Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Primo Shllaku: Letėrsia ma e mirė shqipe ka ardhė prej gegnishtes
lgjoka

Postuar mė 10-6-2003 nė 05:29 Edit Post Reply With Quote
Primo Shllaku: Letėrsia ma e mirė shqipe ka ardhė prej gegnishtes

Primo Shllaku: Letërsia ma e mirë shqipe ka ardhë prej gegnishtes
Primo Shllaku u lind në Shkodër më 16 dhjetor të vitit 1947. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Pasi mbaron studimet në Universitetin e Tiranës për gjuhë-letërsi shqipe, me propozim të pr.dr. Eqerem Çabej, emërohet pedagog pranë këtij universiteti, por për arsye të çuditshme, ky emërim anullohet. Më pas emërohet në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit (sot Universiteti A. Xhuvani), por për arsye të transferimit të familjes së tij në Shkodër, e refuzon detyrën e pedagogut për të filluar si mësues në zonën e Shllakut (Shkodër), jashtë profilit për të cilin ishte arsimuar. Prej andej në shkollën pyjore e më pas në atë industriale. I martuar që prej vitit '78, me dy fëmijë, familja për Primon është një guaskë e fortë, brenda së cilës ai ka mundur të mbajë gjallë punën dhe idetë si krijues. Djali i regjisorit, Artistit të Popullit Lec Shllaku, nipi i përkthyesit të famshëm Gjon Shllaku dhe vëlla me aktorin e teatrit" Migjeni" Bruno Shllaku, Primo që prej fillimviteve '90-të jeton dhe punon si mësues frëngjishteje në Greqi.
Ndër veprat më të rëndësishme përmendim vëllimet poetike "Lule nate" dhe "Hana e njelmët e ditës".

Veç asaj çka shihet e fshihet në krijimtarinë e tyre, është e nevojshme të dihet diçka më shumë në lidhje me jetën private të shkrimtarëve shqiptarë. Ku ishte Primo Shllaku para se të çelnin "Lulet..."?
E kam shkrue edhe te parathania e librit të parë se brezi im asht brezi ma fatkeq që jeton sot në Shqipni. Dhe kur baj këtë deklaratë, kjo vjen ngase brezi jonë nuk ka jetue, se numri i ngjarjeve të jetës së tij asht thuejse i barabartë me zero. E këtu bajnë përjashtim ato që, nëpërmjet të krijuemit janë mundue me i dhanë njifarë kuptimi biologjizmit të tyne. E në këtë kuptim, unë mendoj se "Lule nate" asht ngjarja e parë e jetës time. Por kuptohet se ajo çka përfshin libri i parë nuk asht e vetmja krijimtari e imja. Më duhet me theksue se, vetëm triptiku "Sy" mund të botohej në kohën e largët të diktaturës, ndërsa 99 poezitë tjera nga 100 që ka libri s'mund ta kalonin sitën e censurës.
Përsa i takon familjes mundem me thanë se poeti gjen te familja nji mbështetje të fuqishme, me anën e të cilës ai mundet me ruejtë të paprekun nji pjesë të mirë të jetës së vet, të shpirtit të vet. Pa këtë mburojë të fuqishme siç asht familja, je i ekspozuem, je nji ndërtesë pa dyer e dritare, ku hyjnë e dalin ernat tue shkatërru' gjithë çka brenda.

Pse "Lule nate"?
- Pas daljes së librit kam reflektue edhe mbi titullin, që tashma ishte nji fakt i kryem. "Lule nate"... "Lule nate", sepse janë shkrue në heshtje, në mungesë absolute, janë shkrue brenda nji tuneli, pa pasë as nji përqind të idesë se nesër mund të botoheshin. Biles, kur më lindi djali u gëzova, veç tjerash mendova, botimin e krijimtarisë time mund ta bante im bir mbasi unë t'ia kisha lanë këtë detyrë, ndoshta edhe në formën e testamentit. Te "Lule nate" kam përzgjedhë çka ka qenë ma e mira e krijimtarisë time, ashtu si nji lule që fillon prej dheut e përfundon në krye me një pamje plot ngjyra, gjithsesi e papritun e mahnitëse. Ky ishte projektimi im personal. Jo për me u dhanë atyne pasaportën "LULE", por në lidhje me mue ato ishin lule.

Pyetja e mësipërme kishte të bënte edhe me anën tjetër: pse poezi e jo prozë nga Primo Shllaku?
- Pse poezi... Jo se nuk kam shkrue edhe në tjera gjini, por se këtu jam ndie ma i vërtetë e, sidomos, ma i sigurt. Kështu, në dorshkrim kam dy romane gadi të përfundueme, tregime, drama, por që nuk mundeshin me u botue përpara poezive, e kjo, jo vetëm se poezitë e mija janë ma të "vjetra" se tregimet a dramat, por edhe se ato krijesa kanë lindë e janë rritë mes dhimbjesh e, në të njajtën kohë, edhe mes frikës për me ia tregue ndokujt ktë dhimbje.

Dashunia nuk ka të tashme, dashunia nuk ka të ardhshme, ajo ka vetëm të kaluemen..." Ç'përvoja kanë mundësuar një përfundim të tillë?
- Kurrkush nuk asht i zoti me premtue se mundet me dashtë dikë në këtë apo atë kohë të ardhshme. E gjithashtu, kurrkush nuk mundet me përcaktue saktësisht se çka asht ajo që dashunon aktualisht, e jo kaq thjesht; dashuni quhet momenti aktualisht i pakapshëm, por vetëm i zaptueshëm prej kujtesës: akti seksual. Due me thanë se në kohën e përjetimit të këtij akti njeriu asht nji krijesë që nuk mundet me arsyetue, nji krijesë e pandërgjegjshme, e pra, në pavetdije, kujtesa nuk asht në gjendje me regjistrue asgja. N'fund krejt, kur situatat kanë kalue, mjegullisht transmetohen imazhe që na bajnë me pohue se e paskena dashtë dikë. E prap nuk jena në gjendje me formulue kohën e tashme e as të ardhshmen e kësaj foljeje.

Në ambientet letrare gjuha juaj është vlerësuar deri në nivelin e propozimit si etalon i të shkruarit të dialektit verior. Bashkë me muzën ju ka bujtur edhe gegnishtja?
- Nuk jam në dijeni të këtij fakti, por megjithatë kisha me thanë se gegnishtja asht gjuha, me anë të së cilës, letërsia shqipe ka nisë me u shkrue, tu' fillue me tre B -të e mëdhaja: Buzukun, Bardhin e Bogdanin. E jo kaq thjesht; letërsia ma e mirë shqipe i ka ardhë Shqipnisë po nga gegnishtja: Gjeçovi, Fishta, Mjeda e Migjeni. Për me vazhdue deri tash vonë me emrat Koliqit, Camës e Pipës. Mandej, nuk duhet me harrue se edhe vetë diktatori, veprën e parë e ka shkrue gegnisht. Deri në '60, thuejse tanë Shqipnia shkruente gegnisht. Atëherë pse? E ma vonë... Pasojat i dini.
Përsa i takon gegnishtes time, ajo asht gjuha prej së cilës unë kam lindë, jam rritë, jetoj e kam me vdekë. Unë nuk i kuptoj shkrimtarët gegë që shkruejnë tosknishten e legalizueme. E pra, ato flasin si unë...

"Hana e njelmët e ditës" - një tendencë për zgjimin e shumëpritur apo konsolidim i letargjisë?
- Nuk due me përsëritë ato çka thashë për "Lule nate". Poezitë e "Hanës..." janë krijue ma vonë. A asht "Hana e njelmët e ditës" tendencë për zgjim? Sigurisht, ajo nuk mundet me qenë konsolidim i letargjisë në sensin e pozitivizmit. Kurse në planin personal, ky libër s'asht tjetër veçse thellim i matejshëm në vetvedi, n'hapsinat e mnershme të shpirtit, atje ku vetëm Zoti mundet me shikue. Megjithatë, mbas çdo eksplorimi, njeriu çohet me shpresën e mirë. Me andrrën e bardhë.

Kush është "zëri i largët" dhe ç'raporte ekzistojnë mes tij dhe zërit të brendshëm të një poeti?
- Zanin e largët nuk kam mundë me e dëgjue prej kohësh. Ndoshta që në rininë e hershme. Situatat e atëhershme të inkuadrueme në ditët e jetës time m'i banë "veshët" të pandjeshëm ndaj këtyne tingujve. Zani i mbrendshëm i nji poeti asht ai që e mban gjallë, asht zani që i jep kuptim biologjizmit të tij tue u ngritë kështu, shumë ma nalt se niveli i ndërgjegjes së individit ordiner. Por edhe ma nalt se zani i ndërgjegjes së vet. Jo gjithkush mundet me qenë poet.

A nuk ju duket absurde, që në një kohë si kjo, të besohet në zbulimin dhe njohjen e vlerave më vonë se jeta?
- Ndoshta edhe asht absurde, por, ju lutem, më thoni ju, çka i mbetet tjetër me besue nji njeriu që ka jetue gjatë në shpellën e dhimbjes me frikën se poeti që i vlonte ndër deje, pa guxue me çue kryet, mundte me pasë nji fat ma të tmerrshëm se vetë njeriu? Mandej, nji arsye tjetër asht se unë nuk besoj te fama që kanë marrë a munden me marrë artistët për së gjalli, sepse historia e ka vërtetue këtë tezë: ato janë yje që shuhen shpejt, shumë shpejt.

View User's Profile E-Mail User Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member This User Has MSN Messenger





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0607440 sekonda, 25 pyetje