Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Djalli jeton
Anton Ashta

Postuar mė 1-4-2004 nė 22:11 Edit Post Reply With Quote
Djalli jeton

Cinizmi i pafund i Nexhmije Hoxhës ndaj Silva Turdiut

Orhan Sakiqi

Në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe në fjalën "cinizëm" shënohet: Doktrinë filozofike në Greqinë e vjetër që predikonte mospërfilljen dhe përbuzjen e zakoneve e normave të shoqërisë. Më poshtë është edhe një shënim tjetër: qëndrim i vrazhdë dhe i pacipë.

Pikërisht kësaj të fundit i përshtaten më mirë shkrimet e Nexhmije Hoxhës në një të përditshme. Pa asnjë shenjë pendimi apo keqardhjeje për të keqen e madhe që i shkaktoi këtij populli, ajo mundohet të justifikojë veprimet e saj dhe të Enverit, me arsyetime të Institutit të marksizëm -leninizmit. Kur lexon shkrimin, dhe përse e lexova do ta shikoni më poshtë, m'u duk sikur fliste vetë Enveri për "armiqtë" dhe dikush nga salla, siç ishte zakon, thërriste: -I marrshin të keqen shokut Enver!

Për ata që e lexojnë me vëmendje, pikërisht këtë thotë edhe Nexhmija dhe pasuesit e saj.

Tanimë çdo shqiptar e di, edhe pa lexuar Nexhmijen, se çfarë ka qenë lufta e brendshme në udhëheqjen e lartë komuniste ose më mirë zhdukja nga ana e Enverit e të gjithë bashkëpunëtorëve të tij të afërt për ta "lënë partinë të pastër" në dorë të Nexhmijes dhe pasuesit të caktuar prej tij Ramiz Alisë.

Ky skenar filloi më 1973 pas sëmundjes së Enverit, kur ai e pa se nuk mund të mbretëronte gjatë dhe me anë të Mehmetit dhe Ramizit pastroi të gjitha grupet puçiste e revizioniste në: kulturë, ekonomi dhe në ushtri, këtë të fundit direkt me fshesën e hekurt të Shehut. Këto skenare të menduara si në skenat e kështjellave të mesjetës, na i ripërtëriti atë kohë filmi "Salambo" kur mbreti me anë të zëvendësit të tij vrau gjithë shtabin e tij dhe, në fund, kur me të po admironte thesarin, i nguli thikën prapa shpine. Po ashtu është e qartë se edhe pa shkakun e fejesës, Mehmetit i ishte caktuar fati me kohë. Do të shpikej diçka tjetër për eleminimin e tij dhe të familjes si me të tjerët.

***

Nuk ia vlen t'i shkruaja këto radhë, por ajo që më nxiti qe cinizmi ekstrem i Nexhmijes, kur citon fjalët e Enverit, thënë Mehmetit: Profesor Turdiu dhe e bija nuk kanë asnjë faj. Fajin e ke ti dhe Fiqreti, fundi ai ta tha, ai e mbrojti klasën e tij, kurse ti nuk e mbrojte tënden!

Kështu shteti ishte një mjet dhune në duart e një klase për të shtypur klasën tjetër. S'ka më turp, thotë ish i burgosuri Visar Zhiti në librin "Rrugët e ferrit" të gjithë në ring boksi, gjithë populli, gjithë jetën.

Pra profesori dhe e bija nuk paskan faj. Por si e shpjegon Nexhmija luftën ekstreme që iu bë, jo vetëm familjes së profesorit, por gjithë fisit? As dy fjalë pendimi për fatkeqësitë që i shkaktoi tre brezave. Brezi i parë: profesor Qazimi u ndalua menjëherë të japë mësim. Kuptohet se çfarë goditjeje psikologjike është për një njeri që gjithë jetën e ka kaluar pranë nxënësve. Megjithatë profesori mbeti gjithmonë dinjitoz duke e mbajtur të keqen mbrenda. Jam krenar që kam kontribuar sadopak në dhënien e emrit të tij një shkolle në Tiranë. Besimi, i vëllai, vdiq nga hidhërimi në moshë të re. Aliut, vëllait tjetër, iu shpejtua vdekja, vdiq dy muaj mbas ngjarjes. Ismaili duhet të vinte në Tiranë pasi kishte punuar në rrethe gjithë jetën, por mbeti atje... e kështu me radhë.

Padrejtësia nuk ka fund. Në vitin 1982 kur në shtëpinë e tyre, simbas planit të kohës, duhet të ndërtoheshin godina, me të gjitha familjet e zonës u lidhën kontrata, që mbas përfundimit të tyre të ktheheshin atje, kurse Turdijtë u dërguan në periferi, ata që ishin tiranas autoktonë më shumë se 300 vjet në ato troje.

Brezi i dytë e pësoi keq. Të gjithë fëmijët që vazhdonin shkollën e lartë dhe me rezultate të shkëlqyera u përjashtuan dhe u dërguan të punojnë për edukim punëtor. Paridi, në Uzinën e Traktorëve; Silva, në trikotazh. Fatmiri, Tugu, Gazmendi, Nejada etj..

Që në vitin 1963, kur hyra së pari në këtë shtëpi këta fëmijë ishin rritur në sytë e mi. Cili ishte gabimi i tyre? Djali më i madh Zydiu u transferua në Fushë Arrës mbasi ndejti dy vjet pa punë. Në lëvizje u vunë shefa kuadri për shtesë biografie për këdo që kishte lidhje qoftë të largët me Qazim Turdiun.

Mimoza mbesa ime e shtrejtë dhe e paharruar më thoshte: Dajë jemi bërë si Ana Franku dhe familja e saj, duhet të dalim rallë e me kujdes. Ndryshimi është se Ana dhe familja e saj ruhej nga nazistët, kurse ne nga shqiptarë, po qe se mund të quhen të tillë. Ato ditë të vështira sidomos për Silvën, Moza jonë i qëndroi pranë e shoqëronte në ato lëvizje të pakta në rrugën Q. Stafa.

Kështu pra zbrazjen e barkut të një "plake vampir" (A.Tufa: Saranda kryeqyteti natyral i Shqipërisë, Fjala 28-03 2004), janë detyruar tani ta dëgjojnë familjarët dhe të afërmit e Turdive. Gjithë kjo zhurmë e madhe bëhet nga nostalgjikët e diktatorit me qëllime të caktuara, por njeriun e drejtë dhe me karakter nuk mund ta thyejnë as tiranët e dënuar tashmë nga populli, as pasuesit e tyre që mbushin faqet e shtypit dhe ekranet e TV-ve.

Këto nuk janë rastësi, një skenar e drejton këtë fushatë.

tema

Une e kam ndjekur pak cfare shkruan pantera e zeze tek shekulli.

Njesoj si te ishte viti 1980.

A po kuptoni te djathte apo dru me pre?!





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
AGRON RUMI

Postuar mė 2-4-2004 nė 03:26 Edit Post Reply With Quote
Pantera e zeze e komunizmit te kuq vazhdon te vjelle vrerin e saj ,per shkak te indiferences kriminale te qeverisjes blu.Perpara se te gjykohej per kafe dhe llokume,duhej te akuzohej per gjenocid.Djajte e kuq nuk mund te luftohen me minidjaj ylberesh,sepse pjellat e PP-se nuk mund te kthehen tani ne "barngrenes".
View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 8-4-2004 nė 09:30 Edit Post Reply With Quote
“Përse nuk flet N.Hoxha për krimet në ushtri?”


Servet Tushi, Tiranë

Mua si ish-pjesëtar i LANÇ-së dhe ish -oficer karriere më lindin disa pyetje ndërsa lexoj artikujt e N.Hoxhës. E para, nëse Mehmet Shehu, ka qenë poliagjent, a nuk kishte mundësi ta asgjësonte fizikisht Enver Hoxhën, i cili ka jetuar e punuar për 40 vjet gju më gju me të? Pyetja e dytë që të vjen natyrshëm në kokë. Në artikuj nuk gjen as edhe një emër të vetëm të viktimave dhe raprezaljeve të bëra nga vetë Enveri dhe stafi i tij, ndaj kuadrove më të spikatur të vendit në të gjitha fushat. U goditën kuadrot e artit e të kulturës në ekonomi e në veçanti në ushtri, pjesëtar i së cilës kam qenë edhe unë prej 40 vjetësh. Jo vetëm kaq. Të njëjtin fat pësuan edhe familjarët e tyre. Këto nuk i di Nexhmije Hoxha? Si është e mundur që nga 13 anëtarë të shtabit të përgjithshëm, 8 të pushkatohen, ndërsa nga 76 oficerë të njohur të brigadave sulmuese mbetën vetëm 28? (edhe nga ky kontigjent i mbetur, u eliminuan me spastrime njëri pas tjetrit pothuaj të gjithë). Tronditëse janë edhe dënimet masive në pleniumet e KQ-së të partisë gjatë viteve ‘74-‘75 në të ashtuquajturin “puçi ushtarak” i 1974. As për këtë s’dini gjë shoqja Nexhmie? Sa për t’ju freskuar kujtesën. Vetëm një ditë, atë të 13 dhjetorit 1974, plot 18 ushtarakë të lartë ish-gjeneralë me nga një e dy akademi ushtarake, nga më të përgatiturit, përjashtohen nga ushtria, internohen e burgosen me afate të gjata me akuza bajate. Një pjesë e tyre o vdiqën burgjeve, ose kaluan në depresione e shkatërrim familjar.




08/04/2004


Djalli i kuq ka dhene nje interviste tek der Spiegel

Sapo te kem origjinalin do t´ju tregoj me shume.





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 8-4-2004 nė 09:43 Edit Post Reply With Quote
REAGIM PER LIBRIN "MIQESI E TRADHTUAR" TE NEXHMIJE HOXHES

Lary Post "Llazar Papapostoli) nuk u ekstradua si amerikan

Kerkova qe shkrimi te botohej ne gazeten "Shekulli", meqenese ne te njejten gazete ishte botuar dhe shkrimi perkates. Por per arsye, te cilat nuk mu bene te ditura prej tyre, nuk deshiruan qe ta botojne ndaj dhe iu drejtova gazetes "Koha Jone" e cila pranoi ta botoje dhe per kete e falenderoj. Cilatdo qofshin arsyet qe personat pergjegjes tek gazeta "Shekulli" nuk pranuan ta botojne, nuk me shtyjne te humbas respektin per kete gazete, ashtu si per tere mediat shqiptare ne teresi, megjithe te mirat dhe te metat e tyre. Gjithsesi nje shpjegim duhet te ma jepnin per korrektesi. Do te ishin me te nderuar.

Quhem Rudolf Papa, i biri i Lary Post ose Llazar Papapostoli me emrin e tij shqiptar. Qellimi i ketij shkrimi eshte saktesimi i nje fakti qe lidhet me fatin e te ndjerit babait tim, Lary Post, ne shkrimin e dt.31.03.2003 ne gazeten "Shekulli" nga Nexhmije Hoxha.

Nuk deshiroj te bej ndonje koment ose replike me autoren pasi nuk e gjej me vend per te bere nje veprim te tille, por gjithsesi per shume arsye me duhet te bej saktesimin e faktit qe Lary Post nuk eshte ekstraduar si shtetas amerikan pas gjykimit, por eshte denuar me burgim dhe me pas me internim te perjetshem ne kampin e te internuarve politike ne Shtyllas te Fierit deri sa vdiq ne rrethana te sajuara, ne vitin 1974.

Me lejoni ta bej saktesimin e ketij fakti duke paraqitur nje pjese fare te shkurter te biografise se Lary Post, emri i te cilit per fat te keq permendet vetem sa here qe ndokush deshiron te shkruaje per Mehmet Shehun si agjent i CIA-s, dhe jo per dimensionin dhe vlerat qe perfaqeson ne historine e Shqiperise.

Lary Post eshte emri i amerikanizuar i Llazar Papapostolit, lindur ne Zicisht te Korces ne vitin 1915 dhe emigruar me vone per arsye shkollimi ne SHBA. Pasi mbaron Universitetin e Illinoisit i diplomuar shkelqyeshem ne shkencat politiko-shoqerore dhe kursin e larte te Diplomacise ne Washington, me futjen e SHBA-ve ne Luften e Dyte Boterore si pjesemarrese e koalicionit Antifashist Nderkombetar, mobilizohet ne ushtrine amerikane me graden major ne sherbimet inteligjente SOS dhe me pas SBS "Secret Ballkan Service) si dege e SOS me qender ne Bari te Italise. Ne tetor te vitit 1944 gjendet ne Shqiperi, jo si agjent i fshehte i CIA-s, por duke vazhduar te mbaje uniformen e tij ushtarake. Ne vitin 1946 arrestohet nga Sigurimi i Shtetit me urdher te Koci Xoxes, jo thjesht per veprimtari armiqesore, por si dora e huaj qe organizonte dhe drejtonte Grupin e Deputeteve, si dhe me qellimin kryesor te tij, per ta detyruar qe te deshmonte ne Gjyq se Enver Hoxha ishte agjent i CIA-s dhe bashkepunonte me te.. Kete sajese, Lary Post kurre nuk e pranoi as pohoi, megjithese iu nenshtrua nje hetuesie dhe keqtrajtimi barbar e cnjerezor. Gjithsesi, Lary Post gjykohet gjate Gjyqit te Deputeteve dhe denohet me 10 vjet burg, nga te cilat 8 vjet, si askush ndoshta ne shembujt reale te njerezimit, i vuajti ne biruce i vetem, dhe vetem dy vjetet e fundit i kaloi me te denuarit e tjere ne burgun e Tiranes. Pas lirimit nga burgu ne vitin 1956, vazhdoi te vuaje denimin e internimit te perjetshem deri sa vdiq ne rrethana te sajuara ne vitin 1974. U martua me nenen time, Jolanda Nako Labi "mbesa e Odise Kasnecit dhe Nase Labit nga Vunoi i Himares), e cila vazhdon te jetoje ende. Nga kjo martese linden dy femije, Grejsi dhe Rudolf Papa " te regjistruar me kete mbiemer sipas deshires se ish-Sigurimit te Shtetit).

Sic e theksoj dhe me siper, keto rreshta po i shkruaj thjesht per nje saktesim fakti, me qellim qe shkrimi ne fjale, per nje pasaktesi te tille te mos fitoje nje imazh mosbesues per faktet qe e shoqerojne, pasi ka ende shume persona qe jane gjalle dhe e kane njohur Lary Postin dhe kane qene prane tij deri sa vdiq.

Per me teper, nese gazeta juaj eshte e interesuar, mund te vazhdojme me jeten e Lary Post, e ketij njeriu qe u rikthye ne atdheun e tij, jo per te zhvilluar veprimtari armiqesore, por per te kontribuar per ndertimin e nje shteti demokratik sipas modelit perendimor, te cilit po orvatemi t'i afrohemi sadopak.

Per sa shkruhet nga autorja e shkrimit ne rubriken DOSSIER, per fakte qe lidhen me emrin e babait tim, jam ne dijeni te plote dhe disponoj cfare pretendohet, por pa dashur qe te shprehem me tej per to.

Me respekt, Av.Rudolf Papa

kj

I nderuar z. Papa,

mos lejoni qe e verteta te humbet.

Une ftoj te gjithe ata qe dine te tregojne te verteten per krimet e mashtrimet e djallit.





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 30-8-2005 nė 16:06 Edit Post Reply With Quote
Libri me i fundit i publicistit Fahri Balliu, "Zonja e zeze Nexhmie Hoxha", eshte botuar per te katerten here brenda 50 diteve nga shtepia botuese 55. Mbi figuren e Nexhmije Xhunglinit, bashkeshortes se Enver Hoxhes autori sjell fakte historike dhe komente, duke e ftuar lexuesin ne labirintet e krimit diktatorial, ku nje rol kryesor ka luajtur zonja Hoxha. Ndersa libri eshte ne proces perkthimi ne anglisht dhe frengjisht, autori konform ligjeve ua ka derguar ate bibliotekave europiane. Nga 32 adresa, vetem biblioteka e Beogradit e ka kthyer librin pa asnje koment. Libri ka nje parathenie nga shkrimtari Ismail Kadare.

top-channel





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 4-10-2008 nė 10:53 Edit Post Reply With Quote
Intervista e mjerë e Rudina Xhungës
Nga Pëllumb Kulla

- Në 100-vjetorin e Enver Hoxhës -


Përshtypje të përgjithshme


Rudina Xhunga ka bërë një shërbim të keq gazetaresk. Kjo është më e pakta që mund t’i thuhet!

Kjo gazetare e talentuar i bëri një lëshim të pahijshëm një figure nga më të përbindshmet që kanë lënë hije mbi truallin shqiptar. Kuptohet se traktativat për të intervistuar Nexhmije Hoxhën kanë qenë të ngatërruara. Këtë intervistë e kanë dashur të dy palët. Të dy palët kanë dashur që kjo të bëhej në vigjilje të 100-vjetorit të Hoxhës. Por biseda dhe marrëveshjet do të kenë qenë mjaft delikate, sepse Nexhmije Hoxha kish ndërmend të na lexonte, si gjithmonë, historinë kapakkuqe të Partisë së Punës, ndërsa Rudina Xhunga donte që t’i shtonte kurrikulumit të vet një top-intervistë, me rrezikun që dhjetë vjetët janë pak që të harrohej, se të dyja patën thënë të njëjtat gjëra, me rastin e 90-vjetorit të diktatorit.

Nexhmija duhej ta bindte Rudinën që ajo t’i vinte në shtëpi dhe këtu zonja Hoxha arriti fitoren e parë. Në studion televizive janë sjellë plot presidentë dhe ish-presidentë, duke përfshirë edhe shokun e armëve të shoqes Hoxha, Ramiz Alinë. Por jo shoqja Hoxha!

Vejusha e madhe do të kërkonte, sidomos, që gazetarja e njohur ta lejonte atë që shumë herë të cilësuarave “kafshë shqiptare”, t’u shtronte edhe njëherë nëpër grazhdet katrore elektronike silazhin që u ka pas shtruar gjithmonë. Kjo do të ishte dhe fitorja e dytë dhe përfundimtarja për të venë e diktatorit.

Dhe kështu ndodhi.

Rudina Xhunga, në 90 minuta të mira, i ngriti topin dhe Nexhmija goditi e shënoi pikë në të tërë sektorët e fushës së kundërshtarëve të saj të shumtë.

Kushtet e zonjës Hoxha ishin poshtëruese dhe zonjusha Rudina Xhunga, për fat të keq, i pranoi. Rudina nuk e ktheu dot në gjyq intervistën e bashkëpunëtores kyç të kriminelit gjirokastrit, siç do ta donin këtë pyetësor milionat e shqiptarëve, që, edhe pse të pakënaqur nga klasa e sotme politike, do të vazhdojnë edhe për shumë e shumë vite ta quajnë çiftin Nexhmije dhe Enver Hoxha shkaktarin e të gjithë të zezave të kombit shqiptar. Nuk e ktheu në gjyq, se nuk pat trokitur për atë punë në dyer të Hoxhatëve. Rudina i mungoi detyrës fisnike të gazetarit dhe nuk arriti parametrat e saj të njohura të gazetarisë. Ajo nuk shtroi dot përpara vejushës së diktatorit pyetjet e shumta që bluajnë brenda tyre prej dekadash shqiptarët. Dhe duke përvijuar në figuracionin volejbollistik, duhet thënë se gazetarja nuk i shfrytëzoi asnjëherë as edhe topat e panumërt që i erdhën mrekullisht përmbi rrjetë nga zonja e vjetër. Kështu, mjerisht, Rudina nuk bëri asnjë pikë dhe la të kuptohej hapur, se ajo kish shkuar atje që të mundej.

Rudina Xhunga ia shmangu Mëkatares së Madhe gjyqin dhe i lejoi asaj çeljen e kremtimeve publike të festës së përvjetorit.

Kjo rezultoi një intervistë e mjerë. Gjithçka u blua ishte një bisedë e turpshme.

Duke mos mëtuar aspak se unë do t’i përfaqësoj më mirë dhe siç duhet shqiptarët e shumtë, më lejoni të shtroj unë disa pyetje që duheshin bërë, e ta përshkruaj edhe një herë udhën nga shkoi Rudina.

Përgjigjet e zonjës Hoxha në këtë intervistën time do të jenë origjinale, e nuk do t’u heq apo shtoj atyre as presjen. Për fat të mirë, besnikërinë e përgjigjeve mund ta dëshmojnë të gjitha gazetat e tri ditëve më parë.

Unë objekt kam vetëm palën tjetër e do të përpiqem të tregoj Rudinën që mungoi.



Edhe një herë intervista


Rudina Që Mungoi: Zonja Hoxha, në fund të vitit ’90, kampi që kish marrë përsipër të ndërtonte socializmin, u gremis. Po të kishit guximin të dilnit ato ditë nëpër rrugë, ju do të shihnit miliona shqiptarë të drobitur e të paushqyer. Një litër vaj për familje, në muaj! Një kilogram mish, gjatë atij muaji, katërqind gramë djathë… A mundeni, moj zonjë, të më tregoni në hartën e Evropës një vend më të rrënuar se Shqipëria, më të varfër e më të gjunjëzuar, se ky i yni? Se po të gjendet edhe njëzë vend, më i prapambetur, më 16 tetor unë do t’ju bëj një telefonatë dhe t’ju uroj 100-vjetorin e burrit. E gjeni dot?


Nexhmija: Shiko, se ta kam thënë edhe në intervistën që më bëre në RTSH me rastin e 90-vjetorit të Enverit… Se unë e di që përgjegjësia në fund të fundit bie edhe mbi të.


Rudina Që Mungoi: Bie edhe mbi të?! Pra ju thoni që edhe Enveri paska faj për këtë? Po më habisni! Zonja Hoxha është akuzë e rëndë kjo, në këtë atmosferë festive.


Nexhmija: Gabime janë bërë, por jo me keqdashje, janë bërë me mendim të mirë, S’ka diskutim. Por unë dua të them se këto gabime, sot, nuk po shihen në kuptimin e thellë të fjalës, nuk bëhet analizë e thellë, sepse merren vetëm aspekte banale të tyre.


RQM: Aspekte banale… Për shembull, banale është që njerëzit që janë pushkatuar apo kanë vdekur nën tortura, nuk dihet ku janë varrosur? Mendoni se kjo është bërë me qëllim të mirë? Që familjet ta hiqnin mendjen nga të vdekurit e tyre e t’i futeshin punës e të shikonin përpara, drejt së ardhmes së ndritur? Apo e gjithë kjo kish për qëllim të mirë që vendi të mos jepte tejembanë përshtypjen e një varreze? Të lemë gjuhën e tërthortë: A nuk duhej që të kërkonit falje?


Nexhmija: Për faljen kam edhe unë mendimin tim. Falja mund të kërkohet për marrëdhënien që ka një person me një shok apo me një tjetër, të cilit e ndjen që i ka bërë diçka. Por, të kërkosh falje për faje që janë bërë nga një kolektiv, nga një sistem, kjo nuk bëhet. Ti, si një sistem tjetër, s'mund të më kërkosh mua që të kërkoj falje, aq më tepër kur më akuzon për faje, për një sistem tjetër. Unë jam i një sistemi tjetër.


RQM: Interesant! A mund të themi, p.sh., se ju i vinit faj më shumë sistemit të Ahmet Zogut, se Ahmet Zogut vetë? Sistemit të regjencës më shumë se regjentëve? Mos gabimisht janë pushkatuar nga ju, njerëz, për fajet e sistemit të tyre?


Nexhmija: Sistemet, vajzë, kanë qenë në garë, në luftë… Falja këtu nuk ka vend, këtu ka vend vetëm pagimi dhe ne kemi paguar. Nuk kërkohet dot falje, se lufta e klasave është një fenomen që ka ekzistuar, po ekziston dhe do ekzistojë, derisa të jenë klasat. Vazhdon kjo, vetëm se ndërron formë… Tani që është një pushtet tjetër, ajo po vazhdon përsëri. Dhe është më e egër! Edhe unë jam një viktimë e luftës së klasave.


RQM: Ju, zonja Nexhmije, nuk e dini se ç’është lufta e klasave! Atëherë nuk jua kanë treguar. Shtresat e përmbysura ishin objekti kryesor i luftës së klasave. Sot, po të bëhet fjalë për shtresa dhe njerëz të përmbysur, më të përmbysur se zotëria juaj nuk ka! Ju, kryezonjë e përmbysur, kaq të egër e quani luftën që ju bëhet në mes të të mirave të kryeqytetit? Po si, moj, zonja Nexhmije, kishit tërë ata njerëz e nuk ju treguan për kamionët “Skoda”, që vinin pa gdhirë nëpër shtëpira e ngrinin familjet, fëmijë, pleq e plaka, lehona dhe bebe, i merrnin mbi karroceri në mes të acarit? E policët e armatosur që i shoqëronin hukitnin duart, të ngjeshur brenda në kabinën e kamionit. I dërgonin nëpër fushat e internimit këta fatkeq të pafajshëm dyqind e treqind kilometra larg. E, paskëtaj, që të shkelnin nëpër qytete, duhej të merrnin leje të posaçme të policisë tuaj! Jo për të banuar, vetëm për ta shkelur! Punonin nëpër këneta vocërrakë e të moshuar. Tani, pa ju përmendur torturat, pushkatimet dhe varjet në litar, me vetëm kaq pak sa ju përshkrova: më e egër se kaq është lufta e klasave që ushtrohet mbi ju?


Nexhmija: Unë kam bërë burg!


RQM: Burg dhe internim pat bërë dhe e shoqja e Mustafa Krujës. Burg bënë edhe shoqet e tua të ngushta, Belishova, Liri Gega... I dërgove në burg Fiqretit gazetarë francezë, që t’i bënin ndonjë intervistë, siç erdhën dhe të bënë ty?


Nexhmija: Jemi treguar kategorikë, ç’është e vërteta. Kolektivisht. Qeveria ka bërë gabime. Ja, Surja Selfoja, tregtar gjirokastrit, njeri shumë i mirë, e kish ndihmuar familjen e Enverit, se njerëzit e tij nuk kishin të ardhura. E paskëshin burgosur. Enveri mbeti shumë i habitur se si kishte mundësi një gjë e tillë. U interesua se ç'kishte bërë dhe iu tha se ishte përzier me deputetët, që ishin grupe të asaj kohe. Është e vetmja herë që tha: “Ma sillni këtu mua dosjen”. “Mos e keni torturuar?”, - u tha, se ndoshta kishte parë ndonjë gjë në dosje. I thanë që jo. Enveri nuk mund të thoshte që ky është i pafajshëm, vetëm se ishte shoku i tij.


RQM: Fanatik i parimeve ky, Enver Hoxha, apo jo? Se ka dhe 100-vjetorin këto ditë…


Nexhmija: Nuk mund ta thoshte, sepse duhej të zbatoheshin ligjet. Si mund të ndërhynte ai në këto gjëra?! Dhe Koçi Xoxe atë kërkonte, që Enveri të thoshte jo dhe të dilte fjala që Enveri mbrojti tregtarin, pasi ai quhej armik i popullit dhe i binte që Enveri të mbronte armikun e popullit. Tjetri ishte një doktor, që e quanin Enver Zazani, shok shumë i ngushtë i Enverit, që ishin njohur në Francë. Njeri jashtëzakonisht i mirë. Por edhe ai iku.


RQM: Iku?


Nexhmija: Bahri Omari, burri i motrës, që Enveri ka dashur më shumë…


RQM: Ah, kunati që e strehoi në shtëpinë e vet burrin tuaj, sa kohë ai ish në Tiranë, për ta mbajtur larg thonjve të kuesturës italiane? Çfarë ndodhi dhe me zotin Omari? Iku dhe ai?


Nexhmija: Iku! Kur i pushkatuan kunatin, Enveri ishte kryeministër, nuk mund të ndërhynte, sepse fundja ai ishte i akuzuar me të tjerë. Koçi Xoxe e Bedri Spahiu kishin mundësi, por i qëndruan provokimit të tyre për Enverin.


Rudina Që Mungoi: Kishin mundësi?! Koçi me Bedriun ishin ministra dhe ata kishin mundësi të ndërhynin mbi drejtësinë! Kryeministri nuk kishte! O zot, si paskan qenë punët e parimeve tuaja! A nuk mendoni se historia duhet të rishikohet?


Nexhmija: Nëse do të flasim për rishikimin e historisë, historia është një gjë që shkruhet dhe mbetet gjithmonë, ajo plotësohet me dokumente e fakte të reja dhe në bazë të këtyre bëhen interpretime të reja…


RQM: Çfarë mbetet? Ju nuk keni lënë gjë të mbetet! Unë shoh fotografitë e retushuara, njerëz të hequr nga fotografitë, luftëtarë, figura të Rilindjes, krerë të partisë tuaj, gjeneralë… Të gjithë të pushkatuar… dua të them, të retushuar!


Nexhmija: Është e vërtetë që retushimi është përdorur dhe ka qenë, për mendimin tim, një budallallëk që vjen nga një pikëpamje injorante në këtë drejtim. E para, nuk është bërë me urdhër… shumë organizata dhe shoqata e bënin këtë.


RQM: Pupu, zonja Nexhmije, keni bërë shumë retushime! Ju vetë keni qenë drejtoreshë e fuqishme e propagandës. Në vitet e para retushuat nacionalistët, pastaj njerëzit tuaj. Skuadrat e retushimeve punonin me tri turne. Ju urdhëronit zjarr dhe ata i kositnin, me retush. Historia është gjymtuar keqas!


Nexhmija: Le të thonë ç’të duan, Enver Hoxha nuk ka vrarë njeri. Ishte sistemi…


RQM: Ka vrarë, nuk ka vrarë, krimet e komunizmit te ne duket se nuk do të dënohen kurrë, megjithëse bota e kërkon.


Nexhmija: Për të mos folur pastaj kush i kërkon këtu, këto. Që ta kërkojnë të përndjekurit, kanë plotësisht të drejtë! Le të luftojnë se iu përket atyre. Por sot e pashë në gazetë se kush e kërkon: Ismail Kadare!


RQM: Më mahnitni kur ju, zonjë, mbështetni të përndjekurit! Po me Kadarenë çfarë keni?


Nexhmija: Nuk dua të merrem me Ismail Kadarenë, nuk dua, sepse pastaj nxjerr edhe të tjera.


RQM: Po unë, fatlumja, për ato “të tjerat” paguhem! Mirë që më dolët në shteg, zonja Hoxha! Të gjithë kolegët do të habiten, po ta lë të më shpëtojë kjo deklarata juaj! Le të flasim për “të tjerat”! Se unë e di që këtë intervistë do ta lexojë edhe shkrimtari. E shoh që e kyçët gojën, moj zonjë e shtëpisë. Mëkat! Sa temë e bukur jeni ju për Kadarenë! Po le ta lemë atë! Krimet e komunizmit nuk kanë si të fshihen, daç të flasin, daç të mos flasin njerëzit te ne. Pasi u shfarosën kundërshtarët nga radhët e nacionalistëve, shpata u kthye nga tuajt. U vra Mehmeti, Fiqreti…


Nexhmija: I kam njohur shumë mirë të dy, si Fiqretin, ashtu edhe Mehmetin, madje Fiqretin e kam njohur me shumë, pasi kemi qenë në shkollë, ajo ka qenë edhe jetime, konviktore, gjithë pushimet i bënte te shtëpia ime, ishim komuniste në një grup... Por për mendimin tim ajo ra viktimë e Dushan Mugoshës, pasi ai e martoi me Mehmet Shehun.


Rudina Që Tmerrësisht Mungoi: Më falni, zonjë, nuk e kuptova këtë. Si e martoi Dushani?! Njerëzit martohen vetë. Kjo e juaja tingëllon si frazë intrigantësh, gjë që nuk është e vërtetë, pasi ju nuk duhet ta thoshit kurrë për një njeri të vdekur! Është një shoqe e vjetër shkolle, jetime, që pushimet i bënte te shtëpia juaj!… Po të mos i kishim parasysh këto, do na dukej si një shprehje femrash rrugaçe, gjë që është në kundërshtim të plotë me thinjat, me rangun, me figurën tuaj pretendente për faqet e historisë së këtij vendi fatkeq. Më falni për reagimin tim të ashpër e mos ma merrni për anësi. Unë po kështu do të reagoja edhe ndaj Fiqretit, po ta dëgjoja të thoshte për ju, që gjoja zonjërinë tuaj dhe Enverin, (që këto ditë ka 100-vjetorin!) ju martoi Miladini! Vazhdoni, ju lutem!


Nexhmija: Ndërsa për Mehmetin, ai bëri atë që bëri… Ata ishin të dashuruar me ne, ishin lidhje të sinqerta…


RQM: Dhe, pasi ishin të dashuruar me ju, Enveri vrau Mehmetin!


Nexhmija: Ata që e vranë Mehmetin, ishin Kadri Hazbiu me shokët e tij. Kjo e dërrmoi fizikisht Enverin…


RQM: Oh, shoqja Nexhmije, tani nuk mundem më! Ca gjëra, nuk… nuk i kapërdij dot. Se kam edhe unë njerëz që më çmojnë, më duan, më paguajnë, më gjykojnë! Sipas jush, del që Enver Hoxhës së gjorë ia vranë tërë ata që donte dhe e deshën: burra motrash, komshinj, shokë shkolle, shokë lufte, shokë France… Kriminelët e ndyrë, Koçi, Bedriu, Kadri Hazbiu, paskan bërë kërdinë, e paskan grirë të parin e tyre nga të katër anët!


Nexhmija: E vërteta do të dalë një ditë, por Enveri nuk ka lidhje.


RQM: Po ai ishte i pari vendit, moj zonjë! Edhe këta të sotmit nuk do të lejonin që në rrethin e tyre njerëzit t’u zhdukeshin kështu. Dhe nuk kam këtu parasysh vetëm Nanon dhe Berishën.


Nexhmija: Oh, këtë, të dytin, mos ma kujto!


RQM: Është folur se zoti Berisha ka qenë në grupin e mjekëve të burrit tuaj. Si qëndron e vërteta?


Nexhmija: Nuk ka qenë doktor i Enverit. Kur Enveri ishte sëmurë, u krijua grupi i mjekëve që do ta ndiqnin atë më nga afër. Hysni Kapo më dha mua emrat e këtyre mjekëve. Për Sali Berishën dija që punonte në klinikë, vetëm se poshtë, në dosjen e tij, kishte një shënim që vjehrra e tij ka qenë e UDB. Dhe unë nuk e pranova.


RQM: Me vjehrrën në UDB, ju i dënonit njerëzit vetëm duke mos i lejuar ata në grupin e mjekëve?! Ju qofshi! Një tjetër në vendin tuaj do t’i kish pushkatuar vjehrrën dhe pastaj dhëndrin nuk do ta lejonte as në parti e as sekretar në organizatën e tij! Nuk tingëllon pak si liberalizëm me okë ky i juaji?! Ju vetëm sa nuk e paskeni pranuar me mjekët e tjerë!


Nexhmija: Dhe ai bëri hakmarrje personale me mua dhe Enverin. Atë e zhvarrosi, mua më futi në burg për pesë vjet.


Rudina Që Deshi Të Mungonte: Berisha erdhi vetë në shtëpi dhe ju vuri prangat?! Rrëmbeu vetë kazmën dhe hapi varrin e Enverit?! Se ti, kur vjen fjala tek yt-shoq, thua që Enveri nuk burgosi e vrau njeri, e ata i vrau sistemi! Shikoni, se edhe juve mund t’ju ketë burgosur sistemi! Po të jetë se do t’i personalizojmë gjërat, atëherë Sali Berisha nuk hyn fare këtu. Unë po ju kujtoj se jeni burgosur më 4 dhjetor ‘91 dhe në krye të shtetit atëkohë ishte miku juaj i vjetër, Ramiz Alia! Si nuk ju kujtohet juve kjo gjë?! Me tetëdhjetë e shtatë vjetët tuaj, ju mbani mend Pijaden e Kardelin, Dushanin e Merkelin! Dhe nuk mbani mend se kush ju burgosi?! Unë jam e bindur se ju i kujtoni të gjitha edhe çfarë keni bërë me burrin tuaj.


Nexhmija: Ah! Të them të drejtën, vazhdoj të jetoj me të. Vazhdoj të flas çdo ditë, çdo natë gjithë këto gjëra që unë përjetoj. E pyes, kam librat që ka shkruar…


RQM: Për të shkruar po, por a i ka lexuar? Dua të them, që janë pa numër librat që ka shkruar dhe ai moj zonjë, zor se i ka lexuar!


Nexhmija: Me to këshillohem, por ka gjëra, për të cilat në libra nuk gjej përgjigje dhe e kam të vështirë se ç'mund të mendonte Enveri për gjendjen që është krijuar tani.


RQM: Në fakt, zonja Hoxha, nuk keni përse të vini kujën! Ja, siç e shikon, po ju intervistojmë, libra botoni, nesër tërë gazetat do t’ju kenë në faqen e pare, me gjithë akuzat që na bëjnë se ne po ju ofrojmë ekranin dhe mikrofonin e se gjoja ju vazhdoni të thoni marrëzirat që keni 50 vjet që i përsërisni! Unë flas disi açik me ju. Pyetje e fundit: në këtë 100-vjetor të lindjes të diktatorit, - që ju e thatë në fillim, që as doni t’ia dini fare se si e cilësojnë shqiptarët, - ndjeni ndonjë përgjegjësi?


Nexhmija: Ndjej si përgjegjësi të bëj çmos të bëhet një kthesë drejt arsyes, drejt vlerësimit objektiv, të rolit dhe vendit të Enverit në historinë e Shqipërisë. Kjo është shpresa ime e madhe.


Rudina Që Mungoi: E vetmja shpresë e juaja që përkon me ato të gjithë popullit! Të gjithë atë shpresë kanë: që objektivisht t’i jepet Enver Hoxhës tamam, vendi që meriton në histori. Për fatin tonë të keq, nuk do t’ia arrini asaj dite, moj monstër! Se do të dëshpëroheshit shumë!

tema

Respetin me te madh per zotin Kulla


PD ka ne dore te beje me se fundi dicka kunder krimineleve komuniste.





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 12-3-2009 nė 10:45 Edit Post Reply With Quote
Kosh plehrash
NGA ELVI FUNDO








Sërish dje opozita shqiptare shfaqi në mënyrë publike pamundësinë e saj për t’u larguar nga e kaluara jo shumë e largët, e cila është e përzierë me krime dhe persekucion ndaj shqiptarëve. Aktin e djeshëm si gjithmonë e drejtonte “klouni” politik i PS, Pandeli Majko. Si gjithmonë me deliret e tij të pashtershme dhe budallallëqet pa fund që nxjerr nga goja, dje ky person ofendoi publikisht me dhjetëra familje patriotësh shqiptarë dhe për më shumë u bë pengesa kryesore për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve dhe persekutuarve nga sistemi diktatorial.

Komisioni i Ligjeve diskutonte amendamentin për dëmshpërblim për familjet e persekutuara dhe gjithashtu edhe për familjet e personave të vrarë pa gjyq para vitit 1944.

Por mendjelliu Majko, që nga deliri dhe naiviteti i tij ka çuditur dynjanë me broçkullat që nxjerr nga goja, bën një deklaratë, duke çuar dhe zërin e duke qëndruar edhe fort kundër amendamentit të qeverisë.

Majko deklaroi se nuk duhet të përfitojnë nga vuajtjet e të përndjekurve, tradhtarët dhe kolaboracionistët që bashkëpunuan me okupatorin, ata që u pushkatuan pa gjyq para 1944 janë në koshin e plehrave, janë plehrat e historisë. Këto ishin fjalët e ish-Kryeministrit tonë, i cili mesa duket ende nuk është pjekur politikisht dhe mendërisht, megjithëse ka kaluar çdo fazë të brezave të jetës, pra përfundimisht “ky njeri nuk ka për t’u bërë kurrë” thotë populli.

Se sa luftë është bërë në Shqipëri dhe kush janë tradhtarët e vërtetë të këtij vendi, po e tregojnë historianët perëndimorë, por edhe arkivat e shtetit shqiptar. Tradhti më të madhe se të mbaje peng një shtet për 45 vjet me masakra, vrasje, krime e persekucione, nuk ka, gjithsesi për Majkon këta nuk janë tradhtarë, por veteranë e shërbëtorë të diktaturës që ende vazhdojnë marrin pensione të majme.

Por duke mos e marrë shumë seriozisht një njeri si Majko, që është përdorur e keqpërdorur nga shokët e tij të partisë e deri tek shoferët, budallallëqeve të Majkos duhet t’u sjellim argumente, jo për të mbrojtur amendamentin e qeverisë, por për të kërkuar të falur ndaj atyre nacionalistëve dhe figurave të mëdha intelektuale, që Enver Hoxha dhe baballarët shpirtërore të Majkos vranë me thikë prapa shpine.

Deputeti socialist i Maliqit të Korçës, që nuk shkon dot në zonën e tij elektorale, pasi e marrin me gurë, fatkeqësisht ka qenë dhe Kryeministër, megjithëse historinë duket se e njeh sa një ish-operativ vullnetar sigurimi, dalë nga klasa punëtore me 8 klasë, që nuk besonte Bibël e Kuran, por shkatërronte kisha e xhamia dhe Zoti për të ishin veprat e diktatorit. Kaq i paditur është ky i mjerë, sa nga goja e tij nxjerr helm për intelektualë e nacionalistë, të cilët punuan me dekada për Shqipërinë, por një ditë u vranë pa gjyq me urdhër të babait shpirtëror të Majkos, me copa letrash ku thuhej Enver.

Hapini arkivat, shikoni historinë dhe mos bëni mendjelliun shoku Pandeli, kur nuk e njihni historinë.



Një rast mjaft domethënës është ai i intelektualit dhe poliglotit Llazar (Zai) Fundo, për të hedhur poshtë kakofoninë boshe të një njeriu tashmë pa asnjë vlerë në politikën shqiptare si Majko. Llazar (Zai) Fundo është kapur dhe pushkatuar pa gjyq nga brigada V sulmuese në shtator 1944, në Kolesian të Kukësit. Fundo, sipas arkivave, është kapur me një misionar anglez dhe një nga vëllezërit e familjes të madhe nacionaliste Kryeziu.

Sipas letrës së Enver Hoxhës: “Zain, pyeteni se ku ka qenë, cili ka qenë aktiviteti i tij, pyetjet i sillni këndej, atë vriteni andej”. Kjo letër është botuar në disa gazeta të përditshme dhe është dhënë edhe në disa media televizive. Në rast se Majko nuk e beson, i japim fotokopje origjinale që të ketë firmën e babait shpirtëror nën jastëk. Llazar (Zai) Fundo është biri i një familjeje të madhe tregtare në Korçë, një student i shkëlqyer i Sorbonës, një i ri komunist dhe anëtar i kominternit,-------- por që diku nga vitet 1935 shkroi "komunizma që në dëshmi për nga ligësitë ia kalon dhe djallit”, edhe këtë ja japim Majkos. Një poliglot me 9 gjuhë të huaja, intelektual me vlera përtej kufijve të Shqipërisë, Sandro Pertini, ish-Presidenti i Italisë ka thënë për Llazar (Zai) Fundon, “një njeri i madh që i përket Evropës, jo vetëm Shqipërisë”. A e dini ju se Fundo është një nga 42 firmëtarët e parë të idesë BE, në Ventotene, projekt i hedhur ne letër si platforme e një Evrope të bashkuar nga intelektuali italian, Alterio Spineli? Për më tepër mjafton të kërkojë me emrat e sipërpërmendur në internet dhe këto të dhëna i gjen në të gjitha arkivat online të Evropës, por fatkeqësisht nuk ke se çfarë të presësh nga një deputet që ka frikë të shkojë në zonën e tij elektorale, pasi mund ta gjuajnë me panxhar.

Për ta mbyllur, janë edhe disa fakte të shkurtra, me pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939: Llazar (Zai) Fundo mbajti fjalim përpara Bashkisë së Korçës, ku kërkonte armë për të luftuar fashizmin, këtë Majko e ka edhe në veprat e babait të tij shpirtëror, më pas ky i fundit livadhiste në Shqipëri e vriste shokët pas shpine, ndërsa Fundo u internua nga fashistët në Ventotene. Sapo u lirua nga internimi me rënien e fashizmit, Fundo vjen në Shqipëri me vëllezërit Kryeziu, për të luftuar për lirinë e mëmëdheut tij, deklaratë e Zait në kujtimet e ish-Presidentit Pertini, i cili i kishte kërkuar të qëndronte në Itali.

“Vallë çfarë i ngelet Shqipërisë, po humbi njerëz si Zai Fundo”? - Fan S. Noli 1945.

Pra, llogjet e Majkos dhe shokëve të tij socialistë bien poshtë me fakte dhe jo me broçkulla siç ka qejf Pandeliu. Pra koshi i plehrave janë ata që Majko mban për heronj e baballarë shpirtërorë dhe jo njerëz si Llazar (Zai) Fundo, e qindra intelektualë të tjerë të vrarë pa gjyqe para “çlirimit”, që solli 45 vite shkatërrim e persekutim.


11/03/2009


standard

te ai majko e kemi proven konkrete qe djalli jeton e ne bejme sikur jetojme.


Une e di se cfare duhet ba,

dikush tjeter?





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.3729570 sekonda, 31 pyetje