Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Nuk dimė drejtshkrimin e Shqipes!
Eni_P

Postuar mė 10-2-2003 nė 09:58 Edit Post Reply With Quote
Nuk dimė drejtshkrimin e Shqipes!

Instituti i shqiptar i Gjuhësisë do të përfundojë brenda marsit një projektligj, që parashikon penalizimet e duhura

Tabelat, aty ku shqipja shkruhet pa norma

Ndërmarrja e dekorit, e vetmja që i prodhon dhe i vendos, nuk ka asnjë korrektor gjuhësor

Elda Spaho


“Rruga Kavajes”, “Teatri Estrades”, “Azdreni”, këto janë vetëm disa nga emërtimet publike të shkruara gabim rrugëve të kryeqytetit shqiptar. Mjafton një shëtitje nëpër Tiranë, për të të bindur se nëpër tabela institucionesh, afishe reklamash e madje kosha plehrash, rregullat e të shkruarit shqip shkelen me të dyja këmbët. Shpesh disa shkronja janë prishur me kalimin e viteve, të tjera janë shkruar gabim qysh në fillim. Sidomos pisk e kanë punën dy nga gërmat më karakteristike të gjuhës shqipe: ç-ja dhe ë-ja, të cilat shpesh shkruhen vetëm e dhe c. Gjithsesi, nga Instituti i Gjuhësisë vjen një lajm i mirë: është thuajse gati një projektiligj që do të parashikojë ndëshkimet ligjore për subjektet që prezantohen me tabela të shkruara gabim. “Besojmë se do ta paraqesim për miratim brenda marsit dhe shpresojmë të miratohet”,- thotë drejtori i këtij instituti, Jorgo Bulo.


Tabelat e shkruara pa korrektor

Kanë kaluar tre vjet që nga koha kur dikasteret shtetërore dhe Bashkia e Tiranës kanë bërë bërë porositë e fundit për tabelat e institucioneve dhe pllakat e rrugëve. Që prej asaj kohe, sipas drejtorit të ndërmarrjes së dekorit në bashki, në zyrën e tij kanë mbërritur vetëm porosi të subjekteve private. Isa Daja nuk e mohon faktin se rrugëve ngrihen dhjetëra tabela plot me gabime. “Ndoshta ka ardhur koha që ato të ndërrohen, se edhe janë dëmtuar, por ne nuk kemi as porosi e as fonde”,- thotë ai, duke sqaruar se fondet miratohen nga këshilli bashkiak.
Zëvendësimi i tabelave të vjetra do të ndryshonte shumë pak gjëra, sepse as tabelat e reja, që u shtohen çdo ditë rrugëve të kryeqytetit, nuk janë shkruar më mirë. Çuditërisht, e vetmja ndërmarrje që i prodhon dhe i vendos ato, pra ajo e dekorit, nuk ka të punësuar asnjë korrektor gjuhësor. “As ka e as ka pasur kurrë”,- pohon Daja. Ai shton se ndërmarrja nuk merret me korrektime, ajo thjesht zbaton me përpikmëri porositë e bëra. Sikur këto të fundit të vijnë të shkruara gabim ose të shkruara në gjuhë të huaj (në fakt kjo ndodh shpesh), dekorit nuk i takon të rregullojë gabimet. Edhe pse, sipas drejtorit të Institutit të Gjuhësisë, Jorgo Bulo, është i vetmi vend ku mund të bëhet një gjë e tillë.
Bulo pohon me gojën plot se rrugët e Tiranës janë të mbushura plot tabela, afishe e pllakate të shkruara me gabime. Në këtë pikë, dy janë problemet kryesore, sipas tij: tabelat shkruhen shqip dhe me shumë gabime ose, akoma më keq, shkruhen në gjuhë të huaja. Të njëjtin mendim ka edhe shefi i katedrës së gjuhësisë në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë, Shezai Rrokaj. Gabimet drejtshkrimore, më shumë sesa snobizmit, Rrokaj ia adreson një pragmatizmi të patolerueshëm, por që bëhet në kurriz të gjuhës shqipe. Ashtu si drejtori i Institutit të Gjuhësisë, edhe Rrokaj i mëshon idesë së penalizimeve, duke sjellë si shembull gjithë praktikën botërore. “Gjuha shqipe është një institucion dhe mosrespektimi i një institucioni shoqërohet me masa penalizuese”,- thotë ai.


Si në botë

Gjoba tepër të rënda, sidomos kur shkruhen me gabime gramatikore tabelat e dyqaneve private, ky është vetëm një nga penalizimet që parashikon ligji francez, i cili, sipas Bulos, është një ndër më të rreptit në këtë fushë. Por nuk mbetet pas as ligji rumun e, me sa duket, nuk do të mbetet as ai shqiptar. Kushtetuta jonë garanton respektimin e gjuhës shqipe, por, fatkeqësisht, deri tani kjo ide nuk është mbështetur në ligje e masa administrative. “Pikërisht, për të plotësuar një boshllëk të tillë, jemi duke hartuar një projektligj që parashikon të gjitha llojet e penalizimeve”,- thotë Jorgo Bulo. Projektligji i ri parashikon që ndëshkimet të nisin që nga gjobat e deri tek heqja e licencës për subjektet që nuk zbatojnë normat gjuhësore e, veç tyre, do t’u kërkojë ministrive punësimin e një specialisti të gjuhës a redaktor letrar, i cili do të korrektojë e redaktojë shkresat zyrtare. “Besoj se këto ministri nuk kanë redaktorë të tillë, të paktën çfarë shoh nga shkresat e tyre zyrtare që vijnë në zyrën time”,- thotë drejtori i Institutit të Gjuhësisë.
A do të respektohet ky ligj, nëse miratohet? Jorgo Bulo ngre supet. “Puna jonë është vetëm kjo, të përcaktojmë rregullat. Për zbatimin e tyre mban përgjegjësi bashkia. Me sa di unë, ata kanë një ndërmarrje dekori që merret me një gjë të tillë”,- thotë ai. Ashtu si Bulo, ngre supet edhe drejtori i ndërmarrjes së dekorit, Isa Daja. “Ne nuk merremi me penalizime, por thjesht zbatojmë porositë e klientëve tanë”,- thotë ai.


shekulli





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0651801 sekonda, 25 pyetje