Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Tirana
Eni_P

Postuar mė 16-9-2003 nė 08:01 Edit Post Reply With Quote
Tirana




Kryeqyteti i Shëmtimit

Ardian Ndreca




Tirana m’âsht dukë gjithmonë kryeqyteti i shëmtimit. Ndoshta shumëkush kishte me m’dhânë të drejtë po të kishe thanë se nuk âsht nji qytet i hijshëm, por jo, une due me ju tregue pse âsht nji qytet i shëmtuem.
Prej 1925 deri në 1939, Zogu e shndërroi Tiranën prej nji katundi oriental qi ishte, në nji qytet mâ të kênun, tue ndërtue shumë vepra të stilit neoklasik (ashtu siç e përtypte klasiken epoka fashiste, mbasi arkitektat vijshin prej Romet). Bâhet fjalë për ndërtime qi edhe sot e kësaj dite munden me u pa si t’paktat qi i japin Tiranës tonin e kryeqytetit. Por edhe privatët ndërtuene vila të kândshme për kah pikëpamja estetike, e me çka tregojnë ata qi kanë banue mbrendë, edhe shumë komode.

Kam lexue në kujtimet e nji ish-mësuesi se, kur në 1945, në nji prej këtyne vilave të konfiskueme shtîne familjen e nji oficeri partizan prej Mallakastret, prindët e këtij ndezshin zjarrmin në mes të odës, mbasi, me të drejtë, ishin mësue e nuk mund të rrijshin pa nji votër ku të shihshin flakën e prushin e gjallë. Nuk kishin si me mendue qi kjo gja mund t’bezdiste fqinjët e tyne në katin e mâposhtëm, mbasi ishte hera e parë qi jetojshin me fqinjët kaq afër. Si gjithë njerëzit e thjeshtë ndiejshin mungësen e natyrës dhe të kafshëve shtëpijake, e nuk mund të zâvendesojshin lopët e delet me nji “kotele” apo me nji “kone” - qi s’i hinte as në sy.

Nejse, Tirana nuk âsht qytet i shëmtuem vetëm pse nuk ka lopë e gomarë nëpër rrugë (?), e këtu nuk mund t’i jap të drejtë plakut nostalgjík prej Mallakastret (âsht vetëm nji rasë qi Mallakastra vjen prej latinishtes mala castrum, pra: log i keq). Por kjo âsht historija jonë, pse siç ka vërejt tash s’fundi nji studiues i censhëm i kulturës shqiptare, bâhej fjalë për njerëz: “të porsazbritur nga stanet e gërxhet e Shqipërisë së Jugut – kishin vendosur t’ia ndërronin faqen qytetërimit shqiptar të kohës së mbretërisë jetëshkurtër të Zogut; dhe pikërisht simbiozës delikate midis orientalizmit të moderuar dhe modernizimit iluministo-romantik”. (A. Vehbiu)

Por tue e lanë m’nji anë iluminizmin e romanticizmin e kohës së Zogut, pse punët kishin me u ndërlikue s’tepërmi, po thona edhe ‘i herë se Tirana âsht nji qytet i shëmtuem – nji qytet kryegarnizon. Ndryshe krejt prej Shkodrës, qi âsht qytet i shkatrruem, por ruen aty këtu gjurmët e nji t’kaluemje të madhe, qi syni i stërvitun i zblon në disa kânde magjike, të cilat po zhduken përherë e mâ shumë. Tirana ruen gjurmët e nji katundi të Shqipnís së Mesme (para 100 vjetsh nuk ka kenë kurrgja tjetër veçse nji katund) ku shartohet orientalja me teknokracinë komuniste, qerpiçi me stilin zhdanovist, te i cili ndërthuret demagogjia e prefabrikateve «monumentale» me planifikimin urbanistik. Arkitektura e kohës së komunizmit, jo për fajin e arkitektave, nuk ka mujtë me i dhânë asnji vlerë shpirtnore banesave shqiptare, qi paraqiten të zymta e dekadente, të mbrapshta e pa sens estetik, të vjetrueme pa u bâ të vjetra.

“O qytet me tulla të kuqe qi qytet nuk je”

Tirana âsht e përbâme prej rrugësh artificiale, gjuha qi flitet âsht aq e përzieme sa tingllon artificiale dhe babilonike, deri para dhetë vjetsh ka pasë edhe nji lagje artificiale (Bllokun e udhëheqjes), edhe ai lum i qelbun qi e përshkon të duket se jeton mâ fort artificialisht prej kontributit të banorve sesa prej ndonji burimi të largët. Mbasandej ka vila italiane, godina ruse, pallate kineze e kulla arabe, e mâ në fund edhe nji liqen artificial ngjyrë baltet.





Tirana âsht e shëmtueme pse nuk ka nji identitet, e bâ me kenë e vërtetë qi kryeqyteti i nji vendi paraqet nji komb, duhet me u ruejt kur t’i thona kujt qi Tirana âsht kryeqyteti ynë. Nji shkrimtar i paraluftës e ka pasë quejt: “O qytet me tulla të kuqe qi qytet nuk je!”

Tashti s’fundi âsht tue u folë për kthimin në identititet, por, ku dojnë me e kthye Tiranen ketë s’e kam marrë vesht? Me kthye në identitet Krujen, Beratin, Gjinokastrën e Korçën kishte me pasë nji kuptim, po Tiranen ku me e çue, në vjetin ’30, apo në në vjetin ‘50? S’ma merr mendja se kthehet në identitet tue e lye me ngjyra të ndezta si me kenë tue lye kaçorre lepujsh apo si me kenë tue u bâ gati për karnevalet e Rio-s. (Mos të keqkuptohena: nuk due me thanë qi kanë bâ keq pse e kanë lye, mbasi ngjyrat e ndezta ndihmojnë me ulë edhe nivelin e stresit).

E keqja mâ e madhe e jona âsht të mësuemit me të mbrapshten.

Tirana (njilloj si pjesa e tjetër e Shqipnís) ta turbullon synin me ato pallatet si koje (krodhe) buket të deformueme prej lagshtinet, të brejtuna prej hallesh e të mykuna prej pakujdésit, ndërtesa qi duken si me kenë shêjat rrugore qi të çojnë drejt ferrit. E nuk janë tjetër veçse shêjat e fitores së marrís në luftën e saj me Natyren. Janë ndërtesa qi duken si anije qi po kalben në shí, tue marrë kështu përditë e mâ fort ngjyren e dheut, ngjyren anonime të tokës qi i përpîn në çdo moment, pallate qi janë kthye në nji parking shpirtnash, i cili i paraprîn nji parkingu tjetër të përhershëm diku nepër kodrat përreth.

Përshtypja qi të len âsht ajo e nji qyteti zhelesh, të veshun si për ditë festet, si nji njerkë e vrazhdë qi ka uzurpue vendin e Nanës Natyrë.

Janë të papranueshme ato forma pallatesh qi duken si arkivola vertikal me 40 dritare prej kah mâ fort se me depërtue drita, del jashtë tafti e atyne qi t’vdekun jetojnë mbrendë. Banesa të kopjueme prej modelesh anonime të marruna prej Uraleve deri në Kamçatka siç vëren A. Vehbiu.

Përsipër, tarracat e papërdorshme filtrojnë me besnikí shiun. Tarracat janë nji shêj tjetër i mungesës së lirisë, e cila shprehet te sulmi i hijshëm qi nji çatì e kuqe ndërmerr drejt qiellit. Në çdo detaj të atyne ndërtesa ndihet mungesa e simbolizmit, mbasi gjithçka âsht plazmue brutalisht prej nji vullneti qi estetiken e ka pa, me të drejtë, si anmiken numër nji të materializmit.

Po punimet qi kanë bâ vjetët e fundit në kryeqytet? Kanë mbërrit me e kthye në nji plakë e lyeme qi s’ka njohtë kurrë çasa lavdijet, por âsht mjaftue me u marrë nën stjetull vetëm prej burrave të vejë.

Mâ s’parit po hamë, mbasandej po merrena me kopalla

Nji kapitull në vete janë vilat e pasanikëve të rí, të cilët, shì pse janë të rí si pasanikë, kanë mujtë me grumbullue me ngut nji farë pasunijet por s’kanë mujtë me mbërrit atë për të cilën duhet nji jetë e tanë: kulturen. Atëherë të kapë syni në mes të qyteteve tona: kulla alpine, chalets zvicerane, vila surrealiste me balkone jo-funksionale, qi duken herë si xhepa kangurësh e herë si tenxhere me presion, sheh shtëpija qi kanë marrë diçka prej pagodave e diçka prej klubeve të katundeve, të dalin përpara vila ku alumini, çementoja, hekuri e xhamat e errët janë kombinue keqas me drunin e qarrit e të gështejës. Shihen aty këtu deri edhe arritjet mâ të fundit të teatrit absurd: kulla alpine të lyeme si shtëpijat e kasabave të Marokut, nji bardhësí e përftueme me gelqere të shueme keq qi çohet leskra leskra, aq sa me t’u duk shtëpija si me i pasë ra gërbula (lebra).

Atëherë çka mbetë me bâ?

Po pse nuk ndërtojnë shtëpija tradicionale shqiptare, ose vila e pallate qi mos ta kenë mâ atë epitetin e mnershëm: popullore. A s’mund të ndërtohen shtëpija jo-popullore, shtëpija të banueshme, thjesht shqiptare: në Korçë shtëpija korçare, në Berat e në Gjinokastër shtëpijat e tyne karakteristike, në Krujë të vetat e kështu me rend.

Edhe pse, na ka pasë mbytë kjo «popullorja»: dikur partija popullore, mbasandej kuvendi popullor, teatri popullor, artistat e popullit, herojt e popullit, anmiqt e popullit, shtëpijat e popullit.... a të fillojmë njiherë me pasë kuvende, teatra, artista, heroj, anmiq e deri edhe shtëpija qi të jenë thjesht të tillë, pa atë adjektivin “popullor”, qi nuk shpreh asgja por vetëm largon prej kuptimit real. Kush e ka thanë se nji artist duhet me i përkitë tanë popullit, apo nji anmik duhet me kenë anmiku i tanë popullit? Këto janë idena totalitariste qi sot nuk shkojnë mâ, pse për me i përkitë tanë popullit duhet me pasë hi në përjetsí, në amshim, aty ku koha nuk vepron mâ, e kjo gja nuk mundet endé me u thanë për kohën tonë, e cila ka vetëm nji çansim (définition): âsht kohë dekadencet. T’i braktisim vizionet pan-komuniste qi dojshin me e pa at’ regjim sub specie aeternitatis, të paluejtshëm, dogmatik e t’pazâvendsueshëm në sterilititin e vet, edhe urbanistik.

Akragantinët (banorët e Agrigentum) shkruente Empedokli: ndërtojshin shtëpija e tempuj a thue se s’kishin me vdekë kurrë, e hajshin a thue se kishin me vdekë të nesërmen. Edhe qytetet tona të mbushuna me klube (çfarë shtrembnimit i kena bâ kësaj fjalë!), akshihane, qebabtore e paçaxhihane të modave të ndryshme, të japin përshtypjen qi shqiptarët duen me rekuperue kohën e talonave e të triskave, a thue se kanë frikë se po japin shpirt unshëm, kurse tempuj për me mbetë në historí nuk kam pa askund! Por antikët kanë thanë: primum vivere deinde philosophari – çka shqip tingëllon: mâ s’parit po hamë, mbasandej po merrena me kopalla.


*Logo marre nga faqja e Bashkise se Tiranes.

**Shkrimi e fotografia marre nga albanova.






“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 16-9-2003 nė 08:03 Edit Post Reply With Quote
Tirana drejt njė perspektive tė re

Lorjan Agalliu

Përgjatë periudhës dymbëdhjetë vjeçare pas rënies së sistemit totalitar, struktura e Tiranës me gjithë transformimet e mëdha sociale, demografike, apo kulturore ka ndryshuar shumë pak dhe ende ka një perspektivë të paqartë. Megjithëse qyteti ka kaluar në disa faza (ose më saktë në dy faza) duke nisur nga periudha e shpërfytyrimit, në atë të rikthimit të kohës përtej shpërfytyrimit, tregjet, transporti, banimi, muzeumet, teatrot, parqet janë dhe vazhdojnë të konceptohen po ato të dymbëdhjetë viteve më parë. Strukturat e tregjeve, të banimit, apo të transportit nuk kanë ndryshuar. Ato vetëm se po përqendrohen dhe dendësohen brenda strukturave ekzistuese duke i kthyer ato problem në vetvete. Ndërkohë periferinë e zgjeruar në mënyrë drastike e bën pjesë të qytetit vetëm afërsia gjeografike me këtë të fundit. Si rrjedhim të kërkosh rrugëzgjidhje dhe perspektivë të qartë pas nje periudhe dymbëdhjetë vjeçare të karakterizuar nga mungesa e vizionit është imediate. Por kjo nuk mund të bëhet pa një lexim dhe formulim të problematikës ekzistuese dhe perspektivës së qytetit të Tiranës. Ndërkohë që ky lexim ose interpretim i strukturës së qytetit mos të ngelet thjesht në kuadrin e metaforës ka nevojë të konkretizohet në përfundime analitike, të cilat i referohen strukturës reale të qytetit. Nga kjo pikëpamje qyteti ka pak ndryshim nga i sëmuri psiqik, i cili për t’u shëruar, ka nevojë fillimisht të kuptohet.

Në këtë shkrim unë do të përpiqem të formuloj atë që personalisht e konsideroj si rruga e drejtë se si mund të trajtohet problemi i qytetit, e cila me pas do të vijohet nga një propozim që akoma më shumë shpreh vetëm gustot personale të autorit. Për ta bërë sa më konkrete problematikën do të trajtoj tre elemente realë të saj, të zgjedhur sipas preferencës sime, të cilët janë; struktura e qytetit, qendra e qytetit, dhe monumenti i Nënë Terezës, për të cilin së fundi u zhvillua edhe një konkurs. Mendimet më shumë se në trajtë lineare do të trajtohen në formën e një kolazhi, zgjedhje e cila vjen nga natyra e pavarur, por edhe nga ndërthurjet që këto elementë kanë tek njëri tjetri. Duke qenë se lidhjet, ndërthurjet, kombinimet ose një lloj kolazhi ndërmjet tyre është më i rëndësishëm sesa trajtimi i tyre individual do ishte më e saktë që të trajtonim marrëdhënie të tilla si ato ndërmjet qendrës dhe qytetit, monumentit dhe qendrës apo monumentit dhe qytetit.

Për të filluar së pari me atë që konsideroj si më të rëndësishmen, marrëdhënien ndërmjet qendrës dhe qytetit, do t’i referohem përkufizimit që bën për qendrën kritiku francez Roland Barthes në esenë e tij “Semiology and the Urban” ku thotë “…pika qendrore e qendrës së qytetit (çdo qytet ka një qendër) të cilën ne e quajmë ‘nukël solid’, nuk përcakton pikën më të lartë të ndonjë aktiviteti të caktuar por një lloj ‘fokusi’ bosh të imazhit që komuniteti zhvillon për qendrën. Ne kemi këtu një lloj hapësire boshe, e cila është e nevojshme për organizimin e qytetit.” Dhe nuk është rastësi që monumentet që i referohen historisë apo moralit të shoqërisë vendosen në këto qendra. Në të njëjtën kohë vetë këto munumente nuk mund të qëndrojnë jashtë llogjikës dhe arsyeve për të cilat ato janë krijuar, pra atyre historike, morale apo estetike. Nga ky këndvështrim mospërputhjet që krijohen ndërmjet këtyre llogjikave, si p.sh., historike kundrejt asaj estetike, apo morale kundrejt asaj historike krijojnë deformimet në strukturën e qendrës apo të qytetit. Pa hyrë në detaje po përmend vetëm dy deformimet kryesore që i kanë ndodhur përkatësisht strukturës së qendrës dhe asaj të qytetit nga rrjedha e zhvillimit të tyre gradual dhe natyror.

Kështu, deformimi i parë ka të bëjë me qendrën dhe ka nisur me shpalljen e Tiranës kryeqytet i vendit me 1920-ën kur lindi nevoja për krijimin e një qendre që në një farë mënyre duhet të konkurronte me qendrat e tjera europiane. Kjo tendencë solli si pasojë krijimin e një bulevardi i cili ishte në disproporcion me strukturën aktuale të qytetit. Ky bulevard perceptohet si qendër edhe sot, pra siç e përkufizuam më sipër jo si një hapësirë me pikën më të lartë të ndonjë aktiviteti të caktuar, por një lloj hapësire boshe për të realizuar orientimin në qytet. Ky deformim është aq i madh saqë jo rrallë ajo që është në realitet qendër e qytetit, pra bulevardi, është parë gabimisht si strukturë aktive e tij. Kjo ka ndihmuar në deformimin e dytë që ka të bëjë më strukturën e qytetit për të cilën do flasim më poshtë.

Së dyti gjatë periudhës së diktaturës si pasojë e ideologjisë, por edhe e një zhvillimi të komanduar dhe jo natyror, qyteti filloi të perceptohej si unazor rrezor. Pikërisht gjatë kësaj periudhe u perceptua dhe u ndërtua unaza e parë, si dhe u projektua unaza e vogël dhe një sërë unazash të jashtme që sipas këtij plani do t’i paraprinin zhvillimit të qytetit. Ndërkohë që qyteti vazhdon të perceptohet si unazor rrezor, në fakt ai nuk është i tillë. Së pari pasi unazat ekzistojnë vetëm në letër, dhe së dyti një nga ato që konsiderohet rreze e rëndësishme e tij në fakt s’është veçse qendër. Ai mund të quhet në gjendje kaotike, për shkak të mungesës së një vizioni të qartë.

Ndërkohë një aspekt tjetër i këtij deformimi është edhe planifikimi e legjislacioni. Për këtë do t’u referohem dy projekteve, Planit Austriak për Zhvillimin e Tiranës, dhe Masterplanit Urbanistik të Tiranës që daton vitin 1989.

Plani Austriak për Zhvillimin e Qytetit të Tiranës përcakton qartë perspektivën e zhvillimit të qytetit si lineare, duke treguar në të njëjtën kohë përparësitë e këtij të fundit kundrejt sistemit unazor rrezor. Ndërkohë që pothuajse të gjithë arkitektët shqiptarë në shumë çështje i referohen këtij projekti, harrojnë t’i referohen atij për atë që është themelore, perspektiva e zhvillimit të qytetit. Fakti që ky studim nuk arriti të shndërrohej kurrë në një dokument ligjor më shumë se çdo gjë tjetër tregon pamundësinë për të pranuar një ndryshim në konceptimin e qytetit, duke preferuar më mirë një plan urbanistik të 15 viteve më parë dhe tërësisht jashtë kohe. Por keqkuptimi kryesor me Planin Austriak qëndron në faktin që ky është një plan strategjik dhe jo një masterplan. Ndërkohë për të shprehur idetë e veta hartuesit e këtij plani nuk nuk kanë krijuar planimetri të reja, por kanë shfrytëzuar ato të masterplanit ekzistues të vitit 1989. Ato kanë shartuar nga ky plan disa unaza të tepërta duke ruajtur prej tyre vetëm disa segmente në trajtat e superstradës (ose high-way-it), të cilat do të shërbenin për të shkarkuar trafikun nga qyteti dhe për të shkurtuar distancat. Duke mos dashur të largohem nga tema dhe të tregoj se sa të rëndësishme dhe jetike janë këto superstrada për trafikun e kryeqytetit, dua të përmend se autorët e këtij Plani lanë, - nga Masterplani ekzistues, - të paprekur unazën e vogël që planifikohet për t’u ndërtuar rreth sheshit Skënderbej. Por këtu vërehet një gabim. Duke parë natyrën e Planit Austriak që siç e thashë më sipër është një plan strategjik, nuk mund të pritet që ai të japë një zgjidhje për sistemimin e sheshit Skënderbej, e cila është detyrë e një studimi pjesor. Si rrjedhim për të përcaktuar perspektivën e zhvillimit të qendrës duhet t’i referohemi asaj pjese të këtij plani që ka lidhje me strategjinë duke vënë në pikëpyetje atë pjesë ku ai paraqitet si masterplan. Kjo bën të domosdoshëm shprehjen e një vullneti për braktisjen përfundimtare të konceptit të vjetër për qytetin, dhe kalimin në një etapë të re të zhvillimit të tij.

Si konkluzion mund të themi se zhvillimi linear i qytetit në drejtimin lindje –perëndim duhet të jetë perspektiva e re e Tiranës. Zhvillimi në krah të kundërt me orientimin e qendrës pra të bulevardit do ta zbehë rëndësinë e tij si një nukël orientimi në qytet. Shpërbërja graduale e këtij nukli do të çojë drejt zbehjes së vlerave të tij urbane dhe rivlerësimit të vlerave të tij arkitektonike. Ndërkohë lindja e qendrave të tjera, për të cilat do flasim pak më poshtë, bëhet e domosdoshme. Gjithashtu nga pikëpamja ligjore kërkohet zëvendësimi i Masterplanit (të cilët për hir të së vërtetës nuk përdorën më në planifikimin e qyteteve me struktura ekzistuese) me Rregullore Urbanistike, e cila përcakton në mënyrë ligjore marrëdhëniet midis projektit dhe faktorëve të tjerë, pra: pronave, zonave historike, ambjenteve publike, gjelbërimit, etj.. Kjo rregullore duhet të shoqërohet përkatësisht nga harta e pronave, e zonave historike e atyre publike etj.. Gjithashtu është e tepërt të theksoj se ajo që ekziston sot si Rregullore Urbanistike nuk është e tillë, dhe trajton vetëm një pjesë shumë të vogël dhe në mënyrë të përciptë të asaj që duhet të jetë rregullorja e ardhshme. Përfundimisht skema rigjide e masterplanit do të zëvendësohej me një skemë dinamike të planifikimit në qytet. Kjo do të ishte një ndërthurje e planit strategjik me rregulloren e urbanistikës e kombinuar me studimet pjesore.

Momenti tjetër i kësaj analize, që ka të bëjë me monumentet, do të fokusohet në dy aspekte të saj; monumentet në qendër dhe qendra si monument.

Monumentet vijnë në qendër për shumë arsye, por së pari sepse karakteri i tyre përputhet me funksionin orientues që ka qendra. Nëse hapësira e qendrës më së shumti shërben si një pikë orientuese në qytet me ndikim nga qendra në periferi dhe anasjelltas, monumentet kanë një cilësi tjetër. Përveçse për të orientuar nëpërmjet pasqyrimit të vlerave të tyre morale, politike, kulturore, historike etj., ato shërbejnë për të identifikuar komunitetet. Duke integruar qendrën në komunitet, ato ndihmojnë atë për të realizuar qëllimin e saj orientues. Ato sjellin vlera reale në një ambient abstrakt siç është ai i qendrës së qytetit duke e bërë atë më të afërt për qytetarin dhe duke e ndihmuar atë ta gjejë veten natyrshëm në një ambient të tillë. Siç shihet që të dy këto elementë, pra qendra dhe monumenti, pavarësisht nga lidhjet e tyre teorikisht perceptohen si të pavarur. Ndërkohë në praktikë për shkak të dominimit të monumenteve në qendër jo rrallë, gabimisht ose në trajtë metaforike, ato perceptohen si një element, dhe që unë do ta quaja qendra si monument. Kjo është një dukuri që vihet re aktualisht në qendrën e Tiranës. Ajo ka marrë një mbivlerësim në kurriz të këtyre vlerave jo vetëm për shkak të përqendrimit në të të veprave monumentale, arkitektonike, kulturore apo administrative, por më tepër për shkak të luftërave ideologjike të herëpashershme që janë bërë për ta zotëruar qendrën nëpërmjet mbivendosjes apo eleminimit të vlerave kulturore. Si pasojë me dashje ose pa dashje më shumë flitet për ruajtjen e vlerave të hapësirës së qendrës si një hapësirë monumentale (që për hir të së vërtetës nuk ekzistojnë) sesa për të evidentuar vlerat individuale të objekteve dhe monumenteve që janë aty prezent.

Si rrjedhojë do të thoshim se dy janë rrugët nga do të kalojë zhvillimi i qendrës. Së pari, afirmimi i vlerave monumentale dhe kulturore nëpërmjet një procesi evidentimi të tyre. Së dyti, si pasojë e zhvillimit linear të qytetit qendra do të kalonte një proces transformimi, që do ta quaja procesi i linearizimit të qendrës. Kjo më shumë se sa për strukturën e bulevardit, e cila për shkak të linearitetit e realizon natyrshëm integrimin në strukturën e qytetit, ka vlerë për sheshin Skënderbej. Ky proces do të risillte lidhjet natyrale të rrugës së “Durrësit” me atë të “Dibrës” dhe rrugës së “Kavajës” me atë të “Elbasanit”, ndërkohë do të ndihmonte në identifikimin e vlerave monumentale dhe arkitektonike. Mënyra se si do të përkthehej kjo në arkitekturën e re të sheshit është çështje që u përket projekteve konkrete, por mëse e realizueshme duke pasur parasysh fleksibilitetin e fjalorit të arkitekturës bashkëkohore pas rënies së tabuve funksionaliste.

Transformimi i qendrës, qyteti linear, dhe Monumenti i Nënë Terezës, i cili do të jetë një pjesë e rëndësishme e qytetit në të ardhmen, risjellin edhe njëherë problemin e qendrave. Duke e konsideruar analizën e mësipërme një shtrat të mirë për të marrë në konsideratë problemin e pozicionimit të monumentit të Nënë Terezës po jap edhe mendimin tim për trajtimin e këtij problemi. Së pari nuk do isha pozitiv për vendosjen e tij në qendrën tradicionale dhe për më tepër në sheshin Skënderbej. Kjo për disa arsye. Kryesisht për të shmangur një përplasje ndërmjet monumenteve me karakter të njëjtë të cilët kanë tendencë ta personalizojnë hapësirën për shkak të cilësive të tyre, siç mund të jetë ai i Skënderbeut. Historia e qendrës është e mbushur me eksperienca të tilla, të cilat kanë rezultuar jo pozitive. Gjithashtu duke qenë një element rigjid i formulimit të hapësirës ai nuk do të ishte elementi transformues i kërkuar për sheshin. Megjithatë duke parë si të nevojshme trajtimin jo thjesht dekorativ të këtij monumenti, nuk do isha kategorik në përjashtimin e mundësisë për ta vendosur atë në sheshin Skënderbej. Veçse kjo duhet të plotësonte kushtin që arkitektura e re e qendrës të realizonte njëherësh një shpërbërje të hapësirës së sheshit dhe evidentimin e vlerave arkitektonike të objekteve përbërës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër një hapësirë dhe strukturë të re arkitektonike për të mbështetur monumentin. Por për të njëjtat arsye, pra mbështetjes arkitektonike, do ta përjashtoja, përsëri jo në mënyrë kategorike, mundësinë e vendosjes së tij në sheshin Nënë Tereza, megjithëse ato mbajnë të njëjtin emër.

Një zgjedhje alternative për këtë problem personalisht do ta kërkoja tek perspektiva e zhvillimit të qytetit. Natyra lineare e qytetit e bën të pamundur orientimin vetëm nëpërmjet një qendre, dhe të pashmangshme krijimin e qendrave të tjera për orientim. Kurse vetë natyra e monumentit të Nënë Terezës që si asnjë monument tjetër në Tiranë është personifikimi i vlerave absolute dhe më të larta njerëzore kam bindjen se nuk e ka të nevojshme gjetjen e një hapësire të gatshme. Ai është një monument me shumë potencial për të gjeneruar apo mbledhur rreth vetes vlera arkitektonike apo sociale. Propozimi im vjen jo nga gjetja e një hapësire të gatshme por nga bashkimi i disa vlerave, të cilat do të ishin të afta për të formuar një qendër të denjë për qytetin. Ky vend për mua do të ishte në rrugën e Elbasanit aty ku qyteti i Studentit, blloqet e banimit të rrugës së Elbasanit, kompleksi i shkollave dhe fakulteteve dhe natyra e mrekullueshme e parkut takojnë njëra-tjetrën. Këtu do kombinoheshin vlerat qytetare, me vlerat e dijes dhe ato studentore në një qendër që do të kishte për simbol monumentin e Nënë Terezës. Do të ishte detyrë e një projekti urbanistik dhe arkitektonik që të zbulonte vlerat më të mira të këtyre komponentëve duke realizuar integrimin jo vetëm midis tyre, por edhe me qytetin dhe natyrën e bukur të parkut. Ky ndoshta do të ishte rasti ideal për të ndërtuar një qendër që do ta çonte Tiranën drejt rikonceptimit të qendrave të tjera të saj dhe krijimit të një metropoli kompleks bashkëkohor.

Këto mendime kishin për synim të pasqyronin vetëm një vizion personal për disa probleme dhe për të ardhmen e qytetit të Tiranës. Por arsyeja kryesore përse janë shprehur në këtë shkrim buron nga bindja se nuk ka të ardhme pa vizion.




Copyright © Media Enter 2003





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 18-9-2003 nė 09:13 Edit Post Reply With Quote
Na ishte njė herė Tirana

Kontrastet e një qyteti. Në botën e personazheve, të ndërtesave, rrugëve e pazareve ku zbulon anadollakë, bejlerë, qeleshepunues e teologë të shkollave turke, ashtu si edhe një botë sendesh të mrekullueshme primitive, shtëpi qerpiçi e vila të borgjezisë, pleq me brekushe e gomarë nga pas si edhe pasanikë që shkojnë për ski në Dajt. Një botë kontrastesh që ngërthehet katërcipërisht në atë Pazarin e famshëm të Vjetër



Belina Budini

Po të rrëmosh në Tiranën e së shkuarës, në botën e personazheve të saj, të ndërtesave, rrugëve e pazareve zbulon anadollakë, bejlerë, qeleshepunues e teologë të shkollave turke, ashtu si edhe një botë sendesh të mrekullueshme primitive, shtëpi qerpiçi e vila të borgjezisë, pleq me brekushe e gomarë nga pas si edhe pasanikë që shkojnë për ski në Dajt. Një botë kontrastesh që ngërthehet katërcipërisht në atë Pazarin e famshëm të Vjetër. Atë për të cilin ke për çfarë të jesh nostalgjik e të skuqesh nga turpi njëherësh. Ku ndeshesh me zanatçinj të shkathët, që punojnë me zhurmë dhe shesin po aty, ku përkundruall kalon vija e ujërave të zeza të qytetit. Më mirë i dinë këto sa më sipër ata që patën fatin e mirë apo të keq të jetonin në Tiranën e asaj kohe. Por secili prej tyre përzien me kujtimet edhe emocionet e nostalgjitë. Ashtu siç pretendojnë tiranasit e vjetër se të ardhurit nuk janë realistë në kujtimet e tyre për Tiranën e vjetër, që kryesisht pikturohet prej tyre si një fshat mesjetar i mbushur me anadollakë të mishëruar në figurën e fshatarit me brekushe dhe gomar.
Në kronikën e Tiranës të së shkuarës i ndesh të gjitha. Nga historianët tek dëshmitarët e fundit që ruajnë kujtime nga ajo kohë, Tirana rindërtohet në të shkuarën herë prozaike, herë poetike. Ja një histori e shkurtër e Tiranës nga ato çfarë mbajnë mend të vjetrit dhe çfarë shkruajnë historianët për Tiranën e vjetër.


Copëza kujtimesh nga gjenerata e fundit

Janë gjenerata e fundit e atyre që kanë jetuar në Tiranën e vjetër dhe në këtë të renë njëherazi. Tanimë me një barrë vite në supe, ata herë shfaqen nostalgjikë e herë plot kujtime të errëta si nga Mesjeta për Tiranën në fillim të shekullit XX.
Den baba den tiranas, Sali Shijaku ka një botë me kujtime nga Tirana e asaj kohe, të cilën duket se e ka futur të gjithën brenda asaj shtëpisë së mrekullueshme të traditës 200 e më shumëvjeçare. Ai ka kohë që është vënë në kërkim të vegjëve si element dekori në shtëpinë e kthyer në muze pranë Selvisë. Siç kujton ai nëndaja Mahmude tirrte me elemine fillin e krimbit të mëndafshit dhe më pas e kalonte në vegjë. “Më kujtohej si e tirrte mëndafshin në oborrin e shtëpisë, ajo atmosferë, si zgjatej filli nga njëri cep i oborrit në tjetrin. Përveç kësaj kujtoj edhe dybekët, jo ato që tundin dhallin, por dybekët për të shtypur grurin ose orizin. Dy-tre punëtorë rrihnin në dybek grurë ose oriz”, - kujton Sali Shijaku. Vajzat dhe gratë tiranase, pothuajse pa përjashtim, punonin tërë jetën në vegjë, duke endur pëlhurë të pambukta e të mëndafshta për nevojat e shtëpisë dhe për t’i shitur. Më përpara shtëpitë e të varfërve në Tiranë ishin përdhese dhe të ndërtuara me qerpiç. Kjo, për arsye ekonomike, sepse guri gjendej larg nga fushat. “Muret prej qerpiçi që bëheshin dikur prej ustallarëve lidheshin me breza druri dhe gjithë kjo sipas një teknike antisizmike”, - thotë Sali Shijaku. Ndërsa ndër shtëpitë e vjetra tradicionale kryeqyetase është ajo ku banon Sali Shijaku është ruajtur më mirë. Është e famshme dhoma e zjarrit si karakteristikë e kësaj shtëpie.
Todi Lubonja është një nga banorët e Tiranës së viteve ’20, megjithëse origjina e tij është korçare. Libri i tij i fundit, shkruar tani kur është rreth të tetëdhjetave, “Pse hesht shtëpia e muzikës” ngërthen edhe një kronikë shumë interesante të kryeqytetit në vitet ‘30-’40. Në kujtimet e tij ai shkruan se “Qyteti i Tiranës në vitet ’20, përngjiste me një fshat të madh. Automjetet ishin shumë të paktë. Transporti bëhej me karroca dhe pajtone që quheshin londone. Rrugët ishin të pashtruara, balta vende-vende shkonte deri në gju...”. Në një tjetër fragment të librit Todi Lubonja shkruan se “Në 30 ditët e vitit kur familjet mbanin Ramazan sundonte rregulli, qetësia dhe heshtja. Nata ishte më me gjallëri se dita. Ngado të zinte syri burra me qeleshe e brekushe që mbanin duart prapa dhe numëronin rruazat e tespive...”. “Kështu kalonte, si në filma jeta e tiransave, ku mpleksej gërshet e me potere, grotesku i një qyteti gjysmë fshat dhe drama e varfërisë e prapambetjes”, - shkruan ai në një fragment tjetër.
Hafiz Ibrahim Dalliu, me origjinë tiranase, i njohur si publicist por edhe teolog i Shqipërisë së vjetër, ka lënë dëshmi të shkruara për Tiranën, por vetë është ndarë nga jeta qysh në vitin 1951. Ai, në librin e tij “Patriotizmi” të shkruar në vitin 1930, merr në mbrojtje tiranasit si patriotë duke hedhur poshtë idenë e përhapur se tiranasit janë anadollakë e fshatarë rebela. Më duket se ash rranjos nëpër trutë e gjithë atyre që s’janë tiranas se gjoja ky vend ka qenë krejt halldup. Këtë mendim të gabueshëm ma kanë shfaqur disa herë edhe ata njerëz që mbahen si dijetarë. Për shembull një ditë Mid’hat Frashëri më tha si për qesëndi: “Hafiz! Ke pas këtu ndonjë shok tiranas?!”. Me buzë në gaz i thasë: “Z. Mid’hat! Më kujtove një përrallëz që ma ka pas kallëzue yt ungj, Mehmet beu, në burgun e rebelizmës, ndjesë pastë! Një plakë i paska thanë shoqes: Qyqja, qyqja, më ngelën dhentë pa i lëshue. Pse, mri motër, i thotë shoqja, paske edhe ti dhen? Po i tha kjo, kam nja nji...”.


Faqe nga historia e Tiranës

Sipas hulumtuesve të historisë, Skënder Jasa dhe Xhavit Maçi në librin e tyre të përbashkët për historinë e Tiranës, si qytet i ri Tirana mori hov kur në krye të kazasë erdhi si sundimtar Ibrahim bej Bargjini, pinjoll trashëgimtar i kësaj dinastie, që më vonë u bë pashë. Nën kujdesin e tij qyteti nis i të zmadhohej sipas një plani urbanistik. U hapën rrugë të reja, u zmadhua banjoja publike, u ndërtua një kanal vaditës me ujin e lumit të Regllatës, u ndërtuan lagje të reja dhe organizohej çdo vit një panair që quhej “Shën Lleshi”. Dyzet vjet që nga themelimi si qytet Tirana kishte marrë një fizionomi origjinale paçka se kishte tipare që ishin karakteristikë e qyteteve shqiptare të Mesjetës së vonë.
Shtëpitë e qytetarëve komunikonin me njëra-tjetrën me anën e dyerve të kopshteve të rrethuara me mure qerpiçi. Mund të komunikohej me tërë qytetin nëpërmjet dyerve të brendshme, pa qenë nevoja të dilje rrugëve. Rrugët e qytetit ishin të ngushta, disa të shtruara me kalldrëm, por shumica të pashtruara. Xhamitë dhe sheshet, si ai i Namazgjasë apo ai i Pazarit që shërbenin për kuvende, ishin të rrethuar me selvi dhe ullinj. Dyqanet ishin të përqendruar kryesisht në Pazarin e Vjetër. Një pjesë e dyqaneve shërbenin si punishte zejtarie.
Çezmat në Tiranë kanë qenë të pakta dhe konsideroheshin si diçka e shenjtë. Ato ishin Kroi i Banës, Çezmja e Rrapit Trish, Çezma e Krojit të Shëngjinit, Çezma e Spitalit të Dr. Sabriut. Këto çëzma ishin ndërtuar nga bamirës të ndryshëm. Në Tiranë nuk ka patur kanalizime për ujërat e zeza. Qyteti përshkohej nga vija uji që kalonin mespërmes Pazarit dhe në çdo lagje. Këto vija uji përdoreshin edhe për vaditje, edhe për vënien në punë të mullinjve të blojës. Qysh në kohën e Abdurrahman bej Toptanit në Tiranë u ndërtua një bibliotekë me 158 libra dhe Medreseja.
Trasetë e rrugëve automobilistike u ngritën pothuajse mbi ato të rrugëve antike. Nga viti 1926-1927 u hapën disa rrugë të rëndësishme të qytetit si Rruga e Barrikadave dhe rruga “Qemal Stafa”. Në vitin 1928-1929 u ndërtua bulevardi i qytetit dhe sheshi “Skënderbej”. Dhe, ndërsa tiranasit rrojtën e u trashëguan, ndërtimet e ndyshimet vazhdojnë edhe sot e kësaj dite...


17/09/2003 shekulli





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 25-9-2003 nė 08:31 Edit Post Reply With Quote
Tabakėt

Familja që i dha emrin Urës dhe Xhamisë


Belina Budini

Pinjollët e Tabakëve rikthehen në mëhallën e dikurshme, ku dikur ishte Teqeja e Tabakëve, Tyrbja e Tabakëve, Hani i Tabakëve dhe Selvia shekullore në oborrin e shtëpive prej qerpiçi, të cilat janë shembur të gjitha. Historia e familjes që lidhet me Urën dhe Xhaminë e Tabakëve, treguar nga pinjollët e sotëm

TIRANË – Rrapi i Tabakëve, Ura e Tabakëve, Selvia shekullore e Tabakëve, Hani i Tabakëve, Sheshi i Tabakëve, Teqja e Tabakëve, Tyrbja e Tabakëve, Xhamia e Tabakëve... Përveç urës dhe xhamisë, të gjithë toponimet e tjera të Tabakëve janë varrosur me një të rënë të planit për ndërtime të reja që nga vitet ’60 deri në ‘90-ën. Por marka “Tabakët” në Tiranë nuk ka humbur. Madje pinjollët e Tabakëve i gjetëm në trojet e të parëve, ku sapo janë ribashkuar. Jo larg Urës së Tabakëve dhe përkarshi Xhamisë me të njëjtin emër. Pikërisht aty ku ka qenë Tyrbja dhe Teqeja e vjetër. Tabakët e kanë rikthyer mëhallën e dikurshme, madje edhe dyqanet që sigurisht nuk quhen më Tabakhane. Trashëgimtarët e emrit të njohur i ruajnë ende të parët dhe të shkuarën në kujtimet e tyre. Një pjesë prej këtyre thjesht në formë gojëdhënash, të pashkruara askund. Por njëri prej pinjollëve të Tabakëve i ka përjetësuar shtëpitë e vjetra, tyrben, teqenë, selvinë në disa vizatime të para 50 vjetëve dhe i ruan me fanatizëm si dëshmi pamore të mëhallës së vjetër të Tabakëve. Quhet Besim Tabaku dhe është skulptor e mësues në Liceun Artistik. Ai ruan përveç grafikave të kohës kur ishte vetë liceist edhe një mal me kujtime e gojëdhëna për rrënjët e familjes së vet. Në një ditar për përdorim të brendshëm nga pjesëtarët e familjes Tabaku, Besimi ka shkruar një pjesë të mirë të këtyre kujtimeve. Nga ana tjetër, Kasem Tabaku, 68 vjeç, më i vjetri pinjoll i familjes, i ruan të gjitha në kujtesë. Po ashtu edhe pinjollët e tjerë, Bashkimi, Burhani, Dhurata. Të gjithë rrëfejnë diçka nga kujtimet e tyre për familjen duke e plotësuar tablonë deri në detaje. Gojëdhëna për emrin Tabaku që mori emrin nga Sheshi i Tabakëve e mandej qe pikërisht familja Tabaku, që nga ana tjetër ia dha emrin Xhamisë. Historia e hanit të Tabakëve, tyrbes dhe teqesë si edhe selvisë shekullore, asnjëra prej të cilave nuk ka mbërritur deri në ditët e sotme. Çezma dhe tubacionet që kanë zbuluar Tabakët së fundmi gjatë rrëmimit për ndërtimin e pallatit ku tani janë vendosur bashkë të gjithë djemtë e Abdyl Tabakut dhe pak më tutje trashëgimtarët e Selim Tabakut, që të dy djem të Sheh Kasem Tabakut, një nga të parët më të lavdishëm të familjes Tabaku dhe fetar me titull të lartë në atë kohë.


Në mëhallën e Tabakëve

Kasemi, 68 -vjeçari që ka punuar si radioteknik në Repartin Ushtarak të Tiranës, ka jetuar në tokën e të parëve edhe gjatë regjimit komunist. Megjithëse shtëpisë së tij iu afrua dy herë plani i ndërtimeve të reja të pallateve, ai mundi të ruante një pjesë të saj duke jetuar vetë në një dhomë të vetme të mbetur nga shtëpia prej qerpiçi, ndërkohë që ndërtohej pallati. Tabakët e tjerë u shpërngulën dhe vetëm një pjesë mori shtëpi në pallatet e reja që u ndërtuan aty ku më parë ishin shtëpitë prej qerpiçi të pronarëve të tokës. Nga shtëpia e vjetër ka mbetur vetëm një pus, të cilin e kanë varrosur brenda mureve të ndërtimeve të reja që kanë bërë Tabakët së fundmi. Kasemi jeton në një shtëpi private të re dykatëshe së bashku me nuset, djemtë dhe nipërit e mbesat. Ai e mban mend mirë se aty ku tani është ngritur një pallat shumëkatësh dikur ishte Sheshi i Tabakëve. Mu aty ka qenë edhe një Han i madh. Por Hani i Tabakëve ishte më i vogël dhe ka ekzistuar sipas Kasemit deri në vitin 1953. “I gjithë vendi ishte një qendër e rëndësishme sidomos për përpunimin dhe tharjen e lëkurëve”, - tregon Kasemi. Gjyshi i tij Sheh Kasem Tabaku ishte kryetar i Teqesë së Tabakëve dhe pas vdekjes u varros pikërisht në Tyrben e Tabakëve ku kanë qenë varrosur edhe 20 qyresh prej Tabakëve të parë. Vetëm varri i Sheh Kasem Tabakut është shpërngulur në Tufinë gjatë shndërrimit të mëhallës së vjetër në shesh ndërtimi për pallate të reja. Eshtrat e pararendësve të tjerë janë tretur bashkë me tyrben nën pallatet e ndërtuara. Po ashtu edhe Teqeja e cila u prish në vitet ’60. Në këtë kohë u hoq edhe selvia e moçme që siç kujton njëri nga pinjollët e Tabakëve, Bashkim Tabaku, pedagog i matematikës në Universitetin e Kamzës, ishte e lartë sa minareja e xhamisë dhe “në trungun e saj jashtëzakonisht të trashë kam numëruar vetë njëherë 1200 rrathë me plus minus, që tregojnë për moshën tepër të vjetër të selvisë, e cila thirrej në atë kohë Selvia eTabakëve”, - thotë Bashkimi. Edhe Besimi, skulptori i Tabakëve tregon për selvinë të cilën e ka ruajtur në vizatimet kohës kur ishte në lice ashtu si edhe shtëpitë prej qepriçi të lidhura me shtylla druri. Aty ka fiksuar edhe tyrben dhe teqenë për të cilat folëm. Besimi thotë se pikërisht aty ndodheshin edhe dyqanet ose Tabakhanet e të parëve, që janë marrë kryesisht me bujqësi në tokat përreth, për të cilat kishin sajuar një sistem ujitës, por janë marrë edhe me përpunimin e tharjen e lëkurëve. Mëhalla e dikurshme e Tabakëve dilte sipas rrëfimeve të pinjollëve në urën e Tabakëve. “Lumi i Lanës atëherë nuk gjarpërohej në të njëjtin shtrat si sot. Ura e Tabakëve ka qenë goxha e thellë dhe nën të kalonte përroi i Lanës, që vinte afër mëhallës sonë. Duket se edhe pjesëtarët e familjes sonë kanë kontribuar për ndërtimi ne kësaj ure ashtu si edhe banorë të vjetër të zonës. Por meqënëse ajo njihej si mëhalla jonë, atëherë kështu besomë se i ka mbetur emri edhe urës e nga ana tjetër edhe Rrapit të Tabakëve ashtu si edhe Xhamisë”, - tregon Besimi. Sipas gojëdhanës Tabakët pretendojnë se gjejnë gjurmë në Tiranë qysh prej 500 vjetësh. Mbiemrin Tabaku e shpjegojnë në lidhje me Tabakhanet ku thaheshin dikur lëkurët dhe me sheshin që mbante këtë emër e që me sa duket u është ngjitur familjarëve që jetonin aty. Ndërsa me xhaminë ka ndodhur e kundërta. Ajo e ka marrë emrin nga mëhalla e Tabakëve. Kjo mëhallë është rigjallëruar këto muajt e fundit ku janë rikthyer vëllezërit Tabaku së bashku me familjet e tyre dhe kanë çelur dyqane të reja si dikur në pjesën që u ka mbetur në mes dhe pas pallateve të ndërtuara kohë pas kohe.


Sënduk

Disa sënduqe të vjetra janë të vetmet dëshmi nga e shkuara. Ndërsa Besim Tabaku, skulptori, ruan si një dëshmi materiale të së shkuarës edhe një pjesë tubi. Besimi pretendon se ai tub mund të shpjegojë se si vinte uji në çezmën e gurtë që dikur gjendej rrëzë shtëpive të Tabakëve dhe që ishte një nga të rrallat çezma në Tiranë pasi në atë kohë uji nxirrej ende nga puset dhe nuk kishte rrjete ujësjellësi. Thotë se e ka gjetur pikërisht në drejtim me çezmën. Ndërkohë ai na shpjegon se për shkak se në Teqe gjatë kalimit të ushtrive zbarkuan ushtarët, shumë prej librave me vlerë dhe antikuareve u zhdukën ndërsa një pjesë tjetër u vodhën gjatë shembjes për ndërtimet e reja. Vetë Besimi ka dorëzuar në Muzeun e Armëve të Gjirokastrës shtatë armë të vjetra që ruheshin në Teqenë e Tabakëve.



Shekulli
25/09/2003





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 3-10-2003 nė 07:28 Edit Post Reply With Quote
Oponencë për planin strategjik "Tirana e madhe"

Ilir Sopoti

Në bazë të materialit të vënë në dispozicion (volumi I dhe volumi II, anekset, mungonin hartat në shkallën në të cilën ishte bërë studimi) mund të shprehem:
Është shumë e vështirë të lexohet dhe të kuptohet relacioni i këtij studimi. Kjo vjen si pasojë ose e përkthimit të keq ose nga paaftësia në konceptet e gabuara e të paqarta të atyre që e kanë hartuar këtë "studim", nëse mund të quhet i tillë. Fillimisht mund të thuhet se në atë kohë kur është hartuar studimi, nuk ka qenë i përcaktuar në ligjin "Për Urbanistikën" termi "plan strategjik" dhe nuk dihej, dhe akoma sot - megjithë ndryshimet në ligj me ligjin Nr.8991 datë 23.1.2001, - është e paqartë se çfarë është plani strategjik. Si atëhere edhe tani mungon në Rregulloren e Urbanistikës përcaktimi për planin strategjik: përmbajtja, kush duhet ta hartojë, me urdhër të kujt, çfarë duhet të përmbajë detyra e projektimit (ose termat e referencës, që pa to nuk mund të fillojë studimi), afati kohor, nga kush duhet të miratohet dhe çfarë duhet të përmbajë, të nxjerrë në përfundim. Si rezultat i të gjitha këtyre mungesave plani strategjik akoma nuk është dokument tekniko-ligjor dhe akoma nuk mund të gjykohet mbi te dhe të veprohet në bazë të tij.
Disa herë është kërkuar në takimet me grupin e punës të planit strategjik të na jepen termat e referencës. Deri tani nuk na është dhënë asgjë. Dmth., se këto terma nuk ekzistojnë. Kështuqë nuk mund të vazhdohet më tej, nuk mund të gjykohet nëse janë arritur targetet e vëna, detyrat e përcaktuara për ujësjellësin, kanalizimin, mbetjet e ngurta etj.. Baza për llogaritjen e furnizimit me ujë, kanalizimit, etj., janë të dhënat për popullsinë ekzistuese, përqindja e rritjes natyrale dhe ajo mekanike e popullsisë etj.. Këtu nuk ka asgjë të saktë, është punuar me tre skenarë për të gjetur rritjen e popullsisë. Është punuar me një term shumë të pasaktë që nuk përdoret në literaturën tonë urbanistike dhe ndoshta edhe atë botërore - familje/hektarë ose kryefamiljarë/hektarë. Pra edhe këtu nuk mund të vazhdohet më tej.
Po të shikojmë furnizimin me ujë mungon axhornimi i plotë i gjendjes ekzistuese dhe nuk paraqiten stacionet e pompimit. Pa i hyrë në analizë të hollësishme rrjetit të furnizimit me ujë, mjafton fakti që vetë autorët thonë që në vitin 2022 Tirana do të furnizohet me tetë orë ujë në ditë (faqe 107). Kjo kur normat dhe kushtet teknike parashikojnë furnizim me ujë 24 orë pa ndërprerje dhe, që sot, disa qytete në Shqipëri, po furnizohen me 24 orë ujë në ditë. Kaq mjafton për të kuptuar se çfarë plani strategjik është ky. Nuk ka kuptim norma e pranuar për industrinë 50 m3/Ha/ditë. Thuhet se duhet të merren parasysh në llogaritjen e depove volumi për avari dhe ai për shuarjen e zjarreve, por nuk ka llogaritje për këtë dhe nuk është marrë parasysh në llogaritje siç e kërkon kushti teknik i projektimit. Norma e furnizimit me ujë sipas rregullores së Urbanistikës është më e madhe, 300 l/ditë për banor për qytete me popullsi mbi 50000 banorë. Nuk është marrë në analizë asnjë skemë e furnizimit me ujë të Tiranës. Duke ditur se Tirana ka probleme edhe me presionin e furnizimit me ujë, duhet të ishte ndarë në zona sipas presionit dhe të shikohej për një zgjidhje.
Është bërë ndarje në 9 ose 7 zona, sipas "strukturës hapësinore"? Nuk janë llogaritur prurjet maksimale. Nuk është dhënë zgjidhje për problemin e ndotjeve të ujit të rezervuarit të Bovillës, infiltrimit të ujërave të zeza në tubacionet e furnizimit me ujë etj.. Kështu nuk qëndron as preventivi i dhënë për furnizimin me ujë. Mungon studimi hidrogjeologjik. Për rrjetin e kanalizimeve është parashikuar vendi i impjantit të ujërave të zeza, i ndryshëm nga ai i studimit japonez të fizibilitetit 1997, pa asnjë lloj analize tekniko-ekonomike të varianteve të ndryshëm. Nuk ka llogaritje, arsyetim, pse sipërfaqja e impiantit të ujërave të zeza duhet të jetë 60 ha. Është pranuar afërsisht varianti B i dhënë nga japonezët, të cilin ata nuk e kanë pranuar, sepse shkaktonte ndotje të ujërave nëntokësore. Nuk ka studim hidrogjeologjik. Pa asnjë lloj krahasimi tekniko-ekonomik dhe pa iu referuar studimit japonez (JICA) është pranuar për impjantin e ujërave të zeza teknologjia e lagunave të ajrosura. Për ujërat e zeza duhet të punohet me ekuivalent popullsie, por këtu nuk thuhet gjë dhe nuk jepet prurja e llogaritur. Po kështu nuk mund të jenë të njëjtat zona ndarjeje si për furnizimin me ujë si për kanalizimin. Nuk jepen normat, standardet që duhet të arrijnë ujërat e zeza pas pastrimit dhe nëse arrihen apo jo. Nuk ka llogaritje tekniko-ekonomike pse rrjeti i ujërave të zeza duhet të jetë i ndarë dhe jo i bashkuar! Po kështu nuk kuptohet termi "kolektorë lehtësues" dhe pse tubacionet e reja duhet të jenë 0,25 km larg tubacioneve ekzistues.
Kudo në botë sludge-i është problem dhe nuk mund të përdoret direkt në bujqësi dhe për çdo lloj kulture. Mungon axhornimi i rrjetit të ujërave të zeza, ndonëse thuhet harta S9, e cila nuk ka as legjendë. Nuk ka asnjë të dhënë për reshjet dhe as llogaritje për to. Edhe këtu preventivi nuk qëndron. Nuk është përcaktuar afati, kohëzgjatja që mbulon ky plan strategjik për ujërat e zeza, ujësjellësin etj: 2017, 2020 apo 2022 dhe si mund të jetë ajo më e madhe se e planit strategjik (2017).
Për mbetjet e ngurta nuk është e saktë dhe e drejtë llogaritja dhe parashikimi i sasisë së tyre (faqe122-125). Janë dhënë sa për sy e faqe dy njolla në hartë se ku mendohet të ndërtohen dy landfille, në Lam dhe Tapizë. Nuk është bërë asnjë lloj krahasimi tekniko-ekonomik për vendet e propozuara dhe të tjerë të mundshëm, nuk ka studim hidrogjeologjik. Thuhet se duhet të bëhet një studim për vendosjen e mundshme të tij. Thuhet se është vështirë të vlerësohet kostoja e një landfilli të ri pa u kryer studimi i vendndodhjes, por pastaj jepen vlerat në tabelë. Nuk është arritur dot as të përcaktohet nëse duhen dy landfille të reja apo një. Nuk merret fare në analizë vend-depozitimi i plehrave rajonalë i miratuar në KRRTRSH. Strategjia merret vetëm me landfillet dhe me asnjë nga alternativat e tjera të trajtimit të plehrave. Nuk thuhet asgjë për ujërat e larta. Moszbatimi i rrjetit rrugor të Tiranës, të zonës suburbane etj., normativave të projektimit të rrugëve, do të bëjë të pamundur projektimin dhe zbatimin e rrjetit ujësjellës - kanalizim sipas kushteve teknike të projektimit dhe zbatimit. Zgjidhjet institucionale për furnizimin me ujë, kanalizimin, mbetjet e ngurta etj., janë evazive, të paqarta, joprofesionale. Kufijtë e Tiranës së Madhe janë të papërcaktuar qartë. Si përfundim mund të thuhet se këtu nuk kemi një strategji as për furnizimin me ujë, as për ujërat e zeza dhe as për mbetjet e ngurta për "Tiranën e Madhe".


Copyright © Media Enter 2003





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 3-10-2003 nė 07:30 Edit Post Reply With Quote
Plani strategjik për Tiranën, një masakër e re urbane

Dr. Engjell Çami

Mund të shikohet se në çdo fushë të jetës në Shqipëri, këto 2-3 vitet e fundit, po shfaqet një regres i vërtetë në vend të përparimit, përmirësimit. Mjafton të shikojmë ligjet që miratohen në Parlament ose amendimet për ligje të ndryshme që miratohen në Kuvendin shqiptar. Kështu ndryshimet në Kodin e Punës, drafti i Qeverisë për ligjin për kthimin e pronave ish-pronarëve, ndyshimi në ligj për moshën e daljes në pension, ndryshimet në ligjin "Për Urbanistikën", taksa antikushtetuese si ajo për rrugën Durrës-Prishtinë, marrëveshje arbitrare si ajo për vendosjen e një tavani të lartë për çmimin e shitjes së apartamenteve të ndërtuara, leje ndërtimi të kundraligjshme dhe të palogjikshme të firmosura dhe të miratuara jo nga specialistët përkatës, ndërtime pa leje që nuk shemben, por legalizohen, kioska që shtohen ose zëvendësohen me ndërtime të përhershme etj., dhe askush nuk dënohet... - kjo është panorama.
Këto hartohen dhe miratohen pa u konsultuar me specialistët përkatës dhe aktorët e fushës përkatëse, në ilegalitet, pa kaluar nëpër hallkat dhe duart juridike dhe të specializuara përkatëse të nevojshme dhe të domosdoshme për hartimin dhe nga persona të paaftë, jokompetentë të fushës, por shkelës të rregullt të ligjeve me qëllim përfitimi personal.
Duket se ka ardhur koha që Partia Socialiste të japë dorëheqjen, të tërhiqet nga skena si parti e regresit. Në këtë kuadër, por për më tepër, edhe në kuadrin e fushatës elektorale, mund të shikohet miratimi i Planit Strategjik "Tirana e Madhe" nga ana e KRRT të qarkut Tiranë më datë 19 shtator 2003, plan aq shumë i kundërshtuar nga specialistët e fushës së urbanistikës dhe infrastrukturës që nuk kanë marrë ose nuk do të marrin parà nga ky projekt, nuk janë të përfshirë në aferat e ndyra të këtij të ashtuquajturi "Plan-strategjik". Ai eshtë kundërshtuar që në fillimet e hartimit të tij për lënien mënjanë të specialistëve dhe institucioneve shqiptare të specializuara dhe që kanë të bëjnë me problemet që trajton ai. Si në vitet e para të tranzicionit, vazhdohet të mashtrohet duke thënë se ky plan është hartuar nga studio projektuese amerikane dhe të paraqitet nga një amerikan shqipfolës (me parë paraqitej nga z.Xhon). Mirëpo dihet farë mirë se kjo paçavure është hartuar nga ata që shkatërruan urbanistikën dhe infrastrukturën e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë si Koço Kaskaviqi dhe Ilir Manushi me studion e tyre të të paaftëve dhe shkelësve të ligjit dhe dokumetave tekniko-ligjore si Plani Rregullues i Tiranës dhe Studimi i Zonës Suburbane i kryer nën drejtimin e një urbanisteje amerikane të një studioje prestigjoze. Në këtë histori kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të përzier të paaftët dhe shkelësit e rregullt të ligjit, të cilët janë në poste drejtuese në Ministrinë e Rregullimit të Territorit e Turizmit si znj.Shpresa Leka, zv.Ministri Artan Lame dhe Ministri Besnik Dervishi. Mjafton fakti që ky studim, i cili u pagua dhe do të paguhet nga kredia e Bankës Botërore, me interes, nga taksapaguesit shqiptarë, i është dhënë asaj studioje pa tender, pa u miratuar detyra e projektimit fare, ose të paktën pa u hartuar dhe miratuar nga organet kompetente dhe mbrojtja në vazhdim dhe këmbëngulja për t'u miratuar një paçavure e tillë nga drejtuesit e Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit tregon për përfshirjen e tyre në korrupsion me këtë studim dhe me studimin që do të vazhdojë mbasi të miratohet ky studim (miliona dollarë). Dhe mbrojtja e fundit e MRRTT ishte që megjithë oponencën e vazhdueshme të punonjësve të ISPUrbanistike etj., dhe kundërshtimin e Bashkisë së Tiranës dhe të Komunave etj., që nuk e kanë shqyrtuar dhe miratuar atë më parë se të dilte në KRRT të Qarkut Tiranë, vendosi që ky studim të kalojë dhe ata do të përpiqen t'i zgjidhin më vonë kontradiktat me Bashkinë e Tiranës, etj.. Ky premtim sa për sy e faqe për diçka që duhet te ishte bërë më parë bie në kundërshtim me nenin 1 të ligjit "Për Urbanistikën", ndryshuar me ligjin Nr.8991 datë 23.1.2003, ku jepet përcaktimi i planit strategjik dhe thuhet "...ai bashkërendon punën për arritjen e objektivave strategjike, të përcaktuar nga vendimmarrësit kryesorë të pushtetit vendor". Pra duhet të ishte parë, shqyrtuar dhe miratuar nga ata më parë dhe pastaj të dilte në KRRT të Qarkut Tiranë dhe jo të shkojë tek ata pas miratimit në KRRT të Qarkut. Por kush ngutet për të përlarë parà të tjera ose për qëllime elektorale (po e bëjmë Tiranën me Plan strategjik, do të legalizohen ndërtimet pa leje etj.) ose nga frika se do t'u duhet të presë derisa të bëhet, të mblidhet dhe të korruptojë KRRT e re të Qarkut. Po kështu kjo mund të dalë nga analogjia me pikën 13 dhe 23 të Rregullores së Urbanistikës. Për më tepër ky plan strategjik nuk mund të miratohej pasi nuk janë miratuar akoma aktet nënligjore si përcaktimet për Planin Strategjik në Rregulloren e Urbanistikës. Përveç kësaj pengese kryesore për legalizimin e ndërtimeve pa leje që merr ky i ashtuquajtur plan strategjik është pronësia mbi tokën dhe Parlamenti akoma nuk ka arritur që të miratojë një ligj për zgjidhjen e këtij problemi përfundimisht. Kjo pranohet në studim nga vetë autorët.
Ky plan strategjik ka parashikuar lenien e Tiranës me rrugë të ngushta ekzistuese në kundërshtim me planin rregullues dhe atë të zonës suburbane. Nëse qeveria jonë nuk ka shumë parà sot, nëse Banka Botërore nuk mund të japë kredi të nevojshme për rrugët e reja, zgjerimin e atyre ekzistuese, për shpronësime etj., siç i ka parashikuar Plani rregullues dhe ai i zonës suburbane, sipas parametrave teknike, kjo nuk do të thotë që të projektojmë për të ardhmen rrugë të ngushta dhe të shtrembra dhe me ato ekzistuese duke u kthyer 300-400 vjet prapa.
Dihet se çfarë vendimesh të tjera të kundraligjshme dhe shkatërrimtare për urbanistikën, infrastrukturën dhe turizmin ka marrë kjo KRRT Qarku. Po kështu dihet se çfarë persona të paaftë dhe shkelës të rregullt të ligjit janë shumica e anëtarëve të kësaj KRRT-je dhe sidomos kryetarja e saj që për shkollë të lartë ka përfunduar shkollën "Vladimir Iliç Lenin".
Si përfundim miratimi i këtij Plani Strategjik të Tiranës së Madhe është një fitore e korrupsionit mbi ligjin dhe rregullin, mbi profesionalizmin në urbanistikë dhe infrastrukturë dhe një ditë zije për të ardhmen e Tiranës si qytet dhe si metropol. U bëjmë thirrje anëtarëve të Sekretarisë teknike të KRRTRSH, anëtarëve të KRRTRSH dhe z.Fatos Nano si kryetar i saj që të mos e miratojë një paçavure të tillë, të mos marrë mbi vete një krim të tillë monstruoz ndaj Tiranës sonë të dashur. Miratimi i këtij të ashtuquajturi plan strategjik i Tiranës së madhe do të ishte ditë zije kombëtare për urbanistikën dhe infrastrukturën e qyteteve tona dhe për profesionalizimin në urbanistikë dhe infrastructurë në Shqipëri.



Copyright © Media Enter 2003





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 6-10-2003 nė 12:38 Edit Post Reply With Quote
Kur ndėrtohej Tirana

Historia e Abedin Nepravishtës, kryebashkiakut i i cili në vitet 33 39 zbatoi planin e Armando Brasinit për rregullimin e Tiranës. Ndërtimi i godinave publike, shesheve e urës së madhe të Lanës dhe i bulevardit. Një histori e harruar por që sot ngjan më aktuale se kurrë

Nga Fabian Morava




Kur Architecture Studio, studioja franceze e arkitekturës fitoi konkusin ndërkombëtar për rregullimin e qendrës së Tiranës, u tha se një nga pikat e forta të projektit kishte qenë harmonizimi i Tiranës historike me atë të sotme dhe të nesërme, njëfarë gërshetimi i projekteve të së ardhmes me monumentet historike. Në analizat e ditëve të mëpasshme, u tha se projekti i ri i qendrës dukej krejt i ngjashëm me fotografitë e Tiranës së viteve 30, me sheshin Skënderbej, godinat e ministrive dhe bulevardin e qetë. Me atë që shumëkush e njeh si plani rregullues të arkitektit italian Armando Brasini. E ndërsa rievokohej emri i urbanistit që shtatëdhjetë vjet të shkuara konceptoi kryeqytetin shqiptar, askush nuk u kujtua për një tjetër emër. Emrin e atij kryebashkiaku që kishte bashkëpunuar me Brasinin dhe që kishte vënë më pas në jetë planin e tij. Një kryebashkiak, që ndonëse pa një konkurs ndërkombëtar arkitekture plot bujë si ky i sotmi, kishte ditur ti kthente sytë nga vendi fqinj për të filluar shndërrimin e Tiranës në një kryeqytet të mirëfilltë. Një fotografi e tij e vendosur në Bashkinë e sotme të Tiranës, krah të tjerë kryetarëve nëpër vite, nuk flet për meritat e tjera. Nuk flet për atë që Abedin Nepravishta i dhuroi kryeqytetit: të parin plan urbanistik, të cilit edhe sot, shtatëdhjetë vjet më pas i referohen arkitektët modernë, atij plani të punuar nga mjeshtri italian me mbështetjen e kryetarit të bashkisë, i cili, i sapoemëruar në këtë post në vitin 1933 vendosi ta fillonte punën me zbatimin e atij plani që prej vitesh flinte në letra.

Në kohën kur Abedin Nepravishta mori detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, emri i Armando Brasinit nuk ishte krejt i panjohur në Shqipëri. Ai kishte projektuar ndërkaq godinat e ministrive në qendër, të cilat së bashku me krijimin e bulevardit të madh, e kishin shndrruar Tiranën nga një fshat të madh, në një qytet që po fillonte të lindte.
Trembëdhjetë vjet para se të gjendej në krye të Bashkisë së Tiranës, Abedin Nepravishta kishte punuar për më tepër se një vit sërish në drejtimin e qytetit, në postin e prefektit. I emëruar në këtë post në vitin 192O, ai bëri të parin revolucion që e shkëputi Tiranën nga pamja mesjetare: heqjen e varrezave që gjendeshin pranë çdo xhamie mesjetare. Ishte ai që në vitin 1921 i kërkoi ministrit të atëhershëm të punëve të brendshme heqjen e varrezave mylslymane, një veprim që ndonëse ngjalli reaksion, do të shërbente më pas për ndërtimin e qendrës. Me nisjen e punës për hapjen e gjimnazit të shtetit, Nepravishta u largua nga posti i prefektit të Tiranës, për të punuar në po këtë post në Elbasan, Durrës, Shkodër, e më pas në Korçë e Vlorë. Gjatë kësaj kohe, për dy vjet punoi si drejtor i Bankës Kombëtare dhe vetëm në vitin 1933, me shumë më tepër përvojë, nga posti i kreut të bashkisë do ti futej punës konkrete për hartimin e planit rregulles. Një udhëtim drejt Romës, do të hidhte bazat e miqësisë së ardhshme mes kryetarit të bashkisë së Tiranës dhe arkitektit italian. Nga ajo miqësi që do të zgjaste deri në fund të luftës së Dytë Botërore, dhe ku qëndrimet e ndërsjellta në shtëpitë e njëri tjetrit ishin të shpeshta, urbanisti i famshëm do të kujtonte Nepravishtën si një nga kryebashkiakët më inteligjentë me të cilët kishte punuar për të bërë planet rregulluese. Kurse Abedin Nepravishta do ta kujtonte Armando Brazinin si arkitektin që jo vetëm kishte realizuar planin rregullues të kryeqytetit, por edhe si projektuesin e shtëpisë së tij, projekt të cilin mjeshtri italian e kishte realizuar në shenjë nderimi për njeriun me të cilin gdhiu netë të tëra për të projektuar Tiranën.

Një nga idetë e Abedin Nepravishtës, e cila u realizua nga projektuesi italian, ishte që Tirana, nga pikëpamja urbanistike, të konturohej në trajtë rrathësh bashkëqendrorë. Në qendër të këtyre rrathëve do të ishte qendra e qytetit, diçka e ngjashme me Parisin, ku të gjitha rrugët do të të çonin në vijë të drejtëpërdrejtë në sheshin Skënderbej. Pas një argumentimi të rreptë arkitekturor të kryebashkiakut Nepravishta, argumentim që përfundoi me kërkesën që çdo Tiranas ka nevojë, qysh në agim, të shohë sheshin Skënderbej me simbolet e tij, Brasini realizoi atë plan që filloi të ndërtohej gjatë viteve 1939 1943, por që ndërkaq kishte hyrë në fuqi gjatë qeverisjes së Tiranës nga Nepravishta. Ndërkohë që ky i fundit, me portretin e një njeriu të fortë, kishte filluar punën konkrete. Pa ngurruar të përdorte dhunën e ligjit ndaj të gjithë atyre që kundërshtonin shpronësimet e ligjshme, Nepravishta zbatoi edhe një sistem të fortë taksash, duke arritur që në një kohë të shkurtër të bënte një numër të madh armiqsh personalë.
Veç taksës së pastrimit apo të tjera detyrimeve bashkiake, kryetari i asaj kohe filloi të përmendej në administratë si njeriu, i cili që në vitin e parë të punës e ndau orarin zyrtar përgjysmë, në zyrë dhe në terren, atje ku investohej, me para të siguruara si donacione nga simpatia ndërkombëtare. Një punë gjigande që do të niste me asfaltimin e rrugës së Kavajës në vitet 1934 37 dhe me qëndisjen me gur të gdhendur të rrugës së Dibrës në vitin 1934. Brenda dy vjetëve 1933 1934 u ndërtua shtëpia e oficerëve, që më pas do të shërbente si godina e Lidhjes së Shkrimtarëve në rrugën e Kavajës. Në muajt e parë të vitit 1934 do të niste ndërtimi i Bankës Kombëtare, i asaj kryevepre arkitekturore që shumë shpejt do të kthehej në emblemën e sheshit Skënderbej. Paralelisht me këto ndërtime, Abedin Nepravishta filloi ndërtimin e urës së madhe mbi Lanë, ura pranë hotel Dajtit, duke u dhënë mundësi tiranasve të shëtisnin deri te kodrat e Shën Prokopit [liqeni artificial] e duke hapur trasenë e bulevardit madhështor Dëshmorët e Kombit për të cilin Ilia Ehrenburgu në vitin 1945 do të thoshte: Kam parë kryeqytet pa bulevard por, jo bulevard pa kryeqytet. Dhe për më tepër kaq të bukur.
Por ajo që do të quhej si kryevepra urbanistike e ndërtuar gjatë kohës kur Abedin Nepravishta qëndronte në krye të Bashkisë së Tiranës, ishte asfaltimi dhe rregullimi i sheshit Skënderbej, me të gjithë përbërësit e tij, që nga asfaltimi dhe trotuarët përpara godinave të ministrive tek ndërtimi i një shatërvani në qendër. Një shatërvan rrethor, krejt i ndryshëm nga ai i sotmi, që kujtohet vetëm nga fotografitë e kohës. Në vitin 1937, mbaroi së ndërtuari edhe parku i ministrive, një zgjidhje e shkëlqyer e Brazinit, i cili e konceptoi nën nivelin e bulevardit për të rrespektuar ndërtimet e ulta të sheshit.
Me cilësinë e kryebashkiakut, përgjatë viteve 1933 37, Abedin Nepravishta dha leje për ndërtimin e një sërë vilash luksoze kryeqytet si shtëpitë e F.Shatkut, O.Jonuzit apo A.Atibit si dhe të lulishtes prapa Bashkisë, me të famshmen kafene Kursal. Nga arkivat e kohës, zbulohet se kur Nepravishta u vendos në krye të Bashkisë së Tiranës, qyteti kishte një shtrirje prej katër kilometrash, ndërsa kur e dorëzoi pushtetin, kryebashkiaku la një qytet dyfish më të madh, tetë kilometra katrorë.
Ndërkaq në vitin 1934, Nepravishta kishte filluar zbatimin e planit të Brasinit në një tjetër pjesë të Tiranës, zgjerimin e rrugës së Elbansanit, e cila në vitin 1936, me mbarimin e asfaltimit, u kthye në rrugën ku ndodheshin institucionet kryesore të Tiranës së atëhershme, e ku parqet anash saj nisën të lulëzohen nga kopshtarë të famshëm të ardhur enkas nga Italia. Ndërkohë ai do të shtrihej dhe në thellësi të Tiranës, duke asfaltuar e ndërtuar rrugën Hoxha Tahsim [pjesa e dytë në 1937], që e lidhi Tiranën me varrezat e Bamit. Një rrugë tjetër me të cilën Abedin Nepravishta lidhi qendrën e Tiranës me periferinë ishte rruga e Pishës [sot Tefta Tashko] që nisi e përfundoi në vitet 1934 35. Në gazetat e kohës, kryetari i Bashkisë do të lëvdohej si njeriu që filloi ndërtimin e Pazarit të Ri. Në 28 nëntor të vitit 1937, kur Shqipëria festonte 25 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë Abedin Nepravishta mund të krenohej me një Tiranë që kishte 44 km rrugë të ndriçuara me energji elektrike, prej të cilave 36 të asfaltuara, me 11300 metër lineare kanalizimeme 45.000 metra katrore trotuare të bukur dhe ndriçohej nga 802 llamba rrugësh me 133.436 kilovatorë energji elektrike por edhe me ndërtimin e Institutit Biokimik në vitin 1934 dhe të pesë fabrikave. Dhe veç bilancit të ndërtimeve, në dokumentat arkivore të kohës mund të gjesh edhe një tjetër gjë me të cilën krenohej kryebashkiaku Abedin Nepravishta: nismën për shkatërrimin e mbi dy mijë ndërtimeve pa leje. Një bilanc që ka qëndruar i fshehur për vite me radhë në shtypin dhe arkivat e kohës, për tu zhvarrosur tani, gjashtëdhjetegjashtë vjet më pas, kur në Tiranë flitet sërish për plane rregulluese dhe për prishje të ndërtimeve pa leje.

Emri i Abedin Nepravishtës hyn ndër ata emra që gjatë historisë pesëdhjetë vjeçare të Shqipërisë, që fillonte nga viti 1945, ishte i destinuar të harrohej. Ndërsa plani rregullues i Tiranës nuk u hodh asnjëherë poshtë, zbatuesi i tij nuk u zu kurrë në gojë, as për mirë e as për keq, si për ti detyruar banorët e Tiranës të harronin që historia e kryeqytetit nuk fillonte në vitin 44, por shumë më shpejt.
Bir i nënprefektit të Kuçit, me origjinë nga Libohova, Abedin Nepravishta vinte nga një familje ku prej gjashtë brezash arsimoheshin juristë. Kryetari i ardhshëm i bashkisë së Tiranës, pasi mbaroi shkëlqyeshëm Shkollën e Lartë Perandorake, do ta niste karrierën afërsisht në një kohë me shpalljen e Pavarësisë, duke qenë një nga themeluesit e shtetit të ri shqiptar. Në vitet 1912 1914 punoi si nënprefekt në Përmet dhe në Lushnje, ndërsa me fillimin e Luftës së Parë Botërore do të shfaqej si një ndër themeluesit e kapitalizmit fillestar shqiptar, duke u marrë me shitblerjen e drithërave. Kongresi i Lushnjes do të ishte vendi nga ku Nepravishta iu fut politikës. Ai u bë nismëtar i Komisionit për mbajtjen e Kongresit dhe me urdhër të Sulejman Delvinës përgjegjës i sigurimit të brendshëm të tij. Me fillimin e viteve 20 të, do të niste për Abedin Nepravishtën një karrierë nga më të sukseshmet për një politikan të mesëm të Shqipërisë të atyre viteve. Ishte Sulejman Delvina, në postin kryeministrit të Shqipërisë, ai që e emëroi prefekt të Tiranës në vitet 1920 1921 duke e lidhur atë përgjithnjë me politikën. Si prefekt i Tiranës më 1921 Nepravishta u kërcënua me vdekje nga Mustafa Kruja dhe pati kurajon ti rezistonte me armë rebelimit të tij. Në Elbasan u fut në sarajet kështjella të Shefqet Vërlacit dhe e detyroi të paguante taksa si gjithë qytetarët e tjerë. Një qyteti aq fetar si Shkodra, i dhuroi të parin gjimnaz laik.
Abedin Nepravishta u përket atyre personaliteteve të pakta të periudhës së Pavarësisë së viteve 1912 1939, si Hil Mosi, Mirash Ivanaj, Faik Shatku etj, që qëndruan asnjanës ose mbajtën pozicion të ndërmjetëm ndaj dy rrymave politike të kohës, nolizmit dhe zogizmit. Ai e refuzoi ftesën e Ahmet Zogut për ta kandiduar për deputet në zgjedhjet e dhjetorit 1923 duke preferuar të mbetej i lirë. Kurse në vitin 1924 e quajti jo të drejtë urdhërin e Zogut, i cili, ndërsa ikte për në Jugosllavi, e urdhëronte që të rezistonte. Pas disa orësh, me ndërmjetësinë e mikut të tij, Gjergj Fishta, ai ua dorëzoi prefekturën e Shkodrës forcave noliste. Por ndryshe nga njerzit e tij të familjes, të gjithë antimonarkistë, Abedin Nepravishta ndoqi shembullin e Mirash Ivanajt që mendonte se një rrugë e mundshme për ti shërbyer Shqipërisë ishte edhe puna reformuese brenda regjimit. Vetëm pak ditë pas 7 prillit 1939 Abedin Nepravishta ishte ndërmjet të internuarve të parë që u dërguan në kapmet e Italisë si antifashistë. Pas amnistsisë, kthimit në Shqipëri dhe ndihmesës që familja e tij i dha luftës Antifashiste, pikërisht kur lufta ishte drejt fundit, Abedin Nepravishta u arrestua. Do të fillonte këtu një tjetër kalvar vuajtjesh që përfundoi me vdekjen e tij në moshën 90 vjeçare në Fier, ku pakkush kujtohej për atë njeri që për gjashtë vjet me radhë kishte ndërtuar Tiranën.

Klan





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 15-10-2003 nė 10:40 Edit Post Reply With Quote
Familja Mulleti

Reportazh nga shtëpitë e vjetra të Mulletëve që janë në agoni. Rrëfejnë pinjollët Reshit, Ivzi dhe Ilir Mulleti: Rrënjët tona nga Sulejman Pashë Mulleti, tek Qazim Mulleti e deri sot

Reshiti: Ju rrëfej Qazim Mulletin e vërtetë


Belina Budini

TIRANË – Tironsa me të gjitha: të folme, shtëpi të vjetra, zakone dhe tapi. Tapitë u kanë mbetur si relike, zakonet dhe e folmja si traditë, ndërsa shtëpitë e vjetra si rrënoja. Qysh prej 13 vjetësh në kërkim të rrënjëve materiale (shtëpive dhe pronave të vjetra) pinjollët e sotëm të familjes Mulleti po i ndërtojnë themelet e tyre të reja në Tiranë duke varrosur të vjetrat nën pallate shumëkatëshe. Shtëpitë e Qazim Mulletit, Ali Mulletit, Tanush Mulletit, janë në agoni. Ndërkohë që shtëpia ku pati jetuar më gjatë prefekti i Tiranës së viteve ‘40 është varrosur para një viti nën një pallat që vazhdon të hedhë shtat aty në rrugën “Qemal Stafa”. Si shtëpitë e vjetra, edhe pinjollët e familjes Mulleti në Tiranë janë të paktë. Nga Sulejman Mulleti tek Qazim Mulleti dhe i biri Reshit Mulleti, që vazhdon të jetojë në Tiranë, prej familjes Mulleti, trashëgimtarët nuk kanë qenë të shumtë, por kanë mbërritur deri në ditët tona. Ndryshe nga Tafajt që kanë aktualisht në Tiranë 900 pinjollë, Mulletët kanë shumë më pak dhe vetëm tetë trashëgimtarë meshkuj.
I gjen pothuajse të gjithë në Tiranën e vjetër, në rrugën “Qemal Stafa”. Ajo është mëhalla e tyre, askush nuk e vë në dyshim. Por ndoshta edhe për pak kohë. Derisa gjeneratat e reja të mos gjejnë më aty asnjë gjurmë të tyre veç ndonjë pllakate, që e varur në një pallat të ri nuk thotë më asgjë sado impresionuese të jetë përmbajtja e saj. Kur të jenë shembur edhe rrënojat e fundit të shtëpive 300 -vjeçare të trashëgimtarëve Mulleti. Kur lagjia nuk do të ketë më një personazh të gjallë si Reshit Mulleti (djali i Qazim Mulletit) që vjen vërdallë si dinosaur i lodhur në mëhallën e Mulletëve dhe nuk e qasin as në shtëpinë ku ka lindur i ati. Kur nostalgjikët do ta kenë vështirë të gjejnë në gjithë Tiranën një shtëpi të vjetër muze si ajo e Ali Mulletit, plot kontradikta: që ka mbajtur brenda Qazim Mulletin, por edhe Enver Hoxhën, që ka qenë konsullatë austriake por edhe Ministria e parë e Bujqësisë shqiptare, si edhe shtëpi e dhjetëra Mulletëve. Ivzi Mulleti, 67 -vjeçar, djali i Ali Mulletit, i cili nga ana tjetër ka qenë djalë xhaxhai me Qazim Mulletin, tregon historinë e kësaj shtëpie muze, e cila tanimë i ka ditët e numëruara, pasi çelësat e saj i janë dorëzuar tashmë ndërtuesve.


Reportazh nga rrënojat

Portikut të oborrit i është vënë dryni. Në prag gjetëm një lypës që ngrohet në diell me gjithë rraqet e veta në qese plastmasi. Kur të shembet shtëpia ai do të gjejë një prag tjetër për t’u shullyer në diell, ndërsa aty do të ketë zgjatur hijen e vet pallati i ri. Pllakati që përkujton vetëm një pjesë të historisë së asaj shtëpie, atë komuniste, ndoshta do të zhvendoset në murin e pallatit. Muret e qerpiçit me siguri do të bien shumë shpejt dhe çatia gjithashtu. Nën to do të varroset edhe historia që na rrëfen Ivzi Mulleti dhe që nis para rreth 300 vjetësh. Bëhet fjalë për kohën kur u ndërtua kjo shtëpi, e cila ka gjasa të jetë një nga më të vjetrat e Tiranës.
Ivzi Mulleti thotë se shtëpinë e ka ndërtuar gjyshi i tij, Mahmut Mulleti. “Në këtë shtëpi ka jetuar babai im, Ali Mulleti dhe shumë nga ne të tjerët”, - tregon Ivziu. Në vitin 1914 sipas tij, shtëpia ka qenë konsullatë austriake dhe është dhënë vazhdimisht me qira deri në vitin 1944. Në 1924 ajo ka qenë Ministria e parë e Bujqësisë. Ka banuar aty patrioti Dervish Hima si edhe Et’hem Toto. Më vonë ka qenë bërthama e parë e shkollës femërore, mandej shkolla “Avni Rustemi”. Ka banuar aty vetë Bahri Omari dhe po aty është fshehur gjatë luftës Enver Hoxha. Pikërisht ky interval historik ia ka ndryshuar fatin shtëpisë dhe i ka blatuar atë pllakatën ku shënohet se në vitin 1943 shtëpia ka shërbyer si bazë ilegale për komunistët dhe si e tillë i ka mbijetuar shembjes gjatë regjimit komunist, kur nuk i ra plani. Plani i ka mbërritur tani ndërsa në 1944 aty banuan familjarët përkohësisht. Deri në vitin 1951 aty banoi (në katin e dytë) intelektuali Zyhdi Herri, i cili më vonë u pushkatua. “Pastaj historia është e njohur. Ne na nxorën nga shtëpia dhe na morën edhe bahçen e pasme ashtu si edhe 12 dyqanet”, - tregon Ivziu. I vetmi rikonstruksion i shtëpisë është ai i vitit 1987 kur Ivzi Mulleti tregon se u riparua vetëm çatia. “Tani çdo gjë ka marrë fund. Shtëpia do të shembet”, - përfundon pinjolli i familjes Mulleti.


Personazh
Shit Mulleti, pinjolli 74 -vjeçar i Mulletëve që jeton ende në Tiranë


Djali i Qazim Mulletit, dinosauri i tironsave të vjetër

Ata që e njohin komedinë “Prefekti” e dinë edhe se ajo është një karikaturë komuniste e Qazim Mulletit, i cili në të vërtetë nuk i ngjet aspak Qazos së filmit që bërtet: “pu pu pu, ku na jan mështjell i tuf budallejsh ne ktu qe do na haj kalera nanji dit prej ktyne”! Por i biri i Qazim Mulletit, Reshiti 74–vjeçar, thotë se “Qazimi nuk është as ashtu si e qisin kta t’sotmit”. “Ai ishte njeri i thjeshtë. Unë e mbaj mend se ai u largua kur unë isha 14 vjeç. Ishte serioz, i ditur. Nuk njihte nëntë gjuhë të huaja siç e nxjerrin ca historianë por kishte mbaruar shkollën “Zosimea” në Janinë dhe studimet e larta në Gallatasaraj në Stamboll ku qe dekoruar me medalje ari ndërsa dy vitet e fundit të studimeve i bëri në Vjenë”, - tregon Shit Mulleti siç e thërrasin të gjithë në mëhallën e vjetër, ku ai është rikthyer tanimë të jetojë. Shiti është 74 vjeç dhe tani ka marrë një apartament në pallatin që është ndërtuar në vend të shtëpisë së vjetër të Qazim Mulletit. Ai është nostalgjik për të shkuarën aq sa mund të jetë çdokush për fëmijërinë e vet, aq më tepër kur ajo ka qenë e shkëlqyer. Megjithatë 60 vjetët e tjera të Reshitit nuk rodhën si 14 të parat. Së bashku me nënën Hajrie Mulletin, ai është internuar në Kavajë e Tepelenë dhe vetëm pas ‘90 u kthye në Tiranë ku jetoi për një kohë të gjatë në shtëpinë e Tanush Mulletit. Përveç disa fotografive në sëndukun e tij nuk ka gjë tjetër nga reliket e familjes. Të gjitha ia kanë marrë. Madje edhe koleksionet e armëve të të atit, Qazim Mulletit si edhe koleksionet e filatelisë pas të cilave Shiti thotë se ishte i apasionuar i ati. Shitit, padyshim nuk i vjen keq thjesht për këtë. Por për të gjithë jetën e shkuar në internim së bashku me nënën e cila “shiti edhe byzylyqet e bizhuteritë e pakta që i kishin mbetur për të mbijetuar” dhe që vdiq në vitet ’80 në Savër. Ndërkaq Qazimi kishte vdekur shumë më përpara në moshën 62 -vjeçare në Itali ku jetoi si emigrant politik. Ai nuk u rimartua më atje, as e shoqja në Shqipëri dhe i biri Shiti nuk është martuar kurrë.


Rrënjët
Ilir Mulleti: “Ne, pinjollët e themeluesit të Tiranës”


Ilir Mulleti, 37 vjeç, një nga pinjollët e tjerë të Mulletëve tregon historinë e familjes, për të cilën është interesuar duke shfletuar histori dhe gërmuar në arkivë. Ai pretendon se së bashku me pinjollë të tjerë Mulleti është një ndër pasardhësit e themeluesit të Tiranës, Sulejman Pashë Bargjini (Mulleti). Ruan një pemë historike prej një degëzimi të së cilës dëshmojnë origjinën e tyre nga Sulejman Mulleti krahas familjes Tirana dhe Kërçiku. “Flitet për tre degë të dala nga familja Bargjini që janë Mulleti, Tirana dhe Kërçiku. Këto janë të dokumentuara, aq më tepër që ne kemi edhe një tapi të vitit 1918 dhe që na vërteton prona të cilat i kemi trashëguar pikërisht nga Sulejman Pasha”, - shprehet Ilir Mulleti, i apasionuar pas historisë së Tiranës dhe të familjeve të vjetra kryeqytetase, sidomos atyre të bejlerëve, ku bën pjesë edhe familja e tij.




Shekulli
15/10/2003





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 21-10-2003 nė 07:42 Edit Post Reply With Quote
TIRANA – SI E DUA

Ardian Vehbiu

Qytet apo kryeqytet?


E nesërmja e Tiranës varet e tëra nga marrëdhënia delikate midis dy formave të saj të qenies: qytet më vete e për vete dhe kryeqytet; qytet për banorët e vet dhe qytet qytetesh; sistem i mbyllur në emër të lëvrimit të kulturës dhe sistem i hapur në emër të rrezatimit të kësaj kulture.
Shteti shqiptar tanimë është vendosur në Tiranë prej kohësh: me institucionet, hierarkitë dhe funksionarët e vet të ardhur nga mbarë Shqipëria; por Tirana do të ekzistojë e këndellet në atë masë që do ta perceptojë vetveten si diçka më tepër se thjesht recipient i shtetit.
Edhe elitat kombëtare, me pushtet e pa pushtet, mbërrijnë në Tiranë prej periferisë së vendit njëlloj siç mbijnë në truallin e qytetit prej familjeve që u mbijetojnë ndryshimeve dhe përmbysjeve. Në këtë kuptim, Tirana është laboratori ku shqiptarësia prodhon e ndoshta riprodhon vetveten e çliruar nga shtrëngesat hapësinore.
Kjo kundërvënie herë miqësore e herë e përgjakshme midis elitave vendase dhe të ardhurave shpesh perceptohet si një kundërvënie mes qytetit dhe fshatit, por në të vërtetë është shprehje arketipale edhe konfliktesh të tjera: midis së sotmes dhe së kaluarës; lindjes dhe perëndimit; ortodoksisë dhe katolicizmit; ksenofobisë dhe kozmopolitizmit.
Tirana është si ai ekuilibristi që ecën me hap herë të sigurt e herë të dredhur në tehun e kësaj kundërtie, ndjekur me sy të ethshëm prej shqiptarëve kudo që gjenden. Vetëdija e këtij protagonizmi politik, social e kulturor do ta karakterizojë qytetin e së nesërmes dhe do t’ia përkufizojë dëshirat, mundimet dhe ëndrrat.


Privatja dhe publikja

Me shembjen e mendësisë totalitare një tjetër kufi i hollë por i domosdoshëm u përvijua tej për tej indit të qytetit: ai midis publikes dhe privates. E përfytyruar në krye si trashëgim nga diktatura, publikja u sulmua egërsisht madje edhe nga rojet e veta – qytetarët; madje sulmi ndaj hapësirës publike u kthye gati në një lloj revolucioni të stilizuar e të padëmshëm, në atë masë që publiken po e braktisnin të gjithë.
Kontrasti aq dramatik midis trotuarit të shqepur, të copëtuar e shpesh të gllabëruar nga njëra anë, dhe tregtores erëkëndshme plot neon të lëmuar përbri s’ishte veç një nga shprehjet e këtij kolapsi të publikes në një vend si kryeqyteti, që nëpërmjet publikes ekziston. Hapësirat me plehra, gropa e rrënoja përkundrejt apartamenteve private të stolisura si pemë të Vitit të Ri ishin një tjetër shprehje.
Tirana e viteve nëntëdhjetë ishte një Tiranë qytetarësh në pasurim e sipër; harlisjes demografike të periferive i përgjigjej fryrja e llogarive bankare, kuletave dhe inventareve të elitave; dhe momenti kur ai afaristi i sapokthyer nga kontratat milion-dollarëshe detyrohej të ndotte këpucët me baltë e lapërdhi teksa përshkonte distancën prej veturës te dera e vilës, mbetet momenti emblematik i Tiranës së re, varur pezull mes luksit dhe mjerimit.


Moderniteti

Ashtu si për krejt Shqipërinë, edhe për Tiranën çlirimi nga prangat totalitare u shpreh edhe si një rendje e papërmbajtshme drejt modernitetit; në këtë mënyrë, tiranasit do të mund ta realizonin atë dashuri për objektin teknologjik, por edhe pasionin infantil për çikërrimën, që e karakterizon aq dramatikisht një shoqëri teknikisht primitive.
Kjo bëri që kundërvënia midis infrastukturës publike më të rrëgjuar edhe se ajo e Bagdadit pas bombardimeve amerikane dhe mikrostrukturave private të sofistikuara të kthehet në një element kyç për përkufizimin e kryeqytetit shqiptar sot – në kuptimin që Tirana është aktualisht shumë më tepër qendër banimi sesa qytet dhe shteti duket sikur më shumë paraziton mbi të, sesa shkrihet në të organikisht.
Nga ana tjetër, shndërrimi i shtëpive në fortesa private; mbyllja strukturore e apartamenteve, vilave e ndoshta nesër blloqeve a parqeve të banesave; rritja marramendëse e numrit të veturave private dhe telefonave celularë; imponimi i një sistemi të komunikimit kulturor që mbështetet në televizionin si mjet kryesor, duke lënë krejt pas dore të gjitha veprimtaritë e mirëfillta publike kanë çuar e edhe më tej do të çojnë në një izolim të trishtuar të individit, ose në vdekjen e qytetit ashtu siç e njohim.
Tirana totalitare shumë lehtë do të mund të shndërrohej në një nga ato qytetet amerikane të mbizotëruara nga “strip malls”, ku njerëzit përdorin veturën edhe për të blerë shami hunde ose biletën e llotarisë për javën; pse diktatura e djeshme e idesë fare lehtë mund të zëvendësohet nga diktatura e nesërme e tregut; ajo që ende na mungon është, përkundrazi, një qytet ku njerëzit jo vetëm të banojnë, por edhe të gjejnë vetveten te njëri-tjetri; një qytet që të mos katandiset në hapësirën për t’u zhvendosur nga një fole private në një tjetër fole private, por të kthehet në një vendbanim të të gjitha dëshirave të qytetarëve të vet.
Për Tiranën, moderniteti duhet të jetë, kështu, edhe një kthim mbrapa i kujdesshëm.


Mundimi i së përditshmes

Gjuha që i flet kryeqyteti sot banorit të vet ose vizitorit të rastit është shpesh e thurur në mundim: plehrat, era e keqe, pluhuri dhe balta, gropat, ngrehinat e papërfunduara dhe ngrehinat e papërfundueshme, shndërrimi i pandërprerë i peizazhit urban, bllokimet e trafikut, ajri i ndotur, mungesa e shërbimeve publike elementare.
Vështirësitë shpesh ekonomike të qytetarit, të ndërlikuara edhe më nga shkëlqimi i pasurisë së të paktëve, e kanë shtyrë në plan të dytë estetikën si pjesë të përvojës urbane. Tek e fundit, e drejta për eufoni arkitekturore është një e drejtë elementare e qytetarit; dhe vetë Tirana nuk do të mund të funksionojë dot si kryeqytet pa e kuptuar se nuk mjaftojnë instrumentet për ta pasur një orkestër mirëtingëlluese.
Edhe një herë, përplasja e publikes me privaten rrezikon t’ia përcjellë traumën të nesërmes. Jo rrallë, pasurimi i shpejtë i privatëve nuk ka ecur krah për krah me stërhollimin e shijeve a me konceptimin e nevojës për harmonizim; që këtej estetika private shpesh ka çuar në shëmti publike të pashembullt. Harrohet se qyteti, e aq më tepër kryeqyteti, është një mesazh që detyrimisht ia lëmë të ardhmes; edhe kur duam, edhe e sidomos kur nuk duam.
Sot publikja në Tiranë mbetet e lodhur dhe ende e rënduar me konotacione; por bash në këtë sektor vihen re disa orvatje rigjallërimi që sa janë të rëndësishme në vetvete, aq edhe përfaqësojnë simbolikisht një vetëdijë më të avancuar të fytyrës së qytetit. Përmirësimi i ndriçimit, skenografia e ripërtëritur e qendrës, ndërfutja e ngjyrës në përvojën e përditshme të qytetit dhe rishfaqja e gjelbërimit në parqe e sidomos në anët e Lanës duan marrë edhe si rikthim i dinjitetit të jashtëm e formal për një kryeqytet; por edhe në një mënyrë të tillë që të perceptohet, nga vetë qytetarët, si një ftesë për t’u afruar e miqësuar sërish me hapësirën publike në qytetin e tyre.


Përmasat e treta

Një nga dilemat në thelb metafizike të çdo qyteti është edhe marrëdhënia që do të vendosë me lartësinë: do ta kundrojë së poshtmi me admirim e frikë; do ta shpërfillë për t’iu kushtuar horizontalitetit mondan; apo do të rreket ta pushtojë duke iu vërvitur me kulla e rrokaqiej?
Nuk ka një përgjigje a model të sprovuar për këtë dilemë. Si kryeqendër e një vendi aq të vogël e të rrudhur si Shqipëria, Tirana paradoksalisht ka parapëlqyer shtrirjen e pakufi në ultësirën e fushës, duke ia lënë qiellin mbi vete zogjve, sinjaleve televizive dhe në ndonjë rast të rrallë, monumenteve të së shkuarës si minaretë, këmbanaret e Kulla e Sahatit.
Tundimi i lartësisë megjithatë mbetet i gjallë, për arsye praktike por edhe simbolike; sado që në një vend rreptësisht malor si Shqipëria qytetet e ulëta do t’i harmonizoheshin më mirë pejzazhit. Për të njëjtën arsye, rrokaqiejt në Tiranë do të konotonin veç provincializëm dhe shije të keqe; duke u kthyer në mundime njëlloj bezdisëse sa edhe plehrat rrugëve, ndotjet akustike të institucioneve fetare, turma e veturave në trafik, ekzibicioni i luksit.
Nuk është lartësia e vetmja përmasë e tretë e cila e tundon Tiranën e nesërme. Vertikalizimi i jetës urbane ka të bëjë edhe me shtrenjtimin shpesh absurd të jetësës, surrogatot private të shërbimeve publike (të tilla si pompat e ujit, gjeneratorët, vendparkimet abuzive), industrinë e vesit.
Kjo e fundit u harlis në Tiranë përkrah vdekjes spektakolare të industrisë në periferi; mbylljes së dyerve të fabrikave dhe shndërrimit të lagjeve popullore në magazina të dëshpërimit urban. Lokalet dhe klubet e natës, bingot, masazhet, valltaret ekzotike, prostitucioni i të gjitha formave, e të tjera shfaqje të dekadencës nokturne të qytetit erdhën në ekzistencë edhe si ana tjetër e atij dëshpërimi.
Tirana – kurvë e Babilonit për kombin? Ndoshta, por në hierarkinë e vesit dhe të mëkatit, rrugët e kryeqytetit janë aq poshtë sa pothuajse nuk ia vlen të përmenden; sado klishe të jetë kjo, nuk mund të lihet pa thënë se në krahasim me çka ndodh në institucionet e shtetit, mjedisi urban në vetvete edhe sot e kësaj dite mbetet pothuajse i virgjër; në kuptimin që virtyti ka mbijetuar në rrugë më mirë sesa brenda ndërtesave të mermerta, por edhe në kuptimin që tiranasit kanë ende shumë arsye për të qenë krenarë për qytetin e tyre.
Nëse kjo nuk është një arsye për t’i besuar së nesërmes së qytetit, nuk di se ç’arsye të tjera do të mund të silleshin.


Tirana e vjetër

A ka ende vend për një përmasë historike në kryeqytet, pas gjithë shkatërrimeve dhe spastrimeve që i bëri totalitarizmi së kaluarës? Apo mos vallë mjerimi anonim i asaj çka mbetur ende nga Tirana tradicionale do ta çojë deri në fund atë që deri edhe komunizmi nuk arriti ta përfundonte: muzeifikimin e historisë në qytet?
Fatkeqësi do të ishte, megjithatë, sikur Tirana e nesërme të duhej ta rikrijonte të vjetrën duke ia rindërtuar genet në laborator, njëlloj siç bënë me ata dinosaurët e Parkut Jurasik, në filmin homonim. Eksperimente të frikshme, si ai me Muzeun e Krujës, vërtet duan shmangur, nëse kryeqyteti dëshiron të mbetet i banueshëm edhe nga të gjithë ata që me shtetin nuk duan të kenë shumë të bëjnë. Dje shteti mbronte me ligj monumente të tilla kulture si Shtëpia e Partisë; sot janë vetë mëhallat që duhen trajtuar si monumente, dhe fryma e bashkësisë që duhet mbajtur si shprehje e një kulture qytetare të domosdoshme.
Me fjalë të tjera, Tirana u duhet lënë për zhvillim tiranasve më shumë sesa elitave; të cilat vetvetiu do të priren ta konsiderojnë kryeqytetin më tepër si seli të shtetit. Rrugicat, shtëpitë prej qerpiçi, mejhanet e vogla, furrat pjekëse, punishtet e zanatçinjve, bahçet, të gjitha këto është bukur të ruhen, njëlloj si shëndeti i plakut të shtëpisë; por çka duhet doemos ruajtur është fryma e vjetër e qytetit, ose kënaqësia e të qenit bashkë dhe e pasurimit shpirtëror reciprok.


Kërcënimi i periferive

Më në fund, fatin e Tiranës së nesërme do ta përcaktojë lufta – që tanimë ka filluar – me periferitë. Sot për sot, harlisja e periferive i ka shpëtuar çdo lloj kontrolli; për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme të dyndjeve të popullsive të zonave të varfëruara malore, por edhe pse autoriteti publik shpesh është stepur para rrezikut të damkosjes si shprehje autoritarizmi.
Periferitë e Tiranës së sotme kanë nevojë për identitet; pse qyteti është rritur së tepërmi për t’i mjaftuar si pikë referimi një qendër e vetme, e sidomos një qendër aq e lodhur si sheshi “Skënderbej”. Ky identitet do të mbështetet e përthyhet në struktura të tilla që ta ndërmjetësojnë aq sa munden hiatusin midis privates dhe publikes: mëhalla, sheshi, kinemaja, kafeneja, parku... Kryeqyteti i Shqipërisë ose do të shndërrohet në një organizëm shumëqelizor, ose do të shtypet e thërmohet nën peshën e vet.
Sot për sot, në Tiranë ende bashkëjeton qyteti i rrëmujshëm oriental me qytetin e zhurmshëm perëndimor; dhe ende nuk është përvijuar mirë ajo ndarje konceptuale midis qytetit dhe periferive, sipas së cilës qyteti në qendër është vendi ku punohet, ndërsa periferitë vendi ku jetohet. Natyrisht kjo ndarje nuk është e domosdoshme, as e pashmangshme. Që edhe sot e kësaj dite është e mundur, në Tiranë, të gjendesh përballë një shtëpie njëkatëshe me verandë të mbuluar me pjergull e me bahçe me limona e portokalle vetëm katër-pesë minuta me këmbë larg qendrës, nuk do marrë kurrsesi për shenjë prapambetjeje a moszhvillimi.
E rëndësishme, në këtë mes, është që Tirana të mbetet e jetueshme, jo thjesht e përdorshme. Vlera e përdorimit të saj për kombin – si kryeqytet dhe seli e pushteteve – nuk duhet ta eklipsojë as ta zhvendosë vlerën e përdorimit për qytetarët e vet. Vetë elitat, të cilat kanë në duar Shqipërinë e nesërme, janë doemos të interesuara për të ekzistuar (e për t’u perceptuar si elita) në një mjedis të shëndetshëm e autonom, ku e vjetra dhe e reja, modernja dhe tradicionalja, publikja dhe privatja, individualja dhe socialja, bashkëjetojnë në një harmoni dinamike.
Prandaj edhe e nesërmja e Tiranës, për mua, duhet të jetë momenti kur të gjithë ta shohim këtë harmoni të përvijuar në rrugët, sheshet, momentet dhe përvojat e përditshme të këtij qyteti, që na ka krijuar njëlloj siç po e krijojmë ne sot.



Shekulli





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 18-11-2003 nė 12:46 Edit Post Reply With Quote
Ura e Tabakëve, kërthiza e re e Pazarit të zanatçinjve


Belina Budini

Projekti/ Ideja e re për rikthimin e zanatçinjve të Tiranës në qytetin e tyre. Nëpërmjet ngritjes së një kompleksi dyqanesh artizanale mbanë Urës së Tabakëve. Specialisti: Do të ngushtohet rruga vetëm për kalimtarët. Do të rikthehet kalldrëmi nën shtresat e asfaltit dhe do të vendosen dyqane në të dy anët e rrugës.


TIRANË – Punues pipash, piktorë gravurash, bakërxhinj, qeleshepunues... Ideja e rikthimit të zanatçinjve në kryeqytet, e rrahur dhe e shpallur disa herë, së fundmi është përfshirë në projektin e restaurimit të Urës së Tabakëve. Bëhet fjalë për një projekt të pasur me ide por të varfër me para. Edhe investimi për të mendohet të jetë i ngjashëm me atë të kohërave të vjetra, me bamirësi siç janë ndërtuar dikur pjesë të kullës së Sahatit, Xhamisë së Et’hem Beut dhe vetë Urës së Tabakëve e të Terzive. Me financim të donatorëve privatë. Në fakt idetë për rikthimin e Pazarit të Vjetër të Tiranës në një formë të re nuk kanë munguar. As nga ana e Institutit të Monumenteve, as nga ana e Bashkisë së Tiranës. Por deri më tani, asnjëra prej tyre nuk është realizuar. Projekti i fundit duket më afër realizimit, pasi etapa e parë e tij ka filluar. Një nga mbikëqyrësit e këtij projekti në Institutin e Monumenteve, specialisti Sulejman Dashi, tiranas i vjetër, na rrëfeu se si është menduar të rikthehet tradita e Tiranës dhe zanateve në këtë zonë të kryeqytetit, kërthizë e së cilës do të jetë Ura e Tabakëve.
Pazari i Vjetër i ri
Pazari i Vjetër, ashtu siç ka qenë, me gjithë ujërat e zeza që e përshkonin, fshatarët me brekushe dhe qeleshe që shisnin gjizë dhe bulmet, mejhanet e morinë e zanatçinjve, nuk mund të kthehet më. Por pjesë të tij si minipunishtet vetjake ku punoheshin qeleshet, ku rrihej bakri për të bërë gjyma e lambikë, ku qëndiseshin me anë të gjerdefit të linjta e veshje delikate grash deri tek jelekët e dimitët e mermerit, tradita këto në zhdukje e sipër në kryeqytet, mund të risillen në jetë. Pikërisht nëpër projektit të Pazarit të Vjetër të ri. I ri, sepse është ideuar ndryshe, aty ku nuk ka patur kurrë pazar. Por i lidhur me një monument të rëndësishëm të shekullit XVIII, me Urën e Tabakëve, e cila dikur, përpara se Lana të ndërronte drejtim, lidhte dy brigjet e këtij përroi. “Faza e parë është restuarimi i Urës që ka filluar tashmë qysh më 10 tetor. Mendohet që ky restaurim që përfshin një zonë të konsiderueshme përreth urës, të mund të çohet më tej dhe të krijohet një zonë e veçantë e traditës artizanale kryeqytetase me dyqane në stilin e vjetër deri tek Biblioteka e Vjetër siç i themi sot”, - shpjegon Sulejman Dashi. Duke na orientuar me maketin që gjendet në zyrën e tij, Dashi shpjegon se fillimisht do të pastrohet pjesa nën urë derisa të dalë shtrati ku dikur kalonte Lana. Është menduar që uji të rikthehet aty edhe me anën e një baseni të veçantë në anë të urës. Ndërsa njëra prej ndërtesave, “që nuk i bën aspak nder Urës” sipas specialistit, do të transformohet së jashtmi me anë të vendosjes aty të dyqaneve të vogla, ngjitur me fasadën e ndërtesës. Projekti ambicioz i rikthimit të dyqaneve artizanale nis pikërisht këtu, në përfundim të projektit të restaurimit të Urës. “Është menduar që ky segment rrugor të mbyllet për makinat. Nën shtresat e bulevardit gjendet kalldrëmi i rrugicës së dikurshme tipike të Tiranës, të cilën kemi menduar ta rizbulojmë. Rruga do të ngushtohet dhe në të dyja anët e saj do të ngrihen dyqane për formën dhe përmasat e të cilave nuk është vendosur ende, por të cilave nuk do t’u mungojnë harqet tipike të dyqaneve të vjetra dhe elementë të tjerë të traditës”, - shpjegon specialisti. Kompleksi historik i kësaj zone do të përfundojë tek ish-Sheshi i Tabakëve.
Dëshmi historike
Besim Tabaku, skulptor dhe tiranas i vjetër thotë se pikërisht në afërsi të Urës së Tabakëve ndodheshin edhe dyqanet ose Tabakhanet e të parëve të tij, që janë marrë kryesisht me bujqësi në tokat përreth, për të cilat kishin sajuar një sistem ujitës, por janë marrë edhe me përpunimin e tharjen e lëkurëve. Mëhalla e dikurshme e Tabakëve dilte sipas rrëfimeve të Besimit në urën e Tabakëve. “Lumi i Lanës atëherë nuk gjarpërohej në të njëjtin shtrat si sot. Ura e Tabakëve ka qenë goxha e thellë dhe nën të kalonte përroi i Lanës, që vinte afër mëhallës sonë. Edhe pjesëtarët e familjes sonë kanë kontribuar për ndërtimin e kësaj ure ashtu si edhe banorë të vjetër të zonës. Por meqënëse ajo njihej si mëhalla jonë, atëherë kështu besojmë se i ka mbetur emri edhe urës e nga ana tjetër edhe Rrapit të Tabakëve ashtu si edhe Xhamisë”, - tregon Besimi. Mbiemrin Tabaku i kësaj familje tiranase lidhet me Tabakhanet ku thaheshin dikur lëkurët dhe me sheshin që mbante këtë emër e që me sa duket u është ngjitur familjarëve që jetonin aty. Ura e Tabakëve ka shërbyer si e tillë për kalimin e brigjeve të Lanës deri në vitet ‘30.


Shekulli
18/11/2003

-----------------------------------------------------
Mbasi u prish Pazari i Vjeter i Tiranes nga Enveri per te mbire Pallatin e Kultures ne vend te tij, e pasi Edi Rama & Co. i dhane shkelmin Pazarit te ri, duke ndertuar pallate shumekateshe ne vend te markatos, mu ne zemer te tij, tani po duan te ndertojne te Ura e Tabakeve dyqane artizanesh.
Po pse duhen spostuar dyqanet e artizaneve ne nje pjese e cila mbytet nga smogu i makinave, kur fare mire mund te ruanin Pazarin e Ri pa e shkaterruar me ndertimet shumekateshe.
Kaq nevoje ka per te shpikur sesa per te ruajtur ato pak monumente te kultures se vjeter tiranase?





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 12-12-2003 nė 10:07 Edit Post Reply With Quote
TURDIU, familja qė po shkruan historinė e vet

Belina Budini


Personazh/

Zyhdi Turdiu, tiransi që ka grumbulluar statistikat më interesante të familjes, ka krijuar një arkivë të vërtetë me çertifikata, korrespondenca, fotografi dhe dëshmi nga më të moshuarit e familjes, me qëllim që të shkruajë historinë e familjes Turdiu. Përpjekjet për të krijuar një qendër biznesi me emblemën e familjes dhe për të ngritur bustin e personazhit më karizmatik të familjes, Tut Efendiut në zemër të Tiranës së vjetër


TURDIU është obsesioni i jetës së tij. Një foto e Tut Efendiut, 2-3 armë të punuara në bronx, ca sahanë e tava të Axhemistanit, një kuran i kushedisakurshëm me kapak lëkure, 90 hatme të trashëguara nga gjyshi... Suvenire të një kohe me të cilin nuk e lidh gjë tjetër përpos “rremat e gjakut” të pararendësve të vet. Objekte pas të cilëve është i obsesionuar si pas çdo thërrimeje të së shkuarës që lidhet me emrin Turdiu (dikur Durdiu). Pinjoll i kësaj familjeje të njohur tiranase, Zyhdi Turdiu, nuk është mjaftuar thjesht me hartimin e një peme gjenealogjike të fisit dhe ruajtjen e disa episodeve e legjendave të ardhura gojë më gojë. Financier me profesion, tashmë në moshën 67 -vjeçare, ai ka krijuar një arkivë të vërtetë familjare, ku nuk mungon asnjë emër; statistika të plota deri edhe në përllogaritjen e viteve universitare të kryera nga gjithë fisi Turdiu deri më sot; një fototekë të pasur ku fotografitë më të çmuara janë ato më të zverdhurat nga koha; një koleksion me çertifikatat e lindjeve familjare të para luftës; letërkëmbime nga më të vjetrat mes anëtarëve të familjes, një pjesë e të cilëve të arratisur jashtë vendit qysh në vitet ’40-’50; dëshmi të transkriptuara nga kujtimet e më të moshuarve të familjes... Këtë lëndë të pasur dokumentare është duke e mbledhur për një botim të rrallë në llojin e vet. Shkrimin e Historikut të Familjes Turdiu. Ideja e këtij libri lindi 5 vjet më parë kur Zyhdiu nisi t’i dërgonte letra dhe email-e fisit për ta furnizuar me informacione dhe dokumente. Shtresat e informacionit të grumbulluar përfshijnë familjen dhe farefisin (dëshmitarë të vjetër) si edhe komshinj, krushqitë e miqësitë. Prej të gjithëve Zyhdiu ka vjelur një informacion të hollësishëm që përmblidhet në dhjetëra dosje me çertifikata, diploma, fotografi, letra, etj. Autori i këtij libri ende të papërfunduar na rrëfeu historinë e pasur të familjes së tij, që do të shtjellohet në 250-300 faqe të Historikut të Familjes Turdiu. Jo me gjuhën e librit por të kujtimeve. Që nga legjenda e zbarkimit të Turdive të parë në Tiranë nga Axhemistani në 1670, tek personazhi i Tiranës së vjetër, Tut Efendiu (Mahmut Turdiu), historitë e arratisjeve të djemve të Tut Efendiut në Itali e Zagreb e deri tek brezi i nëntë i Turdive sot.


Legjenda e origjinës

Sipas kësaj “legjende”, e cila është transmetuar brez pas brezi, i pari i Turdive (në fillim Durdi) Haxhi Ibrahim Turdiu u shpërngul në vitin 1670 nga Irani në Tiranë me taborët e ushtrisë. Nuk vinin si ushtarakë nga Irani (që fillimisht quhej Axhemistan e më vonë Persia). Mbërritën si misionarë fetarë. Shtëpitë e para i ndërtuan aty ku sot ndodhet rruga “Qemal Stafa”. Lidhjet me Iranin u shkëputën. Durditë, mandej Turditë, u integruan në Tiranë dhe jetuan si tironsa. Të parët u morën fillimisht me artizanat dhe bujqësi. Tokat dhe pronat e tyre ndodheshin në vendin e quajtur Krojet e Shëngjinit dhe në afërsi të Saukut.

Tut Efendiu, personazhi autentik
Mustaqe, qeleshe, brekushe dhe vështrim e qëndrim shqiptari. Babaxhani i familjes Turdiu, personazhi më karizmatik dhe i dashur për trashëgimtarët, quhej Mustafa Turdiu por thirrej dhe njihej në gjithë Tiranë me shkurtimit Tut Efendi (Tut shkurtim i emrit të gjatë dhe Efendi sepse ishte klerik, i shkolluar në Stamboll dhe njëkohësisht pronar tokash). Ka qenë babai i 17 fëmijëve. Gruaja e tij, Nadire Turdiu, ishte bijë e avokatit të parë të Tiranës, Myslym Llagami. Tetë prej djemve të tij u dha universitet, dy prej të cilëvë studiuan në Francë e dy në Itali. Zyhdiu kujton se ai organizonte shërbesa fetare në shtëpi, se kishte kulturë fetare dhe ishte një studiues i Kuranit. Prej tij familja ruan 90 hadme si edhe kuranin, të cilin ai ka përdorur, me kapak të lëkurtë.



Breznitë e rrëmetshme

Nga 11 djemtë e Tut Efendiut që nuk ikën shpejt nga kjo jetë, 8 prej tyre ndoqën universitetin. Dy prej tyre u arratisën dhe jetuan njëri në Zagreb e tjetri në Nju Xhersi kur në Shqipëri u instalua regjimi komunist. Statistikat e Zyhdi Turdiut përfshijnë edhe një shifër të përllogaritur me përpikmëri: vitet universitare të kryera nga Turditë, që janë 172. Pikërisht këta e sollën “rrëmetin” dhe transformimin në familjen Turdiu. Njëri prej tyre, Ramazan Turdiu, bënte pjesë në strukturat e Ballit Kombëtar dhe shkoi të luftonte në Kosovë. Në nëntor të vitit 1944 ai u arratis së bashku me Mit’hat Frashërin për në Itali ku qëndroi për tre vjet, u martua me një grua italiane dhe pjesën tjetër të jetës e shkoi në Nju Xhersi në Amerikë. Ai ka mbaruar për mjekësi në Romë dhe vazhdon të jetojë në Amerikë, ndërsa vajza e tij, tepër energjike, këndon në dasmat familjare: “Jam goc Tirone”. Një tjetër i arratisur është Faik Turdiu. Edhe ai mjek. Ka studiuar në Torino dhe mandej në Zagreb ndërsa u arratis atëherë kur grupi i studentëve shqiptarë u detyrua t’i vijonte studimet në Sofje. Nuk e la më Zagrebin ku ndërtoi një jetë të denjë si mjek i çmuar nga të gjithë derisa vdiq. Një javë pas tij në Tiranë vdiq edhe i vëllai, Ali Turdiu (babai i personazhit tonë). Ai Turdiu ishte krahu i djathtë i Tut Efendiut si edhe Mustafa Turdiu që u morën të dy me menaxhim pronash. Këpucar në profesion, Aliu ishte kryeteknik i fabrikës së këpucëve në Tiranë. Usta Aliu njihej si personazh i ndershëm dhe babaxhan. Qazim Turdiu është një nga djemtë e tjerë të Tut Efendiut, babai i Silvës, vajzës që u fejua me djalin e Mehmet Shehut. Regjimi komunist nuk kaloi pa i prekur trashëgimtarët Turdiu. “Sa herë që shkruante ndonjë gjë xhaxhai, Ramazan Turdiu në Amerikë, (i Ballit Kombëtar) reperkursionet nuk vononin të zbrazeshin mbi ne, këtu brenda”, - tregon Zyhdiu i cili, është detyruar të largohet nga puna si llogaritar në Tiranë për në Pukë, ndërsa aktualisht punon financier në fondacionin “Fan Noli” dhe është kryetar i Komisionit të Disiplinës në PD.


Turdiu sot

Sipas personazhit tonë sot numërohen 50 pinjollë që mbajnë mbiemrin Turdiu. Në profesione nga më të ndryshmit dhe të degëzuar tashmë, ata janë rikthyer pjesërisht në tokat dhe pronat e tyre. Janë duke projektuar momentalisht ngritjen e një qendre të madhe biznesi pikërisht në tokën ku më parë ndodhej shtëpia e Tut Efendiut si edhe ngritjen e një busti këtij personazhi babaxhan të së shkuarës familjare. Nostalgjikë për të shkuarën e familjes, ata janë vënë të gjithë me atë çka posedojnë në ndihmë të Zyhdiut për të plotësuar tablonë historike Turdiu deri në detaje. Madje një pjesë prej tyre i shkruajnë vetë kujtimet, për t’i lënë më pas në duart e Zyhdiut, i cili ka të drejtën e përzgjedhjes për t’i përfshirë ato në historikun e familjes.




Shekulli





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 17-12-2003 nė 16:29 Edit Post Reply With Quote
Historitė e bujtinave mė tė rėndėsishme kryeqytetase

Hotelet "VIP" të polkës e mazurkës

Rezarta Delisula

TIRANE
Dikur ekzistonin në formën e bujtinave të vogla, ku udhëtarët, të cilëve u binte rruga për në Tiranë, ndalonin për të pushuar. Bujtinat apo hanet kishin edhe mjedise të veçanta për të lidhur kafshët me të cilat ata udhëtonin. Me shpalljen e Tiranës kryeqytet i vendit, në 1920, dhe vendosja e qeverisë në qytet u pasua nga një zhvillim i përgjithshëm. "Për t'iu përshtat nevojave të reja, periudha e re filloi me nji fazë të vështirë transformimi që u kalue me shumë dhimbje pse shumë ndërtesa të qytetit, shumë rruga, shumë sende të lidhuna ngushtë me kohën e shkueme, pësuan nën operacione të dhimbëshme për t'u ndryshue e diku edhe për tu çdukë fare", shënon në librin me titullin "Tirana" Osman Myderizi.


Koha e mbretërisë

Në fund të viteve '20, duke qenë se Tirana ishte qendra e vendit dhe ishte shumë e vizituar jo vetëm nga vendësit por edhe të huajt, nisi lulëzimi i hoteleve të para në kryeqytet. Ato u shtuan me shpejtësi, por në atë periudhë hotelet më kryesore ishin Hotel Kontinental, Hotel Internacional dhe hotel Tirana Palas. Hotel Internacional ekziston edhe sot, por në funksionet e lokalit dhe jo të bujtinës. Ai ndodhet pas selisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe godina nuk ka e ndryshuar shumë pamjen e dikurëshme. Hotel Tirana Palas u ndërtua në vitin 1929 në Rrugën Mbretërore, rruga që të çon sot drejt shkollës "Sami Frashëri". Hoteli ishte një ndërtesë dykatëshe, godinë që ekziston edhe sot dhe ruan pak a shumë të njëjtën arkitekturë. Po kështu Hotel Kontinental ndodhej në rrugën "Pjetër Bogdani", diku në rrugicat paralele që lidhin Rrugën e Kavajës me Rrugën e Durrësit. Edhe ky hotel ka qenë dykatësh, por nga sasia e dhomave kishte më shumë se Tirana Palas. Hoteli më i kompletuar në Tiranë në fund të viteve '20 ishte "Kontinentali" pasi poshtë kishte lokal, restorant dhe bar si dhe godina ishte e lartë trikatëshe duke pasur edhe më kapacitet në lidhje me shtretërit.


Hoteli i luksit

Hoteli i luksit, ai që kishte frekuentim nga njerëzit e njohur të politikës së kahershme dhe të të huajve, mbetet "Dajti", hotel që është ndërtuar në kohën e italianëve. Atëherë hotel "Dajti" ka qenë një nga më të mëdhenjtë dhe më luksozët në Ballkan, me një arkitekture të veçantë ku brenda tij nuk mungonin as restorante e sallat e vallëzimit. Ky hotel u kthye shpejt në rezidencën e elitës së Tiranës, deputetë, tregtarë të mëdhenj dhe bejlerë darkonin e stacionoheshin aty. Hoteli i Polkës dhe i Mazurkës. Kështu mund të quhej "Dajti" me kërcimet që mbanin gjallë qendrën e Tiranës. Fustane ballo, kostum me papion ishin veshjet që mbanin "bosët e athershëm". Kjo është pak a shumë tabloja e hotelerisë kryeqytetase.


Kur Skënderbeu pëlqente të drekonte në Tiranë

Prijësi i shqiptarëve Gjergj Kastriot Skënderbeu parapëlqente të shijonte drekën në Tiranë e pasi bënte shumë kilometra rrugë, pushimi i tij ishte i ditur dhe bëhej pikërisht në fushat e gjelbërta të rrethuara nga kodrat e buta. Ky element historik është shkruar nga dora e të njohurit Marlin Barleti në librin e tij mbi heroin kombëtar. Në fakt e vendosur në zemër të Shqipërisë si rrugë që lidhte Veriun me Jugun e Verilindjen e vendit, bujtësit në Tiranë kanë qenë të shumtë.


Gazeta shqiptare, 15.12.03

Eni_P ka atashuar kėtė imazh:






“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 17-12-2003 nė 16:37 Edit Post Reply With Quote
Tirana ne nje guide

Nga xhamitë e odat e zjarrit, tek shtëpitë elitare, ngrehinat otomane, italiane, ruse. Arkitektura në komunizëm, fashizëm deri tek urbanistika e kaosit



Belina Budini


Pas guidës blu të Shqipërisë edhe një guidë-studim posaçërisht për Tiranën. Botuar në anglisht, një nga hartuesit e saj na thotë se, pas kërkesave që ka patur, ky libër do të shfaqet shqip në internet. I hedhur tanimë në tregun e huaj, ky botim pretendon lexuesin e atjeshëm. Ta ftojë në Tiranë, t’ia përshkruajë metropolin shqiptar ashtu siç është, sidomos nga pikëpamja arkitekturore. Edhe Tiranën e bojatisur me të verdhë e të kuqe. Me foto dhe fjalë, që nga koha kur rrugëve të saj shkonin pleq me brekushe e gomarë përdore, kur vërshonin në bulevard manifetuesit për paradat e 1 Majit, kur me një bidon të ndryshkur qytetarët mbanin radhën për vajguri, kur amvisat gatuanin në banjë, kur mbinë ngado kioskat e deri sot. “Tirana, sfida e zhvillimit urban” është titulli i këtij libri që më shumë se sa një guidë udhëtimi është një guidë e historisë së arkitekturës dhe zhvillimit urban të qytetit të Tiranës. Metropoli shqiptar merret si shembull i një qyteti në tranzicion të vazhdueshëm arkitektonik dhe historik, si simbol i një kulture urbane midis detit dhe malit, duke ruajtur kulturën ilire, romake, bizantine në një atmosferë orientale. “Duke nisur nga viti 1920 Tirana është bërë subjekt i shumë studimeve të fokusuara në anën e saj arkitekturore dhe zhvillimin urban, që është shënjuar nga elementët evropianë, tipike mesdhetare, ballkanike por edhe të fashizmit dhe komunizmit e padyshim edhe nga kaosi anarshik i kohëve të fundit”, - shprehen arkitektët Besnik Aliaj dhe Keida Lulo, të cilët janë hartues të këtij botimi së bashku me Genc Myftiun. “Co-Plan” dhe “SEDA” janë financuesit. I ndarë në dy pjesë, libri trajton në pjesën e tij të dytë edhe historinë e qytetit të Tiranës, për kulturën tradicionale, për jetën kulturore të kryeqytetit si qendër e Arteve të Bukura, për turizmin etj. Kështu historia e qytetit të Tiranës është shkruar nga Kristo Frashëri, për jetën kulturore është shkruar nga Josif Papagjoni, për artet nga Ferid Hudhri dhe për kulturën tradicionale nga Andromaqi Gjergji. Libri kushton 20 euro.


Ngrehinat tiranase

Ndërtesat e para të Tiranës që nga koha kur u themelua si qytet, pazaret dhe rrugët e saj, sahati dhe xhamitë me planimetritë dhe kronologjinë e ndërtimit, të traditës dhe të pushtuesve: janë shtjelluar në libër. Një guidë e plotë e ndërtesave historike të Tiranës. Pa lënë mënjanë edhe shtëpinë tipike tiranase, atë që ende mbijeton tek-tuk në kryeqytet si në rastin e shtëpisë së Sali Shijakut: Shtëpia me dhomë zjarri, e cila përfshin edhe një tip-ballkoni me dru, ku dikur kanë pas ndenjur femrat veçmas burrave, për t’u falur ose për të biseduar si në disa xhami. Por karakteristikë e këtyre dhomave është se zakonisht janë odat më të mëdha të shtëpisë, ku mblidhen njerëzia për të ngrënë e për të ndenjur. Studimi përshkruan edhe ndërtesat tradicionale por edhe ato të ndërtuara gjatë periudhës 1920-1938 si shtëpia e Petrelasve, e ambasadës turke, italiane, shtëpia e Omer Fortuzit, shtëpia e Abedin Libohovës, ajo e princeshës Sanie, ngrehina e Bankës Kombëtare, etj. Nuk lihen pa përmendur as Universiteti i Tiranës e ndërtesa të tjera të kohës së Italisë. Edhe ndërtime më të shëmtuara nga pikëpamja urbanistike e arkitekturore që janë ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, kioskat nuk lihen jashtë këtij studimi. Karakteristikë e periudhës nga 1991 deri në 2003, kioskat janë objekt studimi i kryeqytetit në tranzicionin që ende vazhdon. Nuk mbetet pa u trajtuar edhe problemi i shtëpive pa leje të ndërtuara në rrethinat e Tiranës, kryesisht në Bathore si edhe kasollet që ndonjëherë i gjen edhe në mes të kryeqytetit. Fill pas këtyre përshkrimeve, studimi vijon me ndërtesa të tjera të kohëve të fundit, që sipas arkitektëve që kanë hartuar librin po i japin një fytyrë tjetër Tiranës.


Tradita e Tiranës

Tapete të fshatit Shëngjergj në Tiranë, pamje nga pazari i vjetër, pipa tipike nga ato që mbanin dikur duhanpirësit shqiptarë dhe që sot shiten në dyqane te suvenirëve duke përodrur teknikë artizanale si dikur, çanta prej leshi të traditës tiranase, shamitë, xhybe grash, brekushe burrash, jelekë nga zona e Shmrisë dhe prapanikë grash janë disa nga fotot që ilustrojnë përmbledhjen e etnologes, Andromaqi Gjergji për kulturën tradicionale të Tiranës. Nga ana tjetër studiuesi Josif Papagjoni ka ndjekur një kronologji të jetës artistike kryeqytetase në vite duke u përqendruar më shumë në të tashmen. Tirana e arteve të bukura është sjellë sipas një studimi përmbledhës të Ferid Hudhrit: që nga ekspozita e parë e artit e vitit 1931 dëshmuar në një katalog të “Shoqnisë së Miqve t’Artit”, nga busti i parë i Skënderbeut, i artistit tiranas Murat Toptani, nga Tirana e pikturuar prej Vangjush Mios në vitin 1942, tek pikturat moderne të ekspozuara në Galerinë Kombëtare të Arteve, këto janë disa nga fotot që shoqërojnë përmbledhjen studimore të kësaj pjese të librit.


Turizmi i Tiranës

Në fakt, udhëtarët e huaj në Shqipëri, (Eduard Lear, Edith Durham, Bajroni, Leon Rey...) kanë qenë përcjellës të informacioneve për krahinat shqiptare në botën e huaj. Madje edhe guida më e fundit për Shqipërinë është e një udhëtari të sotëm (të huaj) të Shqipërisë, e James Pettifer. Një album kartolinash të vjetra të Tiranës deri në vitin 1944, një botim me fotografi, “Çelësi i Tiranës”, një botim informativ historik për qytetin e Tiranës si edhe një Guidë Zyrtare e vitit 2000 janë gjithë ç’është botuar enkas për të treguar Tiranën. Të tëra (kryesisht) në shqip, këto janë disa nga udhërrëfyesit për të huajt që duan ta njohin sadopak Shqipërinë dhe kryeqytetin e saj.


Kujtesë

Në 1930 është botuar guida e parë e Shqipërisë me autor Léon Rey. Kjo guidë, hartuar në gjuhën frënge, kushtonte 26 franga dhe ishte e shoqëruar me një hartë të rrugëve dhe planeve për qytetet e Shkodrës, Tiranës dhe Korçës. Ishte megjithatë zyra e turizmit në Shqipëri që kishte të drejtën e autorit për këtë botim.


Tirana kohë pas kohe

Nëse Tiranën do ta ndanim në zona, do të kishim Tiranën prej qerpiçi, Tiranën e borgjezëve të viteve ‘900, Tiranën otomane, Tiranën italiane, Tiranën sovjetike, ndërsa nuk ruhen gjurmë të Tiranës kineze. Pjesa që mbetet është Tiranë e viteve ‘70-80, ose Tirana e degradimit kulturor. Mandej zë fill Tirana e pas ’90, ose Tirana e katrahurës ndërtimore e arkitektonike. Pjesa e parë, është zona në lagjen rreth e rrotull “Shkollës së Kuqe”, aty ku gjenden shumë shtëpi prej qerpiçi të traditës tironse. Ato janë ndërtuar në fund të viteve ‘800, fillimi i viteve ‘900. Tjetër zonë është ajo e Pazarit të ri, ku bëhet fjalë për një arkitekturë lindore, otomane. Në ngrehinat e asaj kohe ka edhe karakteristika mesdhetare. Ndërtime të këtij lloje në atë kohë bëheshin edhe në vende të tjera ballkanike e mesdhetare. Në vitet ‘900 mbinë edhe ndërtime të veçuara në kryeqytet, të stilit Neo-Liberti siç është për shembull shtëpia e Petrelajve. Kështu janë edhe një seri shtëpish të borgjezisë së periudhës së Italisë, në stilin Neo-Klasik. Tek sheshi “Avni Rustemi” gjendet një vilë e restauruar në këtë stil. Kompleksi i sahatit dhe i xhamisë i përket viteve ‘800. Aksi i Bulevardit është një ndërtim i periudhës së Italisë. Ndërsa godinat e socializmit sipas Eftimit flasin për një banalizim të stilit internacional. Flitet për ndërtesa me kontribut vullnetar ku binte në sy tendenca për të kursyer sidomos në dekoracion. Ai reflekton nivelin më të ulët të urbanistikës së kohës. Objektet arkitekturore sovjetike më të spikatura janë godina e Ish-Komitetit-Qendror, Fakulteti i Histori-Filologjisë, objektet e banimit në bllokun e Shallvareve, tek Pallatet “Agimi”, që janë të periudhës së parë sovjetike, të ndërtuara me kolona masive e kapitale. Godina e Kinostudios është një nga përfaqësuesit e stilit rus të ndërtimit e të konceptimit ashtu si edhe hyrja e ish -kombinatitn “Stalin”.




shekulli

Eni_P ka atashuar kėtė imazh:






“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 26-1-2004 nė 10:22 Edit Post Reply With Quote
Tė hiqet monumenti i Sulejman Pashės

Për Sulejman Pashën ka një keqkuptim të qëllimtë: atë e quajnë themelues të Tiranës, kur ky fakt nuk është i vërtetë. Tirana nuk u themelua në shek.XVII




Maks Velo

Në fakt, ai nuk mund të quhet monument, dhe unë titullin, nuk dija si ta emërtoja.
Nuk dija dhe po hezitoja ta quaj, “…një farë shtylle bronxi me fytyrë njeriu”, apo “…një kolonë që ndalon keqas qarkullimin e makinave”, apo “…një belurçinë e ngritur nga mendjet e nxehta anadollake të disa ish-udhëheqësve bashkiakë”.
Monument quhet një vepër e rëndësishme arti (skulpturë, mozaik apo kompozitë arkitektonike) e cila nderon një ngjarje historike apo figurë të shquar, e cila vlerësohet dhe respektohet, njihet nga të gjthë, dhe e cila bëhet një moment i rëndësishëm në kompozimin urban dhe një vepër e dashur për qytetarët.
Për mua ky “monument” nuk është vepër arti, aq më pak e rëndësishme.
Nuk nderon por e poshtëron shkollën tonë të skulpturës, e cila ka vepra si “Luftëtari Kombëtar” i Paskalit. Nuk po flas për autorin dhe ata që e aprovuan se atyre me doemos u ka pëlqyer, përderisa harxhuan tërë ato para të qytetarëve të kryeqytetit.
Ky “monument” nuk e nderon, por e poshtëron Sulejman Pashë Bargjinin.
Ky “monument” nuk respektohet dhe nuk vlerësohet nga qytetarët, asnjë njeri nuk mund t’i afrohet, nuk kam parë njeri që ta fotografojë, dhe aq më tepër asnjë nga kalimtarët nuk e njeh, asnjë nuk i hedh sytë, përveç shoferëve të shkretë të cilëve u del pa pritur dhe i pengon keqas. Monumenti shëmton tërë atë hapësirë dhe pengon rëndë qarkullimin rrugor dhe është bërë shkak për disa incidente rrugore.
Pyetja e parë që të vjen në mënd është se si mund të ngrihej ky monument dhe përse u ngrit në fshehtësi si një komplot kundër qytetit.
Ky u ngrit në fund të vitit 2000, në fund të qeverisjes vendore të kryebashkiakut Brojka, por përgjegjësit e vërtetë janë dy personazhe të tjerë, ish- nënkryetari Buron Kaceli dhe shefi i Kulturës Shaqir Rexhvelaj.
Më duhet të them se pati një valë osmanofile me emërtime rrugësh dhe sheshesh si dhe ngritje monumentesh, (në këtë kohë është ngritur edhe monumenti i Hoxhë Dalliut para medresesë, një vepër tjetër shumë e dobët e të njëjtit autor).
Sa për Sulejman Pashën ka një keqkuptim të qëllimtë: atë e quajnë themelues të Tiranës, kur ky fakt nuk është i vërtetë. Tirana nuk u themelua në shek.XVII, por njëmbëdhjetë shekuj më parë në shek.VI dhe për këtë dëshmon njësia e rëndësishme urbane me kishë, banjo dhe banesa, në përroin e Shëngjinit. Atëhere për ta injoruar këtë, gjetën shprehjen “Qytet urban” që nuk ka asnjë kuptim. Themelimi i një qyteti janë njësitë e para urbane, dhe ato janë të shek.VI.
Kjo është si të festosh përvjetorin e një njeriu duke filluar nga mosha njëzet vjeç. Këtë nuk e ka bërë njeri, po ja që e bëjnë turkoshakët tanë, haxhiqamilët e rinj. Sigurisht kjo ishte nën influencën e një politike të përgjithshme proislamike që u stimulua në periudhën 1992-1997, dhe që nuk është rasti ta analizojmë.
Të gjithë, aq më tepër shtetarët, mundohen ta shtyjnë sa më thellë në histori themelimin e një qyteze që më vonë zhvillohet në një qytet apo sikurse është rasti i Tiranës në kryeqytet. Për këtë vlejnë edhe një copë terrakotë apo një majë heshte. Por ja që ish- bashkiakërve tanë nuk u mjaftokërka edhe një kishë e tërë me dysheme me mozaik, dhe kjo për arsyen e vetme se është kishë.
Dhe këta janë kundër, paçka se Evropa ku duam të shkojmë është e krishterë.
Këta dhe ca të tjerë si këta, historianë, duan patjetër që themelimin e Tiranës t’ia atribuojnë pushtimit osman, prandaj edhe i ngritën monumentin Sul Mulletit.
Dhe unë meqënëse e shoh nga dhjetë herë në ditë i bëra një poezi:
Tebdil hava
zabit zullum
turk me imam
derdimen Pasha
poture dollma
goxha jatagan
kobure ferman
tëpkë surrat
Burhan azgan
dalldi hesap
dembel rehat
vatan gjynah.
Të përpiqesh të ringjallësh epokën osmane, më të errëtën, më të llahtarshmen, nga e cila ky vend e ky popull doli më keq se nga komuniteti primitiv, mund ta bësh vetëm po të jesh tërësisht nën influencën e opiumit oriental. Se çfarë hoqi Shqipëria gjatë pesë shekujve është e tmerrshme vetëm ta kujtosh. Po shkruaj vetëm një fakt.
Për pesëqind vjet u ndërtuan 200 km. rrugë, kurse për tre vjet nga 1916-1918 Ushtria Austro-Hungareze ndërtoi 650 km. rrugë.
Jemi populli më i vonuar në Europë, më i varfri, më i çorganizuari, më i korruptuari, më i prapambeturi, që e kemi kaq të vështirë ta rimarrim veten. Edhe komunizmi tek ne ish i tillë, më i tmerrshmi në Europë se ish me veshje turkoshake.
Kujtoni poezinë popullore :
Mbeçë, more shokë, mbeçë
Përtej Urës së Qabesë.
…………………………..
Nuk ka poezi-esse historike si kjo, kënduar nga një popull i tërë për gjëmën që e zuri në letërsinë popullore ballkanase dhe botërore. Dhimbja kur lexoj këtë poezi më ngulet si një shtizë tejpërtej.
Nuk është një nizam shqiptar që u vra me tre plumba në kraharor, dhe sorrat e korbat e hanë në shkretëtirë, po është historia e Shqipërisë që u gozhdua në avullnajën e hapësirave osmane, dhe ky popull i vjetër e i krishterë u nda nga Europa.
Mbetëm atje tek Ura e Qabesë, prandaj nuk na pranojnë kaq lehtësisht në Europë.
Dhe këta turçelinj - turq me imam - vazhdojnë me ngulm të na thonë, se nuk jemi europianë.
Këto dy monumente, çuditërisht janë dy monumentet e parë osmanikë ngritur tek ne.
As në kohën e mbretërisë as në kohën e komunizmit nuk pati një tentativë të tillë.
Prandaj i urrej dhe i dënoj këta Haxhi Qamilë modernë të kamufluar, që na ngrenë këto munumente sikur Tirana të ish Bagdad.
Edhe Enver Hoxha, megjithëse u angazhua personalisht për të lavdëruar figurën e banditit Haxhi Qamili (kanë të përbashkët një H-xh gërryërse), nuk guxoi të urdhëronte ngritjen e një monumenti të tij në Tiranë.
Kjo është e para shpatë osmane e derdhur në bronx, deri më sot. Asnjë nuk kish guxuar të ngrinte monumentin e një anadollaku. Dhe dredhia orientale është perfekt, “…ngritëm atë të themeluesit të Tiranës”, të thonë. Po atje përballë kemi një Pashë. Dhe me këtë duan të na identifikojnë. Dhe e kanë vendosur në aks të ekuestrit të Skënderbeut.
Vëndi i zgjedhur është më i keqi i mundshmi: në mes të kryqëzimit të dy arterieve të ngarkuara tej mase me lëvizje makinash në çdo kohë. I gjithë blloku bazament-skulpturë pengon seriozisht pamjen dhe ngatërron drejtuesit e makinave.
Kjo bën që asnjë këmbësor të mos mund t’i afrohet dot, kur dihet se rregulli i parë i monumenteve është që të jetë në një vënd të qetë ku njerëzit të mund ta admirojnë.
Por me sa duket, edhe ata që e vendosën e kanë ditur që nuk kishe çfarë t’i admirosh.
Bazamenti është shumë i shëmtuar, pa proporcion dhe tepër ordiner.
Nga ana artistike, monumenti është shumë i dobët, nuk kam parë skulpturë më të dobët, përveçse ndonjë vepër diletanteske derdhur në beton nëpër rrethe.
Por në Tiranë nuk ka asnjë monument kaq të dobët.
Vepra është e pakonstruktuar, pa ritëm, pa lëvizje, pa mendim, pa ajër, pa ekuilibër, pa dinamikë. Është e ngjeshur dhe e rënduar së poshtmi. Nga mbrapa nuk ke ç’sheh.
Më duket si një shuk-shukosje me topa hallvë.
Që të jem i saktë ka një arritje të pashpjeguar. Portreti i ngjan ish- nënkryetarit të Bashkisë që e porositi, Buron Kacelit. Ka një ngjashmëri aq të madhe sa nuk mund të jetë e rastësishme. Veri Buronit një qeleshe dhe një palë mustaqe, dhe ke Sulën e Mulletit.
Me sa duket, autori Maks Shurdhi atë ka pasur në mendje tërë kohës, (si porositës sigurisht).
Ky monument është një turp artistik dhe qytetar. Duhet të hiqet dhe le të bëhet shëmbull për raste të tjera, që autorë me aftësi të kufizuara artistike të mos marrin guxim të zaptojnë territoret e qyteteve tona që meritojnë skulptura më me vlera. Se përndryshe diletantizmi artistik do na mbushë jo vetëm ekspozitat po edhe sheshet dhe parqet.
Monumentet qytetare janë investime të rëndësishme shoqërore dhe duhet të kontrollohen me kujdes.
I propozoj Këshillit Bashkiak që të marrë vendimin për ta hequr, për ta zhvendosur dhe për ta vënë në një vend tjetër, tek Ura e Tabakëve apo në parkun e Namazgjasë.

Somario
Ky “monument” nuk e nderon, por e poshtëron Sulejman Pashë Bargjinin.
Ky “monument” nuk respektohet dhe nuk vlerësohet nga qytetarët, asnjë njeri nuk mund t’i afrohet, nuk kam parë njeri që ta fotografojë, dhe aq më tepër asnjë nga kalimtarët nuk e njeh, asnjë nuk i hedh sytë, përveç shoferëve të shkretë të cilëve u del pa pritur dhe i pengon keqas

Ky monument është një turp artistik dhe qytetar. Duhet të hiqet dhe le të bëhet shëmbull për raste të tjera, që autorë me aftësi të kufizuara artistike të mos marin guxim të zaptojnë territoret e qyteteve tona që meritojnë skulptura më me vlera. Se përndryshe diletantizmi artistik do na mbushë jo vetëm ekspozitat po edhe sheshet dhe parqet.




26/01/2004
shekulli





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 12-2-2004 nė 10:10 Edit Post Reply With Quote
Tirana 84 vjet kryeqytet

Tirana, Elbasani, Vlora, Durrësi apo Kruja? Cili do të ishte kryeqyteti i vendit? Figura të njohura, madje edhe populli, përpilonin peticione me arsyet përkatëse që qytetet e tyre duhej të zgjidheshin si epiqendër e vendit. Tirana dhe Elbasani ishin dy kundërshtaret më të forta. Në një broshurë të atyre kohëve populli i Elbasanit shkruante: 10 arsyet e Elbasanit për t'u bamun kryeqytet, dhe e para ishte: Asht në kërthizën e Shqipnis… Por Kongresi i Lushnjes vendosi: Tirana të shpallet kryeqytet i përkohshëm i vendit. Edhe pas këtij vendimi diskutimet në shtypin e kohës dhe në Parlament nuk reshtën. Vendosja e qeverisë në epiqendrën e vendit, i dha akoma më fuqi kësaj hapësire të begatë me një klimë të shëndoshë dhe një pozicion gjeografik të lakmueshëm, ku dalja në det ishte vetëm 40 kilometra larg. Më 31 dhjetor 1925 Tirana u rikonfirmua si kryeqytet i përhershëm.
Dje mbushen plot 84 vjet të Tiranës kryeqytet. Për të festuar "ditëlindjen", Bashkia e Tiranës ka përzgjedhur nxënësit e shkollave të mesme për të përkujtuar me ta evenimentin më të rëndësishëm historik. "Është viti i parë që ne kemi përzgjedhur grupet e të rinjve nga maturat e kryeqytetit, për të përkujtuar dhe për t'u shpjeguar atyre historikun e qytetit. Jo vetëm kaq, por ne e kemi parë si të domosdoshme punën me të rinjtë, sepse një përqindje shumë e madhe e tyre nuk kanë asnjë njohuri për historikun e qytetit". Kështu është shprehur për Gazetën, Valter Gjoni, shefi i Sektorit të Traditës në Bashkinë e Tiranës. Muzeu Historik do të jetë qendra që do të ekspozojë historinë e Tiranës në 84 vitet e jetës së saj si kryeqendra e shtetit shqiptar.
"Ringjallja e një simboli" kështu e kanë titulluar filmin dokumentar për lumin e Lanës. "Lanë ç'ka qenë, ç'është dhe çdo të bëhet, e gjitha do të jepet për 25 minuta në sallën e muzeut. Filmi dokumentar i është kushtuar tërësisht lumit të qytetit. Aty Lana do të flasë vetë për jetën e saj", sqaron Gjoni.
Të gjithë krerët e Bashkisë së Tiranës, që nga viti 1912 e deri më sot, do të bëhen publikë përmes një ekspozite retrospektive në një nga sallat e Muzeut Kombëtar, ndërsa Ansambli Tirana do të shoqërojë festën.


Shatërvani te Parlamenti, simboli i Tiranës kryeqytet

Ai lindi bashkë me Tiranën kryeqytet dhe për fat të mirë vazhdon të mbahet ende në këmbë, edhe pse valët e tranzicionit kanë dashur ta gllabëronin. Shatërvani ngjyrë bojëqielli është ndërtuar në Lulishten Popullore, apo sot Lulishten e Parlamentit, rreth 83 vjet më parë dhe tani për tani është ndër simbolet e vetme të bashkëjetesës me epiqendrën e vendit. Ai u ndërtua pikërisht aty në qendër të Tiranës, aty ku u vendos më pas oborri mbretëror, dhe aty ku njëra pas tjetrës rreshtoheshin godinat më të rëndësishme. Në vitet '90 sulmi i teneqeve dhe betoneve nuk la pa përfshirë edhe Lulishten para Parlamentit. Kundravajtësit, ata që zaptuan lulishten për të ngritur locale, për fat qëlluan humanë. Shatërvanin më të vjetër të Tiranës e përfshinë brenda lokalit të tyre, duke e mbrojtur në një farë mënyre. Në vitin 2000 u rikthye shpresa. Kioskat e godinat e larta të betonit duhej të largoheshin për t'i lënë vendin gjelbërimit. Pas 10 vjetësh shatërvani bojëqielli doli në pah dhe bashkë me të edhe simboli i vjetër i Tiranës kryeqytet.

GSH





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 23-2-2004 nė 09:58 Edit Post Reply With Quote
Një projekt i fortë në dy gjuhë


Edi Rama

…Pikërisht falë bashkëpunimit e dialogut të parreshtur, ajo çka do të shihni sot nuk është as një pamje utopike që mund të zgjojë ëndrra të bëra realitet në Berlin apo Shangai por të parealizueshme në realitetin tonë ku, jo vetëm mundësitë e kufizuara të tranzicionit tonë problematik, por edhe mësimet e historisë e, bashkë me to, karakteristikat fizike të Tiranës të mishëruara në një mozaik stilesh, na diktojnë ecjen e kujdesshme në kërkim të origjinalitetit. Paraqitja e sotme nuk është pra as një rendje drejt zgjidhjeve të thjeshtëzuara e të shpejta, të cilat burojnë prej epërsisë së frikshme që, për njëmijë e një arsye, ka aktualisht e do të ketë edhe për një kohë jo të shkurtër sektori privat mbi sektorin publik në Shqipëri - zgjidhje për të cilat brezat e ardhshëm do të na kryqëzonin pa mëshirë të gjithëve ne këtu me vështrimet e tyre kritike. Ashtu sikundër, pikërisht falë bashkëpunimit e dialogut të parreshtur, kjo paraqitje nuk është e shkëputur nga nevoja ulëritëse e kohës shqiptare në përgjithësi, po edhe e kryeqytetit tonë në veçanti, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm si pasojë e trajtimit të interesave private jo si interesa që duhen nëpërkëmbur apo mbivlerësuar, por si interesa që duhen orientuar e kthyer në burime zhvillimi të harmonizuara me interesat publikë.
Në këtë kantier është folur qysh prej fillimit në dy gjuhë. Jo në frëngjisht dhe shqip, po në globalisht dhe në lokalisht nëse mund të shprehem kështu për të shpjeguar se forca e këtij projekti qëndron tek vizioni sintetik i një Tirane të re për një shekull të ri, të cilin mjeshtrat francezë po e plazmojnë me durim përmes fuzionit të arritjeve e potencialeve të mendimit urbanistik bashkëkohor me të dhënat historike, ekonomike, sociale e kulturore të terrenit tonë.
Ky projekt është i fortë sepse ngrihet mbi themelet e vëna në mesin e gjysmës së parë të shekullit të shkuar nga Armando Brazini, projektin e të cilit në fakt e ristarton duke u nisur nga lajtmotivi i Aksit të Pafundësisë, siç e quajnë historianët e urbanistikës aksin e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Dhe kjo bëhet afërmendsh jo për të mbjellë në Tiranën e thashethemeve e të ligësisë provinciale rrokaqiej interesash abuzive, po për t’i dhënë aksit identitar të Tiranës Europiane të Brazinit qoftë një jehonë bashkëkohësie nëpërmjet rrokaqiejve dhe qoftë një shtysë të re për nga matanë Stacionit të Trenit, ku në mes të këtyre dy vijave të reja qiellore do të lindë Parku i Ri Kombëtar. Mespërmes të cilit do vejevijnë drejt Durrësit e më vonë drejt Europës trenat e shpejtë.
Ky projekt është i fortë sepse, mu si në një sixhade shumëngjyrëshe figurash të larmishme, në të gërshetohen e mbivendosen historitë, gjurmët, shenjat, objektet dhe hapësirat e trashëguara sporadikisht përgjatë terrenit që përfshin kantieri ynë me gjurmë e shenja të shtruara rishtaz nga mjeshtrat francezë si pjesë e ëndrrës së të nesërmes, me objekte që po lindin prej dialogut të parreshtur në zbrazëtira të vrazhda urbane si sheshi i sotëm “Skënderbej” apo me hapësira të gjelbëra që po zbulohen para syve tanë matanë gardhesh, shkurresh e muresh mu në mes të Tiranës.
…Ajo çka dua të nënvizoj është se dy vijat e rrokaqiejve nuk janë as risija e vetme dhe as risija më spektakolare e këtij projekti. Bile, për më tepër, duke dialoguar gjatë përpunimit të këtyre vijave sa tërheqëse aq edhe të rrezikshme në rast mosharmonizimi me qytetin, ne u bindëm bashkarisht se jehona e Aksit të Brazinit përmes këtyre dy vijave duhet të fillojë me të kapërcyer Lanën drejt Stacionit të Trenit e jo më parë. Çka do të thotë se plot tetë rrokaqiej u hoqën me guxim në proces duke sjellë si rezultat edhe vendosjen nën një status paprekshmërie të mëtejshme të zonave të ish-Bllokut e të Radiotelevizionit Shqiptar, ku fillimisht këto ndërtime të larta ishin parafytyruar si pjesë e planit konceptual.
Besoj se guri më i çmuar i këtij mozaiku kohërash e stilesh që përmban brenda saj qendra e kryeqytetit tonë do të jetë parku i madh që zbulohet pas Hotel “Dajtit” dhe që lidh, me një vijimësi të gjelbër e plot surpriza në nivele, tematika e bimësi, Parkun Rinia me Parkun e Namazgjasë. Këtë hapësirë krejt të zbrazët e pa cilësi që aktualisht i ngjan një qilimi të arrnuar dheu e ferrash mbi të cilin ngrihen Katedralja Katolike, ish-Pallati i Pionierëve, Banka Kombëtare Tregtare, Shtëpia Qendrore e Ushtrisë apo Kalaja e Tiranës, do ta shohim të na shfaqet si me magji para syve, e veshur në të gjelbër dhe e gatshme që të mikpresë më të moshuarit e më të rinjtë e të këtij qyteti. Pra falë këtij plani kryeqyteti do të ketë Parkun e vet Qendror, të cilin ne dëshirojmë t’ua dorëzojmë qytetarëve brenda këtij mandati të ri të qeverisjes së Tiranës. Me ndërtimin e këtij Parku Qendror, Tirana do të fitojë brenda dy vjetësh një hapësirë të gjelbër prej 130,000 m2 mu në zemër të saj dhe më shumë se 1000 pemë të mbjella rishtaz në të.
Ndërsa, e preka edhe më lart, një Park i Ri Kombëtar do të ngrihet matanë Stacionit të Trenit duke i shtuar Tiranës një mushkëri të dytë e të shumënevojshme prej afro 235,000 m2. Më lejoni të theksoj se ky park, i cili bëri për vete Jurinë Ndërkombëtare dhe u dha arkitektëve francezë epërsinë finale mbi projektin e kolegëve të tyre gjermanë, nuk është aq utopik e i largët sa na u duk të tërëve në fillim. Shumatorja e metrave katrorë gjelbërim që do t’i shtohen Tiranës me këtë plan nuk mbaron me mbledhjen aritmetike të hapësirave të Parkut Qendror me ato të Parkut të Ri Kombëtar, pasi në tërë zonat e riformuluara të banimit në të dy krahët veriorë të aksit të Brazinit parashihet krijimi i ishujve të gjelbër për çdo bllok banimi në afro 9000 m2 gjithsej.
Ndërthurrja e të shkuarës me të ardhmen, që parashihet po ashtu të realizohet në disa raste të një rëndësie të dorës së parë për suksesin e planit përmes një bashkëpunimi ligjor e transparent mes sektorit publik e atij privat, kulmon padyshim me sheshin “Skënderbej”. Rikthimi i tij në kornizën braziniane pas shqyerjes perverse për shkak të ndërtimit të platformës së Monumentit tashmë të asgjësuar të Enver Hoxhës dhe rimodelimi i këtij sheshi duke u nisur, nga njëra anë, prej gjurmës së kafenesë së famshme “Kursal” e prej diagonales së vështrimit që ballafaqon me Kullën e Sahatit çdo vizitor që hyn në Tiranë nga Rruga e Durrësit, si edhe, nga ana tjetër, prej imperativit kategorik të kohës që ky shesh të jetë i qytetarëve e jo i makinave, na e nxjerr Sheshin Skënderbej në një dritë të re. Nga një shesh pa qendër e pa fund, ku për vite të tëra vetëm kemi tranzituar me makinë apo më këmbë mes zbrazëtisë kaotike, diellit çoroditës, erës së benzinës së keqe e mungesës së një hijeje apo një librarie a kafeneje për të qenë, do të kemi falë këtij plani një qendër tipike mesdhetare plot njerëz që shoqërizohen përmes alternativave social-kulturore të ofruara rretherrotull. Le të shpresojmë që, më në fund, pas vulosjes së këtij projekti, do të fillojë edhe puna për zhdukjen e Gropës famëkeqe mbrapa Pallatit të Kulturës, me të cilën është hapur e kësisoj, dhëntë Zoti, edhe do të mbyllet simbolikisht një epokë e tejzgjatur zhgënjimesh të hidhura në historinë e këtij qyteti e në jetën e qytetarëve të tij.
Por ajo çka do të ishte e udhës të mos mbetej pa u nënvizuar në këtë parathënie të paraqitjes së sotme është se ky plan u gjen vend sallës së re gjysmë rrethore të Kuvendit, Xhamisë së shumëpritur nga Komuniteti Musliman, Teatrit të ri Kombëtar, Bibliotekës së re Kombëtare, Shtesës së Universitetit të Tiranës si edhe një sërë institucionesh të tjera publike.
…Po ashtu më duket e udhës të nënvizoj se, më në fund, ky kryeqytet, ndoshta i vetmi në botë pa një librari për të qenë, do të mund të ketë jo vetëm librarinë e tij të madhe në qendër të qytetit, po edhe disa ura të librit mbi Lumin e Lanës, ndër të cilat njëra do të jetë një objekt super high-tech që del si një degë peme nga Parku Qendror e varet mbi Bulevardin “Zhan d’Ark”, duke pushuar në anën tjetër të lumit.
Bashkëpunimi me Qendrën e Studimeve Rrugore të Transportit dhe Urbanistikës pranë Ministrisë franceze të Infrastrukurës si dhe një analizë e imët e të dhënave në terren, i kanë çuar mjeshtrat francezë në përfundimin se jo vetëm kjo zonë e Tiranës duhet të privilegjojë këmbësorin mbi makinën, por edhe se qarkullimi me makinë në të nuk duhet të favorizojë shpejtësinë e lëvizjes. Një numër i konsiderueshëm parkimesh nëntokësore, afro 6000 vende parkimi publike dhe 12000 private parashihen si një mundësi e re për të çliruar rrugët e kësaj zone nga mbingarkesa me makina që vijnë rrotull për një vend parkimi e për t’i dhënë mundësi zhvillimit të gjelbërimit në hapësirat mes blloqeve të banimit.
Kur krahasova më lart këtë plan me një sixhade të thurrur plot fantazi e ngjyra nuk u nisa nga nevoja për të pasuruar fjalën time me një efekt më shumë. Sepse ky plan inteligjent nuk është thjesht një panoramë e bukur dixhitale, por një instrument i çmuar në duart tona për ta thurrur shkallë-shkallë edhe në realitet, mu si një sixhade, këtë ëndërr europiane. Duke filluar nga puna menjëherë pas aprovimit të maketit.
Pra vërtet ky është një plan që parashihet të jetësohet në përreth 30 vjet, por ky nuk është si ato plane që presin një të ardhme abstrakte për t’u bërë realitet. Një të ardhme që zakonisht nuk vjen kurrë.
.…Ky plan është sfida jonë e përbashkët për të lënë pas një vepër madhore që do të bëjë padyshim historinë e këtij shekulli në qytetin tonë.
Ju ftoj të gjithëve të kontribuojmë në shkrimin e kësaj historie që fati e desh të kalojë nga ne.
Në varësi të mënyrës sesi do ta trajtojmë këtë fat, ne do të mbahemi mend si ata që e jetësuan apo si ata që e dështuan Tiranën e ëndërrt që pas pak çastesh do të filloni ta shikoni në ekranin e një parafytyrimi sa kurajoz aq edhe realist. Punë të mbarë.

________________________________________________________________________________


Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë ka miratuar Planin Rregullues për qendrën e kryeqytetit

Qendra e Tiranës, miratohet plani francez

Dy parqe, tre unaza, tramvaj, 6000 parkingje publike dhe librari mbi Lanë. 30 vjet për kryeqytetin evropian

Bruna Prifti

Gjelbërim maksimal, trafik tërësisht i disiplinuar, qendër e këmbësorëve e mbushur me vende argëtimi, qendër tregtare shumëfunksionale, librari mbi Lanë, madje edhe tramvaj përgjatë bulevardit kryesor. Kjo do të jetë Tirana që parashikon projekti i studios franceze "Architecture Studio”, e që do të shihet tërësisht i realizuar pas 30 vjetësh. Plani i Rregullimit të qendrës së Tiranës është miratuar dje nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë nën drejtimin e kryeministrit Fatos Nano. Projekt që javën e tretë të muajit mars parashikohet të ekspozohet në Galerinë e Arteve. Në themel të projektit të miratuar qëndron ruajtja e historisë dhe shtresave urbane të qytetit. Sipas këtij studimi, qendra e qytetit përshkohet nga një bosht veri-jug. Studimi është shtrirë në 3 dimensione që përfshijnë zgjerimin e hapësirës së gjelbër, strukturën natyrore të Tiranës dhe përmirësimin e sistemit të trafikut. Gjithçka përmes krijimit të tre unazave, e para që do të ruajë qendrën nga trafiku, e dyta në një shtrirje më të gjerë dhe unaza e tretë për lëvizje të lirë. Sipas kryeministrit Nano, ky studim e vendos përfundimisht Tiranën në hartën europiane të urbanistikës moderne. "Hapat, që vijueshmërisht po ndërmarrim, janë shprehje e një vizioni të qartë e të sanksionuar në koalicionin tonë për integrim, për një hapësirë urbane që sot paraqitet në formën e saj virtuale, por që nesër do të jetë një realitet i prekshëm, i ndryshëm nga ky që kemi trashëguar në këto 55 vjet, e që do ua lëmë brezave të tashëm e të ardhshëm",-tha Nano. Kurse për kryebashkiakun Edi Rama, forca e projektit qëndron tek vizioni sintetik i një Tirane të re për një shekull të ri, të cilin projektuesit francezë të "Architecture Studio", po e hartojnë me durim përmes një mendimi të përparuar urbanistik.


Projekti

Projekti i realizuar nga studioja franceze, që ishte fituesja e konkursit kombëtar të zhvilluar një vit më parë, parashikon zgjerimin me gjelbërim të Bulevardit kryesor, me pjesë shëtitore dhe pjesë uji në mes. Në zonën e Pazarit të Vjetër, parashikohet ndërtimi i një qendre tregtare në formën e një godinë shumëfunksionale. Gjithashtu projekti francez parashikon kopshte me gjelbërim mes blloqeve të banimit në veri të bulevardit “Zogu I”. Ky projekt rimodelon sheshin duke lidhur Muzeun Kombëtar, monumentin e Skënderbeut, Pallatin e Kulturës, QNK-në, etj. Në lulishten pas monumentit të Skënderbeut, do të ngrihet një hapësirë e gjelbër me pemë që ndryshojnë ngjyrë sipas stinëve. Në sheshin kryesor parashikohen ndërhyrje në organizimin më të mirë funksional dhe estetik, duke krijuar hapësira publike dhe ndërhyrje arkitekturore në shërbim të qytetarëve. Këto ndryshime pritet ta bëjnë zonën qendrore sa më tërheqëse dhe të frekuentueshme me shërbime unikale, duke ruajtur të pasuruar njëkohësisht edhe traditën qytetare. Projekti parashikon gjithashtu ndërtimin e një linje publike tramvaji përgjatë bulevardit kryesor.


Gjelbërimi

Një nga pikat kryesore të planit është shtimi i sipërfaqeve të gjelbra. Kështu, kryeqyteti do të ketë Parkun e vet Qendror, me ndërtimin e të cilit Tirana do të fitojë brenda dy vjetësh një hapësirë prej 130 mijë metra katorë gjelbërim dhe me më shumë se 1 mijë pemë të mbjella rishtaz në të. Sipas projektit, matanë Stacionit të Trenit do të ngrihet një Park i Ri Kombëtar, si një mushkëri e dytë për kryeqytetasit me hapësirë 235 mijë metra katrorë. Por gjelbërimi nuk do të marrë fund me kaq. Projekti parashikon hapësira të tilla edhe në zonat e riformuluara të banimit në afërsisht 9 mijë metra katrorë gjithsej.


Ndërtesat e reja

Sistemimi i institucioneve publike në qendër do të shoqërohet me shtimin e disa institucioneve të tjera në hapësirat boshe, në mënyrë që njerëzit të përfitojnë një harmoni të ndërtimeve publike, tregtare dhe kulturore. Parashikohet gjithashtu zhvendosja e stacionit të trenit, pak më larg vendit ekzistues për të krijuar një shesh të ri me ndërtesa shumëfunksionale, apo kulla të larta. Për lartësinë e ndërtesave, francezët kanë theksuar se ato do të jenë tek 60 metrat e asnjëherë mbi 100. Në të dy anët e këtij sheshi parashikohet ngritja e stacioneve të autobuzave, ndërsa pas Stacionit të Trenit, ky studim ruan pamjen e mëparshme. Ndërkohë, në sheshin “Avni Rustemi”, francezët kanë parashikuar ruajtjen e arkitekturës ekzistuese që tregon malin e Dajtit, por do të bëhet një sistemim i lulishtes në qendër të sheshit, në të dy anët e së cilës do të vendoset qendra e hapur tregtare. Plani i gjen vend sallës së re gjysmë rrethore të Kuvendit, Xhamisë së shumëpritur nga Komuniteti Mysliman, Teatrit të ri Kombëtar, Bibliotekës së re Kombëtare, shtesës së Universitetit të Tiranës si edhe një sërë institucionesh të tjera publike. “Kryeqytet, ndoshta i vetmi në botë pa një librari për të qenë, do të mund të ketë jo vetëm librarinë e tij të madhe në qendër të qytetit, po edhe disa ura të librit mbi Lumin e Lanës”. Kështu është shprehur kryebashkiaku Rama në prezantimin e projektit.


Transporti dhe parkingjet

Disiplinimi i transportit do të pasohet me krijimin e parkingjeve dhe parkimin e veturave në qendër të qytetit. Bashkëpunimi me Qendrën e Studimeve Rrugore të Transportit dhe Urbanistikës në Paris, si dhe një analizë e imët e të dhënave në terren, i kanë çuar mjeshtrat francezë në përfundimin se jo vetëm kjo zonë e Tiranës duhet të privilegjojë këmbësorin mbi makinën, por edhe se qarkullimi me makinë në të nuk duhet të favorizojë shpejtësinë e lëvizjes. Plani rregullues parashikon krijimin e 6000 parkingjeve publike dhe 12000 private. Një përparësi sipas planit në unazën e parë të qytetit do të ketë lëvizja e këmbësorëve, duke kufizuar shpejtësinë e qarkullimit të automjeteve në 30 km/orë.



22/02/2004
shekulli





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
Eni_P

Postuar mė 11-5-2004 nė 07:29 Edit Post Reply With Quote
QENDRA E TIRANES, VETEM PER PUSHTETARET

Ne vitin 2003 qeveria aktuale ne pushtet, duke pare ndertimet pa kriter te ndertuara ne Tirane, u angazhua te hartoje nje master-plan te qendres se Tiranes. Kjo u shoqerua me ftesen per tender te tre studiove te specializuara ne fushen e arkitektures, ku nder to doli fituese studioja franceze me nje fond prej 1.2 milione dollare. Qysh ne fillim te lind pyetja: A duhej shoqeruar ky studim me mendimin e inxhiniereve dhe specialisteve shqiptare per te patur nje vizion me te qarte mbi objektet ekzistuese te ndertuara vite me pare nga vete keta specialiste dhe sidomos te rrjetit inxhinierik nentokesor ekzistues? Mendimi yne eshte se po. Ky master-plan duhet te ishte shoqeruar me nje studim te hollesishem ne keto drejtime kryesore.

Ne radhe te pare, studimi topografik i te gjithe zones shoqeruar kjo me kuotat reale per cdo objekt ekzistues dhe te cdo objekti qe mendohet te ndertohet. Kjo kryesisht per t'i ardhur ne ndihme shkarkimit te ujerave siperfaqesore dhe per te llogaritur sakte kolektoret e shkarkimit te ujerave te bardha, duke u bazuar ne maksimumin e reshjeve vjetore. E ngreme si problem studimin topografik sepse aktualisht ne shohim se si notojne njerezit dhe mjetet kur ka reshje te dendura. Sipas specialisteve, pa nje rikonstruksion te rrjetit ekzistues nentokesor dhe pa nje trajtim teknik te ujerave siperfaqesore, nuk mund te realizohet master-plani i sapomiratuar. Studimi gjeolgjik i strukturave te tokes, sipas zonave dhe studimi sizmiologjik per cdo objekt. E themi kete sepse ne shohim cdo dite qe dy objekte jo larg njeri-tjetrit me te njejtin destinacion sherbimi dhe me te njejtin lartesi katesh ndryshojne nga ana konstruktive. Nuk duhet te presim te na kontrolloje termeti me pasojat e veta por te punojme me llogari te sakte per anen kontruktive per te eleminuar cdo pasoje.

Shkarkimi i ujerave te zeza qe aktualisht pa u shtuar objekte te tjera eshte shqetesues edhe sot. Edhe sikur kolektivat kryesore ekzistues te jene ne gjendje te percjellin, ato kerkojne patjeter rikonstruksion dhe nje nderhyrje me perkushtim te madh teknik sepse ne shumicen e rasteve ato kalojne paralel me instalimin e ujit te pijshem ose kryqezohen jashte kushteve teknike, - nje gje krejt e papranueshme. Ne jemi deshmitare te dhjetera ankesave qe kane bere dhe bejne qytetaret per bashkimin e ujit te pijshem me ujerat e zeza. Problem tjeter mjaft i rendesishem dhe jetik eshte edhe furnizimi me uje te pijshem. Ne aktualisht jemi deshmitare qe me kete rrjet ekzistues ne pikun e nevojes ne stinen e veres ne Tirane furnizohen vetem 50 % e konsumatoreve qe edhe ky me sistem orar te reduktuar. Pra eshte krejt e domosdoshme zevendesimi i rrjetit ekzistues me nje rrjet te ri bazuar ne kerkesat e sotme dhe te perspektives. Studimi urban tashme i miratuar nuk i pergjigjet asnje norme apo standardi teknik. Rritja e numrit te objekteve sjell me vete edhe rritjen e numrit te mjeteve ne qarkullim dhe kembesoreve. Dhe me sa shihet ne maket rruget jane po ato.

E themi me bindje te plote se ky master-plan nuk eshte bazuar ne normat dhe kriteret teknike per te llogaritur sot dhe ne perspektive dendesine e objekteve, automjeteve dhe banoreve.

Bazuar nga sa thame me siper natyrshem lind pyetja:

-Ku jane sheshet dhe ambientet e shkollave 8-vjecare dhe te mesme?

-Ku jane sheshet dhe kendet e lojerave te kopshteve?

-Ku jane qendrat shendetesore?

-A jane zbatuar normat e largesise ndermjet objekteve bazuar ne lartesine e kateve dhe qellimin e sherbimit?

Ketu jo vetem qe nuk jane patur parasysh normat dhe rregullat teknike, por sidomos tek shkollat jane zene me objekte shumekateshe kendet e lojerave dhe ne disa raste edhe nje pjese e oborrit. Nuk jane te pakta rastet ku nxenesit nuk kane siperfaqe te mjaftueshme as edhe per t'u rreshtuar. Le te mendojme! C'do behet ne te ardhmen me rritjen e numrit te femijeve dhe nxenesve ne kopshte dhe shkolla?

-Vetem nje gje mund te behet:

Tani qe u legalizua Bathorja, per qendren e Tiranes te ndertojme kopshte dhe shkolla ne Bathore.

Keto dhe arsye te tjera si keto na bejne te jemi kembengules ne mendimin tone se master-plani dhe maketi i qendres se Tiranes duhet te ishte shoqeruar patjeter me nje studim paraprak per te gjitha ato qe thame me siper duke nxjerre edhe koston e perafert per te gjitha rikonstruksionet duke patur parasysh se kjo kosto eshte e konsiderueshme per buxhetin e shtetit shqiptar.

Kjo do te rriste edhe shkallen e transparences se Qeverise Shqiptare per kete investim kaq te rendesishem dhe te domosdoshem per Tiranen, kryeqytetin e Shqiperise. Nisur nga te gjitha keto qe thame me siper mund te themi me bindje te plote:

Ky nuk mund te quhet plan rregullues i qendr-s se Tiranes por plan per rregullimin e interesave te pushtetareve qendror.

Pjeter Paluka

Muriqan-Konuna Bubq, Fushe-Kruje

KJ





“non solum sibi vivere, sed et aliis proficire”

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.5670249 sekonda, 42 pyetje