Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Shtepi botuese, e drejta e autorit!
Anton Ashta

Postuar mė 20-11-2002 nė 11:32 Edit Post Reply With Quote
Shtepi botuese, e drejta e autorit!

Kush mund te me sqaroje dicka per te drejten e autorit.

Di njeri si eshte ligji ne Shqiperi?

Po ligjin permbi shtepite botuese?





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 31-1-2003 nė 08:44 Edit Post Reply With Quote
Të drejtat e autorit

Anita Take, ndërsa synonte të hidhte në një CD muzikën e krijuar prej bashkëshoriti të saj, (Prodanit ), vendosi t’i referohej kujtesës së saj, për të realizuar atë që donte. Ndryshe do ishte e pamundur të mblidhte muzikën e krijuar në vite. I thoshin se duhej të paguante nese donte që t’i gjente me të vërtetë, materialet që donte. I vinte për të qeshur (e po aq edhe për të qarë) kur u bind se duhej të nxirrte para nga xhepi për të marrë kafshatën që i takonte. Ndaj nuk e bëri shumë të gjatë dhe u mor me memorjen e saj. Janë rreth 200 këngë të krijuara nga Prodani, fatin e të cilave ajo nuk e di. Nuk e përjashton aspak faktin që ato janë zhdukur me qëllim, nga të tjerët, për të fituar të tjerët…atë që s’kanë asnjë lidhje pronësie me atë krijimtari. Pohon se e ka të vështirë t’ia gjejë fillin këtij biznesi të fshehtë por nuk do të rreshtë së tentuari..për ta gjetur të drejtën e saj.
Nuk është vetëm ajo që po e vuan këtë abuzim. Violeta Manushi, ka treguar pak kohë më parë se kishte ngjitur me shumë mundime shkallët e TVSH-së, me një kasetë vidio (bosh) në duar. U kërkoi t’i hidhnin në atë shirit bosh, filmin e saj “Një shoqe nga fshati”. I kishin premtuar, por kurrë nuk ia realizuan kërkesën. Ndaj Manushi kishte porositur një nipin e saj, që t’ia blinte filmin në tregun e rrugës. E bleu me aq para sa shiten zakonisht këto kaseta pirate (atëherë me 400 lekë të vjetra) dhe e vuri në raftin ku ruan dhe filmat e tjerë, shumicën e të cilave ia kanë falur miqtë dhe dashamirës së saj. Vëllezërit Zena, ca muaj më parë, ndërsa përgatiteshin për të bërë një koncert recital, kërkonin më kot në korridoret e TVSH-së, materialet e tyre. I gjenin rrugëve të Tiranës, kasetat me këngët e kënduara në vite. Aty shiteshin, ndërsa ata vetë, as që pretendonin të merrnin ndonjë para.
Të tjerë artistë, as që ia hyjnë më kësaj pune. I janë nënshtruar fatit se krijimtaria e tyre është zhdukur në televizionet, radiot private, në rrugët e ndryshme të piraterisë. Ndihen të pafuqishëm për të fituar të drejtën e tyre….presin nga shteti dhe nga Ministria e Kulturës. Kjo e fundit ka filluar të lëvizë, në këto kohë, për të zgjidhur këtë problem
Dje u mblodh i pari kuvend kombëtar për të drejtën e autorit
Një agjenci që quhet “Albautor” është ngritur në emër të këtyre artistëve të nëpërkëmbur…por askush nuk ka fituar ende, asgjë. Prej kohësh flitet për një ligj “Mbi të drejtën e autorit” por që nuk ka gjetur zbatim. Në këto kohë, diçka ka nisur të lëvizë, gjithsesi. Dje në bibliotekën e Galerisë Kombëtare të Arteve është mbajtur e para konferencë Kombëtare “E drejta e autorit në Shqipëri, objektivat dhe mjetet për realizimin e tyre”. Ka qenë vetë ministrja Dade ajo që ka hapur këtë kuvend
Ajo ka thehsuar se diçka është bërë në këtë drejtim-“Përpara syve tanë kemi parë të formulohet e më pas të fillojë të marrë formë e drejta e autorit në Shqipëri, si një e drejtë morale dhe ekonomike e panjohur dhe e parespektuar më parë. Ligji për të drejtën e autorit është ripunuar deri tani katër herë, me qëllim që të rritet efektiviteti i tij. Në këtë aspekt, kuadri ligjor nuk mungon, por ne nuk kemi një ligj efektiv, pra nuk kemi garantuar realizimin e të drejtave kushtetuese dhe ligjore për autorët, në mënyrë që ata të gëzojnë frytet e punës së tyre krijuese. Qeveria shqiptare e ndien këtë obligim veç të tjerash, edhe në kuadrin e përmbushjes së detyrimeve dhe përgjegjësive që kemi marrë nga anëtarësia në konventat dhe organizatat ndërkombëtare.” Dade ka pohuar se është e kënaqur me respektimin e të drejtave të autorit në fushën e botimeve dhe librit por është shumë e shqetësuar për shumë radio apo televizione dhe shumë editore të muzikës dhe audiovizualit, të cilët i përdorin pa leje veprat e autorëve shqiptarë dhe të huaj, gjë kjo që e ka bërë Shqipërinë një vend me nivel të lartë piraterie. Lidhur me këtë ajo ka theksuar se-“Kam shpallur si një nga prioritetet për vitin në vazhdim, aprovimin e një ligji të ri për tëdrejtën e autorit. Ligjit tonë të ripunuar aq shumë herë i mungon mekanizmi i qartë i zbatimit. Mendojmëse ka ardhur momenti për të krijuar Zyrën Shqiptare për të Drejtën e Autorit, si një organ autoritar, me kompetenca të gjera dhe të efektshme në kohë. Kjo është një zgjidhje e aplikuar në shumë vende të tjera,sepse shteti do të zbatojë kështu dhe vetëm kështu, detyrimet ndaj pronësisë intelektuale.”
Pas ministres së Kulturës kanë vijuar referimet e përfaqësuesve të agjencisë “Albautor”, të kryetarit të shoqatës së Botuesve shqiptarë, të drejtorit të programeve në Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit etj…
Viktor Gjika dhe Albert Minga kanë ngritur edhe një herë problemin e piraterisë së filmit, artistik dhe atij dokumentar. Piraterinë e kasetave ata e kanë cilësuar si shkeljen më flagrante ku mundësitë për të abuzuar janë edhe më të shumta. Ata kanë propozuar që të bëhen ndërhyrje të menjëhershme jo vetëm tek televizionet por edhe në pikat e shitjeve të këtyre kasetave. Gjika tha se duhet të ndërmerret një aksion i madh për prishjen e kioskave pa leje, dhe dyqaneve që shesin kaseta pa leje. Si një rast të afërt ai solli shembullin e paradisa kohëve në Kinë, ku të gjithë kasetat pirate dhe dyqanet ku shiteshin u shkatërruan në mënyrë demonstrative në mes të rrugëve. Gjika tha gjithashtu se në këtë konferencë nuk duhet të mungonin kurrësesi tatimorët, ata që janë quajtur pengesa kryesore e zgjidhjes së këtij problemi. Nuk kanë qenë vetëm ata, të munguarit e kësaj konference. Krahas tyre, nuk janë paraqitur as përfaqësues së Ministrisë së Financave dhe të Drejtorisë së përgjithshme të Tatimeve dhe nga arkivi i filmit. Në fund të këtij takimi, Dade e ka konsideruar si një aksion i domosdoshëm për ta vënë këtë problem në qendër të vëmendjes publike. Njohjen më të thellë të këtij ligji, Dade e ka shpallur si hapin e parë të kësaj pune.
Konkluzionet që dolën nga vetë ministrja
Konferenca u mbyll me konkluzionet që bëri vetë minisrja Dade. Është përcaktuar një plan veprimi ku përfshihen prioritetet dhe objektivat e zhvillimit në fushën e të drejtës së autorit si dhe masat që do të merren për realizimin e këtyre objektivave. Janë shtuar kështu, në dosjet e Ministrisë së Kulturës të tjera letra-projekte të cilat nuk dihet se kur do të gjejnë zbatim…ashtu si nuk dihet dhe për shumë objektiva të tjera të cilat harrohen sapo ndërrohet një ministër. Gjithsesi, edhe ky takim nuk kishte se si të dilte pa konkluzionet e veta. Objektivat më të rëndësishme të dala prej tij janë: -Përafrimi i legjislacionit të së drejtës së autorit me standardet europiane, nëpërmjet identifikimit të problemeve dhe mangësive ekzistuese;
-Implementimi i detyrimeve të Marrëveshjes TRIPS (Marrëveshja mbi aspektet tregtare të pronësisë intelektuale).
-Të rritet sensibilizimi i autorëve dhe gjithë kategorive të përfituesve të të drejtave, përdoruesve të veprave artistike, si dhe të shoqatave të administrimit kolektiv të të drejtave të autorit, mbi problemet dhe shqetësimet e tyre.
-Organizim seminaresh e tavolinash të rrumbullakta me autorë të të gjitha fushave
-Tërheqja e mendimit, opinionit dhe zgjidhjet e propozuara prej tyre.
-Bashkëpunimi me organizatat transmetuese (radio - tv kombëtar e privat) -Koordinimi i veprimtarisë institucionale në luftën kundër piraterisë.
–Ngritja e një komiteti ndërdikasterial me përfaqësues nga gjithë institucionet e përfshira në këtë luftë me objektiva të qarta dhe detyra të përcaktuara nën drejtimin e Ministrisë së Kulturës.
-Vendosja e kontakteve institucionale të bashkëpunimit me strukturat homologe të Bashkimit Europian.
-Hartimi i programeve të përbashkëta.
-Ndërmarja e një fushate mbi veprimtari njohëse për të drejtat e autorit.
-Evidentimi dhe pasqyrimi i praktikës ligjore.
-Organizimi i një cikli debatesh televizive në lidhje me rastet e shkeljes së të drejtave të autorit në Shqipëri.

E drejta mbi autorin e librit
Shkelja e së drejtës së autorit ka ekzistuar shumë vite më parë…atëherë kur nga bota e përtej kufijve merrej e përkthehej ajo vepër që quhej e padëmshme pa marrë asnjë leje nga ai i huaj që e kishte shkruar. Abuzimi ishte edhe më i madh se kaq, kur autori i huaj botohej i përgjysmuar…sepse i hiqeshin ato, pjesët që dëmtonin shoqërinë socialiste shqiptare. Edhe kjo gjë bëhej, sigurisht, pa marrë asnjë leje nga autori. Petrit Ymeri, nuk është zgjatur shumë në rrëfimin e kësaj praktike e cila u ndoq deri në vitet ’90. Është hedhur direkt në vitet 1992-1993, atëherë kur nisën të bëheshin të parat kontakte profesionale të editorisë shqiptare me botën e madhe të librit. E për këtë lidhje shërbyen se pari pjesëmarrjet në panairet ndërkombëtare të librit, në Bolonjë e Frankfurt, në takimet me shoqatën e botuesve gjermanë, çelja e ekspozitave të librit gjerman në Tiranë, seminare të organizuara në këto raste në Tiranë, Frankfurt etj. Në këto aktivitete u morën informacionet e para edhe mbi problemin e të drejtës së autorit. Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë ka theksuar gjithashtu se sot është shtuar numri i botuesve shqiptarë që mund ta shohin drejt në sy kolegun e tyre francez, amerikan a gjerman. Por kjo nuk do të thotë se tek ne absolutisht nuk botohen sot e nuk do të botohen përsëri nesër tituj pa të drejta. Ndaj ka akoma shumë për të bërë në këtë drejtim, pasi në botë ky sistem i copyright-it ka 400 vjet që ka filluar, ndërsa në Shqipëri ka vetëm 10 vjet.
Rastet ku shkeljet janë më të dukshme
Ymeri i ka renditur njëra pas tjetrës sektorët ku hasen më shumë shkelje dhe problemet me të cilat ndeshen të gjithë- “Përveçse kemi botues që botojnë libra pa leje, kemi edhe raste të botuesve që vjedhin punën e njëri-tjetrit duke i ndërruar emrin, si p.sh. rasti më tipik ka qenë në fillim të viteve ’90 ku “Murtaja: e Kamysë përkthyer nga Ardian Marashi u botua nga një shtëpi botuese me një emër tjetër përkthyesi. Kemi raste të botuesve që përdorin përkthimet e dekadave të kaluara pa lejen e përkthyesit. Kemi raste plagjiature të hapur siç është rasti i njohur i fjalorit të prof. Vedat Kokonës, i cili përdoret në mënyrë të paturpshme nga një njeri pothuajse anonim, që vendos emrin e tij dhe botohet nga një shtëpi botuese e njohur. Kemi shumë raste plagjiature të librave universitarë. Mund të përmend Mikroekonomia, Makroenokomia, ku një zonjë paraqitet si autore për libra të përkthyer. Kemi shembuj të shtypshkronjave që shkelin të drejtën e autorit, duke botuar tirazhe mbi porosinë e botuesit apo që botojnë në bashkëpunim me librarët pa kurrfarë leje nga botuesit. Ka edhe raste të shtëpive botuese që cilat shtypin tirazhe më të mëdha sesa marrëveshja që ata kanë bërë me autorin. Ky fakt është më i pranishëm dhe më pak i kontrollueshëm në shtëpitë botuese që kanë edhe shtypshkronjat e tyre. Kemi librari që japin libra me qera, që përbëjnë përsëri shkelje të të drejtave të autorit, kemi fotokopjime sidomos të librave universitarë, gjë që duhet konsideruar si rreptësisht e ndaluar dhe shkelje e të drejtës së autorit. Ka edhe mjaft raste të disa përkthyesve, që duke mos qenë në gjendje të përkthejnë tekste të vështirë, e “redaktojnë” tekstin duke kaluar shprehje, paragrafë, apo fragmente të tërë. Shembuj të këtillë janë të shumtë për fat të keq. Mund të përmendim ndonjë vepër të Dostojevskit, një përkthim të Kunderës, të botuar së fundmi, të cilin i mirënjohuri Edmond Tupja e quan përckthim, e mjaft të tjera, por për fat të keq botuesit ose bëjnë një sy qorr ose i mbështesin.”
Indiferenca e institucioneve
Si një tjetër problem tepër shqetësues, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, ka theksuar indiferencën e institucioneve ndaj shkeljeve të së drejtës së autorit- “Këto institucione ose bëjnë një sy qorr ose më keq se kaq, e mbështesin këtë shkelje. Mendojmë se institucionet duhet të japin një mbështetje edhe kundër rasteve jo të pakta të plagjiaturës, sidomos në tekstet universitare e akademike, gjë që jo vetëm dëmton dhe shkel të drejtën e autorit, pronësinë intelektuale, por dëmton jo pak edhe punën e botuesve profesionistë, të cilët përpiqen me të gjitha mundësitë e tyre jo shumë të mëdha, të sjellin një literaturë bashkëkohore, gjë që është tepër e kushtueshme dhe e lodhshme, por që për fat të keq duhet të përballet me tekstet plagjiatë, por që mbështeten institucionalisht nga universitete të ndryshme. Për fat të keq, ka mjaft tekste jo vetëm të vjetëruar por edhe plagjiatura e që përdoren sot e gjithë ditën në universitetet tona dhe mbrohen me këmbëngulje prej të ashtuquajturve autorë, dhe të tjerët heshtin në mënyrë miqësore!” Pikat e dobëta që e pengojnë përfshirjen e gjerë e më të shpeshtë të respektimit, sipas Ymerit, janë joprofesionalizmi, shpesh herë pagesat e larta, mosbesimi, tregu i vogël i librit, çmimet e ulëta të shitjes, strukturat e dobëta të sistemit libror dhe mungesa e mbështetjes nga shteti. Është përmendur dhe fakti që në të gjithë botën e qytetëruar ka marrëveshje midis shoqatave të botuesve dhe shtetit, që përfaqësohet nga Ministria e Kulturës, e Jashtme apo e Tregtisë për mbështetjet dhe promovimin e botimeve brenda dhe jashtë vendit. Ymeri ka përmendur dhe mungesën e lehtësive fiskale në sektorin e botimeve, tarifat postare janë shumë të larta. Ka përmendur gjithashtu dhe kalvarin për shumë vite të Ligjit të librit. Referimin e tij Petrit Ymeri e ka mbyllur me problemet e mëdha që hasen në mënyrën e trajtimit gjyqësor të rasteve kur problemi i copyright-it ose shkelja a mosshkelja çojnë në konflikt. Ai ka theksuar se sistemi ynë gjyqësor është i zvarritur, joprofesional. Së fundmi, ka hedhur idenë se ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të ketë një Gjykatë apo një sektor të specializuar për këto probleme që po bëhen gjithnjë e më shpesh të pranishme.
Debatet e konferencës
Mbi agjencinë “Albautor”
Kjo konferencë e parë kombëtare për të drejtat e autorit është organizuar nga Ministria e Kulturës në bashkëpunim me agjencinë “Albautor” e cila prej vitesh ka nisur përpjekjen për ta kthyer në vend të drejtën e artistëve të të gjitha fushave të artit. Por, pikërisht, në këtë konferncë të parë pati debate për një funksionim jo normal të kësaj agjencie dhe “albafilmit”. Petrit Ruka, drejtori i Qëndrës Kinematografike, pohoi hapur se këto agjenci nuk ekzistojnë përderisa zëri i tyre nuk dëgjohet. “Nuk po di një rast kur këto agjenci të kenë ndërhyrë qoftë edhe njëherë. Le që kushtet me të cilët ata punojnë nuk mjaftojnë që ato të kryejnë operacione, aty ku bëhen shkelje e të ndërhyjnë për zgjidhjen e tyre. Nuk e kuptoj se si këto të drejta duhet të mbeten në dorë të një agjencie të tillë. Nëse vazhdohet kështu atëherë duhet të mësohemi me idenë se kemi të bëjmë me koperativa, ku çdo gjë është e përbashkët”.
I pyetur për këtë deklaratë të Rukës, presidenti i agjencisë “Albautor” është përgjigjur: “Nuk është aspak e vërtetë që kjo agjenci nuk funksion. Agjencia e autorëve ka shënuar shumë arritje. Vetëm në saje të punës së saj është bërë ky legjislacion që kemi sot për të drejtën e autorit. Edhe pse ky ligj ka shumë mangësi përsëri unë mund të them se nuk është edhe aq larg këtij të riut që do të dalë tani. Agjencia e ka të gjithë përgatitjen teknike të nevojshme. Punon në bazë të programeve ndërkombëtare dhe në bazë të marrëdhënieve kontraktuale dypalëshe që ka me agjencitë simotra të vendeve të botës, merr përsipër edhe mbrojtjen e autorëve të huaj këtu në shtetin shqiptar.
Thatë se kjo agjenci ka kontribuar edhe për ligjin aktual të të drejtave të autorit. Mendoni se ky ligj ka hapësira për t’u zbatuar dhe se janë segmente të tjera që e pengojnë atë?
Nëse do të arrinim zbatimin e këtij ligji do të kishim një panoramë tjetër. Pse nuk zbatohet ligji1? Kjo është çështja. Të gjithë jemi koshientë, se artistët shqiptarë janë të respektuar, tradicionalisht në opinionin publik. Por ka diçka që nuk shkon në mometin kur këta artistë të respektuar duhet të paguhen për punën e tyre. Kjo është “thembra e Akilit” që duhet zgjidhur. Pak a shumë dihet sepse ai që konsumon në shqipëri nuk do të paguajë. E konsideron si një taksë, e jo si një të drejtë. Por të gjitha këto që po bëhen dhe sidomos organizimi i kësaj konference, që është iniciativa e parë shtetërore, në këtë drejtim, besoj se do të bëjë të mundur që edhe ato pikat e errëta në ligj, që po shfrytëzohen nga përdoruesit e veprave artistike, të shmangen.
Ministrja Dade pohoi se tatimorët, edhe pas takimit të fundit me Ministrinë e Financave, sërish nuk kanë ndërthyrë për të ndaluar shkeljet. Si e komentoni ju këtë situatë?
Me logjikë nuk arrij ta gjej dot pse tatimorët nuk ndërhyjnë. Ata i ngarkon ligji. Janë vënë gjobat, janë apeluar janë lënë prapë në fuqi dhe dikush ngrihet edhe e anullon. “Albautori” mbron. Por nuk bën një mbrojtje mekanike, apo fizike si të themi. Këtë mbrojtje e bën shteti e strukturat e tij. “Albautor” është një strukturë që ndërmjetëson autorët që u shkelet e drejta me shtetin që është zbatues i kësaj të drejte.

shek





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 19-5-2005 nė 10:19 Edit Post Reply With Quote
Blendi Kraja

Zanafilla e nji hajnie

- Mbi vjedhjen e përkthimit të nji libri nga Xhevat Lloshi, Xhevdet Shehu e Fatmir Toçi -

Bahet fjalë për librin e historianes britanike Miranda Vikers (Vickers) Between Serb and Albanian: A History of Kosovo, vjedhjen e përkthimit të të cilit e ka nisë Xhevat Lloshi, e ka vazhdue Xhevdet Shehu dhe e ka përmbyllë Fatmir Toçi, pronar i shtëpisë botuese Toena.
Në vitin 2002, me pëlqimin e autores, z. Xhejms Petifer (James Pettifer) na pajton neve me e përkthye këtë libër, punë që e përfundojmë në fillim të vitit 2003 dhe për të cilën marrim pagesën e caktueme. Ngaqë kishte vështirësi në gjetjen e nji shtëpie botuese në Kosovë, dorëshkrimi mbetet në kompjuter i paprekun deri në pranverë-verë t’atij viti. Me rastin e promovimit në këtë kohë të librit Blue Guide të Petiferit në Prishtinë, ku vjen edhe përkthyesi i këtij libri Xhevat Lloshi, zoti Petifer na autorizon t’i japim Lloshit dy disketa që kishin përkatësisht dorëshkrimin e përkthimit të librit të Vikersit (për t’u redaktue prej Lloshit) dhe librin e Petiferit Kosovo Express (me u përkthye po prej Lloshit).
Edhe pse ishte hera e parë që kishim nderin e madh ta takonim Xh. Lloshin, qysh at’ ditë që e kemi takue për herë të parë e kuptuem se çfarë formimi kishte (sic). Të nesërmen në mëngjes kemi lanë takim me z. Petifer në Hotel Grand në Prishtinë dhe i kemi thanë fjalë për fjalë: “Z. Petifer, unë i qëndroj mbrapa përkthimit tim, por me at’ njeri unë kam me pasë probleme…” Miku i mirë Petifer u përpoq me na qetësue por ne ia shprehëm edhe në nji mënyrë tjetër dyshimin për aftësitë e Lloshit: “Teksti asht i përkthyem shum mirë, jam gati me u përgjegjë për këtë, ka nevojë vetëm për redakturën e zakonshme.” E, n’t’vërtetë, veç për redakturë kishte nevojë, siç ka me u pa ma poshtë.
Në gusht 2003, Xhevat Lloshi vjen në Prishtinë dhe kërkon me na takue. Na thotë se “nuk kam kohë ta redaktoj përkthimin që i ke bërë librit të Mirandës, prandaj sugjeroja Xhevdet Shehun asaj si redaktor” (dhe ndërkohë tue na dhanë dy fletë me disa “kritika” të tij për përkthimin), tue mos e pasë as burrninë njerëzore me ja thanë në sy nji njeriu që puna e këtij nuk vlen dhe se, sipas mendimit të tij, ai e hedh poshtë. Sepse Lloshi asht jo vetëm frikacak dhe shpirtulët, por ka ndër mend tjetër gja…

*
* *

Në vitin 2004, z. Petifer na thotë se Xhevat Lloshi e ka hedhë poshtë përkthimin tonë si të pavlerë dhe autorja, tue pranue rekomandimin e tij, ia ka dhanë librin nji përkthyesi tjetër. Ia përsërisim në sy mikut tim, siç edhe ia shkruejmë po at’ ditë në email autores, që përkthimi asht i mirë dhe ka nevojë veç për redaktim edhe ta çojnë përkthimin te një palë e tretë, që s’e njeh as Krajën e as Lloshin dhe ne kemi me ju bindë këtij gjykimi cilido qoftë ai. Por si miku jonë, si autorja, na thonë mos u shqetëso, s’ka problem, mbaji paret. Por kjo nuk asht çashtje paresh…
Në fund të vitit 2004 botohet libri “Midis serbëve dhe shqiptarëve, një histori e Kosovës” i Miranda Vickers-it, “përkthye” prej Xhevdet Shehut, botue prej shtëpisë botuese Toena. Kqyrja e këtij libri nga ana jonë na bani me kuptue se Xhevat Lloshi ka rrejtë kur e ka hedhë poshtë përkthimin tonë si pa vlerë, Xhevdet Shehu ka rrejtë kur e ka paraqitë përkthimin si të tijin dhe Fatmir Toçi ka rrejtë kur e ka botue nji dorëshkrim të vjedhun.
Përveç kapitullit I, të cilin edhe pse i përkthyem prej Xh. Lloshit e kemi ripërkthye, në këtë shkrim po krahasojmë përkthimin tonë nga fajlli i cili ruhet në kompjuter (dhe ka si atribut datën se kur asht vu dorë për herë të fundit në te) dhe “përkthimin” e Xh. Shehut nga libri, tue botue vetëm disa rreshta nga paragrafët e parë të secilit prej 13 kapitujve të tjerë. Teksti i përkthimit që botohet këtu asht ai i përkthyem prej nesh dhe, për ta ba lexuesin me kuptue se sa mirë e ka “përkthye” tekstin Xh. Shehu, po japim në kllapa me forcim variantin e tij (fjalët me vizë në mes janë të hequna prej Xh. Shehut ndërsa shenja + tregon se fjala asht shtue, në krahasim me përkthimin tonë):

Kapitulli 2
Mërgimet (migrimet) e mëdha serbe dhe forcimi (konsolidimi) i sundimit otoman (osman)

Pushtimi otoman (osman) i Ballkanit pati pasojë lëvizjet e herëpashershme të popullsisë, ndërsa banorët vendas lëviznin o në jug o në veri (banorët vendas lëviznin në jug ose në veri), ndërsa në lindje u shfaqën kombësi të reja (ndërsa elementë të rinj etnikë u shfaqën në lindje). Ushtria otomane (osmane) në Kosovë ishte e shoqëruar nga anëtarë të fiseve tartare turke (turko-tartare) që u vendosën kryesisht në qytete. Këtyre iu bashkuan më vonë arixhinjtë (romët) dhe cirkazianët, që u nxitën nga pushteti otoman (autoritetet osmane) të vendoseshin në trevën (rajonin) e sapokolonizuar të Ballkanit. Ky është shkaku për atmosferën relativisht kozmopolitane që u zhvillua në qytete të tilla si Prizreni, që e ruajti popullsinë e tij të pasur e të përzier deri në shpërnguljen e turqve në vitet 1950. Nga fundi i shekullit XVI, barinj të maleve të Shqipërisë veriore kishin filluar të zbrisnin në fushat e Kosovës ku dalëngadalë u vendosën në ngulime (krijuan vendbanime) të vogla. Shumica erdhën nga rajoni i ashpër i Dukagjinit për t’i shpëtuar gjakmarrjes apo nga mungesa e kullosave (kullotave)… të cilat japin përshtypjen që (sikur) luzma shqiptarësh të dhunshëm, prirë (të prirur) nga përdhunimi e grabitja, po derdheshin në Kosovë…

Kapitulli 3
Kosova dhe rënia otomane (e Perandorisë Osmane)

Çështja e Kosovës u ndërkombëtarizua në Çështjen (Krizën) e Madhe Lindore të vitit 1875, që (e cila) ngriti pikëpyetjen (shtroi çështjen) e mbijetesës së Perandorisë Otomane (Osmane) dhe e solli këtë krahinë të humbur evropiane (europiane) drejt e në vëmendjen e Fuqive të Mëdha. Pas një varg kryengritjesh kundër otomanëve (osmanëve) në Bosnjë e Hercegovinë më 1875, Portës iu ngarkua (imponua) një plan reforme propozuar nga Austro-Hungaria me qëllim të parandalimit (për të parandaluar) ose të paktën paraprirjes (për t’i paraprirë) së ndërhyrjes ruse. Një Sulltan i ri, Abdyl Hamiti, kishte hypur në fron më 1876 kur kriza e jashtme dhe e brendshme ishte në kreshtën (kulmin) e saj; ai i dha fund politikës së mëparshme të reformës modernizuese (Tanzimatit) e (dhe) filloi një kohë e (periudhë të) gjatë sundimi autokratik. Ai u përpoq të rithemelonte ligjshmërinë (legjitimitetin) e shtetit (+ osman) dhe (+ të) dinastisë otomane (x) mbi mbrojtjen e (në mbrojtje të) vlerave e (dhe) interesave islame nga ajo… Në Kosovë kjo kish kuptimin (u nënkuptua), në thelb, të nxitjes së popullsisë shqiptare për t’i larë (si inkurajim për popullsinë shqiptare për të larë) hesapet me pjesën vendase sllavo-ortodokse…

Kapitulli 4
Turqit e rinj (Xhonturqit) dhe Luftrat Ballkanike

Gjatë fundshekullit (Nga fundi i shekullit) XIX një faktor i ri politik kish nxjerrë krye (ishte shfaqur) brenda Perandorisë Otomane (Osmane), me rrënjë (rrënjët e të cilit zinin fill) në vitet 1860. Kjo ishte Lëvizja e Turqve të Rinj (+ Xhonturqit), që përbënte një kundërshtim (formoi një opozitë liberale) ndaj regjimit të Sulltan Abdyl Hamitit. Turqit e Rinj (Xhonturqit), prodhim i reformave të hershme dhe edukimit (arsimimit) më të mirë në shkolla modeluar sipas vijave perëndimore (të modelit perëndimor), kërkuan ta rigjallëronin, rindërtonin e ripërtërinin Perandorinë. Një ndjesi kryenxjerrëse (ndjenjë në rritje) e identitetit kombëtar ‘turk’ ishte shfaqur tashmë dhe rizbulimi i teksteve në Kuran (Kur’an) që mbështetnin (duke mbështetur) qeverinë me anë të shtjellimit (diskutimit), ndërthurur me një lëvizje të re letrare me themel (të bazuar) në modelet franceze, themeluan (krijuan) një atmosferë ndryshimi e përparimi. U hodhën themelet, pra, për një shtet të veçantë turk të dallueshëm (shtet përfundimtar turk) nga Perandoria Otomane…

Kapitulli 5
Lufta e (viteve) 1914-1918-ës

Shkëputja e Kosovës nga Shqipëria shkaktoi tronditje të rëndë (thellë) e ankth mes (midis) shumicës së shqiptarëve të Kosovës. Përveç pasojave të kuptueshme psikologjike, kufiri i ri kishte ndërlikime të rënda tregtare (ekonomike) për gjithë shqiptarët e veriut, pa marrë parasysh anën e kufirit ku (+ ata) gjendeshin. Sipas Suajërit (Swire-it), Serbia tani i ndalonte shqiptarët të kalonin kufirin e saj të ri e (dhe) kështu ia ndalte (ua ndalonte) popullsive të tëra fshatare tregjet e tyre tradicionale që lidheshin nga një rrugë e lashtë prej Shkodrës në Gjakovë e Prizren, që ishin tani (tani ishin) tokë serbe. Gjakova ishte qyteti i tregut për banorët e Nikaj-Mërturit, Gashit, Tropojës e Pukës, që (por) tani fshikulloheshin (rriheshin) ose gjuheshin (qëlloheshin) me armë kur përpiqeshin të kalonin kufirin. Alternativa e tyre e vetme (+ tani) ishte një rrugëtim katërditor për në Shkodër. Në lindje, edhe më shumë fiseve shqiptare iu pre rruga për në qytetet e tregjet e tyre, si Lura që ishte (ndodhej) në burimin e Zallit të Milthit dhe shtrihej mbi qafën në luginën e Malës (Lurja Mala), që e zinte (dhe zbriste poshtë) deri në Drin. Dibra, qytet pazari (+ për Lurën), tani përfshihej në Maqedoni…

Kapitulli 6
Programi i kolonizimit

Ndërsa vitet ’20 (1920) kalonin, brenda shtetit jugosllav doli një problem themelor mbi çështjen e identitetit kombëtar. Me gjithë shpresat e disa intelektualëve e politikanëve para vitit ’14 (1914), s’lindi një kombësi jugosllave (një kombësi jugosllave nuk mundi të krijohej). Sipas Barbara Jelaviqit, në këtë kohë drejtpeshimi kombëtar (përbërja etnike) (+ në Jugosllavi) ishte afërsisht (+ e tillë:) 43 % (për qind) serbë, 23 (+ për qind) kroatë, 8.5 (+ për qind) sllovenë, 6 (+ për qind) muslimanë boshnjakë, 5 (+ për qind) maqedonas sllavë (sllavo-maqedonas), 3.6 (+ për qind) shqiptarë dhe 14 % (+ për qind) përbëheshin nga pakicat gjermane, hungareze, vllehe, turke, çifute e magjype (rome). Me gjithë retorikën e shumtë të mëparshme, këta njerëz s’e mendonin veten (+ e tyre) një komb. Jelaviq (+ i) vëren (thekson,) se duhet shënuar që (+ në periudhën) midis luftrave, çështja e statusit të malazezëve, maqedonasve e shqiptarëve s’(nuk)ishte (një) çështje e rëndësishme në politikat shtëpiake (e brendshme). Malazezët trajtoheshin si serbë e Maqedonia ishte ‘Serbia e jugut’. Çështja e ndjeshme shqiptare luajti rol në marrëdhëniet e jashtme, por jo në çështjet e brendshme…

Kapitulli 7
Lufta II (e Dytë) Botërore

Analisti amerikan Denison Rusinou (Rusinow) përshkruan pushtimin e Jugosllavisë nga Boshti, i cili filloi më 6 prill 1941, me një bombardim t’egër (të egër) të Beogradit, dhe mbaroi më 16 (17) prill (,) me një armëpushim që ishte n’t’vërtetë (në të vërtetë ishte) dorëzim pa kushte. Mbreti Peter II dhe qeveria e tij e sapozgjedhur më 27 mars nga puçi ushtarak dhe nga demonstratat kundër Boshtit (,) që (të cilat) përshpejtuan vendimin e Hitlerit për të sulmuar, kishin ikur nga vendi duke formuar rrugës një qeveri në mërgim në Londër dhe mandej në Kajro. Jugosllavia atëherë u nda nga aleatët e (midis aleatëve të) Gjermanisë. Si pasojë, kur në Serbi u formua më 29 gusht 1941 (kur më 29 gusht 1941 në Serbi u formua) qeveria bashkëpunëtore (kolaboracioniste) e Milan Nediqit, kjo trevë dalëngadalë u vu nën drejtimin e t’ashtuquajturës (të ashtuquajturës) ‘Qeveri e Shpëtimit Kombëtar’…

Kapitulli 8
Kosova në Jugosllavinë e re socialiste

Edhe pse lufta civile (,) nga e cila dolën jugosllavët (jugosllavët dolën) ishte shumëpërmasore (shumëdimensionale), (+ mjaft) e përhapur dhe e vrazhdë, një shpirt idealizmi mbizotëroi (ekzistonte) anembanë (midis) skalioneve (njësive) partizane. Sipas Jelaviqit, Jugosllavia ishte tashti (tani) qartësisht shteti më i fuqishëm në Ballkan - vërtet (në të vërtetë), shteti drejtues (kryesor) jashtë Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore (në Europën Lindore pas Bashkimit Sovjetik). (Jugosllavia) Kishte një ushtri madhështore prej 800 mijë ushtarësh me përvojë nën një drejtim (komandë) pastërtisht kombëtar (e) dhe një regjim revolucionar ishte në pushtet që (,) me sa dukej (,) kishte marrëdhënie të ngushta e (dhe) miqësore me Moskën. E nxehtë (ngazëllyer) nga fitorja, PKJ e shtjelloi t’ardhmen (diskutoi të ardhmen) e Kosovës dhe statusin e saj në Jugosllavinë e re në Kuvendin e Përfaqësuesve Kombëtarë të Kosovës dhe Metohisë mbajtur në Prizren në korrik 1945. Këtu u shtjellua (ra dakord) që treva (krahina) duhej të bëhej pjesë përbërëse e Serbisë Federale. Sipas Pipës dhe Repishtit, Rezoluta e Prizrenit shpalli me të madhe (bujë) që gjendja (situata) në Kosovë ishte qetësuar dhe që popullsia shqiptare, si të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë, s’kishte (nuk kishte) pranuar as shpërbërjen e trevës (krahinës) nga pushtuesi, as shpërbërjen e Jugosllavisë...

Kapitulli 9
Vetëpohimi shqiptar kap rastin (Vetëdijësimi i shqiptarëve merr hov)

Demonstratat në Kosovë dhe jehonat e tyre në Maqedoninë perëndimore dëshmuan kthimin e çështjes kombëtare në ballinë mes (në epiqendër të) problemeve të Jugosllavisë.

Kapitulli 10
Roli jobindës i Kosovës si ndërtuese urash shembet (Shembet roli jobindës i Kosovës si urëndërtuese)

Vdekja e Titos u njoftua më 4 maj 1980 pak ditë përpara ditëlindjes së tetëdhjetetetë të (88-vjetorit të) tij, dhe (bashkë) me të shkoi (ikën) nocioni i çlirimit kombëtar, vetë-drejtimit (vetadministrimit), bashkim - vllaznimit (vëllazërimit) dhe rrugës jugosllave drejt socializmit. Krejt vendi u mbërthye nga një ndjesi (gjendje) çorientimi dhe paralajmërimi (parandjenjash), por askkund (askund) më shumë se në Kosovë: shqiptarët ndjenë se kishin humbur mbrojtësin e tyre. Pa pasardhës të përgatitur, Titoja e kishte sajuar (lënë me testament) zëvendësimin e tij në formën e një drejtimi të përbashkët (udhëheqjeje kolektive), ku të gjithë zyrtarët zgjidheshin me themel të një përfaqësimi të njëjtë të gjashtë republikave dhe dy krahinave vetëqeverisëse (një presidencë të shtetit me përbërjen e tetë anëtarëve që qarkullonin, ku të gjithë zyrtarët zgjidheshin mbi bazën e përfaqësimit të barabartë nga gjashtë republikat dhe dy krahinat autonome). Kështu shpresohej se ndërtimi i tij shumë-kombëtar (përbërja shumë-etnike) nuk do ta copëzonte Jugosllavinë. Gjithsesi (Megjithatë), mediat botërore menjëherë filluan të meditonin (parashikonin) nëse vendi do të mbijetonte pas ikjes së tij. Titoja e kishte mbajtur vendin të bashkuar me diplomaci mjeshtërore kundër kërcënimit të pushtimit sovjetik dhe duke këmbyer trazirat nacionaliste me vetëqeverisje (autonomi) krahinore. Vdekja e tij tashti (tani)...

Kapitulli 11
‘Idemo na Kosovu’ (Të shkojmë në Kosovë)

Pasoja më e qartë (dukshme) e kryengritjeve (demonstratave) të vitit 1981 ishte shtysa dhënë (stimulimi që iu dha) (+ rigjallërimit të) nacionalizmit serb, maqedonas dhe malazez. Shteti centralist i pasluftës kishte ndrydhur ndjenjat kombëtare, por decentralizimi i përshpejtuar pas vdekjes së Titos çoi në një gjendje ku serbet ndjenë që nuk kishte interes të vërtetë ‘jugosllav’ në mbrojtjen e të drejtave të tyre (të deriatëhershme). Kur Aleksandër Rankoviqi vdiq (vdiq Aleksandër Rankoviçi) më 20 gusht 1983, (+ tensioni i) dhjetëra mijëra serbë (+ ve që) e ndoqën (morën pjesë në) varrimin e tij n’atë që u bë (+ u kthye në) protesta (protestën) e parë masive për gjendjen e serbëve në Kosovë dhe në Jugosllavi përgjithësisht (përgjithësisht në Jugosllavi)…

Kapitulli 12
Serbët rindërtojnë (korrigjojnë) republikën e tyre

Në vjeshtën e vitit 1989, hendeku gjithnjë e më i gjerë mes (mosmarrëveshjet gjithnjë e më të mëdha midis) bashkësisë serbe dhe asaj shqiptare po acarohej (përkeqësoheshin) ndërkohë që pushteti republican kërkuan të themelojnë një drejtim të përgjithshëm (autoritetet republikane deshën të vendosnin një administratë të përgjithshme) mbi krahinë përmes (me anë të) centralizimit të qeverisë (,) dhe trysnisë politike dhe propaganduese (shtërngimit të politikës dhe propagandës) (+ por edhe të epërsisë së dukshme fizike të represionit policor). Në një parashfaqje ogurzezë të (Si një prelud ogurzi i) ngjarjeve që do pasonin (të ndodhnin shumë) shpejt, reaktivët luftarakë (avionët reaktivë) të forcave ajrore të Jugosllavisë silleshin mbi qytetet kryesore tëkosovës (të Kosovës), rrugët e të cilëve tashti (tani) ishin mbushur me mjete ushtarake dhe patrulloheshin nga policia serbe e armatosur deri në dhëmbë. Më 30 tetor filloi gjyqi i Azem Vllasit, por u shty menjëherë për shkak të kundërshtimeve (vërejtjeve) të ndryshme t’avokatëve (të avokatëve të tij) që kërkuan, mes tjerash (ndër të tjera), zëvendësimin e gjykatësit (krygjyqtarit) dhe (+ të) prokurorit publik. Gjyqi rifilloi më 23 nëntor, por përsëri u shty (pezullua) kur gjykatësi vendosi që mbrojtja e Vllasit kishte nevojë për më kohë që të përgatitej (pasi mbrojtja e Vllasit kërkoi më tepër kohë që të përgatitej)...

Kapitulli 13
As luftë, as paqe

Në mesin e vitit ’92 (1992) atmosfera në Kosovë ishte bërë tej mase (jashtëzakonisht) e tendosur, (+ e mbushur) me një ndjenjë mbizotëruese pasigurie e (dhe) frike për përplasjen n’ajër (konfliktin e pashmangshëm) që ndjehej (ndihej) nga të gjithë qytetarët e saj. Gjithsesi, (megjithatë) ndërsa në luftë hynë vetëm republikat perëndimore, Kosova ia doli të mbante paqen e saj relative, kryesisht për shkak të një drejtpeshimi frike në të cilin drejtuesit e si (ekuilibri nga frika që kishin si drejtuesit e) bashkësisë serbe, ashtu edhe (të) asaj shqiptare, (+ pasi) e dinn (dinin) që çdo shpërthim armiqësish (i armiqësisë) mes (midis) tyre do të tejkalonte edhe luftën boshnjake sa i përket dhunës, e si pasojë do t’ishte vdekësore (ndaj dhe do të ishte fatale) për interesat e të dy kombeve. Kështu, me gjithë mosbesimin e ndërsjellë (ndërsjelltë) dhe marrëdhëniet thellësisht të çara (ndera), serbët dhe shqiptarët e Kosovës u kujdesën të mos shkonin përtej një pike (,) ku përplasja (konflikti) do të nxitej (provokohej) në mënyrë të pashmangshme. Kështu, problemi më i rëndë kombëtar në Jugosllavi shpëtoi pa u tërhequr (përfshirë) në vorbullën e luftës qytetare (civile jugosllave), por marrëdhëniet mes dy bashkësive mbetën të ngrira në një mënyrë (shkallë) të paparë askund (asgjëkundi) (+ tjetër)…

Kapitulli 14
Çdo gjë (Gjithçka) filloi me Kosovën dhe çdo gjë (gjithçka) do përfundojë me të (Kosovën)

Në përgjigje të gjendjes pas Marrëveshjes së Dejtonit, kosovarët, të mospërfillur dhe poshtëruar, u detyruan ta rivlerësojnë qëndrimin e tyre politik. Të ndërgjegjshëm që politika (e tyre) pasive kundrejt luftës jugosllave ua kishte mohuar një ftesë në bisedimet paqësore, shumë shqiptarë të rinj (të rinj shqiptarë) nuk ishin më gati t’i bindeshin një zgjidhjeje ‘të papranueshme’ të statusit të Kosovës - me fjalë të tjera, Kosova që mbeste krahinë vetëqeverisëse (autonome) brenda një Jugosllavie të re. Kjo ishte njëlloj e papranueshme për serbët e Kosovës, për të cilët kjo paraqiste një kthim në kushtetutën e urryer të vitit ’74…

Përfundim

Shihet qartë se “përkthyesi” Xhevdet Shehu e ka përdorë tekstin e gatshëm në format elektronik marrë nga autorja e librit (dërgue prej nesh) dhe tue vu emnin si përkthyes ka krye veprën e vjedhjes, hajnisë. Tana strukturat sintaksore të të tana fjalive janë të njejta, gja fort e çuditshme me ndodhë me dy përkthyes të ndryshëm që përkthejnë të njejtin tekst, aq ma shum të gjatë. Përveç kësaj, kjo tezë përforcohet ma tepër edhe nëse lejojmë hapsinën e interpretimit. Nëse i heqim pjesët me forcim që “përkthyesi” Shehu s’ka pasë arsye me i ndërrue (të llojit ishte tani-tani ishte) edhe nga ana pamore numri i vogël i ndryshimeve në tekstin përkthye nga ne do ta kishte paraqitë qartë se asht e pamundun që dy përkthyes të ndryshëm të përkojnë kaq shum. Si duket, hajni Shehu paska gjetë nji shpirt binjak…
Aq hajn “i kujdesshëm” asht Xhevdet Shehu sa ajo çka ndërron asht e me dhe, që me e cila dhe tregon se e urren shum fjalën mes që e ndërron gjithmonë me midis! Prej titullit (sepse qysh në titull fillohet hajnia) e deri mbrenda në tekst. Ky hajn për me i fshehë gjurmët përdor sinonimet e fjalëve ose fjalë që s’luejnë asnji rol, tue ndryshue trevën me rajonin, kullosave me kullotave; shkatërron shqipen tue heqë kreshtën për kulmin, gjendja për situata, përplasja me konflikti dhe do të nxitej me provokohej; hajni “i kujdesshëm” Xhevdet Shehu përmbys rendin e fjalëve për me u largue nga teksti zanafillor si ishin tani e ban tani ishin; tashti e urren sepse asht shum gegë dhe përdor tani.
Te pjesa “…për një shtet të veçantë turk të dallueshëm (shtet përfundimtar turk) nga Perandoria Otomane…” hajni Shehu tue dashtë me heqë vetullat nxjerr sytë sepse te origjinali “distinct from the Ottoman Empire” fjala distinct nuk e ka n’asnji opsion kuptimin “përfundimtar” dhe hapsina e përkthyesit asht me e përkthye vetëm “të dallueshëm”. Hajni Shehu, me sa duket, ka dashtë me e pasunue edhe gjuhën angleze si filolog i mbaruem që qenka.
Meqë ka pasë dorë të lirë me ndryshue tekstin, hajni Shehu ka mendue pse mos me shpikë rregulla të reja edhe për gjuhën shqipe, kur te pjesa “shqiptarët e veriut…pa marrë parasysh anën e kufirit ku (+ ata) gjendeshin…” shton përemrin ata, tue u sjellë si nji përkthyes adoleshent që sapo i ka mësue dy-tri fjalë prej emisionit Selec të Top-Channel-it dhe nuk e din se atributet e përemnit qëndrojnë tek “shqiptarët e veriut”. Të paktën të pyeste Xh. Lloshin!
Nji nga shembujt ma të qartë se Xhevat Lloshi, Xhevdet Shehu dhe Fatmir Toçi kanë kry nji hajni të madhe asht fjalia “…të cilat japin përshtypjen që (sikur) luzma shqiptarësh të dhunshëm…”, ku fjala luzma (e përdorun si në tekstin tonë ashtu edhe n’ate të Shehut) asht aq e veçantë sa duhet nji stërmundim tepër i madh që dy përkthyes të ndryshëm me ardhë bash te kjo fjalë.
Jo ma larg se dy muej ma parë, përkthyesit Brikena Çabej, Shpëtim Çuçka, Ardian Klosi, Afrim Koçi, Piro Misha, Virgjil Muçi, Donika Omari, Aurel Plasari dhe Edmond Tupja dolën publikisht tue bërtitë se po vidhen përkthimet. Këta jo vetëm që u kujtuen me vonesë, me shum, me tepër vonesë, por e kishin edhe hajdutin mbrenda (Toçin) në sallën ku bërtitën. Nuk po kërkojmë që këta përkthyes me reague ndaj Toenës për këtë rast, sepse s’e kanë ditë. Por, athue kanë ditë gja se Toena e ka nji përvojë hajnie me Vedat Kokonën? A thue kanë ditë gja se Toena e Fatmir Toçit e ka nji përvojë hajnie edhe me nji libër të Shuflajt? Tue qenë se asgja s’ka ndodhë prej asaj kohe, njeriu mundet me mendue se shtysat e asaj lëvizjeje janë të dyshimta, shum të dyshimta.
Dukunia e hajnive, matrapazllëqeve dhe mediokriteteve në Tiranë tashti asht ba diçka e zakonshme që nuk të habit. Në kryeqytetin tonë mundesh me qenë akademik e mos me pasë vepër, me qenë elitar dhe me u sjellë si rrugaç, me qenë shkenctar dhe me ba veç politikë. Por kjo nuk don me thanë se modeli tiranas asht ai që duhet ndjekë. Lloshit, Shehut e Toçit t’u vijnë turp sepse nëse s’e pëlqejnë përkthyesin të përballen me te publikisht, por jo t’i përziejnë edhe të huejt në matrapazllëqet dhe vneret e tyne të pista.





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.1261418 sekonda, 27 pyetje