Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Zekeria Cana
Anton Ashta

Postuar mė 21-6-2004 nė 08:42 Edit Post Reply With Quote
Zekeria Cana

Levizja kombetare Shqiptare ne Kosove 1908.1912, [1979]

Shpalime historike [1983]

Dimitrije Tucoviqi-Koha dhe vepra [1983]

Socialdemokracia serbe dhe ceshtja shqiptare 1903-1914, [1986]

Populli shqiptar ne kapercyell te shek. XX, [1990]

Kori i burrave [1995]

Familja Cana [1996]

Gjenocidi i Malit te Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913, [1997]

Shpalime historike [1998]

Ditari i Luftes [1999]

Ditari i Luftes [2000]









Marre nga:

Zekeria Cana: Ditari i luftes, 1999


E shtune, 8 maj

Mbrëmë u godit ambasada kineze në Beograd, hoteli Jugosllavia ku ishte shtabi i “tigrave” te Arkanit, godina e shtatmadhorisë “jugosllave” dhe caqe të tjera.
Herët në mëngjes, si+ më tregon Longari (ai rri zgjuar gati deri në mëngjes), Televizioni i Podgoricës ka njoftuar se Fehmi agani është gjetur pa jetë afër Lipjanit. Ai i referohej agjensisë Tanjug, e cila provoi ta mbulojë këtë krim të policisë serbe duke ia veshur UCK-se. Lus zotin që ky lajm të mos jetë i vërtetë, po ashtu si informata e Doj+e velles dhe e agjensive të tjera sa isha në Tophane të prishtinës. Ndërkohë, lajmin e zi e konfirmojnë disa radiostacione të huaja. Stepem. Kalojnë dy-tri orë të mira derisa e marr veten. Hedh disa rreshta për shokun e fëmijërisë, që të mbesin si një skicë in memoriam.
Familja agani, e njohur ne Gjakovë si Mullagani, vjen nga Plava. Dy vëllezërit qenë hoxhë. I ati i Fehmiut shërbeu si imam në Rahovec dhe aty vdiq, kurse xhaxhai, Bajrami, ne Gjakovë. Pas perfundimit të Luftës se Dytë Botërore ai iu bind regjimit komunist dh u bë kryetar i Bashkësisë isalme ne Prishtinë. Vëllezërit Sitki, hilmi dhe Fehmi mbeten jetimë shumë herët bashkë me të dyja motrat. I rriti e ëma me dërrasën e vekut, si shumë nëna të tjera skamnore, derisa sitkiu iu bë krah si nëpunës i vogël komune, pas luftës si mësues i gjuhes serbokroate dhe njëri nga bashkëpunëtorët e parë te Rilindjes dhe te Radio Prishtinës. Ishte kryefamiljar shumë i përkushtueshëm, njeri i tërhequr, pa shokë. Hilmiu ndoqi mësimet në Normalen e prishtinës. Më 1944 doli në mal, u rreshtua në Brigadën IV partizane, te formuar ne Krumë të Hasit, por në çastin e përurimit të saj u ngrit flamuri jugosllav dhe pastaj flamuri shqiptar. Këtë barrë ankthi e bajti tërë jetën. Ai i takon brezit të parë të maturantëve të gjimnazit të Prishtineës të vitit 1948 dhe gjeneratës së parë të Degës së Albanologjisë në beograd. U mor me tregime. Disa vite shërbeu si profesor në gjimnazin e Gjakovës dhe më pastaj në Prishtinë. Iu kushtua studimeve në fushën e gjuhësisë, ligjëroi në Fakultetin Filozofik, pa u ngatërruar aspak në politikë e pa lakmuar poste. Dukej shumë i mbyllur, por po të rrije me të me një gotë përpara, hapej ne bisedë dhe e bënte ndejën të lezetshme me atë humorin e lehtë me një fije sarkazmë. Ankohej nga sëmundja e zemreës nga e cila edhe vdiq.
Fehmiu ishte dy ose tre vjet para meje. Si fëmijë loznim me top dhe ai na fliste për fitoren e sigurtë të aleatëve mbi boshtin Romë- Berlin – Tokio. Pas “çlirimit” të vendit ishte shumë aktiv në organizatën e pionierëve dhe te BURAJ-t, po me zgjuarsi dhe maturi. Shok më të dashur kishta Sami Bashotën (djalin e halles sime), qoftë ne gjimnazin e Prishtinës, qoftë në Beograd, ku mbaroi studimet për filozofi. Jepte mësim në gjimnazin e Gjakovës dhe nuk ngjiti asnjë shkallë të karrierës politike. Me daljen e Rilindjes si gazetë e përditshme, zuri të punonte në rubrikën e jashtme të saj dh të jepte mësim me honorar në Normale. Kreu studimet pasuniversitare në beograd në degën e shkencave politke dhe filloi të ligjërojë në Fakultetin filozofik të Prishtinës. Ngritja e tij filloi pas Pleniumit IV të Brionëve (1966). Nga kjo kohë shoqërohet me ali Hadrin dhe u bënë miq të pandashëm. Fill pas nxjerrjes së vendimit për rithemelimin e Institutit albanologjik (1967) u emërua drejtor i tij dhe punoi me përkushtim për ngritje e kuadrit të ri shkencor. Ndërkohë përgatiti tezën e doktoratës mbi temën e marrëdhënieve jugosllavo-shqiptare gjate Luftës së Dytë Botërore te cilën e mbrojti para ali Hadrit, po nuk e botoi kurrë. I afërt me Gazmend Zajmin, sidomos pas hapjes së debatit publik rreth ndryshimeve kushtetuese dhe avancimit të statusit të Kosovës. Treshja Hadri-Agani-Zajmi plotësonin njëri-tjetrin dhe konsideroheshin kreu i inteligjencës shqiptare shumë të angazhuar, e cila si kryeobjektiv veprimi kishte pavarësimin e Kosovës.
Në qoftë se Fehmiu nuk u rreshtua menjëherë në lëvizjen politike të vjeshtës së vonë te vitit 1989, pas formimit të LDK-se u be shtyllë e fortë e saj. Kryetari Rugova nuk kishte njeri më të aftë dhe më të sigurtë se atë, por sot e kësaj dite nuk e kam të qartë përse nuk e afronte edhe më shumë duke i hapur rrugë veprimi. Sikur e mabnte në distancë angleze. Kur e pyesnin Fehmiun ç’mendon dhe ç’bisedon Rugova me delegacione të ndryshme nga bota e jashtme, ai përgjigje: më së miri e Adnani (Merovci) dhe nuk e çonte më tej. Komenti ishte i tepërt.
I afërt me studentët dhe me brezin e ri te intelektualëve, prandaj edhe aq i adhururar prej tyre, shumë komunikues me këdo, zemërgjerë dhe i tolerueshëm, i përzemërt dhe gojëëmbël, mbi të gjitha i stolisur me virtytin e bukur të njerëzisë, modestisë dhe përvujtnisë. Janë këta veteëm ca rreshta për figurën e ndritshme të Fehmiut, që po i shkruaj në gjendje pikëllimi të thellë, në strofullën tjetër që është shtëpia e Enver Berishës, ku kalova sot paradite.

Tahçi deklaron se rugova mund të përfaqësojë vetëm partinë e tij dhe asgjë më shumë. Kryeministri flet me respekt për personaliteti e Fehmi aganit, pastaj del në deklaratën e G-8. Pikat e saj per ruajtjen e integirtetit të “Jugosslavisë” dhe për çarmatimin e UCK-se bien ndesh me konferencën e Rambujesë. Cernomërdini sot u takua në Bon edhe me Rugovën.
Lajmi për luftimet e brigadës Gjakova me armikun në Cabrat dhe në lagjen e Hadumit, sado që të gëzon, është thikë me dy presa. Trembem shumë se mos përsëritet drama a Rahovecit e verës së shkuar. Luftëtarët tanë mund të tregojnë shembull trimërie dhe sakrifice të madhe, por nuk mund ta përballojnë dot sulmin e forcave të mëdha të policisë dhe të ushtrisë serbe. Këeshtu ata do të shtrëngohen të tërhiqen, kurse qytetarët duarthatë do të jenë pre e hakmarrjes së përgjakshme.

Ukshin Hoti e mbushi afatin e dënimit, po prapëseprapë mbahet në burg dhe transferohet në Dubravë të Istogut.


E hënë, 31 maj

Po rri me tre – katër djem të një familjeje nga ana e Llapit, që janë vendosur në shtpinë e Munishëve. Dhëndri i tyre jeton në Kolevicën e re. Ai e mbante familjen ne një kiosk të vogël në stacionin e trenit, e cila është përmbysur e plaçkitur si të gjitha yqanet e tjera të shqiptarëve. Djalë shumë i kthjellët në mendje. Në fillim flet me rrotulla dhe më pas me zemër te hapur: të gjitha partitë politike bashkë me drejtuesit e tyre do t’i kisah zier në kazan. Dhe nuk është i vetmi që shpreh zemërimin dhe dëshpërimin e madh. Ai habitet shumë se pse nuk luaj nga Prishtina, kur shumica ua mbathi këmbëve larg e më larg. Po kush mbetën nga gjithë ai varg intelektualësh, profesorësh universiteti, shkrimtarësh, gazetarësh, aktorësh dhe artistësh?
Emrat e tyre po i rreshtoj (aq sa jam në dijeni) më poshtë që të mbahen mend dhe të mbesin si dokument i kohës, ndoshta edhe për shtjelluesit e hisotrisë së këtij fundshekulli që të japin gjykimin e tyre se cili ishte dhe sa ishte. Le të filloj:

Idriz ajeti, vehap shita, adem Bllaca, Adem Demaçi, Jashar Rexhepagiq, Gani Luboteni, Hysen Ukmata, vëllezërit Minir dhe Haki Dushi, Hajrulla Gorani, Pajazit Nushi, Feriz Krasniqi, Qerim gashi, Fuat dhe Fatmir Rizvanolli, Qerim Ujkani, vëllezërit Tadej dhe Engjëll Rodiqi, Riza Smakaj, Zenun Celaj, Ibrahim Kadriu, vëllezërit Zeki dhe Rasim Bejtullahu, Veton Surroi, zef Lekaj, Agim Cavdërbasha, Mazllum belegu, Gjergj Kaçinari, vëllezërit Sadri dhe Riza alaj, Ruzhdi Ushaku, Ditar Qamili, Shkëlzen Zhubi, Atdhe Gashi, Ramiz Balaj, Eqrem basha, Rifat Kukaj, Partizan Shuperka, Agim Qena, Fatmir Jaka, Ramush Rama, abdulla Vokrri, Rexhep Zogaj, Asllan Pushka, Mehmet Halimi, Nexhat Ibrahimi, Naim Ibrahimi, Ramdan Ibrahimi, Ukë Xheam, Ali Olloni, fatmir Jaka, Gani Xhafolli, Agim Qena, Abaz Dula, Rushit Ramabaja, Xhemajl Mustafa, Sali Spahiu, Dush gashi, Hilmi Troni, Zaim Istrefi, Avni Ukmata, Ali Jakupi, Sedar Dida, Latif Krasniqi, Ali Jasiqi, Zeqe Shehu, Istref begolli, Dibran Tahiri, Nehat Islami, Beqir Hundozi, Rexhep Vula, Tahir Aliu, Sabit Uka, Sami Bërlajolli dhe Bilbil Shehu.
Mund të ketë edhe burra të tjerë të fortë që nuk ia mbathën për të na dërguar përshëndetjen: mirë u pafshim në Kosovën e lire! Por unë s’kam si t’i di emrat e tyre.
Si mabhen burrat? Miku im Kadri preniqi jeton në Obiliq, mban lopë dhe më sjell qumësht tash e sa vite. Sot më tregon se para një muaji ia vranë Enverin, djalin e martuar me katër fëmijë të vegjël. E ngushëlloj me fjalët: ti shëndoshë, bëj gajret Kadri Preniqi dhe mos u mërzit! Ma kthen: si jo, kur me shkon mendja si janë shfarosë të tëra familje me gra e me fëmijë, qe besa e zotit hiç nuk mërzitem! E marrim bisedën e zbrazjes së Kosovës. Dua të di për njerëzit e Obiliqit dhe për fshatrat përreth, si edhe sa familje kane mbetur në shtëpitë e veta. Shumë pak, me thotë Kadriu dhe vazhdon: morën turr se kush më ia pari, pa u trokitur njeri në derë. Shqiptarët u treguan shumë tucana – ofshan miku im, i thyer në shpirt dhe në zemër. Shkau nuk do ta luante këmbën nga pragu i shtëpisë pa ia hequr kokën, i vë Kadriu bisedës kapakun. Tek e percjell nga kopshti, ndalet nje trohë, më vështron përmallshëm dhe më thotë: më beso se nuk më zë gjuni nga droja e madhe se mos po të vrasin ky rod i magjypëve. I shtrëngoj doren, e marr ngryk, kurse atë e kaplon një ankth i madh dhe në faqe i rrokullisen dy kokrra loti, të cilat nuk i dershi as për djalin e tij. Shtrihem në krevatin e palueshëm nën kajsi dhe i thërras vetes: vetëm me këso burrash të dheut mund të gjallërojë dhe të mbijetojë gjysma e kombit këtej Drinit.


E hënë, 21 qershor

Shpejt u ngjall Prishtina. Qendra e qytetit është plot njerëz. Në çdo hap takoj të njohur, miq e dashamirë, që kthehen nga Maqedonia dhe Shqipëria. I urojmë shoqi-shoqit lirinë. I përgëzoj që janë shëndoshë e mirë bashkë me familjet dhe i nguc nga pak pa të keq. Një dore e pranon tutën, tjetra mundohet të lahet me do shpjegime të paqena e qesharake. Ata i përshëndes me fjalët: Ku jeni patriotët e mëdhenj të Kosovës? Disa ulin kokën, disa të tjerë më shikojë shtrembët. Ymer Jaka do të më thoshte: Pse kumbarë po krijon armiq? Përgjigjen e kam të gatshme: Njeriu pa armiq nuk vlen gjë. C’më duhen miqtë e dashamirët frikacakë, oportunistë e konformistë? Hiç fare!
Në ëmbëltoren përballë Kosova-Turistit, e cila ishte e hapur gjatë gjithë kohës se luftës s’ka karrike të lirë. Një djalosh ngrihet brrof në këmbë dhe më liron vendin. E falënderoj. Përpara më del Bujar Bukoshi që kthehet në Kosovë pas aq vitesh. Kryeminsitri është me të vëllanë, Hysenin dhe me ministrin e Arsimit e të Kulturës Muhamet Bicaj dhe me ministrin e Financave, Isa Mustafa. Pimë kafenë së bashku dhe i kthehem Bujarit: Bashkë me gëzimin e madh të çlirimit vjen sihariqi edhe më i madh se u bënë tubë dy qeveritë, jotja vetëm me disa minsitra dhe ajo e Thaçit me goxha shumë. Lum populli per ju! Nuk e ngas më shumë. Vetes i them: tashti prit fërkimet, shtyrjet dhe kapërcekat ndërmjet dy kabineteve për legjitimitetin e tyre faqe popullit dhe faktorit ndërkombëtar. Qeveria e parë, ç’është e vërteta, u emërua fill pas zgjedhjeve të para të lira. Edhe qeveria e dytë doli nga Konferenca e Rambujesë si qeveri koalicioni, por u formua shpejt e shpejt, pa konsultime e ujdi paraprake të të gjitha subjekteve poltike, duke përfshirë edhe mendimin e Kuvendit të Kosovës, të dalë po nga zgjedhjet e lira. Postin e minsitrit te Pushtetit Lokal e ka Ramë Buja i UCK-se, kështu që emërtimi i prefektëve dhe i kryetarëve te bashkive dhe të komunave është në dorën e tij. Cili do të jetë kriteri kryesor për emërimin e tyre? Si po duket, pjesmarrja ne UCK. Profesionalizmi dhe zotësia dalin në plan të dytë. Ndoshta kështu do të behet edhe për drejtorët në fushë të ekonomisë, të arsimit, kulturës, shkencës etj. Atëherë do të ktheheshim rrumbullak një gjsmë shekulli prapa, si në kohën partizane. Kjo do të jetë një gjendje shumë shqetësuese dhe brengosëse.
E pyes Bujar Bukoshin si është puna a Rugovës që nuk kthehet në Kosovë? Ai ndërron temën e bisedës dhe unë e kuptoj psenë.

Ec drejt Komitetit te dikurshëm krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës te kohës se Veli Devës, Mahmut Bakallit, Iljaz Kurteshit dhe azem Vllasit. Si qenë, si dolën, si u mbajtën dhe di e mbyllën karrieren e tyre politke? Nxjerrja e portretit të tyre politik sa më të plotë kërkon më shumë kohë, punë të perkushtuar dhe serioze. Për të aprin, Veli Devën, kam dhënë gjykim të përgjithshëm në ditarin e përparshëm, i cili ka ngjallur zemërimin e tij, aq sa kur shihemi rastësisht nëpër ngushëllime nuk bënë verë me gojë. Për të dytin, Mahmut Bakallin, mund te thuhet hëpërhë pa vënë mëdyshje fare se është udhëheqësi politik më i shkolluar, më i zoti nga mendja, goja dhe lapsi, që ka pasur Kosova ndonjëherë. I trti, Iljaz Kurteshi, përgjithësisht është mbajtur shumë mirë. I katërti, Azem Vllasi, gjatë zhvillimeve të pranverës së vitit 1981, demonstratat i cilësoi si kundërrevolucionare për t’ia bërë qejfin Beogradit, ndaj u bë i dashuri dhe i përkëdheluri i përkohshëm i udhëheqjes shoviniste serbe dhe pati një ngjitje të shpejtë verbuese dhe mashtruese. Ai e kuptoi si dhe sa ishte vetëm pasi Millosheviqi e mbylli në burg. Vetëm atëherë i shkrepën në mendje fjalët udhërrëfyese të babait të sprovuar në jetë se c’është shkjau, por tashmë ishte shumë vonë. Sikur të gjitha këto figura të dikurshme politike të uleshin të shkruanin kujtimet e veta me zemër të hapur dhe me ndërgjegje të pastër, atëherë do të shkyenin një borxh të madh para popullit dhe historisë. Në të kundërt do të dalë se ata nuk e kanë pasur dhe as nuk e kanë ndërgjegjen e pastër.

Kaloj përskaj godinës pak të vjetëruar, dikur më e bukur shtëpi-vilë në qendër të qytetit. Aty e kalonte jetën e kokrrës së qefit dhe të ahengjeve Dushan Mugosha – Duçi (kështu e quanin shqiptarët), sekretari i tretë sipas radhës i komitetit krahinor. Paraardhësit e tij ishin Miladin Popoviqi dhe Gjoka Pajkoviqi, po malazias. Kur vështron këtë shtëpi, doemos, shkëputesh nga e tashmja, tretesh në mendimet e së kaluarës nukur të largët. Në mendje të vjen libri i Vlladimir Dedijerit: Marrëdhëniet jugosllavo-shqipatre (1939-1948) me faksimilet e letrave që udhëheqësit e partisë Komuniste të Shqipërisë dhe të Luftës Antifashiste nacional-çlirimtare – Enver Hoxha, Fiqret Sanxhaktari (Shehu), Mehmet Shehu, Tuk Jakova, Bedri Spahiu dhe Hysni Kapo – i dërgonin vëllait të tyre të madh, Duçit, përkatësisht Sali Muratit në Jugosllavi pasi ishte kthyer nga Shqipëria. Secila letër është më e përzemërt se tjetra dhe pershkohen nga dashuria e zjarrtë dhe mirënjohja e thelle. Ato janë të mbushura me lëvdata të larta deri në qiell, të cilat dine t’i bëjnë vetëm shqiptarët me përulje të mjerë prej skllavi. Kurse Mugosha ishte njëri nga kuajt e shumtë te Trojës që futën në Shqipëri për të ndezur luftën vëllavrasëse dhe për ta varrosur cështjen e Kosovës. Kur i rikujton ata puthadorë të gjakut tënd të kaplon një zemërim i thellë që shkon deri në tërbim, një ndjenjë neveritjeje e pafundme sa të vjen për të pështyrë në tokë. Nga kjo gjendje shpirtërore më nxjerr rrahja e krahut dhe e shpatullave, si edhe fytyra e buzëqeshur e një motre, që më përthekon me të dy duart në qafë. Ajo më përgëzon që dola gjallë dhe më uron lirinë. Kjo është një grua më e re se unë, që e kisha ndeshur në ballë të të gjitha protestave tona. S’kishte zot e perëndi qä ia ndalte asaj turrin. I rrinte policisë serbe karshi më shumë se çdo mashkull tjetër. Bëjmë edhe një përqafim, shtrëngohemi si motra me vëllain, sepse mbetëm gjallë. Vazhdoj rrugën.

Në lagjen e Muhaxhirëve, mbrapa shkollës fillore ishte konvikti i shkollave të mesme të Prishtinës. Menjëherë pas demonstratave të vitit 1981, kur në Kosovë vërshuan policët nga të gjitha anët e Jugosllavisë, koniktorët i nxorën në rrugë. Shtëpia e tyre e banimit u kthye hiç me pak se në postë policie. Në mars të vitit 1990, kur isha sekretar i Keshillit per Mbrojtjen e te Drejtave dhe Lirirve te Njeriut, po bëhesha gati të shkoja në Amerikë me ftesë te lobit shqiptar, për të dëshmuar para kongresit amerikan për shkallëzimin e terrorit shtetëror në Kosovë. Në këtë postë policie më mbajtën tetë orë dhe ma morën pasaportën. Ambasada jugosllave në Uashington u tregua e shurdhër kundrejt protestës së Departamentit të shtetit amerikan. Ne Amerike vajtën Rugova, Qosja, Luljeta Pula dhe të tjerë. Liga qytetare shqiptaro-amerikane organizoi tryezën e bisedës rreth gjendjes në Kosovë. Dioguardi nuk lejoi askënd që të ulej në karriken e rezervuar për mua. Ai e hapi tryezën me këto fjalë: “Autoritetet jugosllave penguan ardhjen e dr. Canës në SHBA që të zinte vendin në këtë karrike, të ngrihej i pari në këtë foltore për të na folur me kompetencë, me gjuhën e fakteve dhe të argumenteve të gjalla, për atë terror të paparë që policia jugosllave ushtron në Kosovë. Megjithatë dr. Cana është i pranishëm ketu. Së shpejti do të shkojmë tek ai për ta uruar e përgëzuar që mori guximin, që tregoi trimëri e vetësakrificë për të ushqyer botën e qytetëruar dhe demokratike me informacione e materiale filmike që dëshmojnë shkeljen e të drejtave elemenatre të njeriut dhe terrorizimin e popullit shqiptar në Kosovë”. Nuk vonoi dhe Dioguardi, ky burrë amerikan me gjakun shqiptar të Arbëreshit të Kalabirse, erdhi në kosovë tok me senatorin Tom Lantosh me prejardhje prej një familje hebreje të Hungarisë. Nga Prishtina ata do të shkonin ne Shqipëri nëpër rrugën e Prizrenit. Ibrahim Rugova m’u lut t’i shoqëroja deri në pikën kufitare të Morinës. Së pari i shpura në Gjakovë, u tregova vendpërleshjen e kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit te shtatorit 1878 dhe u shtruam për drekë në restorantin e vëllezërve Jupa. Rreth restorantit populli u grumbullua shumë shpejt, kurse policia e alarmuar nuk dinte ç’të bënte. Jashtë degjohehin duartrokitje dhe brohoritje. Mysafirët e mirëpritur dhe të nderuar drekonin duke dëgjuar meloditë e bukura dhe zërin e ëmbël të Muharrem Micit, të shoqëruara me mandolinë e kitarë. Ngrita një gotë shëndeti për miqtë tanë. Në dollinë e tij të shkurtër, po shumë domethënëse, Lantoshi tha se po jetonte bashkë me gruan e tij dhe me delegacionin amerikan çastet e ngazëllimit më të madh në jetë. Duhej të vijonim rrugën për Prizren, por na u desh plot një orë të kalonim me vetura nëpër Carshinë e Madhe e te mbushur me atë mal populli, të mëdhenj e të vegjël. Lantoshi, zonja e tij dhe Dioguardi mbanin ne kokë lisat e bardhë të Kosovës.

Gjatë viteve që pasuan konvikti i dikurshëm në lagjen e Muhaxhirëve ishte një nga skëterrat e shumta të torturimit më shtazarak të qindra e qindra shqiptarëve. Njerëzit e kësaj lagjeje i bishtëronin rrugës, që të mos dëgjonin britmat e atyre që kishin rënë në duart e xhelatëve. Pas nëntë vjetësh gjendem përsëri – tashti me vullnetin tim – para godinës së ferrit mesjetar, ku tashme është vendosur një pjesë e forcave te KFOR-it. Më shoqërojnë dy çuna që flasin anglisht. I jap ushtarit kartëvizitën dhe i tregoj përse kam ardhur. Ai thërret oficerin kujdestar, i cili bën nderimin, më prin drejt e në bodrumin e errët dhe më bën dritë me llambën e dorës. C’të shohësh? Në dyshemenë prej betoni janë të gjitha llojet e mjeteve mesjetare të torturës derisa viktima të jepte shpirt ose të mbetej sakat për tërë jetën: dy – tre topuza druri, shkopi prej druri i mbështjellë me gomë, dy shufra hekuri, boksi prej hekuri i katër gishtërinjve me katër maja të mprehta, kama e gjatë. Në skajin e tyre është karrikja prej druri ku viktima torturohej me rrymë elektirke, pak më tej zinxhiri bukur i gjatë, me të cilin njerëzit e zhveshur i varnin në gypin horizontal të ngrohjes me avull. Në mur shihen pika gjaku, në qoshen e bodrumit ka këpucë, pantallona, çorapë, brekë, fanella e këmisha të mbytura e gjak. Stepesh dhe dridhesh di thupër nga kjo pamje e llahtarshme. I duhet thënë qeverisë së Bukoshit apo Thaçit që në korridorin e konviktit të vihet pllaka: Muzeu i ferrit.

Vehap Shita, Pajazit Nushi dhe Zejnulla Gruda të Këshillit vijnë nga e pamja për Sami Pejën. Më gjejnë si të vrarë. U tregoj ç’pashë para një ore në konviktin e shkollave të mesme.


E enjte, 1 korrik

Në ditarin tim kam shkruar edhe për masakrën në fshatin kufitar Goden të hasit, më 25 mars, në ditën e dytë të bombardimeve te NATO-s. Tshti dalin në dritë edhe hollësitë e kësaj loje të ndyrë. Ushtarët serbë i rreshtuan të gjithë fshatarët me forcën e tytave të automatikëve dhe të mitralozëve. Një pjesë i vunë përpara në një drejtim të caktuar, kurse 20 burra të zgjedhur i detyruan të futeshin në një stallë dh të shkonin me duart mbi kokë. Të gjithë i qëlluan dh i vranë me mitraloza. Midis të vrarëve ishin dhe pese arsimtarë të shkollës fillore të Godenit nëmoshën më të mirë. U shuan meshkujt e tri familjeve. Tetë ishin me mbiemrin Osmanaj, po aq Feraj dhe kaër Morina. Të gjithë ishin nga mosha 20-60 vjeç dhe kufomat e tyre u dogjën. Si gjurmë e këtij krimi të përbindshëm kanë mbetur hiri, copat e eshtrave, rrobat e djegura dhe një kuti e shkrumbuar duhani.
Një popull që edhe fëmijët e vegjël i mëson dhe i edukon që të bëhen kriminelë, nuk mund të shëmbëllejë veçse me bishat e egra, të cilat do të zhduken nga faqja e dheut herët o vonë. Ushtarët britanikë, që e vendosën bazën e tyre në një shkollë fillore, nuk mund ta merrnin dot me mend se si kjo ndërtesë e diturisë ishte shndërruar në mësonjëtore krimi për nxënësit serbë nga mosha 12 vjeç e sipër që ata të përvetësonin zanatin e njohjes dhe të vendosjes së të gjitha llojeve të minave, përfshirë edhe minat befasuese, si edhe të përdorimit të granatave. Ushtarët britanikë panë me sytë e tyre minat dhe raketat artificiale të renditura në vitrinat me xhama të shkollës. Ata gjetën aty dhe libra, sllajde dhe video që shërbenin si mjete konkretizimi që fëmijët serbë të mësonin të vrisnin e masakronin shqiptarët edhe me mina.

Nga Shqipëria vijne shumë miq e të njohur, kryesisht kosovarë të dalur atje bukur moti, më shumë nga zori i madh, po edhe ata që u shtrënguan të marrin në sy botën dhe mund të shkelin tokën e Kosovës vetëm pas shporrjes së okupatorit serb. Disa prej tyre i takoj në qytet, dis të tjerë më vijnë në shtëpi. Në qendër të qytetit u poqa me Leonidhë Mertirin (i pari konsull i shqipërisë ne shkup) dhe Esat Myftarin nga Peja, të cilët punojnë në Ministrinë e Jashtme të Tiranës. Në prishtinë erdhi për të parën herë edhe Murat Gjonbalaj nga Vuthaj, që si djalë i ri e shkeli kufirin dhe doli në Shqipëri, kreu atje shkollën, zuri një punë dhe tashti drejton Shoqatën patriotike Kosova, e cila ka disa vjet që nxjerrë gazetën e saj po me këtë emër. Në shtëpinë time të vogël më erdhi edhe Xhafer Vokshi (i vëllai me i vogël i Asimit), pjesmarrës i Konferencës se Bujanit, pas luftës udhëheqës i rinise së Kosovës. Pas shpalljes së Rezolutës së Byrose Informative 81948) u detyrua të ikte në Shqipëri bashkë me hallën e tij, Bijen. Punoi një kohë në gazetën bashkimi, por më pastaj e morën me sy të keq – si shumë kosovarë të tjerë - dhe i kaloi do vite të mira në internim. Xhaferi erdhi bashkë me enver Dajçin, shokun e tij të luftës. Më gëzoi shumë edhe takimi me shokun e dashur të studimeve Ibrahim Gashi (nga Kotorri i Drenicës), i cili u dëbua në Shqipëri po si Agim Gjakova. Atje ushtroi detyrën e profesorit shumë të aftë të matematikës në do shkolla fillore të fshatit edhe pse e kishte vendin në Universitetin e Tiranës, por aty nuk mund të ligjëronte dot pa u bërë vegël e Sigrurimit. Tevona, pas fitores së demokracisë u emërua sekretar i pare në ambasadën shqiptare në Lubjanë. Me sa di, beri shumë që shqiptarët në slloveni të trajtoheshin si qytetarë të barabartë.


E premte, 2 korrik

Eshtë nëntëvjetori i Kuvendit historik të Kaçanikut. Trupi do një trohë puhim pas bukës së drekës. Por s’më lënë, sepse sa shtrihem më vijnë disa djem e vajza, më “rrëmbejnë” nga shtrati dhe më çojnë me nxitim në qendrën e qytetit. C’te shohesh? I madh e i vogël është këtu. S’ka vend ku të hedhësh gjilpërën. Buritë e makinave, që lëvizin rreth e rrotull me flamuj të shpalosur, nuk kanë të ndalur. Mbi një veturë dy të rinj i binë tupanit dhe surlës. Djemtë dhe vajzat heqin përpara vallen. Me ta bashkohet edhe vargu i pakëputur i grave dhe i burrave. Një vajzë studente dikton lodhjen time. I bën shokut të saj një shenjë dhe ai më rrok para duarsh dhe më vë kapakun e mototrit të veturës. Më mbështjellin me flamur dhe më vënë në kokë plisin e bardhë. Jemi në kryqin e madh të rrugës. Një djalosh më afrohet dhe më pyet si do të bëjmë që ta fetojmë më tej kremten e madhe. Zbrez dhe thërras të gjithe të vijnë pas meje. Drejtimi: Fakulteti Filozofik. S’ka nevojë t’u tregoj djemve dhe vajzave se pse iu prij këtu. Djemtë më të fortë dhe më të shkathët ngjiten ne shtatoren e Vuk Karaxhiqit, i japin asaj një shtyrje të fortë dhe ajo shembet për tokë. Aty do të kthehet përsëri monumenti i përdhosur i viktimave të kampit gjerman të përqendrimit. Radhën e ka shtatorja e Njegoshit në krahun tjetër të fakultetit. Masa e madhe e rinisë ia mësyen shtatores tjetër para Rektoratit, por ushtarët e alarmuar të KFOR-it e rrethijnë atë me një gardh telash me gjemba. Dy tanke vehen në gjendje gatishmërie.

Ora 20. festa e madhe e këtij fundshekulli nuk do të ndërpritet gjithë natën. Dy çuna më marrin për duarsh, më ngjisin në tarracän e ndërtesës katerkateshe, më venë përsëri plisin në kokë dhe më japin flamurin në dorë, që ta lëviz me tërë fuqinë. Poshtë ai mal populli brohorit pa u ndalur.

Më është lodhur këmba dhe gjithë atë mal populli nuk e ndjek dot. Ndalem, ulem në tryezën sakj derës, rri e mendoj: nën dhe prehet vargu i paprerë i njerëzve pa jete – i viktimave të plojës shfarosëse serbe dhe i dëshmorëve të kombit, kurse mbi dhe jeta gjallëron përsëri – më shumë se kurrë.





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.1203160 sekonda, 25 pyetje