Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
<<  1    2    3    4  >>
Autori: Subjekti: Gage
DARDAN PEJA

Postuar mė 18-1-2005 nė 18:40 Edit Post Reply With Quote
Eleganca e munguar e Nikolas Geixh

Kësaj radhe Nikolas Geixh i dha porositë e tij për qeverinë shqiptare nga podiumi i një përvjetori. I 14 vjetorit të shoqatës "Omonia", për të qenë më ekzaktë, të njërës prej atyre strukturave që përfaqësojnë prej vitesh krahun ekstrem të partisë aleate në pushtet, PBDNJ. I obseduar me idenë e "shkeljes së të drejtave të minoritetit etnik grek në Shqipëri", Nikolas Geixh ka qenë i qartë dhe i drejtpërdrejtë në presionin që përdor prej kohësh ndaj Tiranës zyrtare. Me fjalë të varfra, ndonëse vjen në Shqipëri si përfaqësues i një lobi që nuk përfaqëson linjën zyrtare të qeverisë greke, Geixh na ka kumtuar edhe një herë pa u merakosur fare për vlera të tilla periferike si eleganca apo etika, se nuk do të lejohemi të hyjmë në Europë deri në momentin kur "ekspertët europianë" t'i gjykojnë "të kënaqshme" standardet e respektimit të të drejtave të minoriteteve në vend. Në historinë e freskët të marrëdhënieve që Shqipëria ka me organizmat të cilave u referohet zoti Geixh, është vënë re se këta ekspertë kanë qenë përgjithësisht të kombësisë greke, ose në raste të tjera përfaqësues diplomatikë të shtetit grek pranë këtyre institucioneve!

Megjithatë, në ambientin folklorik që zotëron në Shqipërinë e sotme zhurma minoritare që vjen nga Jugu nuk është se i shton ndonjë element të ri peizazhit politik të brendshëm dhe as e pasuron sadopak marrëdhënien specifike personale të zotit Geixh me Shqipërinë. Autori i "Zjarrit Grek" e ka shpalosur prej kohësh paragjykimin, dhe për pasojë mungesën e plotë të objektivitetit në lidhje me zhvillimet shqiptare, ashtu siç ka provuar se është i gatshëm të zbresë në tokën tonë sa herë që ta shohë dhe gjykojë të arsyeshme se ka ardhur momenti për të bërë presionin (më mirë shantazhin) e radhës. Ky avokat i kauzave të vjetra stonon plotësisht me trendin e proceseve integruese rajonale e europiane, megjithëse spekulon jo pak me këtë fjalor. Përdorimi i Europës si kartë presioni e jo si objektiv strategjik për një vend fqinj nuk është diçka që e nderon përfaqësuesin e lobit grek në SHBA, sepse edhe fëmijët e dinë tashmë se Shqipëria duhet të hyjë në Europë jo me qëllimin meskin të respektimit të të drejtave të tre, por të 100 për qind të popullsisë së saj. Asimetria është sëmundja kryesore që vihet re në trajtimin e problemeve që lidhen me minoritetet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Kur presidenti grek u pyet në mënyrë direkte pak muaj më parë në Tiranë rreth çështjes së pronave çame në Greqi, ai nuk ngurroi ta konsiderojë këtë si "një dosje të vjetër e të kaluar kohe". Ndërkohë, për të njëjtën çështje, por kësaj radhe në territorin shqiptar, përfaqësues të politikës greke kërkojnë një trajtim diametralisht të kundërt.

Pra, një superstatus për pakicën greke të Jugut, të shoqëruar nga politika e mbylljes së gojës, në këmbim të më shumë mirëkuptimi në korridoret e Brukselit, Strasburgut apo Nju-Jorkut. E drejta e palës greke për të kuruar dhe përforcuar të drejtat e pakicës së saj në territorin tonë nënkupton automatikisht dhe në çdo rast të drejtën tonë për të kuruar dhe mbrojtur të drejtat e shqiptarëve kudo dhe kurdo që shfaqet një nevojë e tillë. Kërkesa për "parashkrim" që na bëhet tingëllon mjaft hipokrite në këto kushte. Ndonëse në Tiranë, në të gjitha "katet" e shtetit, mediave dhe politikës, fenomeni Geixh shihet përgjithësisht pa shumë seriozitet, si një nevojë e fqinjit jugor për të shfryrë herë pas here valvolat e nacionalizmit të brendshëm kronik, disa të vërteta që ky personazh i kumton pa asnjë ndjenjë autocensure dhe kujdesi formal, kwrkojnw reflektim.

Zhvendosja e këtij problemi në dosjen e integrimit europian shënon precedentin më të keq të presionit të hapur që një vend anëtar bën ndaj një vendi aspirant, me anë të lobeve dhe NGO-ve që arrin të mobilizojë. Shqipëria i ka respektuar detyrimet e saj ndërkombëtare në lidhje me minoritetet, duke ngritur më shumë se një strukturë që merret me minoritetet, duke ndryshuar ligje dhe duke hartuar raporte të detajuara, që i paraqiten organizmave ku jemi palë. Ne nuk e kemi pasur problem ta nënshkruajmë Konventën e Minoriteteve të Këshillit të Europës, sic ka ndodhur me vende të tjera rreth nesh, dhe as të njohim praninë e minoriteteve në territorin tonë, megjithëse jemi një vend me strukturë popullsie monoetnike. Kësisoj, abuzimi i sforcuar me këtë çështje, në momentin që Shqipëria kalon shumë e shumë probleme të tjera më akute dhe delikate, është njëra ndër çuditë e radhës në udhën e gjatë të afrimit me Europën. Me atë Europë që Nikolas Geixh po mundohet ta kthejë në një vrapim me pengesa, që duhet detyrimisht të kalojë nga Athina.

Skënder MINXHOZI

Gazeta Shqiptare

View User's Profile View All Posts By User U2U Member
AGRON RUMI

Postuar mė 19-1-2005 nė 17:35 Edit Post Reply With Quote
Pėrsėri Geixh

Përsërsi u rishfaq në tokën shqiptare Gaxojanis, alias Geixh. Përsëri në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Përsëri me të njëjtin fjalor. Mbi të gjitha me të njejtën taktikë dhe mënyrë shfaqjeje: të bërit në mënyrë mjeshtërore të rolit të viktimës. Kuptohet në emër të grekëve të Epirit sipas shprehjes së tij. Duke përdorur emrin shqiptar sikur të ishte një emër sharje ose i një qënie të pështirë, që po bëkan përpjekje të përçajnë unitetin e çelniktë të grekëve të Epirit sipas tij, ose ndryshe të Shqipërisë së Jugut sipas së vërtetës kombëtare, shtetërore dhe historike. Por, që nuk do të mundin të bëjnë asgjë sepse pranë grekëve të "shumëvuajtur" tashmë nuk janë më vetëm amerikanët tenetianë, por edhe gjithë europianët e Bashkimit Europian. E thënë e zeza mbi të bardhë z. Geixh tha në takimin e përvjetorit të shoqatës së grekëve Omonia se Shqipëria do të hyjë në Europën e Bashkuar vetëm nëpërmjet minoritetit grek. Qesharake dhe e frikshme njëkohësisht një deklaratë e tillë. Qesharake, sepse nëse ka një vend në Ballkan dhe në Europë që respekton të drejtat e minoritetit sidomos atij grek, ai është shteti shqiptar. Aq shumë sa minoritarët janë privilegjuar edhe në kohën e diktaturës komuniste edhe më shumë sesa vetë shqiptarët. Qesharake, sepse ishte pikërisht shteti shqiptar, që krejtësisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, të drejtat bazë të njeriut, pa përmendur interesin strategjik kombëtar dhe me asnjë precedent të mëparshëm kudo në botën demokratike, ka nëpërkëmbur të drejtën e pronës të pronarëve të ligjshëm shqiptarë për t´ia dhënë minoritarëve grekë.

Të gjithë e mbajnë mend ligjin famëkeq tipik komunist të 7501 të viti 1991 ku tokat e pronarëve gjirokastritë dhe libohovitë ju dhanë në pronësi minoritarëve të Dropullit dhe të Vurgut, që historikisht nuk kishin asnjë pëllëmbë tokë të tyren, përveçse ishin vetëm punëtorë të thjeshtë të tyre. Askush nuk mori parasysh se një ngjarje e tillë krijoi një plagë kaq të madhe sociale në Shqipëri sa do të duhen dhjetëra vjeçarë, shumë mund dhe punë për të zvogëluar pasojat e dhimbshme të këtij veprimi. Të mos harrojmë se shpronësimi me ligj i shqiptarëve dhe dhënia e titujve të pronësisë së minoritarëve grekë, nuk është konsideruar asnjëherë si një nder që i është bërë përfituesve. Të gjitha qeveritë pavarësisht ngjyrës partiake, media dhe në përgjithësi opinioni shqiptar as nuk i kanë rënë gjoksit në institucionet ndërkombëtare dhe as nuk kanë shprehur pendesë në asnjë rast se pse grekët morën tokat e shqiptarëve. Padyshim që kanë bërë mirë, sepse është tregues i trajtimit si qytetarë me të drejta të barabarta me gjithë shtetasit e tjerë. Zgjidhja do të ishte e përgjithshme pa marrë parasysh origjinën kombëtare. Por, pikërisht e kundërta ka ndodhur me grekët e tipit Geixh &co.

Geixh me kompani nuk përmend në asnjë rast këtë shembull të jashtëzakonshëm të miqësisë shqiptare ndaj minoritarëve. Përkundrazi, janë munduar më të gjitha mënyrat për t´i vënë shkopinj nën rrota arritjes së miqësisë shqiptaro- greke. Në çdo rast janë munduar të krijojnë minoritet edhe aty ku janë rrënjët më të thella të racës shqiptare. Kemi parasysh Himarën historike të Skënderbeut dhe të Arianitit. Në institucionet ndërkombëtare shqiptarët janë paraqitur si armiq që me kamë në dorë shtypin dhe vrasin grekët e shkretë. Minoritarë janë quajtur të gjithë shqiptarët ortodoksë, duke qenë një shembull i mungesës së qëllimshme të arsyes në të gjithë botën. Harrojnë se ortodoksit shqiptarë janë nga krijuesit e shtetit kombëtar, që janë vrarë për të ngritur flamurin kuq e zi, shkrimin shqip dhe kishën e tyre kombëtare, që përsëri me tolerancë të tepruar deri në pafundësi, ia lanë një greku për t´ja drejtuar. Kështu mund të vazhdohet gjatë, por në fund të fundit ne nuk mund t´i kërkojmë armiqve tanë të flasim mirë për ne.
E frikshme që nuk paraqiten kërcënimet dhe përpjekjet e kompanisë Geixh drejtuar shqiptarëve dhe shtetit të tyre. Kryesorja në të gjitha ato që thuhen për bëmat e tij është fakti se si është e mundur të marrë guximin që në mes të ditës dhe në mes të vendit dhe kombit që dëshiron ta shpërbëjë, të ligjërojë si bilbil dhe pa ju dridhur syri nga asgjë. Nuk mund as të imagjinohet të kërkohet të bëhet psh me miliona arvanitas të Greqisë, qoftë edhe një e mijëta e asaj ç'ka bën i famshmi Geixh në shtetin e shqiptarëve.

Jo vetëm ajo, por në shtetin e shqiptarëve nuk guxohet të shkruhet edhe një copë letër për pjesën e kombit të saj me emrin Çamëri, që ka pësuar dhunë të pastër etnike me pasojë shpërnguljen masive dhe vrasjet e tipit të gjenocidit të dënueshme në çdo kohë dhe nga çdo ligj ndërkombëtar. Siç duket e keqja ka shkuar shumë larg, por në çdo rast nuk duhet kërkuar te dëshirat dhe bëmat e Geixh dhe idhtarëve të tij, që duan të rishkruajnë historinë. Ajo duhet kërkuar dhe gjendur absolutisht pa asnjë mëdyshje brenda nesh. Nuk e di askush nëse Geixh do të ishte aq i lirshëm, i sigurtë dhe i papërmbajtshëm në guximin e përsëritur për të shfaqur hapur dëshirat dhe idealet e tij të helenizimit të tokave shqiptare, nëse shqiptarët nuk do të ishin në radhë për të kërkuar viza për t´u larguar të dëshpëruar nga vendi i tyre dhe për t´ju drejtuar atdheut të parë të personazhit tonë për bukën e gojës. Ndërkohë, që me një qeverisje minimalisht më të mirë i kanë të gjitha mundësitë të jetojnë si njerëz në vatrën e tyre. Mjafton të shikojmë sesi paratë shqiptare gllabërohen me miliarda pikërisht nga kompanitë e atdheut të personazhit tonë. Në një shtet të dobët ekonomikisht dhe me një popullsi, që nuk ka shpresë në vendin e saj, mund të bësh çdo gjë. Pra, me pak fjalë e keqja jonë nuk duhet kërkuar te të tjerët, por te vetë ne.

Pa dyshim që e keqja e Shqipërisë nuk është Nikolas Geixh. Në fund të fundit ai është një personazh që në këtë botë dhe aq më shumë në këtë vend ku ka aq pak idealizëm dhe aq shumë makutëri për t´u pasuruar me çdo kusht dhe duke shkelur mbi çdo princip, në thelb duhet respektuar për vendosmërinë dhe vullnetin për t´i shërbyer idealit dhe kombit të tij. Të keqen duhet ta kërkojmë në gjirin tonë. Autorët e politikave të firmosjes së ndërtimit dhe të mbajtjes së skemës kriminale ekonomike që zhvat shqiptarët për llogari të aleancës së tyre me të huajt e tipit geixhanë, janë armiqtë e vërtetë të këtij kombi. Absolutisht shumë më të mëdhenj sesa vetë Nikolas Geixh.

Gjergj Buxhuku
Shekulli 19/01/2005

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Valter bejkova

Postuar mė 21-1-2005 nė 15:15 Edit Post Reply With Quote
PERGJIGJE ME SHIFRA PER Z.GEIXH

Nga:Sulejman Mato

Duke iu referuar të dhënave historike, të largëta dhe ato më të afërta, dalim me të njëjtin konkluzion të rilindësve tanë. Prapambetja jonë ka ardhur edhe si rezultat i fqinjëve tanë të këqinj.
Historia i ka vlersuar të dy fqnijët tanë, veriorë dhe jugorë, si armiq konstant të popullit shqiptar, me ndryshime në formë, sërbët të ashpër dhe barbarë, grekët konstantë në pretendimet e tyre për një “Vorioepir grek”.
Një nga ithtarët e sotëm të këtij Vorioepiri është shkrimtari dhe publicisti i njohur Geixh, përfaqësues i lobit të fuqishëm grek të Amerikës.
Shpesh herë konfrontimet janë bërë në media, përmes një debati, i cili ka shpërndarë veç emocione nacionaliste, pa shifra. Mirëpo, me që ithtarët e pretendimit të një Vorioepiri grek në tokat shqiptare i kanë qejf shifrat, po iu përgjigjem ca me shifra reale, të marra nga konkuzionet e kryera në terren gjatë vitit 2003, prej Komitetit shqiptar të Helsinkit.
Së pari, ju pretendoni se ne Shqipëri janë rreth 400 000 minoritarë grekë. Këtë shifër e keni trumbetuar me bujë gjithandej, madje , vitin e kaluar, në kuadrin e zgjedhjeve për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, këtë shifër ju arritët ta ngjisnit gjer në zyrat e Shtëpisë së Bardhë. Mirëpo, shifrat reale flasin ndryshe. Instituti i Statistikave (INSTAT) për minoritetin grek që jeton brenda territorit të Shqipërisë ka bërë një studim, nga të dhënat e nxjerra rezulton se, nëse gjatë regjistrimit të popullsisë së vitit 1989 numri i minorittarëve grekë arrinte në 60 000 vetë, tashmë, në fund të vitit 2002 vihet re një ulje e ndjeshme e popullsisë, si rezultat edhe i emigrimit të tyre masiv për në Greqi e gjetkë.
Në mjaft prej këtyre fshatrave numri i popullsisë shkon nga 50-70 për qind e banorëve. Familjet që kanë mbetur ndihmohen krysisht nga fëmijët e tyre dhe të afërmit e tyre në Greqi, ndërsa të moshuarit, ndryshe nga pensionistët shqiptarë, përfitojnë nga shteti grek një pension prej 150 euro në muaj. Në takimet e tyre me KSH të Helsinkit këta të moshuar e pranonin standartin e lartë ekonomik të jetesës, por shprehnin dhimbjen për mungesën e fëmijve të tyre.
Për të dhënë një ide më të saktë dhe me shifra zyrtare, në Qarkun e Gjirokastrës, (Dropulli i Sipërm ) gjatë fundvitit 2002 janë regjistruar 9008 banorë me kombësi greke, ndërkohë, që 6300 prej tyre janë larguar në emigracion.
Në Dropullin e Poshtëm, po në këtë vit janë regjistruar 8912 banorë me kombësi greke, nga të cilët aktualisht 5612 vetë jetojnë dhe punojnë në Greqi. Në Dhivër (Sarandë) në 11 fshatrat e saj minoritare figurojnë të regjistruar me kombësi greke 6000 banorë, ndërsa aktualisht kanë mbetur 1500-2000 banorë. Në Aliko: nga 8200 banorë të regjistruar aktualisht jetojnë 2000 vetë. Në komunën e Mesopotamit (Delvinë), nga 5500 të regjistruar, me kombësi greke jetojnë rreth 3000 banorë. Ndonëse, siç e përmëndëm edhe më lart, kushte ekonomike të kësaj pjese të popullsisë në krahasim me vendasit janë në standarte shumë më të larta, edhe për shkak se shumë persona me kombësi greke kanë nisur bizneset e tyre të suksesshme, falë edhe lidhjeve që kanë krijuar me biznesmenë grekë, gjuhës dhe pozicionit gjeografik të fshatrave të tyre.
Mund të përmendim firmat e njohura të këtyre minoritarëve në tregun shqiptar, si: “Alfa”, “Glina”, “Alfa Kompani”, ”Elka”, “Amstel”, “Harri Lena”, “Fresh Kompani”, etj. Në qytetin e Sarandës ka 15 firma me pronarë, ose bashkëpronarë minoritarë. Shëmbull domethënës i bashkëjetesës së tyre tradicionale është edhe ortakëria e tyre me biznesmenët çamë. Le t’i kujtojmë zotit Geixh një fakt interesant, që të mos shqetsohet shumë për bashkëfolësit e tij që jetojnë në Shqipëri dhe ta bëjë gjumin rehat: gjatë vitit të trazirave të 97-ës, protogonist i të cilave , (ndoshta ndër më kryesorët e saj ishte dhe ai…), ishin çamët ata që i dolën në mbrojtje popullsisë minoritatare për të mos u dëmtuar.
Është një fakt domethënës që ju duhet ta dini, zoti Geixh: popullsia me kombësi greke që jeton në Shqipëri ka standartin më të lartë të jetesës, në krahsim me popullsinë vendase. Nuk ka familje minoritare në Shqipëri që të jetë në nivelet e asistencës, ndërkohë që në shumë qytete kryesore të Shqipërisë papunësia arrin shifra të pabesueshme. Lehtësitë që shteti grek u ka krijuar minoritarëve grekë, ndryshe edhe nga minoritetet e tjera që jetjnë në SHqipëri, minoriteti maqedon, serb, arumun, etj, kanë bërë që ta përmirësojnë standartin e jetesës, duke zhvilluar të parët aktivitetin tregtar privat në këto fshatra.
Përsa i përket arsimimit të tyre, mbrojtjes së kulturës dhe gjuhës greke, një punë e madhe është bërë qysh para ndryshimeve demokratike. Ky është një fakt i pranuar edhe nga ju. Ndërsa sot, falë edhe presioneve që qeveria greke i bën gati çdo ditë qeverisë shqiptare, në arsimin e kombësisë greke mund të hasësh çudira. Ndonëse numri i nxënësve minoritarë ka ardhur në rënie, për shkak të emigracionit, shteti shqiptar i financon edhe ato shkolla ku ka vetëm katër nxënës. Mos t’ju duket çudi; raporti mësues-nxënës në zonën e Gjrokastrës ka arritur një mësues 5-6 nxënës. Në komunat Finiq dhe Mesopotam janë rikostruktuar të gjitha shkollat pas viteve 97-98, së bashku me pajisjet e brendshme. 95 përqind e buxhetit ka qenë kontribut i shtetit shqiptar dhe 5 për qind i atij grek. (Shkolla e Livinës dhe e Krinesë), ndonëse popullsitë e këtyre fshatrave janë përgjithësisht të përziera me vendas, lebër, çamë, vllehë dhe minoritarë grekë, popullsia minoritare greke, falë edhe angazhimit tuaj nacionalist, ka arritur të trajtohet krejtësisht ndryshe nga të tjerët. Ku është parë një gjë e tillë? Dhe pse ju zoti Geixh vazhdoni të shqetësoheni dhe të rrisni dhjetëfish shifrat e minoritarëve tuaj, duke i fryrë zjarrit të urretjes ndërnacionale pa asnjë shkak? Unë mund t’ju them se bashkëjetesa e nacionaliteteve të ndryshme në këto zona është në traditën e lashtë të tyre. Dhe, është pikërisht ky mirëkuptim dhe bashkëjetesë në paqe dhe harmoni edhe sot faktori kryesor për të mos patur trazira mes tyre, as hasmërira dhe as mërira. A e dini ju se sa është sot kriminaliteti në ato zona? Zero! E habitshme, por ja që aq është.
Po të kthehemi në të kaluarën e largët, epirotët gjithmonë kanë jetuar në paqe dhe qetësi me njeri-tjetrin, pa dasi krahinore, etnike dhe gjuhësore. Kujtoni Homerin e madh kur përmend mbretërinë e Feakëve. Feakët paqedashës dhe lundërtarë qenë ata që e pritën Odiseun me nderime të mëdha dhe pastaj e përcollën për në Itakë, me aq pasuri sa nuk kishte mundur t’i fitonte as në luftën e Trojës.
Historia është kjo, edhe pas tremijë vjetëve. Popullsia e përzier epirote është e ruan vlerat e lashta të harmonisë midis fqinjëve, të nderit, respektit dhe mikpritjes së mikut, edhe pas tremijë vjetëve. Skeria pjellore është po ajo të cilën nuk e kanë trazuar edhe sot luftërat mes fqinjëve. Mund t’ju përmend edhe një fakt ineresant: Straboni dhe Tukididi thonë që kufijtë e grekëve fillojnë në Ambraqi, por, kini vënë re, midis dy popullsive nuk ka patur kurrë kufij të prerë. Lart dhe poshtë është quajtur Epir. Ky ndoshta ka qenë dhe keqkuptimi për një Epir të pretenduar nga grekët, historia e të cilit nisi 160 vjet më parë. Epiri në çdo kohë ka dhënë dhe ka marrë, ka pritur dhe ka përcjellur, ka përzier gjakun dhe bukën me mikun që i ka trokitur te dera e shtëpisë… Në fund të Luftës së Parë Botërore ishin dëshmitarë prindërit tanë që pritën qindra e qindra refugjatë grekë, u hapën shtëpitë dhe zëmrat, duke i trajtuar si njerëz të gjakut tonë. Po kështu i trajtuam edhe ushtarët grekë gjatë Luftës Italo-Greke.
E po kështu i trajtoi populli grek edhe emigrantët tonë pas hapjes së kufijve shqiptarë me Greqinë. Popujt i hapin shtëpitë dhe zëmrat njeri-tjetrit, ndërsa qarqet nacionaliste i fryjnë zjarreve të armiqësisë. Shpirtmadhësia shqiptare është një vlerë e njohur nga shumë popuj dhe shumë historianë të njohur, të cilët ju si shkrimtar ballkanas duhet t’i kini lexuar.

BALLKAN

View User's Profile View All Posts By User U2U Member
AGRON RUMI

Postuar mė 24-1-2005 nė 04:42 Edit Post Reply With Quote
GEIXH-NANOS: JENI NE DOREN TONE

Shefi i lobit grek ne SHBA, leter kryeministrit per minoritetet

Kreu i lobit grek ne Amerike, Nikolas Geixh i ka derguar nje leter kryeministrit Nano ku i kerkon respektim me te madh te te drejtave te minoriteteve ne Shqiperi. Ne kete leter, kreu i Federates Pan-epirotike shprehet se "eshte ne interes te te gjitheve, qe mirekuptimi e bashkepunimi rajonal te mos cenohet nga njerez qe jane armiq te paqes ne Ballkan dhe integrimit te Shqiperise ne strukturat euroatllantike". Me ane te kesaj fraze, autori i "Zjarrit grek" paralajmeron indirekt Shqiperine se integrimi i saj ne strukturat euroatlantike varet nga lobi grek ne SHBA dhe nga vete Greqia. Ne fakt, qe Shqiperia ka permiresime ne aspektin e respektimit te pakicave etnike, kete e kane shprehur kohet e fundit edhe ekspertet evropiane ne raportet e tyre. Por duket se minoriteti grek, nuk eshte ende i kenaqur me gjendjen reale te respektimit te pakicave ne vendin tone. As me vendosjen e tabelave ne shkruara ne gjuhen greke pergjate rrugeve ku ai banon, apo me hapjen e shkollave ne gjuhen greke. Vete kreu i lobit greko-amerikan Nikolas Geixh, i ftuar ne 14-vjetorin e OMONIA-s ne Dervican, ka pohuar se Shqiperia nuk mund te pranohet ne Bashkimin Evropian nese nuk respekton te drejtat dhe lirite e minoritetit grek. Sipas tij dhe lobit grekoamerikan qe ai perfaqeson, dyert e Europes do te jene te mbyllura, nese nuk respektohen konventat nderkombetare per te drejtat e minoritetit grek.

KOHA JONE

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 17-3-2005 nė 16:20 Edit Post Reply With Quote
http://www.edsh.org/kombi/pergjigje.pdf

Nje pergjigje e dhene.

Sikur te kishim qene te organizuar ne te djathtet shqiptare ishte dashur qe kjo pergjigje te perkthehej ne anglisht dhe ti dergohej The Washington Post, por ne jemi:

o dru me pre bre





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
<<  1    2    3    4  >>




Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.1730320 sekonda, 29 pyetje