Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: ME AKTOREN YLLKA GASHI
ornamenti

Postuar mė 30-4-2004 nė 21:37 Edit Post Reply With Quote
ME AKTOREN YLLKA GASHI

ME AKTOREN YLLKA GASHI


Yllka Gashi, "fytyra" më e bukur e ekranit, e cila po i "kallë" të rinjët, të cilët tek ajo çmojnë sharmin, sytë...

Në një skenë erotike?! Nuk e dij...!!



ZOTI KRYETAR NJË GOTË EKS PËR SEX-
Yllka Gashi

Yllka Gashin publiku kosovar e njohin nga paraqitjet në emisionet e saja në KTV, në RTK - emsioni "Air condition", në shfaqjet "Hamleti", "Zoti kryetar, një gotë eks për seks", si dhe, sidomos me serialin "Familja moderne" që është duke u dhënë në RTK. Në këtë intervistë të sajën ajo shpalosë para lexuesit, detaje nga jeta e sajë "artistike" dhe "private"! Pa paragjykime, me spontanitet, flet për kolegët, punën, për të dashurin, të cilin pranon se e ka, mirëpo nuk jep më tepër detaje etj. Në këtë intervistë, flet, pa shumë "pardon", Yllka Gashi, "fytyra" më e bukur e ekranit, e cila po i "kallë" të rinjët, të cilët tek ajo çmojnë sharmin, sytë...

Çka ka të re?
Yllka: Ë...! po bëj intervistë , a mjafton kjo?!

Për një intervistë është dashur të të presim më shumë se 10-të ditë. A d.m.th kjo që je aq shumë e zënë?
Yllka: Paj, deri diku mund të them edhe ashtu, sepse kohëve të fundit jam shumë e zënë dhe me të vërtetë për t’i kryer të gjitha obligimet ashtu si duhet nuk më mjaftojnë 24 orë. Unë kohën e konsideroj shumë të çmueshme prandaj mundohem ta shpenzoj logjikshëm duke u dhënë përparësi gjërave që janë më të rëndësishme.

Cka është më e rëndësishmja për ty?
Yllka: Shumë gjëra, por primarja është shëndeti, qetësia shpirtërore, dashuria harmonia familjare...

Po pamja e jashtme sa është e rëndësishm për ty?
Yllka: Më pëlqejnë gjërat estetikisht të këndshme dhe nisem prej asaj shprehjes "Syni don me pa mirë", kshtuqë pamja e jashtme është mjaft e rëndësishme për ta kompletuar një personalitet, mirëpo asesi nuk është më e rëndësishmja.

Domethënë, ju rrini para pasqyrës?
Yllka: I jam shumë mirënjohëse Zotit që ma ka dhuruar një ndjenjë shumë të këndshme sa herë që e shikoj veten në pasqyrë. (Qeshet) Sinqerisht a? Zakonisht aq kohë sa i duhet secilës femër derisa ta lan fytyrën e dhëmbët dhe t’i kreh flokët. E në raste më të veçanta diku rreth 10 min maximum.

A do të kishit jetuar në ndonjë vend tjetër, përveç Prishtinës?
Yllka: Ndoshta përkohësisht po. Mirëpo definitivisht Prishtinën e dua shumë edhepse i mungojnë me qindra elemente që duhet t’i ketë një kryeqytet evropian, kshtuqë për më gjatë nuk do ta ndërroja me asnjë vend tjetër.

Keni luajtur në shfaqjen "Hamleti" të Teatrit Kombëtar, me regjisor anglez, David Gothard. Çfarë mund t’na thoni për këtë?
Yllka: Përvoja me Davidin dhe me tërë ekipin e "Hamletit" për mua është një pjesë shumë domethënëse e fillimit të karrierës sime sepse në atë kohë unë isha ende në shkollë të mesme dhe nuk e kisha asnjë ditë shkolle të aktrimit, mirëpo pasi kalova audicionin, u pranova dhe për mua kjo ishte diçka shumë e madhe dhe e rëndësishme. Definitivisht periudha gjatë së cilës është punuar "Hamleti" është njëra ndër përvojat profesionale më interesante që kam pasur deri tash.

Momentalisht po luani në teatrin "Dodona", komedinë " Zoti kryetar një gotë ex për sex". A po keni publik?
Yllka: Komedia "Zoti kryetar..." është një shafqje tipike "alla Dodona" nëse mund të shprehem kështu, është një shfaqje e lehtë ku publiku vjen për tu argëtuar e jo për të parë "intelektualë" siç do të shprehej prof. Faruk Begolli, njëherit regjisor i kësaj shfaqjeje. Është e vërtetë që po kemi publik dhe që kjo shfaqje po pëlqehet nga publiku, madje ka edhe të tillë që vijnë nga 2-3 herë për ta parë shfaqjen. Cka unë mund të them për këtë shfaqje është që kjo është përvojë që secili aktor duhet ta kalojë. Përvec tjerash për një aktor nuk është aspak e lehtë të jetë vetëm në skenë 5 apo 10 min dhe ta bëjë publikun të qesh me ato që flet e bënë.

Shumë adhurues tuaj kanë thënë që "Yllka nuk është dashur të punojë me Armendin dhe Edonën në Air Condition". Çka mendoni ju?
Yllka: Hahaha... Unë nuk mendoj aspak ashtu. Ndoshta do të zhgënjehen adhuruesit e mi por ja që nuk mendoj aspak që ishte gabim që kam punuar me Armendin dhe Edonën, përkatësisht që kam qenë pjesë e ekipit të emisionit "Air Condition" sepse kjo ka qenë një përvojë e shkëlqyer dhe njëri ndër preokupimet e mija kryesore gjatë verës së vitit të kaluar. E tërë përvoja me fëmijët (të cilët unë i dua shumë) dhe me Armendin e Edonën ka qenë fenomenale. Air Condition ka qenë një projekt ku të gjithë sa kanë punuar aty kanë dhënë diçka nga vetja. Unë kam pasur një përvojë shumë të kënaqshme me Edonën e Armendin, si dhe me Aidën e cila definitivisht është njëra nga femrat më të zonja, punëtore dhe profesioniste që kam parë deri tash.

A jeni optimiste?

Yllka: Po shumë, këtë veti të mirë e kam trashëguar nga prindërit e mi. Jam shumë optimiste, mirëpo kjo nuk d.m.th që ju takoj atyre optimistëve extrem të cilët nuk e kanë ndenjën e realitetit aspak. Unë jam shumë reale mirëpo, optimizmi më përcjell zakonisht sepse punoj shumë dhe nisem nga ajo që njerëzit të cilët punojnë në fund shpërblehen nga puna e tyre.

Si ke vendosur të bëhesh aktore?
Yllka: Hahahahahaha... m’ka ardh qashtu vet... hahahahahaha. Pas "Hamletit" kam vendosur definitivisht të përcaktohem për aktrim, prandaj edhe u regjistrova një vit para kohe në fakultet. Kjo ndodh zakonisht kur ke shpirt artistik...hahahahaha

A të kanë inkurajuar njerëzit rreth teje për këtë gjë?
Yllka: Po natyrisht, familja ime gjithmonë ka qenë publiku im më i mirë sepse unë si "sugaresha e familjes" sa herë kisha nevojë të shprehesha, t’i tregoja aftësitë e mija ose ndonjë zbulim të ri që kisha bërë tek njerëzit që i imitoja, i mblidhja anëtarët e familjes dhe shou fillonte...

A keni të dashur?
Yllka: Po!!!

Si e keni njohur atë?
Yllka: Ëëëëëëëëëëë këto detaje të jetës private nuk më pëlqen t’i bëjë publike sepse i konsideroj shumë intime... OK?!

A keni pasur mdonjë konflikt me të dashurin për shkak të profesionit?
Yllka: Po natyrisht që diskutojmë, bile bile mund të them se debatojmë për shumë tema që i prek profesioni im dhe i tij, mirëpo në fund arrijmë në një përfundim të përbashkët dhe mundohemi t’i respektojmë mendimet e njëri-tjetrit. Unë kam fat që njerëzit që i kam përrreth më kuptojnë dhe më përkrahin në profesionin tim.

Çka çmoni më së shumti te njerëzit?
Yllka: Origjinalitetin. I çmoj të gjitha ata që janë "vetvetja".

A jeni e përpikme njerëzit, (përveq me gazetarë)?
Yllka: Fatkeqësisht vonesat janë një e metë imja. Kjo ndodh ngase jam shumë e ngarkuar. Po e jap maximumin tim ta heq këtë veti!..."

Si u bë që ju u u angazhuat në serialin tashmë të njohur "Familja moderne"?
Yllka: Kjo punë ka filluar para dy vjetësh kur Fatos Berisha ma patë dhënë skenarin e epizodit të parë ta lexoj dhe më patë thënë ta shikoj rolin e Zanës, mua më ngacmoi shumë ai personazh dhe e tërë atmosfera që u krijua në mua që në lexim të parë kështu që e thashë po-në time për të hyrë në këtë projekt. Atëherë e xhiruam vetëm pilot epizodën për vit të ri, d.m.th. epizodin e parë i cili jashtëzakonisht u komentua dhe u mirëprit nga një shumicë e publikut. Dhe pjesën tjetër veqse e dini , pauzuam një kohë dhe pastaj filluam prapë me xhirime dhe tash kemi arritur diku te epizodi i 15-të.

A ndodh të keni probleme me regjisorin, aktorët apo me ndokë tjetër të ekipit gjatë provave apo xhirimeve, me fjalë të tjera si është atmosfera jashtë skenës?
Yllka: Kur punon me një ekip të madh dhe profesionist problemet janë më të vogla, mirëpo nuk mungojnë. Dhe natyrisht që ndërron puna me regjisorët sepse secili e ka mënyrën e vetë të punës dhe me secilin ke raporte të ndryshme. Përndryshe unë kam raporte shumë të mira me kolegët e "Familjes...". Do të veçoja gjyshen, Leze Qenën, e cila është një shembull shumë i mirë i profesionistit dhe e cila përkundër moshës që ka gjithmonë është energjike dhe shumë e këndshme, pastaj Dini- Dibran Tahiri, etj. Poashtu në ekipin e "Familjes..." janë edhe dy vajza të mrekullueshme që rrinë prapa skenës, po që kontribuojnë shumë në zhvillimin e serialit dhe në ato që i sheh në fund publiku, janë këto Visarja-asistentja e regjisë dhe Anita- kostumografja, dy vajza shumë punëtore dhe shumë të përshtatshme në punë.

Sa paguheni për një episod?
Yllka: Hahaha... këtë do ta kuptoni vetëm nëse ndonjëherë e shihni kontratën që kam me RTK-në, përndryshe nuk ka shansë ta kuptoni...

A mendoni se jeni e famshme?
Yllka: Këtu te ne dhe jo vetëm te ne, por përgjithësisht në Ballkan, mjafon 3-4 herë të dalësh në TV dhe të popullarizohesh. Unë jam fytyrë publike kjo është e vërtetë, mirëpo të jesh i famshëm për mua nënkupton një standard shumë më të lartë dhe më global, të famshëm unë llogaris Ajnshtajnin, Hitlerin... Madonën. Te ne mund të bëhesh i popullarizuar në mënyrë provinciale, lokale... kaq është FAMA te ne!?

A ju pengon fama që të jetoni ashtu si ju dëshironi?
Yllka: Edhe po, edhe jo.... më pengojnë komentet në rrugë që janë të shumta ose përgojimet e gjëra të tjera të ngjashme, mirëpo dikur mësohesh me këtë gjë dhe bëhesh imun, as nuk sheh as nuk dëgjon.

Sa ju ka ndihmuar fakti që jeni motra e këngëtares Donika Gashi?
Yllka: Lirisht mund të them se mua më shumë më ka ndihmuar fakti që jam shumë punëtore se sa fakti që jam motra e vogël e Donika Gashit. Ka ndodhur edhe ajo që njerëzit kur e kanë kuptuar që jam motra e Donikës kanë pasur konsideratë më shumë ndaj meje për shkak të respektit ndaj saj. Mirëpo ne jemi dy personalitete shumë të ndryshme dhe natyrisht që kemi raporte të ndryshme me njerëz rreth nesh. Unë asnjëherë nuk e kam shfrytëzuar emrin e saj për të arritur diçka, sepse ato lloje të arritjeve besoj që janë shumë afat shkurtëra. Jam bazuar në forcat e mija dhe vetëm në saje të këtij fakti kam arritur deri këtu ku jam sot.

Po çfarë raportesh ke ti me Donikën, a keni mosmarrëveshje ose konflike cila është më e popullarizuar apo diçka kështu...?
Yllka: Donika dhe unë jemi rritur në një familje shumë të shëndoshë, ku harmonia ka qenë në maximum. Nuk më ka ndodhur të keqkuptohem me të ndonjëherë aq më pak të kemi konflikte se cila është më shumë ose më pak kështu-a ashtu. Unë me të konsultohem për shumë gjëra ngase ajo është një tip shumë i sinqertë dhe i ngrohtë ne komunikim, është shumë më e qetë, më e arsyeshme dhe natyrisht më e pjekur, ajo ju përket njerëzve që është vështirë të kesh probleme me ta sepse e shikon vetëm punën e vet. Unë krenohem me Donikën sepse ajo ju përket njerëzve të rrallë, këtë e them jo ngase është motra ime po ngase kjo është shumë e vërtetë. Ajo nuk është imponuar asnjëherë te njerëzit ose te publiku ose blla blla..., nuk e ka pasur as nënën, as babain e as burrin menagjer ose diçka ngjashëm siç ndodh me shumicën e kolegeve të saj. Ne gjithmonë kemi pasur përkrahjen e familjes mirëpo, jo edhe intervenimet ose ku ta di unë... Të gjitha këto që ka bërë Donika ose unë, deri tash janë meritë e punës së palodhshme, vullnetit të mirë dhe pozitivitetit në punë.

A ju ndodh të refuzoni role?
Yllka: Po, secilit aktor i ndodh kjo.
A është e vërtetë se ju është dhënë një rol në shfaqjen "Moulin Rouge" të Jeton Budimës?
Yllka: Po, është e vërtetë, mirëpo unë nuk kam pasur kohë sepse kam qenë shumë e ngarkuar në kohën kur kanë filluar provat për këtë shfaqje, edhepse Jetoni në këtë rast është treguar shumë fer ndaj meje dhe më ka dhënë shumë mundësi, megjithatë unë kam pasur shumë ngarkesa dhe probleme në atë kohë, xhirime, prova, shumë obligime dhe nuk jam ndier e aftë për ta marr edhe një obligim të ri.

A do të thotë kjo se ju e dini ku është kufiri?
Yllka: Definitivisht. Unë kam masë dhe e di ku është kufiri.

Pra kënaqeni me pak?
Yllka: PO ndonjëherë të kënaqeni me pak është më mirë sepse mund të mbeteni edhe pa atë kënaqësi fare. Jam shumë ambicioze, por i kam ambiciet e shëndosha dhe e di për veten time çka më duhet e çka jo. E njoh veten shumë mirë, dhe e di sa mundem. Prandaj mundohem që të mos e mbingarkoj veten sepse atëherë, satisfaksioni i secilit sukses është shumë më i përgjysmuar.

A keni moto të cilës i përmbaheni?
Yllka: Po, gjithmonë nisem prej asaj thënies "Jeta është e bukur". Kjo më bën më të arsyeshme në shumëçka sidomos kur jam nervoz, sepse me të vërtetë jeta është e bukur me këtë apo pa atë, mirë apo keq, me gëzim a pikëllim...jeta sidoqoftë është e bukur dhe duhet të jetohet.

A do të kishit bërë ndonjë skenë erotike me ndonjë aktor dhe nëse po me cilin?
Yllka: Pyetje shumë e vështirë. Ende nuk e kam pasur ndonjë propozim të tillë as ndonjë dilemë rreth kësaj çështje. Nuk mund të them asgjë definitve sepse kurrë nuk dihet. Nuk dua të krijoj paragjykime për gjëra të parakohshme.

Çka do te thoshit në një intervsitë pas 10 vitesh
Yllka: Besoj që kisha për të thënë shumë.

Diçka për fund?
Yllka: Të duhemi e ta respektojmë njëri tjetrin sepse vetëm kështu mund t’i arrijmë të gjitha...

intervistoi:

A. Zharku

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member
ornamenti

Postuar mė 30-4-2004 nė 21:41 Edit Post Reply With Quote
DIBRAN TAHIRI: "UJKU I VJETĖR" I SKENĖS KOSOVARE

DIBRAN TAHIRI: "UJKU I VJETËR" I SKENËS KOSOVARE

Ai është një burrë intelegjent. Di të depërtojë në thellësi të gjërave. Bota e tij është përplot enciklopedi, është e mbushur plot nostalgji për të kaluarën. Ai e beson, e sheh botën me syrin e tij, larg, sikurse edhe mendon, dhe gjithçka që përcjell është edhe brenda këtyre
kontureve, brenda këtij sinqeriteti… Fjalët e tij, gati gjithmonë bien bukur, ngase bota e këtij aktori është e pastër, e brishtë, por shumë e sinqertë…


Ka kohë që e thërrasin babi i Korabit, Zanës, Ardit dhe Almës. Mirëpo e quajnë edhe burri i Dritës dhe dhëndri i Skënderit. Ai gjyshen e “Familjes Moderne” e ka vjehërr. Dini, “plaku” i serialit shumë të përcjellë nga publiku kosovar “Familja moderne” është njeriu që sfidon gjithçka që i del para vetës. Ky është Dibran Tahiri, njeriu shpirtbutë i përditshmërisë, dhe pushtetploti i “Familjes moderne”, aktori që të lë të kuptosh se është i kërkuari dhe më i preferuar i kohës, i cili është i lidhur për skenën, artin, dhe të bukurën që moti… Personazhi më serioz dhe më i rreptë i “Familjes moderne”, Dini, përmes një humori të hollë pasqyron aktualitetin nëpër familjet kosovare , raportet prind-fëmijë, të cilat përputhen në shumë prizme me realitetin e ri kosovar. Thjeshtësia, origjinaliteti në skenë, lëvizjet e tija plot gjallëri, nazet e një udhëheqësi familjar, të cilat rimojnë me kohën, e kanë bërë Dibranin, tashmë të njohur si babai i “Familjes Moderne””,yll të artit shqiptar dhe aktorin më të dashur të elitës kosovare. Pedantëria dhe sinqeriteti i tij duket sikur i jep një imazh të bukur artit shqiptar. Aktori shpirtbutë mitrovicas, ka një numër të madh të “elektoratit” të tij artëdashës. Po ta tërheqësh një paralele nga Dibrani deri te Dini, rruga është plot labirinthe për të arritur deri te dy botërat, të cilat janë definitivisht të kundërta. Dibrani në jetën e përditshme kurrë nuk ka qenë baba dhe i martuar, është indiferent ndaj politikës dhe është shumë tolerant. Në krahasim me përsonazhin e “Familjes moderne”, Dibrani në jetën e përditshme është shumë i qetë, aspak nervoz, tolerant, ka shumë mirëkuptim, dhe në qoftë se ai nuk mund të ndryshojë diçka atëherë shumë thjeshtë tërhiqet dhe i përcjell gjërat në heshtje. Kurse Dini është shumë temperament, udhëheqës i një partie dhe njeri që nuk lëshon pe dhe iu tregon fëmijëve të tij të lazdruar herë pas here se ende është ai “ujku i vjetër”. Fëmijët e “Familjes Moderne”, e dinë atë dhe nuk ia teprojnë. Serioziteti i Dibranit dhe burrëria e Shemsedin Gashit në “Familjes moderne”, të lënë të kuptosh se Dibran Tahiri është aktori që di të “notojë” në çdo “oqean” qoftë edhe në atë që ndoshta është vështirë të kalohet edhe me “barkë”.

Karriera… roli i parë…roli në filmin kroat

Një burrë elegant, me mjekër të thinjur, sy depërtues dhe paksa me një instikt të vacantë që shprehin botën e një artisti, me sakon dhe pantollonat e zeza, padyshim se është një Omar Sharif, por i kohës sonë. E sheh të ulur në një qoshe të restorantit te “Teatri Kombëtar”, një çantë të vogël para tij, së bashku me një çaj “hibiskus”.

Një palë syze komode, por me dioptri, theksojnë edhe më shumë vështrimin e çiltër dhe po aq të sofistikuar, të aktorit kosovar.

Ai është një burrë intelegjent. Di të depërtojë në thellësi të gjërave. Bota e tij është përplot enciklopedi, është e mbushur plot nostalgji për të kaluarën. Ai e beson, e sheh botën me syrin e tij , larg, sikurse edhe e mendon, dhe gjithçka që përcjell është edhe brenda këtyre kontureve, brenda këtij sinqeriteti… Fjalët e tij, gati gjithmonë bien bukur, ngase bota e këtij aktori është e pastër, e brishtë, por shumë e sinqertë, …
Ngadalë me një zë të trashë tamam mashkulli,e fillon tregimin e tij për fillimin e karierës. Fillon me një thjeshtësi sa më shumë që është e mundur, sepse siç thotë ai po të përshkruajë në tërësi karierën, do të duhej një gazetë e tërë.

Ka lindur pas Luftës së Dytë Botërore, në kohën e të ashtuquajturës “rindërtimit të vendit”. Babai i tij ka qenë minator, punëtror dhe prind i mrekullueshëm, i cili qysh atëherë e kishte parasysh që duhet t’i shkollojë fëmijët e vet. Ka qenë i bindur asisoj, shkollimi mund t’i shpien fëmijët e tij përpara, dhe pas mbarimit të shkollës fillore edhe gjimnazin në Mitrovicë, Dibrani i ishte drejtuar kryeqendrës ku po atë vit në Prishtinë (1967), ishte hapur studio për teatër, film dhe radiotelevizion. Ishte gjenerata e parë ku ripërtërihej ansambli i atëhershëm me aktorë të mrekullueshëm.

“Isha si gjeneratë e parë pas Shani Pallaskës, Istref Begollit, Muharrem Qenës… ne ishim ata që do të vinim vazhdimësi e këtyre aktorëve të mëdhenjë të teatrit të atëhershëm që quhej krahinor”, thotë Dibrani duke treguar se kuadrot që ligjeronin atë kohë në atë studio ishin nga gjithë ish-Jugosllavia, në mungesë të kuadrove vendore.

Ishin profesorë për lëndë të aktrimit, dikcionit, teknikës së zërit, të levizjeve skenike.

“Pas diplonimit unë pata fatin të punësohem në Teatrin Kombëtar, dhe menjëherë erdh roli im i parë në shfaqjen “ Duke pritur Godonë”. Atëbotë ne korrëm një sukses të madh me këtë shfaqje, shfaqja ishte shumë heterogjene, kjo mblodhi disa gjenerata aktorësh të cilët dëshmuan në një nivel të lartë të asaj kohe. Kjo sigurisht se ishte shfaqja më mirë pas “Ervehes디, tregon aktori Tahiri.

U arrit ai sukses sepse jugosllavët shqiptarët i quanin pakicat, ishte mënyrë e dhunshme, dhe padyshim aktorët e atëhershëm kosovarë dëshmuan se nuk janë pakicë, por fuqi kulturore.

Roli i Dibranit në shfaqjen “Duke pritur Godonë” ishte roli i Likit.

“Ky rol kërkonte një përgatitje të madhe psiko-fizike. Përpos asaj më duket se bashkë me regjisorin jemi munduar të japim diçka më shumë se çka kërkonte roli”, është shprehur Dibrani.

Atëbotë ishte vetëm 22 vjeçar. Ai ende edhe sot e kësaj dite mbanë letra nga adhuruesit e tij për falemenderimet dhe përshtypjet e tyre për atë rol që ai kishte luajtur.

“Pas hapjes së Universitetit në Prishtinë, unë e regjistrova gjuhën frenge, mirëpo nuk e kreva, për shkak të angazhimit të madh që kisha në Teatër”, thotë Tahiri.

Ai tregon për atë kohë kur “Teatri Krahinor”, mblidhte të gjithë talentët më të mirë të Kosovës.

Nuk ishte teatri i vetmi vend të cilin aktori Tahiri e kishte shijuar. Ai ka marrë pjesë edhe në shumë filma.

“Viti 1971 në ish-Jugosllavinë përgatitej filmi “Dashuria e parë”, gjirohej në bregdetin dalmatin. Regjisori Zoran Gjalliq, i cili pati bërë një serial të filmave më të shikuar për të rinjë, ishte ai i cili përgatise atë film.

Në rolet kryesore ishin Faruk Begolli me disa aktore Lila Llashiq, Vesa Mallohogjiq…nga Zagrebi, deshi fati që një aktor nga Zagrebi u sëmur dhe atëherë më ftuan mua në atë film që ta zëvëndësojë atë përsonazh, ky ishte edhe roli im i parë në film”, kujton me nostalgji Tahiri.

E kishte ftuar regjisori Zoran Gjalliq së bashku me drejtorin e “Kosovafilmit” Abdurrahman Shala.

“I hipa trenit dhe shkova prej Splitit në Makarska, edhe aty u vendosëm në një hotel në bregdet. Ishte një pushim jashtëzakonisht shumë i mirë por edhe onorari vinte.

Sekuenca ime xhirohej diku kur pritej një kohë me diell, mirëpo nuk kishte ato ditë kohë me diell, kështu që unë pushova një pesëmbëdhjetë (15) ditë atje, në llogari të ekipit”, është shprehur Dibrani.

Do të thotë që aty filloi kariera e tij e vogël në film. Mirëpo gati në të gjitha projektet e “Kosovafilmit” ai ka marrë pjesë.

“Kam marrë pjesë në filmin e Isa Qosës “Proka”, “Përroi vërshues”, “Era dhe Lisi”...”, tregon Dibran Tahiri.

Se cilën nga këto dyja do të zgjidhte, teatrin apo filmin, ai thotë se para kamerës ndihet më mirë.

“Derisa erdh “Familja Moderne”, unë kam menduar që në teatër e ndiej vetën më mirë, kurse tash po e ndiej vetën më mirë në ekran. Disi ky interpretimi intim më dukët më i natyrshëm, më i thjeshtë, më i sinqertë, më shumë po më përshtatet përpara kamerës”, thotë Tahiri duke vazhduar se atij i përshtatet si natyrë, megjithëse fshehtësitë e interpretimit para kamerës dhe në skenë kurrë nuk mund të hulumtohen deri në fund.

Ai flet për rastin e Merlon Brandos aktorit holivudian i cili e ka gjetur atë formulën e interpretimit të superstrukturimit, formulën e aktrimit shumë të thjeshtë, dhe shumë facionante, shumë bindëse.

Do të thotë ai mendon se më shumë i fle interpretimi para kamerës edhe pse teatri për të mbetët dashuria e parë dhe e paharruar.

“Familja Moderne”…

Duke treguar për serialin vendor, ku ai është mund të themi në rolin kryesor, Dibrani tregon se si u fut në këtë botë.

“Ishte ‘Viti i Ri’ 2002, producente në television ishte z. Linda Abrashi – Shala, dhe ajo e kishte angazhuar Virtyt Kelmendin skenaristin, ta shkruaj një komedi për një familje aktuale kosovare.

Ai ia ofron skenarin dhe i pëlqeu ajo. Së bashku me Fatos Berishën regjisorin janë koordinuar bukur dhe i kanë ndarë rolet dhe në rolin e Dinit këta dy më kanë propozuar mua”, tregon mënyrën e inkuadrimit në këtë serial Dibrani duke u shprehur më tej se ata e kishin ftuar në bisedë, Dibrani e kishte lexuar skenarin dhe e ka parë që roli i ishte përshtatur. “Cila është më interesante? Mua më pëlqeu edhe ndarja e roleve tjera, të gjithë aktorëve të cilëve u ishin ndarë rolet, mua më pëlqeu edhe më shumë, angazhimi i atyre aktorëve të mrekullueshëm, si ishte Leze Qena, Myrvete Kurtishi, Armond Morina , Luan Jaha, Yllka Gashi, Vlora Merovci, Xhejlane Godanci, Nëntor Fetihu. Ishte një ekip jashtëzakonisht i mirë, dhe ta them të drejtën mu duk vetja se isha në një familje, sepse me këta aktorë unë kisha punuar edhe më herët”, ka thënë Dini i “Familjes Moderne”.

Ai thotë se ata pjesmarrësit e “Familjes moderne” kanë pas një punë shumë të vështirë.

Kanë bërë përpjekje që një “armatë” të tërë shikuesish të serialeve të huaja, latino-amerikane, do të thotë t’i kthejnë nga një serial vendor. Dibrani këtu e sheh suksesin e këtij seriali, sepse siç thotë ai merret me problemin e mentaliteteve tona të cilat përballën përballë humorit.

Me këtë edhe Dibrani e sheh suksesin dhe thotë se kjo pikërisht i ka shtyrë ata që të mobilizohen.

“Xhirimi te ne shkon shumë ngadalë, Fatos Berisha punon me shumë përgjegjësi së bashku me Ilir Bokshin dhe Mentor Shala të cilët edhe këta dy të fundit i kanë bërë disa episode të këtij seriali.

Dibrani flet edhe për marrëdhëniet dhe harmoninë e “Familjes Moderne”.

Ai thotë se marrëdhëniet e tyre deri më tani janë fenomenale të mira.

“Deri më tani janë punuar pesëdhjetë(50) episoda, dhe të punohen kaq episoda pa asnjë problem kjo më befason edhe mua dhe më çudit, nuk ndodh asnjë ekces as edhe më i vogli ngase dëshira e madhe për të kontribuar, dhe ngase ky është seriali i parë në gjuhën shqipe që jepet në një television, natyrisht duke pas parasysh edhe suksesin e madh në publik të serialit”, shprehet Tahiri.

Ai thotë më tej se “Familja Moderne”është një çast i vogël historik për ne, sepse megjithatë serial shqip më të gjatë nuk ka pasur deri më tani

Dini & Dibrani…jeta private…filmat “Western”…

Është një rrugë përplot zig-zage, që të shpien te dy botëra, te Dini i “Familjes Moderne”dhe Dibrani i përditshmërisë.

“Unë në jetën e përditshme nuk jam baba, në serial duhet ta luaj rolin e babait me disa fëmijë të lazdruar të formoj raport me fëmijët, nuk do të thotë se unë nuk e njoh ndjenjën e raportit të prindit me fëmijën, sepse unë kam pas motra dhe vëllezër shumë më të rinjë se unë dhe kam marrë pjesë në zhvillimin dhe rritjen e tyre”, tregon për jetën e tij Dibrani, aktori kosovar.

Ai thotë se bota e Dinit dhe Dibranit ndryshon. Ndryshon në shumë segmente. Në jetën private ai është shumë i qetë, aspak nervoz, është tolerant, ka mirëkuptim, dhe në qoftë se ai nuk mund të ndryshojë diçka atëherë shumë thjeshtë tërhiqet dhe i përcjell gjërat në heshtje.

“Deri diku pajtohem me Dinin se në të shumtën e rastëve Dini tërheq dorë. Në pamundësi për të ndryshuar diçka ai lëshon pe”, bën dallimin e dy botërave Dibrani, duke treguar se Dini është më temperament, ka kohë kur edhe shpesh dominon në familje, dhe herë pas here të tregojë se është ai “ujku i vjetër”. Dhe natyrisht fëmijët e “Familjes Moderne”, e dinë atë dhe nuk ia teprojnë. Këtu është edhe ngjashmëria dhe dallimi mes personazhit dhe Dibranit.

“Në jetën private unë nuk jam në asnjë parti politike, por edhe nuk jam apolitik.

Politika më ka interesuar që nga bankat shkollore. Kur ne sot në Kosovë po e ndërtojmë gjithçka nga fillimi, njeriu nuk guxon të jetë indiferent, por jo në atë kuptimin të bëjmë të gjithë politikë dhe t’i mësojmë politikanët të bëjnë politikë. Por duhet përcjellë vazhdimisht se çka po ndodh me fatin tonë. Vetëm një gjë mua më brengos, lufta për pushtet”,- thotë Dini i serialit.

Ai shprehet edhe më tej dhe futet në ujërat që ndoshta nuk di të notojë, mirëpo megjithatë mundohet të del deri në breg.

“Gjatë karierës time unë kam interpretuar shumë role të politikanëve, dhe e di se çka do të thotë të jesh pushtetar dhe e di se sa e butë është karriga dhe pushteti. Njeriu që rri shumë vite në karrigë, në një vend udhëheqës është ai devertimi i tij, dhe njerëzit që janë përreth tij fillojnë të sillen në mënyrë të çuditshme. Ata mendojnë se atij ia ka dhënë zoti pushtetin dhe duhet të vazhdojë sa të jet gjallë”, ka thënë Dibrani.
Në jetën e përditshme Dibran Tahiri nuk është i martuar, por gjithmonë në jetën e tij e ka pasur dikë që ka bashkëjetuar. Mirëpo Dibrani nuk ka dëshirë të flet më tepër për jetën private të tij.

“Këtë formë të jetës unë vet e kam zgjedhur me dëshirën time, mirëpo unë nuk dua të jem shembull, dhe nuk do t’i preferoja dikuj tjetër kështu, le të veprojë gjithkush ashtu si mendon vet”, porosit Tahiri.

Ai edhe vëllezërve dhe motrave të tij iu ka thënë që mos ta marrin shembull, por të gjithë ata sot janë martuar, fejuar dhe e vazhdojnë jetën e tyre.

“Unë jetoj ndryshe, kurrë nuk i kam thënë jo as martesës, as fejesës, unë më shumë i jam përqendruar profesionit , nuk kam qenë i martuar kurrë.

Tash jetoj me… ajo duhet të jetë një pjesë e sekretit tim”, ka thënë Dibrani duke qenë enigmatik sa i përket jetës së tij private.

Dibrani sikur që moti e ka pasur një vërejtje. Ai thotë dhe nuk beson as vet për aktorët që e kanë interpretuar komplet Shekspirin, aktorët të cilët e kanë interpretuar pjesën më të madhe të dramaturgjisë botërore, rolet kryesore të kësaj dramaturgjie, dhe të mos ftohen kurrë asnjëherë para studentëve këta aktorë, jo për të ligjeruar siç shprehet ai, por për të qenë aty dhe të dëshmojë Dibran Tahiri ose ndonjë aktor tjetër për sukseset, të dëshmojë para studentëve të aktrimit, për sukseset që ka pasur, por thjeshtë t’iu thotë studentëve ku ka dështuar Dibran Tahiri dhe pse ka dështuar. Thjeshtë shprehet Dibrani, aktorët e mëdhenjë jo të ligjerojnë ndoshta aty, jo të marrin rrogë prej tyre, t’iu marrin studentëve onorarin, por të këmbejnë mendime në këtë profesion.

“Unë i gëzohem sukseseve të aktorëve, jo vetëm te ne por edhe në botë, sepse marrja e çmimit “Oskar”, ai e nderon edhe profesionin tim, është nder për mua edhe unë duhet të gëzohem. Unë, është e natyrshme që i gëzohem suksesit të aktorëve të rinjë sepse përmes tyre edhe emri jonë jeton më gjatë. Aspak nuk mendoj se ata janë konkurentët e mi”, është shprehur Tahiri.

Duke pas fjalën te çmimi “Oskar”, dhe tek aktorët e huaj, ai tregon edhe për mbresat dhe cili aktor i pëlqen.

“Kam qenë i preokupuar me filmat “Western”, thjeshtë kanë qenë filma për argëtim. Filmi i cili “Ndodhi njëherë në perëndimin e egër”, Henri Fonda, Çarls Bronson, Klaudia Kardinale, në rolet kryesore, më ka lënë mbresa shumë të mëdha, ishte film i cili u shfaq në kohën e rinisë time, për shkak të peisazheve që kam parë aty, dramës, dhe interpretimit të mrekullueshëm të aktorëve në rolet e tyre, natyrisht edhe për shkak të muzikës tepër të mrekullueshme të Enio Morikone që kishte përgatitur për këtë film të mrekullueshëm”, thotë Dibrani duke treguar se ende i tingëllon në vesh ajo muzikë. Atij i kanë pëlqyer dhe ende i pëlqejnë si Spencer Tresi aktor i gjeneratës shumë të vjetër, por gjithsesi, Henry Fonda, të cilin e dallon.

Dibrani dëgjon kryesisht muzikë të mirëfilltë, atë e cila është bazë e muzikës.

“E kam një cd-player, dëgjoj muzikë të mirëfilltë, ajo që është bazë e muzikës, klasike, është e pamundur që mos t’i kthehem Rivaldit. Zakonisht edhe dëgjoj muzikë të filmit e cila më pëlqen pa masë , mirëpo unë dëgjoj çdo muzikë tjetër që është e mirë, e adhuroj edhe çiftelinë kur dikush di ti bie”, ka thënë aktori Tahiri.

Ai kohën e lirë e kalon në teatër, takohet me miq, me kolegë, takohet pothuajse për çdo ditë, shkojnë në kinema ndonjëherë dhe i pëlqen të përcjellë televizionin, përcjellë çdo gjë që jepet në këto tre (3) televizionet tona.

Ditëlindja: Shtator 1946
Vendlindja: Mitrovicë

Nga: Korab Lecaj

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.1207042 sekonda, 25 pyetje