozitet. Akademikët tanë dhe institucionet akademike nuk ka përse të vazhdojnë me mbetë skllevër të pushtetit të duratrokitjeve të tridhjetë vjetëve më parë, hija e të cilit endet edhe sot përgjatë mermerit të ftohtë të zyrave. Në qoftë se rregullat e drejtshkrimit u vendosën në mënyrë institucionale, në një kongres, 30 vjet më parë, përsëri në në mënyrë institucionale, në një tubim shkencor, mund e duhet të ndryshohen e të përmirësohen ato.
"A di të bëhesh gjykatës dhe xhelat i ligjit tënd?", thotë Niçja.
Nuk duhet ngatëruar tempulli me shërbestarët që janë aty. Tempulli është i shenjtë por shërbestarët mund të qëllojnë mëkatarë e kryemëkatarë. Gjuha shqipe është tempull i shenjtë por nuk është i tillë Kongresi i Drejtshkrimit dhe as kuvendet e çfarëdoshme të konjukturave shtetërore.
Një trajtim i mitizuar i Kongresit të Drejtshkrimit, që e quan të paprekshëm, është joshkencor e jodemokratik. Ai të le shijen e kohëve kur thuhej "e di partia, partia nuk gabon".
7.
Disa flasin për një ligjësim të dy standardeve të shqipes, të standardit gegë e standardit toskë. Mbase kështu mendojnë se qepet disi plaga që la shpata e Kongresit të Drejtshkrimit. Gjykoj se vështrimi i tyre është i paqëndrueshëm për tri arsye thelbësore:
‑Mendimi për të ligjësuar dy standarde të shqipes, standardin gegë e standardin toskë, nuk ka bazë shkencore, pasi si toskërishtja ashtu edhe gegërishtja përfaqësojnë të njëjtën gjuhë, gjuhën shqipe. Në cilin vend të botës së qytetëruar janë ligjësuar dy standarde të së njëjtës gjuhë? Frengjishtja e Marsejës (e jugut të Francës) ndryshon dukshëm me frengjishten pariziane, megjithatë asnjë francez as në kohët më të çmendura nuk e ka lëshuar idenë e "dy frengjishteve". Italishtja napolitane ndryshon deri në dhimbje me fiorentinen e Dantes që përbën standardin letrar italian. Megjithatë asnjë italian as në kohët më të çmendura nuk e ka lëshuar idenë e "dy italishteve".
Arsyeja është thjesht se një gjuhë nuk ka si të bëhet dy.
‑ Mendimi për të ligjësuar dy standarde të shqipes, standardin gegë e standardin toskë, nuk ka një mbështetje kombëtare. Me ose pa dashje ai ndihmon me mbajtë gjallë me frymëmarrje artificiale teorinë e shpikur në laboratorët antishqiptarë që synon më i nda shqiptarët e Shqipërisë, të jugut të saj, me shqiptarët Shqipërisë së Mesme e të Veriut, përfshi Kosovën e viset shqiptare në Maqedoni, Mal të zi e në Kosovën Lindore. Beogradi ende flet për "shqiptarë" e "albanci".
‑Mendimi për të ligjësuar dy standarde të shqipes, standardin gegë e standardin toskë, nuk është i jetësueshëm nga pikëpamja praktike: si do të zhvillohej mësimi në shkolla? Cili do të ishte standardi i administratës shtetërore? E të tjera pyetje kësisoj.
8.
Atëherë mos jemi në rrugë pa krye?
Gjuha u fut me dashje në një rrugë pa krye dhe vazhdon me u mbajtë në një rrugë pa krye. Por rruga megjithatë krye ka. Duhet vetëm vullneti i mirë.
Përmbysje e plotë e Kongresit të Drejtshkrimit e rifillimi nga e para?
Nuk është koha me ndërmarrë aventura përmbysëse. Gjuha shqipe nuk është kioskë megjithëse mund të jetë trajtuar si kioskë. Gjuha shqipe është një kala madhështore. Pavarësisht se është ndërhyrë shumë keq në arkitekturën e saj, me të tashti nuk mund të luhet rëndë. Kemi boll halle të tjera si vend e si komb, pa u hyrë edhe këtyre.
Në qoftë se nuk është koha me ndërmarrë aventura përmbysëse, nuk ka përse të mos rishikohet me themel Kongresi i Drejtshkrimit. Të rishikohet me qëllim që rregullat gjuhësore të disiplinojnë një shtrat të gjërë për lumin e gjuhës shqipe, ku të derdhen gurra e rrjedha nga të gjitha malet ku ka shqiptarë, e jo vetëm nga vendlindja e dikujt.
Gjuha shqipe duhet të çlirohet prej atyre pllakave të ngurta që ia zënë frymën. Eshtë koha për hapjen e njëmendtë të gjuhës, për t'i liberalizuar me kritere shkencore rregullat ekzistuese, për ta zhbunkerizuar gjuhën, për t''ia zhveshur këmishën e llamarintë të kohës së paranojës. Kjo është detyrë parësore. Pasuritë e pafundme shqipe në gegërisht duhet t'i rikthehen në mënyrë institucionale pronarit të ligjshëm që quhet Gjuhës Shqipe.
Kundërshtarët e kësaj zgjidhjeje thonë se nuk mund të bëhet "shartim" i trajtave gegërisht me trajtat toskërisht të standardizuara.
Por nuk e di me ç'logjikë të ndershme mund të përdoret fjala "shartim" kur kemi të bëjmë me të njëjtën gjuhë. Për shartim mund të flitet vetëm kur është fjala për dy gjuhë të ndryshme. Por gjuha shqipe është një gjuhë dhe vetëm një.
Kundërshtarët e kësaj zgjidhjeje shtojnë se trajtat e gegërishtes, mënyra paskajore e të tjera, nuk ngjizen, nuk u përshtaten me "indet" e gjuhës standarde. Por si nuk u përshtatkan përderisa është i njëjti mish, i njëjti gjak, të njëjtat inde të gjuhës shqipe?
Ose janë dy gjuhë dhe nuk përshtaten, ose është një gjuhë dhe duhet përë hapja e saj.
Nëse ata kanë mendimin se gegërishtja dhe toskërishtja qenkeshin dy gjuhë të ndryshme, është e drejta e tyre të mendojnë kështu ose ndryshe. Po pikëpamjen e tyre le ta shtrojnë hapur, përse e fshehin?
Nëse nuk e kanë këtë mendim, atëherë teoria e tyre e "mospërshtatjes" së indeve të të njëjtit trup është vetëm një bombë tymëse që pshtjellon.
Kundërshtarët e kësaj zgjidhjeje thonë se paskajoren e kanë zhvendosur edhe greqishtja e gjuhët sllave të Ballkanit, që e kanë pasur dikur.
A duhet bërë kjo përqasje? Grekët dhe sllavët kanë rrjedhat e tyre, shqipja dhe shqiptarët të tyren. Në shqip paskajorja ka qëndruar, edhe sot e kësaj dite është një mënyrë foljeje shumë e përdorshme (deri edhe si mënyrë urdhërore) prej mbi dy të tretave të shqiptarëve. Ka pasur prirje që paskajorja të gjallërohet edhe në toskërisht. Në këngën qindjveçare "Për mëmëdhenë" të M. Gramenos vargu është "Vraponi burra se s'ka me pritë". Paskajorja gjindet edhe në disa këngë popullore beratase e korçare e mbase edhe gjetkë, por unë nuk e kam studiuar posaçërisht. Nuk ka arsye pse gjuha shqipe të detyrohet me dhunë me ndjekë shembullin e gjuhëve bizantine, kur ajo vetvetishëm ka ndjekur shembullin e gjuhëve të mëdha perëndimore.
Në anën tjetër, nëqoftëse e kanë zhvendosur greqishtja e gjuhët sllave të Ballkanit, anglishtja e ka më të gjallë se kurrë, frengjishtja e italishja poashtu. Te Buzuku gjindet lidhorja, por vështirë se ky është një fakt kundër paskajores. Paskajorja e lidhorja mund të bashkëjetojnë, ato nuk janë të barabarta.
Asgjë të re të prekshme nuk solli në mënyrë institucionale ky tubim në këtë fushë.
9.
Në këtë tubim pritej të përcaktoheshin disa masa të njëmendta, të kontrollueshme, gjithnjë në bashkëpunim me institucione të tjera të shtetit, sidomos me ministrinë e arsimit, për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
Siç e thanë një numër dijetarësh, mjerisht gjuha shqipe po vazhdon me u shkatërrue për ditë.
Po dëmtohen keqas tri shtyllat themelore të saj: fjalori, struktura gramatikore e sistemi fonologjik.
Po e shkatërrojnë botimet zyrtare e jozyrtare, media dhe politika.
Po e shkatërron shkolla e paaftë, një sistem shkollor tepër i dyshimtë, ku vetëm gjuhë shqipe nuk mësohet.
Asnjë të re nuk solli në mënyrë institucionale ky tubim në këtë fushë, përveç thirrjes në hapësirë me stil OJQ‑je.
Nuk më duket e drejtë rrekja me i përligjë sadopak disa dukuri shkatërruese për gjuhën, duke i parë ato si një zhvillim i natyrshëm i ndërveprimit të kulturave në kuadrin e integrimit në Europë.
Integrimi në Europë është një ëndërr dhe orientim i palëkundshëm i shqiptarëve në të gjitha trevat. Por ai nuk mund të bëhet duke lënë peng veçoritë më të qenësishme të identitetit kombëtar të shqiptarëve as të cilitdo popull tjetër.
Europa është sa e njësuar aq edhe e larmishme falë larmisë së gjuhëve, kulturave, traditave të kombeve që e përbëjnë. Duke qenë thellësisht demokratik, qytetërimi perëndimor është edhe shumë i ndjeshëm, ai i pranon e i nderon edhe kulturat e traditat e qytetarëve europianë me origjinë afrikane a aziatike; ata ndërtojnë sinagoga e xhami në Paris, Berlin e Londër, hapin klube, organizojnë koncerte. Aq më tepër Europa e nderon dhe e çmon identitetin e kombeve europianë, që përfaqësojnë në mënyrë origjinale pjesë të qytetërimit të saj. Dhe shqiptarët janë bashkëthemelues të këtij qytetërimi e gjuha shqipe është indoeuropiane.
10.
Në këtë tubim pritej të programohej ose të shpallej diçka për botimin e veprave themelore që kanë të bëjnë me gjuhën e gjuhësinë shqiptare dhe për sponsorizimin e veprave të reja me peshë.
Veprat e Çabejt që i thelluan e i vulosën përfundimet e Meyerit, Joklit e dijetarëve të tjerë të mëdhenj mbi karakterin indoeuropian të gjuhës shqipe, pikërisht veprat e plota të kësaj mendjeje të ndritur që do ta meritonte një shtatore në qendër të Tiranës, në Tiranë nuk janë botuar kurrë. Lavdi Zotit që ia pati dalë me i botue Akademia Shkencave e Prishtinës qysh në vitet shtatëdhjetë, anipse nën sundimin serb, e sot kush është i interesuar gjithësesi mund t'i gjejë, ndonëse me shumë vështirësi për shkak të kopjeve të pakta. Nuk është botuar kurrë fjalori i Dizdarit për orientalizmat në gjuhën shqipe, që vlerësohet si më i miri e madje i vetmi në këtë fushë (Çabej e citon me dhjetëra herë në veprat e tij). Gjuha shqipe ka të njëjtin Fjalor të vitit 1980 me vetëm 35.000 fjalë të një sipërfaqeje të kufzuar të gjuhës e jo të thellësisë, të ribotuar këto kohë me një ripunim rreth 5 përqind, siç është thënë, çka nënkupton vetëm pastrimin nga disa tejpolitizime të kohës e asgjë më tepër. Gjuhës shqipe ende i mungon një fjalor që të përmbajë edhe etimologjinë e fjalëve, siç e kanë të gjitha gjuhët e Ballkanit, të Europës posepo. I vetmi Fjalor Etimologjik i Gjuhës Shqipe është hartuar e botuar në anglisht prej një gjuhëtari rus (Vladimir Orel) me 1998, i cili me gjithë vlerat, duket se nuk i ka shpëtuar prirjes për të gjetur sllavizma edhe aty ku ato është vështirë të gjinden e të sajohen. Fjalorët e Gazullit e Bashkimit ka qenë e mundur të botoheshin përkatësisht nën pushtimin osman (1908) e nën pushtimin nazist(1942), por kurrë nuk u (ri)botuan në Shqipërinë e çliruar. E vazhdojnë të mos botohen.
Sërish asgjë e re rreth këtyre (ri)botimeve nga tubimi i dy ditëve të fundit.
Ndoshta vetëm një pjesë e vogël e shpenzimeve të kësaj konference do të kish mjaftuar me i botue të gjitha këto e vepra të tjera.
11.
Nuk i dinë Akademia dhe Instituti i Gjuhësisë varrët e dhimbjet e mëdha të gjuhës shqipe?
Shqipërisë nuk i kanë munguar e nuk i mungojnë dijetarët, as gjuhëtarët e mëdhenj. Ata ishin edhe në tubimin në fjalë. Por varet sa dëgjohen e sa pyeten ata.
Në të shkuarën nuk janë pyetur, përkundrazi, janë parë me dyshim siç qe vepruar me Çabejn, ose janë fluturisur e degdisur në fund të botës, si prof. Selman Riza. Sot praktikisht dijetarët e vërtetë jokonformistë janë të mbrijuar (spostuar), anipse në ndonjë rast mund të thirren më shumë si dekor në presidiume e në ndonjë rast edhe mund t'u ofrohet foltorja. Pushteti i ka mënjanuar ashtu siç ka vepruar me shumcën dërrmuese të intelektualëve të njëmendtë që vështrojnë vetëm kah Perëndimi e nuk e shesin shpirtin; ashtu siç ka vepruar me shumcën dërrmuese të intelektualëve që e duan Shqipërinë, ndaj s'e kanë braktisur kurrë, paçka se e kanë të pasigurtë vetë mbijetesën, pa folë për më shumë.
Me sa duket janë gishtat e gjatë të një politike të vjetër ata që ndërhyjnë përsëri në Akademinë e Shkencave e jo vetëm aty.
Katër vjet më parë, pikërisht në tetor 1998, kjo akademi botoi "Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare". Zgjidhja e çështjes shqiptare, sipas kësaj platforme, duhej të ishte Kosova me një status Republike me kryeqytet Beogradin. E njëjta tezë, nxjerrë prej sirtarëve të mykur të politikës zyrtare të fillimit të viteve tetëdhjetë. Atëherë Shqipëria ishte nënë diktaturë; kohët e kushtet ishin krejt të tjera.
"Nuk na le politika", qe përgjigja e drejtuesve të akademisë menjëherë pas botimit të platformës.
Në të gjithë botën e qytetëruar shkenca është shkencë e politika politikë. Shkenca jep alternativat e saj sipas argumenteve shkencore. I merr a nuk i merr parasysh politika, që vepron mbi të tjera ligje, kjo është çështje tjetër, kjo është punë e politikës e jo e shkencës. Nëse do të veprojë ndryshe shkenca del prej shtratit të vet. Nëse do të veprojë ndryshe shkenca nuk mbetet më shkencë, por shndërrohet në një aneks zezan të politikës.
12.
Kurrgjë e re nga fronti i... gjuhës shqipe. Vetëm dashuri për kamerat, për të dalë para tyre. Dashuri në kohë të kolerës!
Atëherë përse u mblodh tubimi i 11‑12 nëntorit?
E vetmja nevojë që ka gjuha shqipe është një vëmendje sado e vogël e shoqërisë dhe sidomos e institucioneve të shtetit me ia shërue plagët dhe e mbrojtë prej brejtjes e gërryerjes së pamëshirshme.
Kjo shëndoshje e kjo mbrojtje nuk bëhen me jehonën e shuplakërrahjeve të tridhjetë vjetëve më parë. As duke i përcjellë këto tubime drejpërdrejt në ekranin e kaltër të taksapguesve shqiptarë, të cilët, ndërsa e duan e mbase janë gati me u flijue për gjuhën shqipe, shumë pak marrin vesh nga problemet teknike të saj.
Shëndoshja e mbrojtja e gjuhës shqipe mund të bëhen me masa të prekshme energjike prej mendjesh që mendojnë shqip e prej zemrash që rrahin shqip.

Mehmet ELEZI
Tiranë, më 12 nëntor 2002

View User's Profile View All Posts By User U2U Member
sefedin

Postuar mė 21-11-2002 nė 16:16 Edit Post Reply With Quote
GJUHA SHQIPE NUK ËSHTË NË KRIZË, NË KRIZË ËSHTË GJUHËSIA SHQIPTARE !


Gjuhëtarët, pa humbur kohë, duhte ta kuptojnë se Gjuha Shqipe nuk është në krizë, përkundrazi është në zhvillim të vrullshëm, ajo shfaq përditë dukuri të reja, realitete të reja të cilat nuk i ndjek dot Gjuhësia Shqiptare. Nëse Gjuhësia Shqiptare vazhdon të mbahet te nenet e Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972, shumë shpejt do ta ndjejë veten jashtë çdo roli ndaj Gjuhës Shqipe. Gjuhëtarët Shqiptarë, në bashkëpunim të ngusht me lëvruesit e shquar të Gjuhës Shqipe dhe të institucioneve të mëdha mediatike, enteve të fuqishme botuese, katedrat albanologjike autoritative në botë, duhet të takohen rregullisht, të ballafaqojnë përvojat, të shkojnë drejt platformave të cilat në një kohë të parashikuar dhe të përshtatshme t’i ballafaqojnë ato në mënyrë jopërjashtuese, gjithsesi duke qenë të çliruar nga dogmat e politike gjuhësore të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972.

Shkruan: Skender Buçpapaj


Të ashtuquajturin jubile te 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, mbajtësit e mbijetuar të atij Kongresi, pra veteranët e tij, e shfrytëzuan për të dhënë alarmin për gjoja "krizën e Gjuhës Shqipe". Sipas tyre kjo krizë paska filluar me shpalljen e pluralizmit ne Shqipëri dhe është rrjedhojë e moszbatimit te Kongresit të Drejtshkrimit 1972. Prandaj veteranët e këtij Kongresi shpëtimin e Gjuhës Shqipe e shikojnë te rikthimi i besnikërisë së Shqiptarëve ndaj Kongresit, pra te rifillimi i zbatimit të Kongresit. Vetë fakti që "shthurja " e Gjuhës Shqipe daton me shpalljen e pluralizmit, pra kur nisin të lindin liritë, ndër të tjera, edhe gjuhësore edhe për Shqiptarët, tregon se Kongresi ka qenë thjeshtë një direktivë apo një përmbledhje direktivash, pra i detyrueshëm për t’u zbatuar. Ngaqë ai asnjëherë nuk u bë vetëdijë e Shqiptarëve, që në rastin e parë të një lirie fillestare e sado të pakët, ai pushoi së zbatuari. Kjo dëshmon se Kongresi nuk ishte një dukuri e natyrshme në përgjigje të një situatë gjuhësore, një realiteti gjuhësor, nuk ishte një orientues i natyrshëm për folësit dhe lëvruesit e Shqipes. Kongresi i Drejtshkrimit i nëntorit 1972 u quajt i tillë, pra Kongres, për ta vënë përballë Kongresit të Manastirit te vitit 1908. Pra, për ta quajtur atë si kurorëzim të asaj vepre që e filluan dhe e konkretizuan rilindasit tanë, për të marrë merita kombëtare si ato te Kongresit të Manastirit, pra gjoja si Kongres i unitetit kombëtar të Shqiptarëve. Përmbajtja e dokumenteve që dolën nga punimet e gjoja Kongresit treguan se ai jo vetëm nuk ishte Kongres i unitetit, por as nuk ishte i tillë. Fjalorët e sqarojnë kuptimin e termit kongres si "mbledhje zyrtare apo seri mbledhjesh zyrtare midis delegatëve". Kongresi i Manastirit ishte kongres, sepse anëtarët e kongresit ishin delegatë të shoqërive kulturore shqiptare nga Shqipëria e asaj kohe dhe diaspora të cilat paralel kishin punuar për alfabetin e Shqipes. Ata përfaqësonin edhe platformat e ndryshme të alfabeteve që konkuruan, siç ishin alfabeti i Stambollit, alfabeti i Shoqërisë "Agimi", alfabeti i Shoqërisë "Bashkimi" etj.. Mbi bazën e konkurimit të këtyre alfabeteve, fitoi alfabeti i Shoqërisë "Bashkimi" të Preng Doçit dhe Gjergj Fishtës, i cili, me pak elemente, të marrë nga alfabetet e tjera është alfabeti i përbashkët i Shqiptarëve prej asaj kohe e deri sot, pra gati njëqind vjet tashmë. Kongresi i Drejtshkrimit të nëntorit 1972 ishte koneres i të ftuarve me shkresa qeveritare, prandaj ai nuk ishte kongres. Aty nuk u ballafaquan platforma të ndryshme për Gjuhën Letrare Shqipe. Aty u paraqit një raport shtetëror i miratuar dhe u lexuan fjalime të mirafuara paraprakisht. Pra, asaj që ishte vendosur më parë iu bë "amini" pa asnjë diskutim, pa asnjë debat.

Fakti që permbajtja e dokumenteve të Kongresit të Drejtshkrimit 1972 nuk ndryshonte pothuaj fare nga Rregullorja e Drejtshkrimit e vitit 1967, tregon se në Kongres nuk u diskutua asgjë dhe nuk u vendes asgjë e re. E vetmja gjë e re që doli nga Kongresi ishte se, prej asaj dite ndaloheshin botimet në Dialektin e Veriut, pra në Gegërisht. Pra, ai ishte në thelb një Kongres antiGegërishte. Si i tillë, Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 nuk ishte as kongres dhe as kongres i unitetit kombëtar. Natyrisht ai ishte "fitore" e vijës se PPSH-së në gjuhësi, por nuk ishte aspak fitore e Gjuhës Shqipe dhe as fitore e Gjuhësisë Shqiptare apo e Kombit Shqiptar, në atë shkallë që u trumbetua. Se ishte i tille mund te mjaftojë një argument i përmendur nga vetë raporti i Kongresit. Aty thuhet se në njëzet e sa vitet e fundit botimet në Dialektin e Jugut, pra në Toskërishte ishin shumë më të tepërta se ato në Dialektin e Veriut, pra te. Gegërishtes, çka tregonte, sipas raportit, epërsinë e njërit dialekt ndaj tjetrit për t"u marrë si bazë e Gjuhës Letrare Kombëtare.

Raporti, natyrisht, nuk mund ta thoshte se shifra në të cilën bazohej ishte artificiale dhe arbitrare. Sepse botimet gege ishin ndaluar gjoja për fajin e autorëve te cilët ishin shpallur armiq, ishin pushkatuar, ishin burgosur, atyre që kishin mbetur gjallë dhe jashtë burgjeve iu ishte ndaluar botimi. E vërteta për Kongresin e Drejtshkrimit do të dilte në dritë vetvetiu që në çastet e para te pluralizmit në Shqipëri.

Partizanët e trumbetuesit e Kongresit të Drejshkrimit në të vërtetë ishin ithtarët fanatikë të vijës se PPSH-së në gjuhësi. Ata bënin pjesë në atë kategori që e kuptonte pluralizmin si revansh të Veriut ndaj Jugut, prandaj si revansh të Gegërishtes ndaj Toskërishtes. Ata e kuptonin se Kongresi i Drejtshkrimit nuk do të zbatohej më nga askush, në kuptimin nuk do të zhatohej në mënyrë strikte si komandamentet e Biblës, pra ai më nuk do të pranohej si dogmë gjuhësore siç ishte pranuar deri atë dite Kongresi dhe dokumentet paraprake të tij. Dogmatët e Kongresit u alarmuan kur një grup gjuhëtarësh të Shkodrës guxuan të vënë në diskutim disa nga parimet bazë të Kongresit, si parime jogjuhësore, pra si parime joshkencore, por si parime mirëfilli politike të imponuara nga direktivat e PPSH-së. Ftesën e gjuhëtarëve të Shkodrës për të dalë me platfoma për të diskutuar gjendjen dhe të ardhmen e Gjuhës Letrare Kombëtare e refuzuan dogmatët e Kongresit dhe e quajtën madje si përçarëse. Në këtë frymë u mbajt edhe takimi i veteranëve të Kongresit i para pak ditëve në jubileun e 30-vjetorit të tij. Dogmatët e Kongresit përfituan nga rasti për të dhënë edhe një herë alarmin se Gjuha Shqipe ishte në krizë të plotë nga distancimi i Shqiptarëve prej fesë gjuhësore që ua imponoi atyre Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, larg frymës subjektive të debateve, ka në vetvete ato vlera që i kanë qëndruar kohës në pak vite që kanë kaluar prej atëherë. Ato vlera, natyrisht, qëndrojnë për meritë të gjuhësisë shqiptare, për meritë të lëvruesve të Gjuhës Shqipe, përfshirë edhe gjuhëtarët që kontribuan më së shumti në dokumentet e Kongresit, por ato përbëjnë vlera aq sa iu përmbahen në mënyrë rigoroze parimeve shkencore. Gjuhëtarët janë të parët ata që e dinë se gjuhët iu përmbahen ligjeve dhe ligjësive të brendshme dhe jo doktrinave politike, jo dogmave politike, as vetë dëshirave të gjuhëtarëve apo lëvruesve. Pra Gjuha Shqipe është zhvilluar pa dashur t’ia dijë për Kongresin e Drejtshkrimit dhe vazhdon të zhvillohet për meritë të ligjeve dhe ligjësive të saj të brendshme, për meritë të lëvruesve të saj të zellshëm, sidomos për meritë të lëvruesve të saj të shquar dhe të atyre gjenialë. Sot askush nuk mund te thotë, për shembull, se nuk është shkruar në Gjuhën Letrare Kombëtare vepra e Kadaresë, ndonëse në përgjithësi nuk iu është përmbajtur rregullave strikte te Kongresit të Drejtshkrimit. Askush nuk mund te thotë se nuk është shkruar ne Gjuhën Letrare Kombëtare vepra e Camajt, e shkruar tërësisht larg Shqipërisë, në Perëndim, ndonëse fare pak iu është përmbajtur rregullave strikte të Kongresit të Drejtshkrimit. Askush nuk mund te thotë se nuk është shkruar ne Gjuhën Letrare Kombëtare vepra e Trebeshinës, ndonëse e shkruar larg ndikimeve të çfarëdo dogme të politikës gjuhësore si ato të Kongresit te Drejtshkrimit.

Në takimin jubilar të para pak ditëve dogmatët e Kongresit të Drejtshkrimit kanë dhënë konstatimin se Gjuha Shqipe e lëvruar jashtë Shqipërisë, sidomos ajo e lëvruar ne Kosovë, në thelb nuk i është përmbajtur Kongresit të Drejtshkrimit.

Natyrisht ky fakt duhet parë si një fat i madh për Gjuhën Shqipe. Kjo vërteton edhe një herë se Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972 nuk u pa si një shans për themelimin e një Gjuhe Letrare Kombëtare mbi bazën e lirive gjuhësore, por si një rast për triumf ndaj Diatektit të Veriut, pra, ndaj Gegërishtes, si një rast për ta mbyllur hermetikisht Gjuhën Letrare Kombëtare nga ky Dialekt, natyrisht me qëllimin e keq ndaj Gegërishtes, por, në të vërtetë, duke e mbyllur përfundimisht Gjuhën Letrare Kombëtare nga komunikimi me gjuhën e folur të përditshme.

Një gjë të tillë nuk e kanë bërë asnjë nga gjuhët e mëdha botëmre.

Ato kanë shekuj të praktikimit të, normes letrare por kanë edhe liri të plotë te dialekteve, të nëndialekteve të të folmeve, gjë që e sigurojnë vetë normat letrare të miratuara nga gjuhëtarët dhe nga lëvruesit e atyre gjuhëve. Kur i theksoj lëvruesit une kam parasysh se gjuhëtarët nuk mund te bëjnë asnjë hap pa lëvruëvsit e një gjuhe, pra pa autorët e gjallë dhe te vdekur të veprave që shkruhen në gjuhën përkatëse. Ata nuk mund te injorojnë si deri sot Visaret e Kombit, Kanunm e Lekë Dukagjinit, Ciklin e Kreshnikëve, krijimtarinë e Fishtës, leksikun e tyre, sintaksën e tyre, fjalëformimit e tyre. Natyrisht një normë drejtshikrimore e ndërtuar mbi kaq shumë paragjykime nuk kishte si te mos ndjente veten të dobët qysh në ballafaqimin e saj të pare me hapjen e Shqiptarëve ndaj botes.

Nëpënnjet komunikimeve individuale, nëpërmjet mediave perëndimore, sidomos televizioneve, nëpërmjet përkthimit të letërsisë botërore e nëpërmjet hyrjes se informacionit nga Perëndimi ne mediat ditore të shkruara, Gjuha Shqipe do të hynte në një komunikim të vrullshëm marramendës që nuk ishte parashikuar nga Kongresi i Drejtshkrimit. Digat e tij, si ato të Liqenit Artificial të Tiranës, nuk do t'i rezistonin as valës më të rendomtë më të cilën do të përballeshin. Natyrisht, folësit nuk do të bindeshin dhe as do t'i pyesnin gjuhëtarët te cilët e kishin konsideruar veten roja fanatike të rregullave të Drejtshkrimit dhe te Drejtshqiptimit. Por as lëvruesit nuk do të pyesnin më për mediokritetin e atyre rregullave. Ata e kanë treguar
gjithmonë veten shumë herë më të përgjegjshëm ndaj Gjuhës Shqipe sesa vetë gjuhëtarët shqiptarë dhe gjuhësia shqipe. Ndikimi i dialekteve, nëndialekteve dhe në të folme do të rritej ndaj Gjuhës Letrare kombëtare, pra në kuptimin të gjuhës së lëvruar nga autorët më të mire të Shqipes, sidomos ndikimi i Gegërishtes do të ishte vendimtar, krejtësisht i papengueshëm. Edhe shumë autorë toskë, siç kishin bëri më parë Kuteli, Xoxa dhe Kadareja, do t'iu riktheheshin trajtave të paskajorës, grupit zanor "ue", pasurisë leksikore dhe metaforike të Gegërishtes, aftësive te jashtëzakonshme fjalëformuese të saj, sintakës së Gegërishtes, aftësisë së saj për të dhënë terma që i mungojnë Shqipes në ballafaqim me gjuhët e tjera. Këto në të vërtetë janë dukuritë që ciflitin dogmatët e Gjuhësisë Shqiptare. Ata prej dymbëdhjetë vjetësh i kanë mbushur blloqet e shënimeve me gabime drejtshkrimore apo drejtshqiptimore që ua kanë kapur gazetarëve në ekran apo mikrofon, apo në faqet e shtypit, i kanë mbushur blloqet me fjalë, formanse dhe sintaksa që kanë hyrë pa lejen e tyre në të folmet e përditshme. Në vend që të krijonin një institucion të përbashkët Shqiptar, siç është Instituti i Oksfordit për anglezët dhe anglofonët, pra një institucion që të ndiqte prirjet hashkëkohore të Gjuhës Shqipe, inventarin e Gjuhës Shqipe, të konfirmonte çdo vit fjalët e reja të domosdoshme, shprehjet që i ka asimiluar, përthithur Gjuha Shqipe gjatë atij viti, pra që jane bërë thesar i Gjuhës Shqipe. Po kështu të vepronte me fjalët e ardhura nga dialektet, fjalët terma, emrat e përveçëm të huaj. Pra një institucion që ta ndiqte në mënyrë të përditshme magmën e Gjuhës Shqipe sa është e valë dhe nuk e ka marre trajtën e ngurosur për të ndërhyrë te vetëdija gjuhësore e Shqiptarëve, te mendësia gjuhësore e Shqiptarëve, në mënyë shkencore, në mënyrë demokratike, jo në mënyrë alarmante, jo në mënyrë arrogante, jo në mënyrë dogmatike. Reminishencat e asaj kohe kur gjuhëtaret e ndjenin veten perçues të vijës së PPSH-së në gjuhësi ndiheshin edhe në thirrjen që gjuhëtarët këto dite ua bënin, politikanëve për të dhënë shembull në gjuhë apo për të ndërhyrë në gjuhë, Politikanët Shqiptare, për arsye të traditës politike të gjashtëdhjetë viteve të fundit, për shumë kohë nuk do të jenë dot shembull gjuhësor për Shqiptarët.

Gjuhëtarët, pa humhur kohë, duhet ta kuptojnë se Gjuha Shqipe nuk është në krizë, përkundrazi është në zhvillim të vrullshëm, ajo shfaq përditë dukuri te reja, realitete të reja të cilat nuk i ndjek dot Gjuhësia Shqiptare.

Nëse Gjuhësia Shqiptare vazhdon të mbahet te nenet e Kongresit të Drejtshkrimit te vitit 1972, shumë shpejt do ta ndjejë veten jashtë çdo roli ndaj Gjuhës Shqipe. Gjuhëtaret Shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me lëvruesit e shquar të Gjuhës Shqipe dhe të institucioneve të mëdha mediatike, enteve të fuqishme botuese, katedrat albanologjike autoritative në botë, duhet të takahen rregullisht, të ballafaqojnë përvojat, të shkojnë drejt platformave të cilat në një kohë të parashikuar dhe të përshtatshme t'i ballafaqojnë ato në mënyrë jopërjashtuese, demokratike, gjithsesi duke qenë të çliruar nga dogmat e politike gjuhësore të Kongresit të Drejtshkrimit të vitit 1972.

“Bota sot” 19 nëntor 2002




[Edituar më 21-11-2002 nga sefedin]

View User's Profile E-Mail User Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member This User Has MSN Messenger
blerim vokshi

Postuar mė 4-12-2002 nė 19:25 Edit Post Reply With Quote
ji mendje me Migjen kelmendin

e
Eshte nje gja qe me ka ba pershtypje me se shumti,kur isha ne Tiran si refugjat te gjith na thonin me perqeshje se si spo dim te flasim shqip e un si tip nevrik filloja me ta te zxihesha te jau sqaroj se un e flas gjuhen e nenes shqipen qe flitet te ne ne kosov nuk e di nese ka ndonje te keqe ket e kam mesu.pastaj fillonin akuzat se ne kemi shum serbizma ,po mior ju thoja nuk eshte qudi qe ne kemi se jemi te sunduar nga to po ju nga i moret ketu ne shqiperi si psh KOMSHI AVIJON CIGAN TROJKA etj pra ne duhet te ulemi e ta e shqyrtojme ket pun e te shtqohet perse nuk pat sukses 30 vite kjo far gjuhe e unisume ,duhet te diskutohet e jo si ne koh te monizmit veq ne kok te veten te vendosin ca vet per gjith ket kompleks gjuhsor,esht pun me rendesi nuk i hihet ashtu kot kryenevete si thomi ne.pershendetje kosovarqe HAJT TUNGATJETA

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 14-7-2005 nė 10:45 Edit Post Reply With Quote
Letra e Adrian Klosit, drejtuar "perkujtuesve" te standardit.

Të nderuar kolegë,

të dashur mjekë, juristë, kritikë dhe gjuhëtarë organizatorë të kësaj përkujtimoreje

Më lejoni në radhë të parë t'ju dërgoj nëpërmjet këtij mesazhi përshëndetjet dhe urimet e mia më të ngrohta me rastin e kësaj mbledhjeje përkujtimore që bëni për nder të 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit.

Besoj se duhet ta ndjeni veten të rinj në zemër e në mendje, kur kujtoni atë vit të shënuar të 1972-shit, 30 vjet më të rinj në moshë, por po aq vjet sa atëherë edhe sot për nga entuziazmi, kur ngritët dorën njëzëri, pa asnjë stepje a dyshim, për të miratuar gjuhën e përbashkët të shqiptarëve, që mbeti e tillë dhe do të jetë e tillë në shekuj të shekujve, siç e deshën dy apo të paktën dy nga ata pak arkitektë të Shqipërisë së re.

Ne që kemi qenë thuajse të vegjël në atë vit, 1972-shin e mbajmë mend si një vit të zymtë; megjithë disa shenja liberale që kishin nxjerrë kokë në kryeqytet, atmosfera e përgjithshme ishte ushtarake dhe disi e frikshme. Kudo në ajër ndihej preludi i spastrimeve të mëdha, që do të nisnin pak muaj më vonë, e që do të përfshinin pothuajse të gjitha fushat e jetës sonë, me përjashtim të gjuhësisë. Kjo dëshmon, se në vendimet që morët atë nëntor të paharruar lidhur me drejtshkrimin e gjuhës sanë (siç thoshte Buzuku), kryesisht mbi të shkruarin e drejtë të tingullit ë, i cili qysh aty e tutje do të mbushullonte gjithë tekstet e shtampuara të shqipes, ishin kryekëput të drejta, të pakritikueshme, pa as dhe një gjurmë liberalizmi. Asnjë nga kuadrot e larta të gjuhësisë sonë, ata që na vinin në fakultet për të na shpjeguar gjuhësinë marksiste me xhipe ushtarake kineze, nuk u bë objekt i spastrimeve në vitet '70-'80, ndryshe nga sivëllezër të tyre letrarë, përkthyes, historianë, ikonologë etj. etj.

Por të shkëputemi pak nga kujtimet. Shkaku që më uli t'ju shkruaj është përjashtimi që më keni bërë nga pjesëmarrja në ceremonialin tuaj, ritual që e përsërisni çdo 10 vjet, pa ftuar askënd nga ata që mund të kenë shprehur ndonjë gjykim kritik për vendimet historike tuajat këtu e 30 vjet më parë.

Sa për kujtesë kam një kontribut të caktuar në gjuhën shqipe, që përfshin veç një numri studimesh mbi gjuhëtarë si F. d. Sosyr, Martin Camaj etj., edhe monografi të plota si ajo për arbërishten e Greqisë, ose fjalorë etj. etj. Për afër 5 vjet kam dhënë mësim albanologji në Universitetin e Mynihut. Në sytë tuaj kam pasur ndoshta fatkeqësinë, që kam shprehur në mënyrë të përsëritur kritikë për disa vendime të Kongresit historik dhe kam kujtuar nevojën për reformime, gjithashtu që kam qenë kundër ndalimit total në gegënishtes letrare nga botimet shqipe, që jam kundër bastardimit të autorëve tanë të traditës në tekstet shkollore, që kërkoj mësimin e gegënishtes nga nxënësit e shkollave tona etj.. Por, më falni që ju kujtoj një të vërtetë kaq të thjeshtë: të ushtruarit e kritikës nuk ta heq dot kualifikimin profesional dhe nuk ta ndryshon dot profilin. Ndërkohë ju keni ftuar mysafirë nga ana e anës, nga disa kontinente të Dheut, duke harxhuar me mijëra dollarë për të bërë festimet e rastit, më falni për konferencën tuaj, ndërkohë që për mua as një 500 lekëshe të taksisë nuk do të kishit paguar, nëse unë do t'ju kisha paraqitur si faturë.

Por, të kuptohemi, profili im nuk ndërron, pse ju nuk më ftuat në jubileun tuaj të shënuar. Unë do të mbetem njeri që edhe e shkruan edhe e studion fjalën shqipe, pavarësisht nga hierarikia juaj e sotshme e vlerave, që është ajo e qëmotshmja. Madje nuk jam as i mërzitur për këtë mosftim, për të mos thënë se fshehurazi krenohem që disi ia paskeni frikën debatit tim në atë podium, ku me sa duket do të përsëdytet a përstretet uniteti i '72-shit. Jo, të isha nisur nga arsye private, nuk do t'jua kisha shkruar këtë mesazh të hapur në një gazetë të madhe; porse, duke pyetur disa miq e kolegë, që më thanë gjithashtu se nuk ishin ftuar prej Jush, kuptova se gjithçka ndodh në kuadrin e një politike, që në thelb ka mbetur, le ta themi hapur, enveriste-kostallariane. Ju nuk keni ftuar as Aurel Plasarin, studiues e filolog i nderuar, as Ardian Vehbiun, ndër më të talentuarit gjuhëtarë të brezit të mesëm, as "disidentë" të hapur të njësuarishtes si Migjen Kelmendin në Prishtinë as... as. Më e keqja është se, sikundër mësojmë nga kolegë të tjerë (të ftuar) referatet për konferencën tuaj jubilare, duhej të ishin dorëzuar në drejtori (!) qysh një muaj më parë.

Por le ta lëmë tani mënjanë mbledhjen tuaj nostalgjike, për të folur më mirë për çështje të përmbajtjes, që janë në të vërtetë objekti i këtij shkrimi. Duke qenë se s'më jepet mundësia të komunikojmë në një sallë të mbyllur, më lejoni që t'ju drejtoj këtu publikisht nja katër a pesë pyetje dhe më gëzoni, sikur përgjigjet për këto pyetje të m'i jepni po përmes shtypit, qoftë edhe dikur më vonë, pasi të kalojnë këto ditë të hareshme të Përkujtimit.

1. A do të vazhdoni ta quani gjuhën që normuat më 1972 dhe që përdorim të gjithë sot në shtyp e libra gjuhë të njësuar shqipe? Ka më kuptim që të përdoret demagogjia për një gjë që është krejt e thjeshtë dhe evidente? Gjuha standarde shqiptare është varianti tosk me nja dy shtesa, të marra nga gegënishtja, si prapashtesa -ues dhe fjalë si ranishte e zanore, që nuk ndryshojnë asgjë nga karakteri i saj thjesht tosk. Nga varianti, apo variantet veriore të shqipes në këtë gjuhë të normuar nuk u mor asgjë prej tingëllimit të tyre (as zanore të gjata e të shkurtra, as hundorësia etj.), pra hiçgjë në pikëpamje fonetike dhe po asgjë në gramatikë. Deri këtu nuk ka asgjë të çuditshme dhe çnjerëzore. Shumë gjuhë standarde europiane e më tej janë krijuar si mbizotërim i njërit dialekt dhe humbje e dialekteve të tjera. Çudia më e madhe është se, edhe 30 vjet mbas një vendimi zyrtar, në një Kongres, ku ishit ju delegatë (por ku nuk ishte ftuar askush prej përfaqësuesve të qarqeve letrare të Veriut, kuptohet, pjesa më e madhe e tyre dergjeshin në burg, ose jetonin në ekzil, ndër ta studiues me emër si Namik Ressuli, Ernest Koliqi, Martin Camaj etj), por ku këta nuk thanë dot fjalën e tyre, ju vazhdoni të flisni për gjuhë të njësuar. Toskërishtja me gegënishten nuk kanë qenë asnjëherë të njësuara dhe as nuk mund të njësohen nga ndonjë tryezë akademike; ato do mund të ishin afruar pas disa brezash, sikundër jua patën thënë Aleksandër Xhuvani e Eqrem Çabej qysh në vitin 1952 (po ju nuk dëgjonit ata, por dëgjonit zyrtarët e lartë të PPSh, pasi fundja ata ju mbanin me rrogë). E pra le ta themi hapur, tani që s'na dënon më njeri, se gjuha që përdorim sot në shkrim është një toskërishte e normuar. Apo nuk jeni dakord? Atëherë pyetja mbetet në fuqi.

2. Pasi kemi pranuar që përdorim e shkruajmë në publik një toskërishte të normuar, çdo të bëhet me gegënishten e shkruar që ka një traditë mbi 500 vjeçe? Do vazhdojmë ta ndalojmë nëpërmjet mallkimit (për përçarje kombëtare), përqeshjes dhe heshtjes? E keni vënë re si torturohen nxënësit e shkollave me Fishtën e me Mjedjen, bile edhe me Migjenin, pasi nuk i kuptojnë më? Nuk do të kushtonte asgjë, as juve, si korifej të gjuhësisë zyrtare, as Ministrisë së Arsimit, që nxënësve t'u jepeshin disa orë mësim për këtë variant të shqipes me një muzikalitet e pasuri të magjishme leksiku. Mos keni frikë se do t'i mundoni! pasi nxënësit shqiptarë kanë një kokë aq të madhe sa aty mund të hyjnë brenda gjithë gjuhët e Bashkimit Europian, jo më një variant i shqipes.

Mos thoni që ndalimi i gegënishtes më 1972, madje qysh me vendosjen e regjimit komunist, nuk pati pasoja për gjuhën dhe kulturën tonë. Merrni vetëm poezinë. Me këtë ndalim shteri poezia e vërtetë nga ato vise, duke mbetur vetëm disa vargje partizane. Tradita e madhe e Bogdanit, Fishtës, Shantosë, Mjedjes, Prenushit, Migjenit etj. humbi përjetë, në mos po vjen ndonjë ringjallje e papritur. Vetëm Martin Camaj në mërgim mundi ta mbajë gjallë atë frymë e atë melodi, por ishte, ajme, një zë thuajse në humbëtirë. Ç'ishte e mirë nga poezia shqiptare që u shkrua në mëmëdhe pas vitit 1945 vinte kryesisht a tërësisht prej autorëve nga Jugu, ndërkohë që deri para Lufte kishte qenë në përgjithësi e kundërta: Veriu e kishte pasur më të fortë tingëllimin e poezisë. Edhe vetëm ky fakt duhet të mjaftojë që të pohoni, se reforma e vitit 1972 solli, krahas normimit, humbje të thella në kulturën tonë. Ky pohim nuk i lëviz asgjë gjuhës sonë të shkruar, pasi veç një i marrë mund të kërkojë sot ndryshimin e gjuhës zyrtare të Shqipërisë, që e ka përqafuar edhe Kosova e Maqedonia, por fjala është gjetiu; fjala është çdo të bëhet me një pasuri që e kishim dhe nuk e kemi më. Nëse doni të heshtni edhe këtë herë, heshtni dhe mos e prishni gëzimin. Veçse kjo pyetje do t'ju shoqërojë në çdo jubile dhe do t'jua prishë gëzimin e festimeve, po nuk u morët sa më shpejt me të.

3. Si pranuam që shkruajmë dhe flasim në publik një toskërishte të rregulluar (nga rregullat e Drejtshkrimit), a mendoni se kanë vend këto rregulla për t'u përmirësuar? Si duhet thënë, rregulli apo rregulla, problemi apo problema? Si i bëhet, p.sh. që të pakësoheshin ca këto ë-të dhe të-të-të-të e gjuhës sonë? Them se mund ta bëjmë gjuhën tonë të shkruar më të zhdërvjellët, më të saktë, duke e zbatuar atë parim që e keni shpallur si në krye të drejtshkrimit tonë, parimin fonetik. Bie fjala kur përplaset ë-ja e një pjesëze si të ose përemri si më me një zanore në fjalën vijuese, mos do të ishte e udhës ta hiqnim ë-në me një apostrof? Shembuj të tillë ka plot, por pyetja ka të bëjë me thelbin: a mendoni se drejtshkrimi ynë ishte kaq i arrirë, kaq pa cen e pa të plasura, sa ka ngrirë një herë e përgjithmonë? Që të jem i sinqertë, më mirë mos iu përgjigjni kësaj pyetjeje, më mirë mos mendoni për ndryshime ju, që nuk dini të ushtroni pluralizëm, sepse ndryshimet kanë nevojën e një debati të gjerë dhe mirëkuptimi mes njerëzish, nga ata që ju i ftoni ose i përjashtoni; e me të përjashtuar debat mirëkuptimi nuk mund të ketë.

4. Në ditët e lavdishme, kur vendosët se si duhej drejtshkruar shqipja, thatë se do të punoni edhe për drejtshqiptimin e saj. Ky mbeti një projekt i vagullt i parealizuar asnjëherë. A keni menduar ndonjëherë, a do të mendoni ndoshta në këto ditë përkujtimore, se si duhet shqiptuar drejt shqipja? Duke qenë se nga ky front s'ka pasur asnjë lajm, shumica e shqiptarëve e dinë se shqipja duhet shqiptuar siç shkruhet. Kjo i bën nxënësit e shkretë, qofshin këta nga Jergucati, nga Vermoshi, Dibra ose Bujanovci që të lexojnë mirë, pjesëmarrje, anëtarë, duke e theksuar fort ë-në, megjithëse kjo asnjëherë nuk dëgjohet, hiq disa fshatra të Labërisë. E pra pyetja është: do mund t'i përvisheni kësaj pune, do të nxirrrni një "Drejtshqiptim të gjuhës shqipe", ndoshta duke përsëdytur lavdinë e 1972-shit? Nxënësit dhe gjithë shqiptarët, sidomos ata me origjinë nga Shkumbini e përpjetë, do t'ju ishin mirënjohës.

Pa u zgjatur më me pyetje të tjera - dhe të tilla ka plot, se gjuha shqipe s'mund të ketë ngrirë më 1972, siç do ta dëshironin ndoshta ata më nostalgjikët mes jush, por ka lëvizur me një temp mjaft të shpejtë - po e mbyll këtu, me shpresë për një përgjigje publike. Vetëm se, dhe këtë e nënvizoj, pasi në të tilla raste e shumta kam marrë përgjigje nga ndonjë jurist, mjek, ose kritik letrar, që këtë herë të marrë mundimin e të më përgjigjet një profesionist, si kolegu ndaj kolegut. Dhe tani, duke ju dëshiruar ditë sa më të bukura në kongresin a përshpirtjen tuaj të radhës, duke dashur nga fundi i zemrës, që kështu si sot të takoheni edhe për 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit e më tej, po ju them edhe urimin që ju shkon më shumë:

Mos u plakshi!

Ardian Klosi

nuk e di burimin





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 14-7-2005 nė 10:50 Edit Post Reply With Quote
Prof. Dr. David Luka

10-VJETORI I "DEKLARATËS" SË GJUHËTARËVE TË SHKODRËS

Në prill të vitit 1992 Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i dërgonte Katedrës së Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës "Luigj Gurakuqi" një shkresë të firmosur nga drejtori i tij, z. Jorgo Bulo, ku vihej në dijeni se do të përkujtohej 20-vjetori i Kongresit të Drejtshkrimit. Në platformën, që pasonte shkresën, shkruhej: "Në nëntor 1992 mbushen 20 vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, i cili sanksionoi kurorëzimin e procesit të njësimit të gjuhës letrare kombëtare ...".

Kjo platformë, ashtu siç qemë mësuar, tingëllonte si direktivë partie. Pra, gjuhëtarët do të mblidheshin jo për të shpalosur mendimet e tyre, po thjesht për të glorifikuar vendimet e Kongresit.

Nisma e Institutit për këtë tubim nuk qe rastësi. Sepse, me fillimet demokratike në Shqipëri, qe shtruar për diskutim edhe problemi i gjuhës letrare kombëtare. Çështjet që shtroheshin për diskutim mund të përmblidhen në tri pika:

A qe shkencërisht e drejtë zgjidhja e Kongresit të Drejtshkrimit?

Cili qe roli i partisë-shtet dhe personalisht i Enver Hoxhës në këtë proces?

Cila do të ishte e ardhmja e gjuhës letrare kombëtare?

Problemi i parë duhej të diskutohej detyrimisht, sepse në Kongresin e vitit 1972, qe arritur në përfundimin se "gjuha letrare kombëtare shqipe është formuar e po përfundon kristalizimin e saj si një koine letrare sui generis, e cila ngërthen në strukturën e saj elementet themelore të përbashkëta të shqipes dhe elemente të rëndësishme dalluese të të dy dialekteve"1). Gjuha letrare kombëtare tani do të vështrohej si "mbidialektore"2). Po të ishte kështu, gjithçka do të përligjej. Mirëpo, siç do të pohohej më vonë, baza dialektore e kësaj shqipeje standard, na dilte toskërishtja letrare. Për herë të parë ky fakt u vu në dukje në veprën e Xhenet Bajron (1976)3), ku thuhej qartë se "Toskërishtja ka qenë bërthama fillestare e shqipes standard", pohim që kundërshtohet prerazi nga A. Kostallari se "Në këtë vepër ... formimi i shqipes letrare të njësuar trajtohet në mënyrë të thjeshtëzuar e të shtrembëruar"4). Në këtë situatë, kur për të njëjtin proces shpreheshin mendime krejtësisht të kundërta, diskutimi se cila qe baza dialektore i kësaj shqipeje standard bëhej imperative. Kjo shprehet qartë në intervistën që Anastas Dodi i jep gazetës "Java" të Prishtinës. I pyetur nga gazetari: Pse në Kongres nuk u tha që baza e gjuhës letrare shqipe, që po fiksohej aty, është dialekti toskë?; Dodi përgjigjet: Më kujtohet që kjo punë u bisedua, dhe ne i bëmë vërejtje atij referatit të Kostallarit, edhe i thamë se duhet të thuhet që dialekti bazë është toskërishtja, që vihet në bazën e gjuhës letrare. Por, u tha se kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa të sjellë ndonjë dobi5). Në qoftë se në këtë intervistë nuk ka ndonjë lajthitje a ndonjë lapsus, del krejt e qartë se këtu nuk bëhet më fjalë për shkencë gjuhësore, por për politikë demagogjike.

Problemi i dytë (për rolin e partisë-shtet e të Enver Hoxhës në këtë proces), nuk shtrohej as për mllef e as kot së koti. Me të drejtë E. Sedaj6) rithekson7) se pikëpamjet e A. Kostallarit më 1972 qenë të njëjta me ato të Enver Hoxhës, të paraqitura 17 vjet më parë më 1955.

Problemi i tretë, cila do të ishte e ardhmja e gjuhës letrare, duhej diskutuar doemos, sepse kishte të bënte kryesisht me ndalimin që i qe bërë gegërishtes letrare pas vitit 1972. Çdo të bëhej, pra, me këtë gegërishte, me të cilën qe shkruar gjysma e letërsisë shqipe e që vazhdonte të shkruhej në diasporë nga përfaqësues të mëdhenj e të denjë të kulturës shqiptare si M. Camaj etj.

Në qoftë se sot, pas dhjetë vjetësh, mjaft gjëra janë sqaruar, më 1992 shumë prej tyre shtroheshin për zgjidhje. Kjo ishte një ndër arsyet që përligjte një tubim gjuhëtarësh. Po ajo që e bënte të domosdoshëm këtë tubim qe përjashtimi që po i bëhej këtyre gjuhëtarëve8)nga veprimtaritë zyrtare të kohës, vetëm sepse nuk mendonin njëlloj me direktivën e platformës, bile edhe po e kundërshtonin atë.

Më 24 korrik 1992 Muzeu Historik i Rrethit, në bashkëpunim me Katedrën e Gjuhës Shqipe të Universitetit të Shkodrës organizuan Tryezën e rrumbullakët me temë "Probleme të gjuhës letrare kombëtare". Veprimtaria u zhvillua në sallën e ligjëratave të Muzeut.

Për të formuar një ide të qartë për këtë tubim të stërpërfolur mbarë e mbrapsht, po sjell këtu Platformën e diskutimit shkencor për problemet e gjuhës letrare kombëtare në tryezën e rrumbullakët, e cila i bashkangjitej ftesës për pjesëmarrje në këtë veprimtari9). Aty shënoheshin edhe çështjet që do të diskutoheshin:

1. Një ndër tiparet kryesore të gjuhës shqipe, duke u nisur që nga autorët e vjetër, veçanërisht te Bogdani, në periudhën e Rilindjes e në vazhdim (Komisia Letrare e Shkodrës, 1917) ka qenë konvergjenca gjuhësore, e cila ka pasur si mbështetje gjithnjë konvergjencën kombëtare ekonomiko-shoqërore, politike e kulturore. Në këtë kuadër, si duhet trajtuar Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe?

2. Për metodën e punës së përdorur në njësimin e gjuhës shqipe në Kongres thuhet: "Nënsistemet e gjuhës letrare, të para në terësinë e tyre komplekse, na lejojnë të arrijmë në përfundimin se gjuha letrare shqipe është formuar e po përfundon kristalizimiun e saj si një koine letrare sui generis, e cila ngërthen në strukturën e saj elementet themelore të përbashkëta të shqipes me elemente të rëndësishme të të dy dialekteve ...". Ç'mund të thuhet për këtë përfundim?

3. Si mund të mendohet e ardhmja e gjuhës letrare kombëtare?

Si duhen vlerësuar tri mendimet, që qarkullojnë në sferat intelektuale:

a. Të prishet ajo që është vendosur në Kongresin e Drejtshkrimit; gjithsecili të shkruajë sipas dëshirës?

b. Të vazhdohet si deri tani?

c. Të ruhet gjuha letrare kombëtare e njësuar. Ndërkaq, mënyra se si është vepruar për këtë njësim, mund dhe duhet të rishikohet. Është fjala për ta pasuruar këtë njësim, për ta bërë më elastik dhe më të pranueshëm për të gjithë. Krahas të shkruhet pa asnjë kufizim gegërishtja latrare.

Në tubimin e Shkodrës, përveç gjuhëtarëve shkodranë, morën pjesë edhe tre gjuhëtarë të ftuar nga Instituti i Gjuhësisë (B. Beci, S. Mansaku e E. Lafe). I ftuar qe edhe prof. A. Pipa, që ndodhej në Shkodër rastësisht. Ky tubim zgjati pa ndërprerje plot gjashtë orë. Në fund u lexua një Deklaratë, që më vonë u botua në dy gazetat lokale të Shkodrës10).

Për këtë Deklaratë është folur e shkruar shumë, po gjithsesi a priori, sepse autorët e këtyre shkrimeve nuk e kanë njohur as tekstin origjinal të botuar, as historinë e hartimit të saj.

Në Tryezën e rrumbullakët të Shkodrës u përfaqësuan dy rryma, duke shprehur këta dy palë mendime. Të parët kërkonin mosnjohjen e Kongresit dhe të vendimeve të tij. Të dytët e pranonin atë, po kërkonin që të zhvillohej debat e diskutim për ta përmirësuar e për ta bërë të pranueshëm nga të gjithë. Deklarata, për të cilën po flasim, paraqet tani sintezën e të dy rrymave. U vendos që palët tani e mbrapa, mund t'i shprehnin mendimet e tyre në mënyrë të veçuar, personale, po jo më në emrin e gjuhëtarëve të Shkodrës. Kjo gjendje paraqitej e qartë në pikën e tretë të Platformës së dhënë më lart.

Meqë Deklarata nuk u lejua të lexohej në konferencën "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot" (nëntor 1992), atëherë u mendua që kumtesa që unë do të mbaja në këtë Konferencë, të paraqiste Deklaratën e mësipërme. Po meqë kumtesa në të ardhmen do të botohej në emrin tim, unë paraqita aty variantin e parë të kësaj Deklarate, që përfaqësonte mendimet e rrymës së moderuar të gjuhëtarëve të Shkodrës.

Duke krahasuar tani Deklaratën me kumtesën time, mund të nxirren edhe përfundimet përkatëse. Duke shtuar këtu edhe këmbënguljen time për ta shkruar Deklaratën në gjuhën letrare të njësuar, bëhet krejt e qartë që gjuhëtarët e Shkodrës po kërkonin vetëm debat e diskutim, asgjë më tepër.

Sulmi frontal, që nisi kundër kësaj Deklarate, qe botimi i saj në revistën "Albanica"11). Prof. A. Pipa, s'di sepse, e ktheu tekstin e Deklaratës në gegërishte dhe në disa vende e ndryshoi atë. Dhe prapë, s'di sepse e pa më pyetur e pa më marrë leje, në krye të 420 nënshkruesve të saj, vuri emrin tim. Ky veprim i pamatur i prof. Pipës solli tërë ato ngatërresa, që tashmë njihen.

* * *

Dhjetë vjet pas Deklaratës së gjuhëtarëve të Shkodrës, që po kërkonin vetëm debat e diskutim për gjuhën letrare kombëtare dhe për vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit, nevoja për rivlerësime12) dhe për dialog shkencor13), është bërë e pranishme brenda e jashtë vendi. Mirëpo, gjuhësia zyrtare, që vazhdon politikën gjuhësore të partisë, mban tash tridhjetë vjet të njëjtin qëndrim. Pashallarët e kuq vazhdojnë të mos lejojnë asnjë debat e diskutim, duke zbatuar haptas politikën e përjashtimit. Njëri prej tyre, që mbart mbi vete remineshenca latente të së kaluarës, së cilës i përket i tëri, është shprehur qartë se "Gjuha letrare shqipe dhe drejtshkrimi i saj e përballuan me sukses një 'tërmet' në fillim të viteve '90 dhe po i përballojnë edhe disa pasgoditje me energji të dobësuar"14). Në këtë shprehje nuk merret vesh: a qe tërmeti i dobët, apo ndërtesa e fortë?

Në referatin e mbajtur në Konferencën shkencore jubilare me rastin e 25-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit (organizuar në Tiranë më 12 dhjetor 1997) thuhet: "Në ditët tona njësia e gjuhës letrare kombëtare ka ndërtuar shtetin e njësishëm kulturor të popullit shqiptar në mbarë hapësirën e tij historike15). Tani, fjala shtet në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe të vitit 1980 shpjegohet kështu: "Organizatë politike e klasës sunduese të një vendi, e cila ka për qëllim të mbrojë interesat e kësaj klase dhe rendit ekzistues, nga klasat dhe forcat kundërshtare brenda vendit dhe nga armiqtë e jashtëm"16). Ky koncept për këtë lloj shteti kulturor shpaloset qartë në të gjithë referatin. Krizën e sotme për zbatimin e normës letrare, referuesit e shpjegojnë me ripolitizimin e çështjes së gjuhës letrare, me shfaqjen e mendësisë anakronike të atyre që "s'paskan harruar asgjë e s'paskan mësuar asgjë"17)! Shqetësimet, që paskan lindur në këto vite, për të ardhmen e gjuhës letrare na qenkan një pjesë e tronditjeve dhe zigzageve në fushën e kulturës, që qenkemi të detyruar të paguajmë si çmim për të hyrë në rrugën e re të lirisë së mendimit, por edhe të triumfit të arsyes. Dhe, si të mos mjaftonte ligjërata e mësipërme, shembull ideal për të shpjeguar paradoksin, na vjen një tjetër thënie lapidare: "Mbyllja dhe izolimi i gjatë patën konservuar te disa elementë mendësinë e së shkuarës dhe mungesën e frymës emancipuese, rrethanat e reja ushqyen te dikush tjetër herostratizmin e adhamutizmin"18).

Për të gjykuar tani për "frymën emancipuese" (siç !) të autorit të mësipërm, po ju sjell vetëm një fragment të vogël nga artikulli i tij, botuar në revistën "Studime filologjike" më 1985. Në mbyllje të këtij shkrimi prej 6 faqesh thuhet qartë e shkoqur: "Mësimet dhe idetë e pavdekshme të shokut Enver Hoxha për gjuhën tonë amtare ... shembulli i shkëlqyer i veprës së tij do të na udhëheqin kurdoherë në studimet tona shkencore e në të gjithë veprimtaritë praktike..."19).

Tani gjykoni vetë se kush është Adhamudhi!

* * *

Bëhet e qartë tani se në tubimin që do të organizohet me rastin e 30-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, janë marrë të gjitha masat që të mos ketë më goditje termeti. Sepse, "Nuk don pasha kallabllëk"!

-------------------------

1)Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe I, Tiranë, 1973, f. 88.

2)Po aty, f. 79 v. A. Kostallari, Mbi disa drejtime të përsosjes së sistemit e të strukturës së gjuhës sonë letrare, SF 2, 1982, f. 7. A. Kostallari, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, SF 4, 1984, f. 38/1 (skema).

3)Janet L. Byron, Selection among Alternates in Language Standardization: The Case of Albanian, The Hague-Paris, 1976. Këtë fakt do ta pranonte edhe Xh. Lloshi, gjatë polemikës me A. Pipën, në artikullin Kultura shqiptare përpara shqetësimeve të reja, botuar në rev. socialiste "Sot", nr. 5-6, 1991, f. 21 v. Edhe në konferencën kombëtare "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot" (Tiranë, nëntor, 1992) u pohua haptas se baza e gjuhës letrare shqipe ka qenë toskërishtja letrare.

4)A. Kostallari, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, në rev. "Studime filologjike", nr. 4, 1984, f. 28.

5)Gazeta "Java", Prishtinë, nr. 2, 15 dhjetor 2001, f. 29.

6)E. Sedaj, Baza argumentuese e polemikave aktuale për gjuhën e njësuar, në rev. "Phoenix", nr. 3-6, Shkodër, 2000, f. 149.

7)Në artikullin Enver Hoxha dhe shkencat filologike shqiptare (shkruar nga A. Kostallari e J. Bulo dhe botuar në rev. "Studime filologjike", nr. 4, 1988) thuhet qartë: "... që në Kongresin III të PPSH ai (Enver Hoxha, sh. im) përcaktoi për gjuhësinë tonë një program pune afatgjatë, që i hapi asaj perspektiva të qarta për gjithë periudhën e Pasçlirimit." (f. 3). Ndërkaq, A. Dodi (në artikullin Disa probleme të gjuhës letrare në veprën e Enver Hoxhës, botuar po në të njëjtën revistë, f. 45), shprehet edhe më qartë: Që më 15 qershor 1955 shoku Enver Hoxha me një qartësi shumë të madhe thotë se "gjuha e sotme letrare shqipe nuk është toskërishtja e ngritur drejtpërsëdrejti në gjuhë kombëtare, por është ndërtuar mbi bazën e elementit të përbashkët të shqipes, duke thithur njëkohësisht në përpjesëtime të ndryshme, edhe elemente të veçanta të rëndësishme nga struktura fonetike, gramatikore e leksikore të të dy dialekteve". Ky fakt, që mënjanohet sot nga gjuhësia zyrtare shqiptare, është vënë në dukje nga ne që në vitin 1993, në simpoziumin "Martin Camaj - tradita dhe bashkëkohësia", në referatin me titull Përse ithtarët e Kongresit të Drejtshkrimit nuk e pranojnë debatin shkencor?, botuar në vëllimin "Martin Camaj - tradita dhe bashkëkohësia", Shkodër, 1994 (f. 29).

8)Për sa më sipër, shiko artikullin tonë E vërteta mbi konferencën shkencore "Gjuha letrare kombëtare dhe bota shqiptare sot", botuar në rev. "Kumtari" 6, organ i Muzeut Historik të Shkodrës, Shkodër, 1993.

9)Në këtë Platformë pasqyrohej: "Pjesëmarrja: gjuhëtarë të Katedrës së Gjuhës Shqipe të Universitetit "Luigj Gurakuqi" dhe të ftuar të tjerë. Auditori: gjuhëtarë, mësues gjuhe dhe intelektualë të interesuar për problemin në fjalë. Koha: 3-5 minuta për çdo përgjigje. Koha e përgjithshme rreth 2 (dy) orë. Shënim: diskutimi do të drejtohet nga një gjuhëtar."

10)Gazeta "Shkodra" (6 gusht 1992) dhe gazeta "Besa". Gjithashtu edhe në një gazetë me emrin "Libertas" (vjeshtë, 1992).

11)Albanuica, nr. 3-4, 1992, f. 121 v.

12)R. Ismajli, Nuk kam përgjigje të prerë se a veproi Kongresi shkencërisht a jo ..., në gazetën "Java", Prishtinë, nr. 3, 1 kallnor, 2002, f. 26. Aty thuhet shkoqur: "Unë mendoj se gjëja e parë që do bërë me qëllim të pasurimit të shqipes është së pari të dëgjojmë mirë njëri-tjetrin, t'i dëgjojmë shprehjet e të folurit në të gjitha anët, t'i identifikojmë ato pika ku na duket se ka probleme dhe pastaj drejtshkrimi ynë dhe zgjidhjet ekzistuese na bëjnë të mundshme që të ketë zgjerime. Unë nuk kujtoj se është mëkat të bëhen kompromise në këto raste ...". Shiko edhe Rolf Ködderitzch (R. Këderiç), Për një gjuhë letrare kombëtare shqipe, në rev. "Hylli i dritës", nr. 1-2, Tiranë, 1996 (veçanërisht në f. 8).

13)E. Sedaj, Baza ..., , po aty, f. 155.

14)E. Lafe, Ndihmesa e prof. Mahir Domit për drejtshkrimin e gjuhës shqipe, në rev. "Studime filologjike", nr. 3-4, 2001, f. 45.

15)I. Ajeti, E. Lafe, Njëzet e pesë vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit (Vlerësime dhe vështrime në të ardhmen), SF 1-2, 1998, f. 20.

16)Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, f. 1925.

17)Njëzet e pesë vjet ..., po aty, f. 14.

18)Po aty, f. 11.

19)E. Lafe, Shoku Enver Hoxha për pasurimin dhe pastërtinë e gjuhës shqipe, SF 2, 1985, f. 148.





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Ulpiana

Postuar mė 26-7-2006 nė 23:11 Edit Post Reply With Quote
Po si mund të imaxhinohet gjuha letrare pa u marrë parasysh gjuha e Buzukut, Budit, Bogdanit, ..... pse jo edhe Fishtës së voni.

Ku janë temelet e gjuhës së shkruar shqipe?

Si mund të anashkalohet kjo?!?!?!

View User's Profile View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.4719200 sekonda, 32 pyetje