Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: U nda nga jeta Prof. Gjon Shllaku
Eni_P

Postuar mė 18-8-2003 nė 08:57 Edit Post Reply With Quote
U nda nga jeta Prof. Gjon Shllaku

Vdes përkthyesi i kryeveprave botërore

Dje u nda nga jeta në moshën 80-vjeçare pas një sëmundjeje të gjatë dhe të rëndë, përkthyesi i njohur "Mjeshtri i madh i punës", Gjon Shllaku. Më 9 dhjetor 1945 kur ishte student në degën e Teologjisë u arrestua si anëtar i organizatës "Bashkimi shqiptar" për agjitacion dhe propagandë kundër shtetit komunist. U dënua me 101 vjet heqje lirie, por u lirua pas 11 vitesh.

Në vitet e burgut Gjon Shllaku duke qenë njohës i disa gjuhëve të huaja përktheu "Punët e Apostujve" tekste biblike nga origjinali, greqishtja e vjetër, "Apokalipsi". Shllaku bëri që të flasin shqip Homerin, Sofokliun, Euripidin, Virgjilin, Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Në vitin 1965 ai përktheu nga origjinali greqishte e vjetër "Iliadën" e Homerit. Më vonë botoi fjalorin "Helenik" me 20 mijë fjalë greqishte e vjetër-shqip. Fjalori diakronik latinisht-shqip me 65 mijë fjalë etj..

Është pikërisht profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i pashoq i 50 kryeveprave botërore në të gjitha gjinitë: tragjedi, komedi, poezi, prozë, esse, histori etj..

Gjon Shllaku, helenisti i madh, është edhe fitues i diskut të argjendë nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letërsisë antike greke. Për kontributin e tij të dhënë në 63 vite si përkthyes, atij i është dhënë titulli i lartë "Profesor" në vitin 1994, ndërsa në muajin mars 2003 atij i jepet nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, titulli "Mjeshtër i Madh i Punës".



Profesor Gjon Shllaku, helenisti i madh

Nga Fadil Kraja

Ishte vetëm 17 vjeç, student në Seminarin papnor të Shkodrës, kur zotëronte shkëlqyeshëm latinishten, greqishten e vjetër, frëngjishten dhe italishten. Pikërisht në këtë moshë përktheu romanin “Ben Hur” të Wallasit. Ishte një përkthim që u konsiderua nga profesorët e tij e më pas edhe nga lexuesit si i përsosur. Ky roman i dha më tej atij zemër e forcë për t’i hyrë udhës së vështirë dhe fisnike të përkthimit. Udhë e gjatë, tashmë 63- vjeçare. Këto ditë i shkova në shtëpi për ta takuar, sepse prej kohësh nuk del nga shtëpia. Tashmë është 80-vjeçar dhe i sëmurë. E gjej duke punuar. Fjalorë, dosje dhe pirgje letrash dhe diku më tej makina e vjetër e shkrimit... Po i hedh dorën e fundit një vepre madhore, fjalorit diakronik latinisht–shqip. Ka 16 vjet që punon për këtë fjalor, origjinal prej 65 000 fjalësh. Më tregon dosjen e trashë. Janë 4800 faqe të daktilografuara në atë dosje. Është i zbehtë në fytyrë, por buzëqeshja plot mirësi që nuk iu nda gjithë jetën, më bind se terapia më e mirë për të është vetëm puna. I shtyn ditët i kënaqur me pensionin prej 1800 lekësh, pension i “posaçëm”. Edhe e shoqja është e sëmurë. E tashmë dy pleqve fisnikë iu shërben vajza, e cila është shpërngulur në apartamentin e babait së bashku me burrin dhe fëmijët.

Profesor Gjon Shllaku, ky mjeshtër i madh dhe i pashoq që sapo mbushi 80 vjeç, i bëri të flasin shqip Homerin, Eskilin, Sofokliun, Euripidin, Virgjilin, Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, Alfred De Musenë, e deri tek papa Gjon Pali i dytë. Ai bëri të tingëllojë aq bukur ëmbëlsia e vargjeve të La Martinit, trishtimin e Shatobrianit, gazin e çiltër të Bomarshesë, Është pikëriasht ai, pra, profesor Gjon Shllaku, përkthyesi i pashoq i 50 kryeveprave botërore, në të gjitha gjinitë, tragjedi, komedi, poezi, prozë, esse, mendime filozofike, histori... Gjon Shllaku, helenisti i madh, fitues i diskut të argjendtë, nga qeveria greke, si një ndër përkthyesit më të shquar të letërsisë antike greke, është nderuar edhe me “Urdhrin Naim Frashëri i artë”, dhe i është dhënë me të drejtë titulli “Profesor” nga Këshilli i Ministrave dhe komisioni i kualifikimit shkencor. Ai është gjithashtu fitues i “Pena e artë” në vitin 2001 për përkthimin “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Tek kujton jetën e Gjon Shllakut, ndien dhimbje, por edhe krenari njëherësh. Sa e egër dhe sa mizore është treguar jeta me të. Sa shumë i ka dhënë Shqipërisë ky njeri kolos dhe sa pak mori prej saj.

Kur ishte 22 vjeç, student në vitin e tretë në fakultetin teologjik, e arrestuan, nën akuzën si anëtar i organizatës “Bashkimi Shqiptar” dhe dënohet me 101 vjet burgim. Provon të gjithë kampet famëkeqe të Shqipërisë komuniste. Është djersa dhe puna e tij në betonin e fushës së aviacionit në Rinas, tek Ura Vajgurore, në tharje kënetashe në miniera, në thyerje gurësh. Kur ishte në burgun e Burrelit, natën, nën dritën e zbehtë të llampës së kapanonit, mësonte anglishten, gjermanishten, spanjishten, dhe greqishten e re. Dhe aty në burg përkthente nga të gjitha këto gjuhë. Kur del nga burgu në vitin 1957, në moshën 34-vjeçare, ky poliglot, zotërues tashmë i 18 gjuhëve të huaja me një vandak përkthimesh, në dhomën e tij birucë ku banonte me prindërit do të provojë kalvarin e punës poshtëruese në kooperativën e artizanatit dhe në Zukth kashta. Herë ishte punëtor i thjeshtë e kur lufta e klasave gjoja zbutej e bënin normist. Por ai punonte dhe kurrë nuk ankohej. Itinerari i ditëve të tij ishte shtëpi-vendpunim. Në ndërmarrje gjithmonë djersë dhe fyerje, ndërsa në shtëpi pasditeve dhe natën futej mes studimeve krijimeve e përkthimeve të tij të dashura. Me ndihmën e njerëzve të mirë e sidomos të Llazar dhe Drago Siliqit (drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”) arriti të botojë kryeveprën e të gjithë kohërave “Iliadën” e Homerit, botim ky që bëri bujë të madhe, megjithëse përkthimi ishte në gegërisht. Ky përkthim u ribotua sërish në 1979 në gjuhën letrare dhe dy herë në Kosovë më 1971-2000. Por u gëzua para kohe Gjon Shllaku, pasi pa të botuar “Iliadën” e tij më 1965 e një vit më vonë kur botohet nga Drago Siliqi edhe “Historia e Skënderbeut” e Sansovinos, përkthyer nga origjinali italisht. U gëzua para kohe, sepse nga ai vit e më pas do t’i mbyllej përfundimisht porta e botimeve. Lufta e klasave e dënoi përsëri, këtë radhë me heshtje e përbuzje. As Llazarët e as Dragot nuk mund ta ndihmonin më. Përkundrazi, kur dërgoi tragjedinë e Sofokliut në Akademinë e Shkencave, pasi e lanë katër orë të presë, që të takohet me drejtuesit, i thonë në korridor: “Nuk ka nevojë populli për përkthimet e një armiku të klasës”. Megjithatë ai sërish nuk ra në dëshpërim. Vazhdoi të përkthejë, të krijojë (sepse ai është edhe autor tragjedish. Siç tregon përmes butësisë dhe buzëqeshjes: “Dum spiri spero” (sa marr frymë shpresoj). “Shpresoja se do të vinte një ditë që puna ime do të dilte në dritë”. Dhe ajo ditë erdhi për Gjon Shllakun. Vitet e demokracisë ia hapën dyert e botimit gjithë veprave të tij. Vonë për 80-vjeçarin. – "Por më mirë vonë se kurrë!” – përgjigjet mjeshtri i madh. Tani veprat e tij botohen në Itali, Greqi, Francë, Amerikë. E thërrasin në konferenca dhe kongrese, e bëjnë anëtar të komisioneve e këshillave artistike, e vënë në presidiume e tribuna. Por 80-vjeçari ka vetëm atë buzëqeshjen plot mirësi, si dikur, si në burg, si në punën e rëndë të mbijetesës... si tani. Është eliksiri i jetës së tij, kjo buzëqeshje. Puna, gjithnjë puna.

(Nga fjala e mbajtur në 80-vjetorin e lindjes)



Copyright © Media Enter 2003

Eni_P ka atashuar kėtė imazh:






“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 18-8-2003 nė 08:57 Edit Post Reply With Quote
Gjon Shllaku, fisniku i fundit shqiptar

Si mund të nisej biseda me një njeri që thotë se po harton fjalorin e latinishtes me gjashtëdhje-tëepesë mijë fjalë kur unë vë në dyshim 65 mijë fjalët e mija të shqipes

Irhan JUBICA

Vetëm një vit mbas natës kur një gazetar leshatak e një tjetër qeros hoqën prej gazetës së tyne njoftimin e paguar, ku kumtohej dalja e një reviste të re letrare, takova - ma në fund - të parin njeri të cilit s’kisha nevojë me i shpjegu’ domethanien e fjalës “ars”.
Kisha shkue në Shkodër për me njoftë njeriun që e quente fat burgosjen 11-vjeçare, ngase ai izolim i kishte mundësue të mësuemit e një tjetër gjuhe të huej: greqishten e vjetër. Prej Kishës së Madhe dynden njerëz e për një çast më rren mendja se 80-vjeçari që kërkoj mund të jetë mes tyne, por s’asht ashtu. Gjon Shllaku e ka Zotin ma afër se kurrë e ma afër se të gjithë të tjerët. Nuk asht nevoja që Gjon Shllaku me shku’ te Shtëpia e Zotit, shkon Zoti te shtëpia e Gjonit, shkon, aty ka ndejtë përditë, nëpërmjet hebraishtes së fjalës së shenjtë, nëpërmjet vendit të shenjtë Bersabe (të përmendur në Bibël), që sipas Shllakut shpjegohet vetëm me fjalët shqipe “bënë ca be”.
Rrallëherë kam pa njeri me sy aq të mirë. Vetëm mbesa ime e vogël, Valmira njëvjeçare i ka sytë aq të pastër e të çliruem sa ai burrë plak të cilit i dhashë dorën, tu’ mendue se si mund të nisej biseda me një njeri që thotë se po harton fjalorin e latinishtes me gjashtëdhjetëepesë mijë fjalë kur unë vë në dyshim 65 mijë fjalët e mija të shqipes. Nuk takohen përditë njerëz si Gjon Shllaku, që punon tash 16 vjet mbi një fjalor për të cilin ka gdhendë, në makinën e vet të vogël të shkrimit, pesë mijë faqe e guxon me thanë, si pa gja të keq, se i kanë mbetë “veç 600 faqe” si të bahej fjalë për një pasthanie dyfaqëshe.
Ka ra në burg për politikë, sepse siç dëshmon edhe një bashkkohës, kishin themelue organizatën “Bashkimi Shqiptar”. “Ishim nxanës, çka dijshim ne ç’asht politika”, thotë teksa një keqardhje e thellë e pushton kur kujton profesorin e atëhershëm që u pushkatue prej regjimit komunist për të njajtën akuzë me të cilën Gjonin e dënuen përjetë. Del prej burgut mbas 11 vjetësh, dhe punon llogaritar-normist deri në pensionim, tue u kujdesë mos me ua rritë punëtorëve normën ma shumë se ata mundeshin me ba, edhe pse ky veprim mundej me u marrë si sabotim. Ai bani çka mundi të bante në atë kohë të pashpresë kur jeta e tij mbahej te përkthimi, te leximi: Homeri, Sofokliu, Virgjili. Latinët, sidomos. Sepse “me i hekë botës kulturën latine asht si me i hekë palcën e kurrizit”.
Por ndryshe nga dofarë artistësh që po çirren tue përmendë deri dhe në halè burgun (edhe ordiner), Gjon Shllaku, ky fisnik i fundit shqiptar s’pranon me zanë ma n’gojë qelinë. Për burgun, ma së shumti flet e shoqja, një grue që tregon tepër kujdes që Gjoni të mos ndjehet i lodhun në asnjë moment. Gjoni vetë nuk flet për burgun, sepse e ka varrosë tashma atë periudhë bashkë me fjalorët e ndaluem prej Kostallarit, e me veprat e tjera të pabotueme që presin te arka e madhe në dhomën tjetër. Te ajo arkë ruhet edhe lista prej 150 fjalësh shqipe, që përkthyesi ka hasë tu’ studiue grekët, latinët e hebrejtë e vjetër. Sepse “nuk asht rastësi që kanga e parë e Iliadës hapet me fjalë shqipe: siç Homeri e shkroi “menin”, sipas Gjon Shllakut asht vetëm shqip: mëri, mëni. Këndo, hyjneshë, mërinë e Akil Pelidit.” Me një modesti që të çmend, Gjoni shpjegon gjana të padituna ma parë, e këtë e ban me shumë dashamirësi ndaj gjuhës sonë e prejardhjes së largët të saj: “mbishkrimet në disa varre të vjetra në Gjermani, Francë e ma andej janë deshifrue vetëm me gjuhën shqipe”.
Të nesërmen ishte e pamundun me e takue. Hyna në kuzhinë, por sytë e Gjon Shllakut s’i pashë. Në vend të tyne, mbi skrivani zgjatej bishti dredharak i një kapuçi që mblonte kryet e varun të përkthyesit. Bashkë me një libër timin të dikurshëm me poezi, lashë diçka për ditëlindjen që e priste pas dy javësh dhe u nisa drejt kryeqytetit të zhurmshëm të shqiptarëve, ku të tetëqindmijë frymët që e popullojnë e dinë veten qendra e globit, kufinin e epërm të dijes, mundësisë, sakrificës njerëzore. Mjafton me lexu’ secilën recensë për librat, secilin shënim për përkthimet, secilin artikull të rëndomtë për ta konstatue këtë.
Kështu ndodhi edhe me ceremoninë e 80-vjetorit. Gazetat e Tiranës (për të cilat, Kadare me të drejtë thotë se janë provinciale) u lëshuen me sajue shkrime për “përkthyesin e madh” Gjon Shllaku, tu’ e ngatërrue punën aq keq sa e shuguruen prift franceskan një vit para se ta lindnin! Kësaj atmosfere mjerane në media, (intervistat për një libër të parë pushtojnë faqet e “gazetës më të madhe” kurse shkrimi për Gjon Shllakun bahet më i vogël se reklamat hotline) i bashkngjitet Ministria e Kulturës me Presidencën, që për një defekt teknik shtyjnë dhanien e titullit “Mjeshtër i Madh i Punës”. Vetë ministrja, në shoqërinë e njerëzve që kanë shfrytëzue punën e palodhun të Profesor Gjon Shllakut për interesa të tyne, pati në Shkodër lloj-lloj takimesh tjera, tu’ mos ditë me çue një nderim deri në fund.

* * *

“Latinishtja ka me u kthye.” E nëse ndonjë ditë kjo ka me ndodhë, ne do të na duhet me kërkue ndërmjetësit e modernizimit tonë kulturor me finesën latine, sepse qysh tash ka probleme të mëdha komunikimi, të tilla që vijnë, sipas Levit, për shkak se çdokush shpik kodin e vet, tue u ba kështu i pakuptueshëm prej tjetrit.
Por a mundet me i mungue asaj dite Gjon Shllaku?
Apo Zoti ka me e lypë për me e pasë ma të lehtë komunikimin me njerëzit?

Copyright © Ars





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.1449871 sekonda, 27 pyetje