Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Poeti i masakruar nė frymėn e fundit tė komunizmit
Valter bejkova

Postuar mė 13-8-2004 nė 01:21 Edit Post Reply With Quote
Poeti i masakruar nė frymėn e fundit tė komunizmit

Për të nderuar kujtimin e disidentit Havzi Nela, në 16-vjetorin e mbytjes së tij tragjike, klubi letrar “Anton Pashku”, në qytetin e Kukësit, mbajti një takim përkujtimor. 16 vjet më parë, pikërisht me 10 gusht të vitit 1988, regjimi diktatorial në Shqipëri ekzekutoi me varje disidentin e njohur Havzi Nela, njërin prej emisarëve të mëdhenj të guximit civil. Martiri Havzi Nela u ekzekutua mbasi kishte kryer 20 vjet burgim: për herë të parë u dënua në vitin 1967, mbasi qe arratisur nga Shqipëria së bashku me të shoqen. Ndërkaq, ai publikisht në vitin 1967 ka kundërshtuar mbylljen e kishave dhe të xhamive si dhe hyrjen në kooperativa bujqësore. Është për t’u vënë në dukje se poetin Nela e gjykoi Fehmi Abdiu, i cili deri para një muaji mbante detyrën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Petrit Palushi, drejtuesi i klubit letrar, vuri në dukje se “Havzi Nela është një figurë nacionale, njëra nga figurat më të njohura antidiktatoriale në Shqipëri dhe në një kohë të afërt do të botohet e gjithë vepra e tij letrare si dhe letrat nga burgu, të cilat ia dërgonte së shoqes”. Në këtë takim u lexuan pjesë nga shkrimi i poetit të ndjerë, Agim Spahiu, “Homazh për poetin, homazh për njeriun”, shkrim të cilin ai e kishte kryer tre muaj para se të ndahej nga jeta. Në takim u vu në dukje se shkrimi i poetit Agim Spahiu për martirin Havzi Nela ekspozohej për herë të parë; një shkrim i tillë do të përfshihet në librin me 32 shkrime të zgjedhura për martirin Nela, që po përgatitet për botim nga shkrimtari dhe studiuesi Petrit Palushi (Ndër autorët përfaqësues në këtë libër janë: Visar Zhiti, Agim Spahiu, Uran Kalakula, Besnik Mustafaj, Petrit Palushi, Myftar Gjana, Sabajeta Peposhi, Granit Zela, Lazër Stani, Ahmet Selamin, etj.). Përveç shkrimit të Agim Spahiut u lexua gjithashtu edhe shkrimi i Besnik Mustafajt “Heroizmi i detyruar i dy poetëve”, ku aty bënte përqasjen midis aktit të Havzi Nelës dhe aktit të piktorit Agim Ramadani. Gjimnazistë të qytetit lexuan pjesë nga letrat e burgut të Havzi Nelës si dhe fragmente nga krijimtaria e tij poetike. Nga të pranishmit u theksua se qyteti i Kukësit kishte nevojë për një përmendore në nderim të kujtimit të martirit Havzi Nela, prandaj duhej të merreshin të gjitha masat që një gjë e tillë të realizohej në një kohë sa më të shpejtë.

EKSKLUZIVE/ Gjashtëmbëdhjetë vjet pas vdekjes të poetit antikomunist Havzi Nela. Botohen për herë të parë opinionet e shkrimtarëve Agim Spahiu e Besnik Mustafai

Poeti rebel, që u dënua me varje në litar

Krijuesi i gatuar me shpirtin e kundërshtimit ndaj së keqes. Vizionet e qarta për të ardhmen dhe ekzekutimi në qendër të qytetit të Kukësit



Në fund të viteve gjashtëdhjetë, kur isha ende fëmijë, me vlagën e vargjeve të para poetike, ndodhi tronditja e madhe brenda qenies sime. U përpiva nëpër këmbët e njerëzve që vërshonin në sallën e shfaqjeve të shtëpisë së kulturës në Kukës të Vjetër për të parë atë gjë të pazakontë që po ndodhte në qytetin tonë, për të provuar tronditjen madhe. Para meje, para të gjithëve në sallë, nuk luhej në skenë dhe në prapaskenë. S’ishte një numër estrade a një dramë, por po luhej tragjedia e njeriut me bindje të caktuara, e njeriut që kishte guxuar të kundërshtonte hapur regjimin komunist. Po luhej tragjedia e njeriut të pambrojtur nga askush, por që, tek gjithkush, mbillte farën e revoltës, të mundësisë për ndryshimin në jetën sociale. Një njeri i vendosur, trupvogël e hallkeq, me fjalë të qartë e të mprehtë si thikë, elokuent, i saktë, i urtë e i guximshëm, me mendime të reja e të dridhshme, i panënshtruar, mbrojtës gjer në fund i së vërtetës që kishte shpallur Havzi Nela. Kështu më shoqëroi portreti i trimit, i mësuesit, i fisnikut që u ngrit në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, më shoqëroi gjatë, gjatë... njëzet e një vjet, gjer në fillimgushtin e vitit 1988, kur banorët e këtij qyteti të largët, larg botës dhe njerëzimit, mbledhur në këtë ishull fatkeq, panë me sytë e tyre kërcënimin komunist në fundshekullin e njëzetë. Ishte një ditë e nxehtë, një ditë përvëluese dhe njerëzit kalonin vazhdimisht nga Agjencia e Automjeteve për të parë të varurin e ekspozuar. I varur, se mendonte ndryshe, i varur se guxoi t’i mbante lart bindjet e tij, i varur për disidencën e shpallur, i varur pse shihte mundësinë e çlirimit të shpirtit njerëzor. Ashtu, me kokën mënjanë, në gojën e litarit, i paprishur, i papërçudnuar, falë karakterit të tij të fuqishëm, trupi i tij i ftohtë tronditi gjer në mosekzistencë themelet e sistemit të kalbur. Mungonin vetëm gozhdët që ai të largohej si Krishti me mëkatet e njerëzimit në shpinë. Por, ç’mëkate po merrte ai? Nëse quhet mëkat kundërshtimi, nëse quhet mëkat mos heshtja, disidenca e shpallur nëse quhet mëkat? Nëse quhet zgjimi i shpirtit njerëzor mëkat, le të ishin këto mëkatet e tij dhe mëkatet tona!

Shpirti i tij ishte fole e guximit

Nga ligjërimi i vitit 1967 në sallën e gjyqit e gjer në fillimgushtin e akullt të vitit 1988, në këtë hark humneror 21-vjeçar, shtrihet mundi, përpjekja, tejjetesa, klithma, ajri i paktë e koromania e hidhët, loti dhe brenga, guximi, përpëlitja e njeriut që kundërshtoi hapur, shpresa e mësuesit se do t’i hapë prapë dyert e shkollës, fantazia e intelektualit që do ta publikojë nesër të vërtetën.

Ku mbeti jeta? Kush mund ta prekë? Ta hetojë? Ta bëjë publike? Mos vallë u zhduk si fryma e Havziut? Ndoshta askush tjetër më mirë se poetët nuk mund të arrijnë të dokumentojnë jetën personale e shoqërore, por dokumentet e tyre janë disi të veçanta. Ato, s’mund të jenë shifra, procesverbale, janë klithma shpirtërore që derdhen përmes vargjeve dhe ata që dijnë t’i lexojnë, prekin jetën, prekin klithmat personale dhe shoqërore të njeriut. Kam përpara 7 fletore të Havzi Nelës, mbushur me shkrimin e kujdesshëm. Janë shkruar në kohë të ndryshme, në vende të ndryshme. Shumica prej poezive, siç shkruan poeti, janë mbajtur vite të tëra në kokë, pa u derdhur në letër… Unë nuk marr përsipër në këtë homazh të shpalos jetën dhe veprimtarinë letrare të Havzi Nelës, ajo është e thellë dhe e gjërë dhe i fton të gjithë të japin kontributin e vet më shumë për të nderuar vetveten se jetën që u fik e u ndrit për të gjithë. Duke bërë publike disa arritje poetike, dua të sjell tek ju zërin e jetës që s’ka humbur, zërin e jetës që luftoi për të gjithë ne, në një kohë dramash e tragjedish makabre, mbjellë nga sistemi komunist. Arritjet më të spikatura në krijimtarinë poetike të Havzi Nelës, ofrojnë mundësinë e një poeti potencial, që diktatura ia preu ligjërimin. Poezia e tij është e drejtpërdrejtë, piskamë e një shpirti të ndrymë, që kërkon lirinë për të gjithë. Ajo ushton si një thirrje e papërsëritshme nga një gjoks i lodhur, por i pamposhtur… Mundësia për të shkatërruar dhe rindërtuar shqiptarët e rënë në zi, në heshtje, i duket e largët poetit, megjithëse jo e pashpresë, por i bindur se shpirtin e tij tash për tash e dëgjon veç vetvetja. Mblidhet në dinjitetin e burrit kryengritës dhe si akrepi që e ha vetveten kur e rrethojnë flakët, prapë kundërshton, kundërshton, kundërshton:



Ma mirë nga kjo botë të ndahem

Ma mirë krymbat le t’më hanë

Ma mirë gur e dhé të bahem

Kur i ligu nis më shan!



Ma mirë plis, lëndin’ a fush’

Ma mirë bar, kullotë bagëtie,

Ma mirë mos me m’njohë kërkush

Kur zuzarin kam mbi krye!



I gatuar me shpirtin e kundërshtimit ndaj së keqes shoqërore, me vizionin e qartë të së ardhmes botërore, shpirti i poetit, si vigan i ndrymë, pëlcet për gjendjen e mjerë të vendit tonë. Ky krahasim, mes botës pa kufi e Shqipërisë me klon e baltë, e bën të derdhet në poezinë “Shekulli njizet” (Rrëshen, 1975), ku në gjysmën e dytë të poezisë, mbizotëron sarkazma therëse për shkaktarët e gjendjes:



Bota kufijtë po i sheshon

Kombet po ecin si dorë për dore

Ne tonin e kemi në tela, me klon,

I kemi mbyllur dyer e dritare!



Është me vend të ofrojmë një paragraf në prozë të poetit për krijimtarinë e tij. Edhe këto pak rreshta hedhin dritë mbi jetën e humnershme, të humbur, për sytë tanë: “Të gjitha këto që shkrova deri këtu, me vjet të tana kanë qëndrue në tru dhe duke i përsërit me vetveten...kam mund me i ruejt në kujtesë”. Shënimi i tij herë tosknisht e herë gegnisht. “Po shpejtoj kët material...Hoxha”. Veç këtij shënimi, herë-herë në fund të poezive, autori shënon: “Në mendje, pa laps”. I bindur se këto vargje janë copat e shpirtit, janë vetë jeta e tij, autori lë amanet: “Lutemi atij që do t’ia dorëzoj dhe që nuk e di se kujt mund t’ia dorëzoj, të m’i ruajë me shumë kujdes dhe të mos i mbajë pranë vetes!”. “Të m’i ruajë me shumë kujdes”-thotë poeti, duke e ndjerë regëtimin e zemrës për çka po dorëzonte në duar të pasigurta. Ishte jeta që do të mbushej nga këto vargje, ishte jeta që do t’i thërriste së nesërmes me zërin piskatës të Havzi Nelës. E në këtë kuptim, poezia e tij është një dialog sfilitës me të nesërmen që ai besoi se do të vinte shpejt në tokën e shqipeve. Është një dialog sfilitës me nënën, me burgun, birucën, me terrin e ferrin, për të fituar gjithmonë ai, njeriu kryengritës, burri që zhveshi shpatën pa iu trembur syri. “Po, o nanë, po”, që mban datën: Burrel, 1975 dhe shënimin: “Në Birucë, pa laps e letër”, është nga ato krijime që hedh dritë në fëmijërinë e poetit, të jetimit të rritur në dyert e botës:



Pusho, mos qaj, o nan’ e mjerë!

Ti me mue s’je kënaqun kurrë

N’merak e mall ke qenë përherë

Qysh i vogël dhe sot burrë!



Qysh nandë vjeç m’ke nxjerrë prej shtëpie

Jetim, pa baba, bukën m’e nxjerrë

M’shkule nga prehni prej vorfënie

Vetë jam rritun, derë më derë!



Tri ditë bashkë s’i bamë në votër

Shtëpia jonë nuk qeshi kurrë

Kurrë s’u ulëm në nji sofër,

Kurrë, o nana ime, kurrë!



Jo rastësisht, poezinë më të bukur a më mirë, testamentin poetik të Havzi Nelës, e lashë për në fund të këtij vizatimi, që kërkon jetën e paprekur nga ne, në dy skajet e saj më të largëta: 1967-1988. Ndoshta, pikërisht këtu, në këtë testament poetik, poezia “Kur të vdes”, është shtrënguar gjithë filozofia e jetës së martirit. Jeta këtu lëviz me të tria përmasat: e shkuar, e sotme dhe e ardhme. E nëpër këtë vizion të qartë, megjithëse vdekja është e pranishme, jeta mbushet me lëngun e vet të përtëritjes:



Kur të mësoni se kam vdekë

Kur të thoni: “Ndjesë pastë!”

A e dini se çfarë kam hjekë,

Unë, poeti zemërzjarrtë?



A s’është kjo jeta e tij që ne nuk e prekëm për 21 vjet? A s’është kjo llava e vullkanit njerëzor që vjen tek ne më e prekshme se gjithë jetët tona bashkë? Dhe të mos harrojmë se mësuesi, intelektuali, poeti Havzi Nela u nda prej nesh në mënyrën më mizore vetëm dy vjet para se era e re e lirisë njerëzore të frynte në gjithë Evropën e Lindjes… Dhe ne me lirinë e dëshiruar, së cilës i priu Havziu, të flasim pa frikë gjithçka ëndërrojmë e mendojmë, gjithçka dëshirojmë.

Dy vjet para se të jepte shpirtin diktatura komuniste, e prirë gjatë gjithë ekzistencës së vet të shkatërrojë inteligjencën shqiptare, masakroi njeriun liridashës, poetin, disidentin trim të Kukësit, Havzi Nelën, duke vënë kështu edhe një herë lakun në fytin e kulturës shqiptare. Havzi Nela nuk është vetëm më i Kollovozit e i Kukësit, ai është martiri i Shqipërisë, këngëtar i lirisë, piskamë mbi diktaturë…

DITA

View User's Profile View All Posts By User U2U Member
tani

Postuar mė 13-8-2004 nė 08:03 Edit Post Reply With Quote
E dhimbshme kjo!

Inati me i madh me vjen me ate Fehmi Abdiun qe akoma eshte ne detyre dhe jam i sigurt se thote me vete me nje qetesi apostolike "Mire ja bera kriminelit".
View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 14-8-2004 nė 09:58 Edit Post Reply With Quote
Përkujtohet gjashtëmbëdhjetë vjet pas eskzekutimit poeti antikomunist, Havzi Nela

Kukësi kërkon përmendore për poetin Nela



Poeti antikomunist me shpirt rebel, Havzi Nela, që u dënua me varje në litar, duke u ekzekutaur mizorisht në qytetin e Kukësit, me rastin e 16-vjetorit të vdekjes së tij tragjike është përkujtuar me nderim, ditën e martë, më 10 gusht, në qytetin verior. Takimin përkujtimor me intelektualë të rrethit dhe personalitete të njohura të letrave e organizoi klubi letrar “Anton Pashku” në Kukës, që është njëkohësisht edhe vendlindja e poetit. Poetin Nela, 16 vjet më parë, më 10 gusht, të vitit 1988, regjimi diktatorial e ekzekutoi me varje, për të vetmin gjest, guxim për të thënë fjalën e lirë. Ekzekutimi i poetit u krye nga komunistët, pasi ata e kishin mbajtur të lidhur për 20 vjet pas hekurave të burgjeve. Ishte viti 1967, kur Havzi Nelës iu hodhën prangat. Shkak u bë përpjekja për t’u arratisur nga Shqipëria, së bashku me të shoqen. Shpirti i tij i zgjuar, po e ndjente më tepër se të tjerët grackën e robërisë komuniste. Publikisht, Nela që në vitin 1967 ka kundërshtuar mbylljen e kishave dhe të xhamive. Ai nuk pranonte as idenë për hyrjen e fshatarëve në kooperativat bujqësore. Dhe për të gjitha këto poetin Nela e ka gjykuar Fehmi Abdiu, i cili deri para një muaji ka kryer detyrën e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri. Të martën drejtuesi i klubit letrar, Petrit Palushi, në fjalën e tij homazh për Havzi Nelën vuri në dukje se “Havzi Nela është njëra nga figurat më të njohura antidiktatoriale në Shqipëri” dhe shtoi për të pranishmit se në një kohë të afërt do të botohet e gjithë vepra e tij letrare, si dhe letrat nga burgu, të cilat ia dërgonte së shoqes. Në këtë takim ku kishte shumë të ftuar u lexuan mjaft shkrime nga ato që poeti ka lënë me dorën e tij. Agim Spahiu lexoi shkrimin “Homazh për poetin, homazh për njeriun”, dhe më pas Spahiu u kujtoi të pranishmëve çastin mizor të ekzekutimit: “Ishte një ditë e nxehtë, një ditë përvëluese dhe njerëzit kalonin vazhdimisht nga Agjencia e Automjeteve për të parë të varurin e ekspozuar. I varur, se mendonte ndryshe, i varur se guxoi t’i mbante lart bindjet e tij, i varur për disidencën e shpallur, i varur pse shihte mundësinë e çlirimit të shpirtit njerëzor”. Në këtë takim u tha se një pjesë e mirë e këtyre shkrimeve për martirin e fjalës së lire, Havzi Nela, do të përfshihet në librin me 32 shkrime të zgjedhura për të, të cilat po i përgatit për botim shkrimtari dhe studiuesi Petrit Palushi. Ndër autorët përfaqësues në këtë libër janë: Visar Zhiti, Agim Spahiu, Uran Kalakula, Besnik Mustafaj, Myftar Gjana, Petrit Palushi, Sabajete Peposhi, Granit Zela, Lazër Stani, Ahmet Selami, etj. Përveç shkrimit të Agim Spahiut u lexua gjithashtu edhe shkrimi i Besnik Mustafajt “Heroizmi i detyruar i dy poetëve”, ku bënte përqasjen midis aktit të Havzi Nelës dhe aktit të piktorit Agim Ramadani. Është rasti të shtrohet pyetja, nëse vdekja e lavdishme e poetit hedh një dritë të re, rivlerësuese mbi trashëgimninë e tij poetike. Përgjigja është e shpejtë, pa dyshim që po. Tek poezitë e një poeti të vrarë, apo të varur në emër të lirisë afrohesh ndryshe, me një lloj detyrimi të vetvetishëm për të gjetur në vargje diçka tjetër, përtej hedonistikës dhe estetikës së natyrshme. Si lexues je në buzë të ndjenjës së fajit dhe kërkon me ngulm të pavullnetshëm të gjesh nëpër fjalë apo midis rreshtave përgjigjen e sakrificës sublime të poetit, tha Mustafai. Pas gjithë këtyre kujtimeve, gjimnazistët e qytetit lexuan pjesë nga letrat e burgut të Havzi Nelës, si dhe fragmente nga krijimtaria e tij poetike. Të pranishmit kërkuan që me këtë rast në qytetin e Kukësit duhet të ngrihet një përmendore në nderim të kujtimit të martirit Havzi Nela, prandaj u kërkua që të merreshin të gjitha masat që një gjë e tillë të realizohej në një kohë sa më të shpejtë.

temA





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 10-8-2008 nė 07:36 Edit Post Reply With Quote
Havzi Nela: "Vdekja për liri nuk më tremb aspak…"

20 vjet më parë diktatura komuniste ekzekutoi mësuesin që i këndoi lirisë së munguar

Eshtë një detyrim moral dhe tepër njerëzor, që buron nga shpirti dhe thellësitë e gati 50 viteve të shkuara të shkruaj për Havzi Nelën, ish-mësuesin tim, për poetin disident, i cili i këndoi dhe e kërkoi lirinë e munguar gjithë jetën, duke e paguar me çmimin më kapital-vdekjen me varje nga regjimi komunist me 10 gusht të vitit 1988. Mbi të gjitha e quaj detyrim jo thjesht për ta kujtuar, por për të evidentuar sadopak vlerat e tija si njeri, si intelektual, si mësues dhe edukator, si poet dhe këngëtar i lirisë, si patriot dhe demokrat i madh në këtë përvjetor të vdekjes tragjike të tij.

Për ne ish-nxënësit e tij, disa sot mësues dhe edukatorë, si ai dikur ka mbetur në kujtesën tonë i pashlyeshëm, model i tij prej mësuesi dhe edukatori dhe më vonë prej poeti dhe këngëtari i paepur i lirisë. Ai na dha, për dy vite që na mësoi dhe edukoi jo vetëm fjalën e ëmbël të gjuhës sonë amtare, por edhe një pjesë të jetës së tij, një pjesë të shpirtit të tij liridashës.

Ishin vitet pas të '60-ve kur e sollën në shkollën e Shishtavecit. Sapo kishte mbaruar shkollën e lartë për gjuhë-letërsi. Një pjesë e nxënësve e njihnim si emër, sepse ishte nga fshati Kollovoz, fqinjë me ne, por më shumë se kishte filluar të bënte shpejt emër për; kulturën dhe intelektin e tij, për modelin e ri të mësuesit, pse jo edhe për zërin e veçantë dhe tepër melodioz që kishte. Sa për zërin, kur ia niste Havziu jo vetëm njerëzit që ishin afër ndalonin frymën, të tjerët më larg punën, por edhe zogjtë e malit këngën e tyre. Si duket bilbili-bilbilit ia njeh kodin, prandaj e respektonin njëri-tjetrin. Sidomos në natyrën e bukur të zones sonë, kur dilnim për shëtitje dhe ekskursione shpërthente me gjithë forcën dhe frymëzimin e tij. Ata që e kanë dëgjuar tek këndonte atëherë në rininë e tij, i pa plagosur akoma në shpirt, kanë mbetur rob i këngës dhe zërit të tij. Repertori i tij ishin: këngët e hershme të trimërisë, ato të vendlindjes dhe dashurisë, që i deshi aq fort. Ndërsa mësimin jo vetëm na e shpjegonte qartë, prerazi dhe me kompetencë profesionale (pak ishin kompetent në atë kohë), duke i shkrirë në një njohuritë e tekstit me interpretimin e tij elokuent, për të mos mbetur thjesht rob i librit, (kështu duhet të jenë edhe sot mësuesit tanë), por ia kishte ënda të mos i përsëriste shpesh fjalët, porositë dhe detyrat që na jepte. Dhe ne shpejt u mësuam me të, iu përshtatëm atij. Kurrësesi nuk mund t'i vinim në klasë pa detyra dhe pa e mësuar mësimin, sepse njëherë, që në fillim na kishte porositur prerë: "Gjuha shqipe dhe leximi janë çelësi i të gjitha lëndëve".

Me paraqitjen e tij, së cilës i kushtonte shumë kujdes, me veshjen shik, veç të tjerëve, por mbi të gjitha me vlerat intelektuale dhe qytetare që mbarte, ai zinte vend të veçantë në kolektivin e mësuesve tanë, duke u bërë shpejt lider i tyre.

Duke e parë para klasës, gjatë shpjegimit të mësimit, apo duke shkruar në dërrasë me atë shkrimin e bukur dhe standard dhe të folmen me gjuhën e tekstit, në atë kohë nuk ekzistonte termi gjuhë letrare (të tillë duhet të jenë edhe sot mësuesit e gjuhës dhe lexi- mit), me atë trupin e drejtë dhe elegant dhe sytë e shkruar në të kaltërt, ne shpesh humbisnim vëmendjen, duke u dhënë pas tij dhe ëndërronim me vete: "A thua një ditë mund të bëhemi si ai"? Dhe si duket jo rastësisht 4-5 ndoqëm rrugën e tij, u bëmë mësues, disa ndoqën degë të tjera. Por edhe si mësues edhe në jetë morëm pjesë nga pjesa e tij për t'ua dhënë të tjerëve.

Nuk e lanë gjatë në shkollën tonë se ishte shkollë e qendrës dhe si duket filloi t'i prish punë regjimit, prandaj e larguan në një shkollë tjetër, në atë të Topojanit, ku do të ishte edhe fundi i tij si mësues. Ishte pranverë e vitit 1967. Përmbysjes dhe çmendurisë së regjimit komunist me: kolektivizimin e bujqësisë, prishjen e institucioneve fetare dhe ndalimin e fesë, që kurrë se ndaloi dot, heqjen e veshjes "rëndë" në zonën tonë (e cila u hoq vetëm kur u krijuan kushtet dhe deshën vetë njerëzit pas viteve '90) iu kundërvu hapur, duke përdorë me mjeshtri fjalën, ligjëratën dhe privilegjin e tij: oratorinë. Këto kufizime dhe masa represive, që s'ishin parë dhe dëgjuar kund, ia kishin prekur dhe trazuar thellë shpirtin e tij liridashës. Me guximin dhe vendosmërinë që e karakterizonte ai do të deklaronte në mbledhjen e kolektivit: "…populli ashtë i sëmurë dhe tri gjilpana përnjiherë nuk e shërojnë, por e shkatërrojnë". Kjo ishte shumë e rëndë për regjimin, sepse e godiste në palcë atë dhe se këto ide vinin nga një intelektual me shkollë të lartë. Havzi Nela, i pari kishte kuptuar dëmet dhe pasojat çnjerëzore të këtyre masave, ata drejtoheshin në radhë të parë kundër njeriut, duke e goditur për vdekje në tri shtyllat e jetës: në pronën, në besimin dhe në fjalën e lirë. Por regjimi nuk do t'ia falte këtë Havzi Nelës për jetë. Filluan t'ia ngushtojnë lakun (siç do t'ia ngushtonin dhe shtërngonin përfundimisht pas 20 vjetësh po ai soj e sorollop njerëzish) dhe u detyrua me lotë në sy e dhëmbje të madhe në zemër për vendlindjen dhe atdheun, që aq shumë i deshi gjithë jetën, (letra që la në kufi i shprehte më së miri këto: "Lamtumirë Atdhe i dashtun, po të la, por zemërplasun…"), të arratiset një natë pranvere me shiun që resinte pa pushim, përzier edhe me lotët e tij. Por shpejt do ta kthenin serbët, se jo vetëm që nuk mundën ta përdorin për interesat e veta, por u prishte shumë punë. Ata e njihnin mire si dukej, se në kufi me ta jetonte e punonte, madje shkollën e mesme në Prizeren e kishte bërë pas viteve '45, e ndoshta që aty kishte shfaqur idetë e qëndrimet anti komuniste. Nuk ishte për t'u habitur, se edhe ata pothuaj të njëjtin regjim kishin, madje për njerëz të tillë si Havzi Nela kishte marrëveshje të fshehta midis Tiranës dhe Beogradit për t'i kthyer.

Për shumë kohë më ka munduar pyetja: Përse na çuan të organizuar në sallën e gjyqit të Havziut në maj të 1967, ne nxënësit e gjimnazit të Kukësit për dy ditë me radhë? Regjimi komunist e njihte mirë se me cilin kishte të bënte, prandaj, atë nuk e kishin mposhtur dot në hetuesi, prandaj fjalën e tij dhe mbrojtjen brilante që i bëri vetes, si dhe akuzat ndaj regjimit nuk duhej kurrësesi t'i dëgjonin njerëzit e thjeshtë, vetëm ata që i zgjidhnin: përfaqësues të organizatave të masave, edhe ata të instruktuar, sigurimsa dhe ne nxënësit, që pothuaj akoma ishim fëmijë, për të na dhënë një mësim të mirë dhe frikësuar që në djep, sepse ata e dinin që edhe ne intelektual si Havziu do të bëheshim.

Ishte tepër e vështirë, sidomos për ne dy-tre ish-nxënësit e tij të ulur në radhën e dytë tek e shikonim mësuesin tonë të dashur të gjykohej dhe dënohej për fjalën dhe mendimin e lirë që kishte shprehur. Shikimet tona përplaseshin me të mësuesit, një lëmsh i madh na ishte mbledhur në grykë, por lotët duheshin fshehur aty. Do të mbetej përjetë në kujtesën e shumicës në sallë fjala e tij (megjithëse shpesh e ndërprisnin, atë kishin në dorë, ballje tjetër nuk mund t'i bënin) e vendosur, e palëkundur. Si njohës dhe zotërues i shkëlqyer i gjuhës shqipe, pse jo edhe i oratorisë, ai përdori gjithë pasurinë e saj për të shprehur pakënaqësinë dhe urrejtjen për regjimin, por njëkohësisht edhe mendimet, idetë filozofike e demokratike për njeriun, jetën dhe lirinë. Tepër të vështirë e pati situatën trupi gjykues me Havziun, sidomos prokurori, të cilit si kishte mbetur armë tjetër veç të bërtiturës dhe fjalëve: pusho i pandehur, ulu! E në një rast, kur i tha armik i popullit, Havziu me gjakftohtësi iu përgjigj: "Hiqi dy shkronjat e para, tre të fundit më takojnë, d.m.th mik i popullit, ai më dhimset, prandaj kam folur dhe do të flas për padrejtësitë që i bëhen atij". Për nëpërkëmbjen që i bëri prokurorit pretencë e tij ishte edhe vendimi i gjykatës me 20 vjet burg. Më vonë e ridënuan për revoltën e Spaçit si një nga oganizatorët e saj. Por edhe pas lirimit në vitin 1986 e internuan përsëri në Arrën të Surrojt, ku kishte shumë gurë e lisa, madje edhe ndonjë ari e shumë pak njerëz. Se njerëzit Havzi Nela i bënte për vete kudo ku shkonte, ia merrte regjimit, diktaturës. Por si gjithmonë, ai edhe këtë kufizim të lirisë së tij nuk e pranoi, prandaj u largua pa leje. E kapën përsëri dhe me procedurë të shpejtë dhe … për interesin e partisë në rreth dhe mospërhapjen e veprimtarisë armiqësore i dhanë dënimin kapital: vdekje me varje në mes të qytetit të Kukësit, aty ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët e fshatrave dhe qyteteve, për ta parë sa më shumë njerëz, të cilët në fakt vetëm se e admironin akoma më shumë edhe ashtu të varur. Dhe kjo ndodhi kur diktatura ishte në gramat e fundit, vetëm dy vjet para flladit të ri të demokracisë dhe lirisë së vërtetë, të cilat ai i deshi dhe i kërkoi gjithë jetën e tij. Në vjershën me titull: "O liri o vdekje" (janë akoma me mijëra vargje të Havzi Nelës pa botuar) poeti shkruan… "vdekja për liri nuk më tremb aspak…"

Dhe vërtetë se trembi aspak. Diktatura komuniste nuk e përkuli dot, nuk e theu nuk mundi asnjëherë t'ia mbyllë gojën, t'ia vrasë as fjalën e tij të lirë, as vargun poetik dhe as këngën.

Reshat NOKA


rd





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 17-8-2008 nė 11:03 Edit Post Reply With Quote
Mire o PD

po

1. Pse u votua nga PD fatmira laskaj?
2. Pse u dekoruar ajo nga bamit topi?





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 17-8-2008 nė 11:12 Edit Post Reply With Quote
Vrasja entusiazte e Havzi Nelës


Shkrimtari Günter Grass në vitin 2006 rrëfeu se kur kishte qene i ri, kishte veshur uniformën naziste. Rrëfimi i nobelistit gjerman qe tronditës, qe një prishje e heshtjes që rëndonte mbi shpirtin e vet prej sa e sa dekadash: 'Nuk e kam gjetur kurrë forcën për ta thënë, por është diçka që duhej treguar '



Nga Petrit Palushi

11 Gusht 2008 - Në 20 vjetorin e ekzekutimit të poetit Havzi Nela – Vazhdojnë të dekorohen ish-vrasësit e martirëve të lirisë dhe një lloj shqetësimi ndihet më shumë për ish-diktatorin Hoxha sesa për viktimat e tij, mu për atë, për të cilin Havzi Nela, qysh në vitin 1983, në burgun e Qafë-Barit shënonte: “Shtylla qëndrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha”.

Shkrimtari Günter Grass në vitin 2006 rrëfeu se kur kishte qene i ri kishte veshur uniformën naziste. Rrëfimi i nobelistit gjerman qe tronditës, qe një prishje e heshtjes që rëndonte mbi shpirtin e vet qysh prej sa e sa dekadash: “Nuk e kam gjetur kurrë forcën për ta thënë, por është diçka që duhej treguar. Tashmë nderojmë aq shumë heronj të rezistencës gjermane sa nuk merret vesh si mbërriti në pushtet Hitleri. Në një kohë kur nazizmi u brohorit me mbështetje e entusiazëm”.

Pyetjes “Keni ndjenjë faji për këtë?”, ai iu përgjigj: “Në e ndjeva atëherë? Jo. Më vonë, ajo ndjenjë faji më ka rënduar në shpirt si një turp. Dhe është shoqëruar gjithnjë nga pyetja: hë pra, Günter, a nuk mund ta merrje me mend se ç’po ndodhte?”

Por një operacion i tipit “Günter Grass” nuk ndodhi asnjëherë në Shqipëri, as me rastin “Havzi Nela”.

Po të shohësh me vëmendje dosjen për Havzi Nelën (procesi hetimor, gjyqësor, kallëzime të dosjeistëve, etj.), aty do të gjesh shënime të çuditshme dhe lehtas mund të bësh një riformatim të asaj që përshkruhet në romanin “Procesi” të F. Kafkës, veçse në procesin e Nelës, personazhet janë protagonistë të vërtetë. Në këtë rrafsh, procesi është i gjatë dhe e përmbledh atë krejtekrejt në gjysmën e dytë të jetës deri në marrjen e frymës, madje deri në futjen e trupit nën tokë.

Aty mund të gjesh jetëshkrimin vetëm të një pjese të jetës së njeriut, një përpjekje të pazakontë për të mbijetuar në kushtet e vargonjizimit të lirisë, siç mund të gjesh fytyrën e regjimit të kohës në të gjithë zezonën e vet. Edhe pse nën trysninë e hetuesve, gjykatësve dhe prokurorëve, fjalët e tij (më saktë gjithë kumti që ai përcjell), janë fjalët e një njeriu me integritet dhe pavarësi nga ajo shëmti nënshtruese rretherrotull, nga ai shformësim i vlerave njerëzore.

Në shënimet mbi procesin ndaj Havzi Nelës, mund të shohësh protagonistë të çuditshëm si gjykatës dhe prokurorë, të cilët me shpejtësi marramendëse plotësojnë letrat që t’i merrej jeta klientit të tyre të shumëpritur, siç mund të gjesh raportues dhe gjysmëraportues, raportues vullnetarë apo të urdhëruar, dosjeistë krenarë jo vetëm në çështjen “Havzi Nela”, të cilët pas ndryshimt të regjimit, as e morën mundimin të rrëfenin që ndjeheshin sadopak fajtorë, që ishin pjesëmarrës të një krimi të rëndë, dhe jo në Mesjetën e hershme, as në fillimin e shekullit të XX, por mu atëherë kur vetë diktatura qe në shkundullimat e fundme.

Shtatëmbëdhjetë muaj mbasi regjimi i stërvjetër stalinist në Shqipëri qe këputur për mesi, në vitin 1993 eshtrat e të ndjerit u nxorën nga gropa dhe u varrosën në katundin e lindjes, Kollovoz.

Kaloi 10-vjetori i mbytjes së tij, edhe 15-vjetori, siç po kalon edhe 20-vjetori, dhe asnjë grimë e shkundjes së ndërgjegjes, asnjë pikë turbullie. Pra, deri tashti, ekipi vrasës i tij, nuk ka shfaqur as shenjën më të vockël të pendesës. Një gjë e tillë s’ka të bëjë vetëm me kompleksin e mospërjetimit të fajit, por është simbol i një arrogance dhe humbje e plotë e ndjeshmërisë njerëzore sa të shtyn të besosh që mungesa e pendesës është forma më e dukshme e mosreflektimit, është përpjekje për të fshirë çdo gjurmë që kish të bënte me abuzimin në emër të pushtetit. Në kohën mbasdiktaturë qëllimi ishte që të krijohej përshtypja se këta ish-nomeklaturistë vetëm kishin bërë detyrën.

Është i natyrshëm gabimi njerëzor, por krejt ndryshe kur shkaktohet nga ligësia, aq më tepër nga ligësia në emër të pushtetit. Ndërsa pendimi ka të bëjë me diçka hyjnore, është hyjnor në vetvete (vetë fjala pendesë është një fjalë jashtëzakonisht hyjnore), ekziston si shtyllë e moralit, si ndjenjë lehtësuese për jetën në vijueshmëri, si lirim prej demonëve të së keqes.

Në vitin 2002, ish-kreu i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë (Fehmi Abdiu), që shqyrtoi çështjen “Havzi Nela”, këndellej kur rrëfehej në shtyp se “Kam gjurmë dhe gabime, por s’kam asgjë që të ma brejë ndërgjegjen” (G. Shqiptare, 10 maj 2002, f.2), thuajse njëlloj si Sh. Peçi (urdhëruesi i masakrës në Buzëmadhe në shtator 1944), kur në vitin 1993, deklaronte gjithë mburrje: “Edhe sot, u thom atë që kam thënë dje: Vrava, se më vranë!… Po u, kurrë nuk jam bërë pishman dhe nuk jam futur vrimave na frika. Pas çlirimit, më vunë deputet në Lumë. Katër vjet me radhë”. (Ballkan, 7 korrik 2004, f.27 - Intervistë e vitit 1993, e ribotuar)

Do thënë se në përpjekjet për të shmangur nga jeta Havzi Nelën ka shumë entusiazëm të pashpjegueshëm, mu për faktin se protagonistët e krimit shfaqen me një ndjeshmëri të theksuar antiligjore dhe krejt të kthjellët në mizorinë e tyre. Fakti që nuk ulën kryet asnjëherë për atë që kryen, do me thënë se qenë të vetëdijshëm në atë që po kryenin.

Për fat të keq, asokohe, bashkëjetesa me të keqen u kthye në një përditshmëri, u shndërrua në psikikë, në një bashkëjetesë thuajse patologjike, dhe liria, qe kthyer thjesht në iluzion. Por çështja shihet në një plan tjetër, mu te kapërcimi edhe i vetë ligjeve drastike të kohës.

Në rastin e Havzi Nelës, ky kapërcim është shembulli më i qartë i një mizorie administrative, është shformësimi më i skajshëm i asaj që mund të quhet drejtësi, natyrisht brenda asaj ngrehine ku vetë komunizmi qe një padrejtësi e dukshme, një regjim kundër lirisë së shtetasve të këtij vendi.

Akti ndaj Havzi Nelës është nga më të pamoralshmit e drejtësisë së kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri, është modeli më i shëmtuar i një drejtësie të politizuar dhe në shërbim të një regjimi absurd, mesjetar, që i ndryu shtetasit në izolim të plotë sa shpesh e ndjenin veten fatkeqë dhe të përbuzur në vendin e tyre.

Faktet s’të lënë të lëvizësh dhe janë aq kryeforta, sa, ngado që të kthehesh, s’mund t’u shmangesh. Në harkun e shtatë ditëve ka përfunduar gjithë procesi hetimor ndaj Havzi Nelës.

Edhe uji i lumit më të rrëmbyeshëm, kur përplaset me shkëmbijtë, sikur ka njëfarë ndalese dhe merr energji për të ndjekur rrjedhën e vet, ndërsa hetuesi i çështjes së bashku me kryeprokurorin, nxitojnë dhe prapë nxitojnë të mbyllin dosjen brenda shtatë ditëve. Ndoshta është ndër rastet e rralla në botë e një procesi hetimor kaq të shpejtë, një padurim i pashpjegueshëm.

Çudia shtohet, kur kryegjyqtari formulon vendimin për vdekje dy ditë para se të zhvillohej gjyqi, ndërsa ditën kur do të zhvillohej seanca gjyqësore, kryegjyqtari e kishte të qartë (dhe të shënuar në letër njëkohësisht) vendimin që do të merrej ende pa u futur në sallën ku do të ndëshkohej poeti. Havzi Nela nuk kërkoi as më shumë dhe as më pak përveçse drejtësi brenda vorbullës së një shteti të padrejtë (“Unë i kërkoj Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të më japë drejtësinë që më takon”).

Ushtruesit e gjyqit politik edhe mbas ndërrimit të sistemit vijuan të sillen si triumfalistë dhe mburravecë me aktet e dikurshme.

Këta vrasës entusiaztë të Havzi Nelës, më tepër se aktivë në procesin ndëshkues ndaj tij, me një ofensivë thuajse patologjike, shumë shpejt do të shpërbleheshin për vdekjen e Nelës (shpërblim për vdekjen e një njeriu?), mu në fushën e tyre të drejtësisë.

Pas viteve ’90, ndodhi konvertimi i shpejtë në të ashtuquajturën drejtësi të jashtëpolitizuar, duke vijuar triumfalisht punën në sektorin e drejtësisë, disa prej tyre në avokatë (F. Abdiu, psh., u zgjodh parlamentar dhe pak më vonë edhe Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, ndërsa F. Laskaj, në vitin 2003, për ironi të fatit dhe të fateve, merr postin e drejtueses së Inspektoratit të lartë të verifikimit dhe kontrollit të pasurive).

Kjo s’është gjë tjetër, veçse një dëshmi se Shqipëria sot vuan nga përmbytja e moralit, nga mosreflektimi i thellë dhe serioz i asaj që ndodhi nën diktaturë. Shpesh nevoja për katarsis është marrë në sipërfaqe. Ndoshta mungesa e një lëvizjeje të madhe shoqërore në këtë hulli, ka çuar në atë që shpesh të dekorohen edhe ish-vrasësit e martirëve të lirisë dhe mund të thuhet se kësodore shpesh më shumë ndihet një lloj shqetësimi për ish-diktatorin Hoxha sesa për viktimat e tij, mu për atë, për të cilin martiri Havzi Nela, qysh në vitin 1983, në burgun e Qafë-Barit shënonte: “Shtylla qendrore e urrejtjes dhe e demaskimit tim qëndron Hoxha”.

Havzi Nela jetoi vetëm 54 vjet

Është folur shpesh për të se edhe për dy vjet dhe s’e mbërriti lirinë, por askush nuk mund ta merrte me mend në atë gusht të 1988-s, ose më saktë, në ditën e këputjes së frymës së tij, se liria kish qenë aq pranë. Aq pranë për të tjerët, por jo për të. Duket se çdo fjalë për të tani sikur është një lloj shfajësimi ose plotësimi për humbjen e tij, në radhë të parë për humbjen fizike të parakohshme pas një jete të stërmundimshme, por njëkohësisht edhe për një humbje tjetër: ai s’arriti ta shihte lirinë, atë gjë për të cilën kish sakrifikuar së tepërmi.

Nuk mundi t’i shpëtonte mbytjes, por mundi t’i ikte humnerës mortore të harresës. Me një qetësi dhe krenari gati-gati sublime, mundi të ikte nga libri i të vdekurve të gjithmonshëm.

Në atë sfond mortor të përgatitur për të krejt hareshëm qysh në gjalljen e trazuar të tij, mbas marrjes së frymës, trupi i pajetë i tij nisi të lëkundej ndërmjet tokës e qiellit, ndërsa shpirti i tij filloi të endej hapësirave, të endej si një zog i lirë, sovran dhe i krejtpushtetshëm.

Një shpirt që fluturon e s’lodhet, që endet qiellnajës qyshprej njëzet vjetësh dhe që s’mund të zbresë më kurrsesi prej asaj lartësie.

shek





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 17-8-2008 nė 11:16 Edit Post Reply With Quote
REPUBLIKA POPULLORE S O C . S H Q I P Ë R I S Ë
Nr. 59. Vendimi
Nr.60. Aktit
GJYKATA POPULLORE
RRETHIT KUKËS

VENDIM


NË EMËR TE POPULLIT
Gjykata popullore e rrethi Kukës e përbërë prej:
Agim Hoxha, Gjyqtar
Osman Mula, Anëtar
Isa Laçi, Anëtar
Asistuar nga sekretarja Ikbale
Mema, me pjesëmarrjen e prokurorit
Nikollaq Helmi, në Kukës, me datë 24.06.1998 shqyrtoi në seancë gjyqësore
me dyer të hapura çështjen penale nr. 60 që i përket:

Të pandehurit Havzi Nela, i biri
Shabanit dhe i Xhevries, i
datëlindjes 1934, lindur në Kollovoz
dhe banues në Arrën, me origjinë shoqërore fshatar i varfër,
dhe me gjendje shoqërore punëtor, i dënuar dy herë më parë në bazë
të neneve 47/ gj dhe 55/ J e K.Penal, profesioni mësues me arsim
të lartë, arrestuar më datë 17.6.1988

AKUZUAR
Për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes jashtë shtetit,
terror dhe armëmbajtje pa leje, në bazë të nenit 47/ gj - 11, 50 /1 224
të kodit Penal.
Gjykata, pasi shqyrtoi materiale te dosjes hetimore Nr.109, provat e
marra gjatë zhvillimit të gjykimit, pasi dëgjoi prokurorin e kërkoj deklarimin
fajtor të pandehurin për veprat penale të parashikuara nga
nenet 47/ gj e 11; 50/ 1 e 224 të K.Penal dhe dënimin përfundimtar:
me vdekje me varje në litar.





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 17-8-2008 nė 11:23 Edit Post Reply With Quote
Abdiu: Na sulmojne se nuk durojne cekan mbi koke
Z. Abdiu. Dikur keni deklaruar se ne vitin 1992 vete kryetari aktual i PD, Sali Berisha, ju ka propozuar per anetar te Gjykates Kushtetuese. Si eshte e verteta e ketij propozimi dhe pse nuk keni pranuar?

E vertete eshte qe ne vitin '92 kur eshte krijuar Gjykata Kushtetuese e Shqiperise, nder kandidaturat qe jane paraqitur nga PD, qe ishte dhe parti ne pushtet, eshte paraqitur dhe emri im si kandidature. Paraprakisht kam konstatuar ne ate kohe, predispozicionin apo gadishmerine e partise ne pushtet per te aktivizuar edhe juriste te opozites edhe mbase kjo mund te kete qene edhe arsyeja qe u mendua se edhe une mund te isha nje nga anetaret e Gjykates Kushtetuese. Kete kerkese une personalisht e kam pritur mire, megjithese isha deputet dhe meqenese kisha vene re se kisha deshire per t'iu rikthyer profesionit tim, me nxiti qe ta mbeshtesja kete kerkese, pra te isha dakort. Por pas shume diskutimesh dhe debatesh ne grupin parlamnetar te Partise Socialiste nuk ishte dakort qe une te behesha nje nga anetaret e Gjykates Kushtetuese. Ky qe edhe konkluzioni dhe pergjigjja qe une i imponuar i dhashe propozimit qe me ishte bere. Pra per pasoje ne ate kohe nuk u pranua ky propozim nga grupi parlamentar i PS dhe nga une vete.

Nderkohe qe akuzoheni nga lideri i Partise Demokratike per "ekzekutimin" e nje disidenti. Si mund te mbroheni?

E verteta rreth ketij problemi, pas shume vitesh per te cilin une jam akuzuar, duhet te qartesohet. Vite me pare une nuk i kam kushtuar shume vemendje ketyre deklaratave. Qe nga viti 1991, pra kur kam kandiduar per deputete, shpesh nga qarqe te caktuara te kundershtareve politike eshte ngritur ky problem. Por cila ne fakt eshte e verteta? Nuk eshte e vertete absolutisht ajo qe eshte thene nga shtypi, qe une kam qene kryetar i Gjykates se Kukesit, e qe kam gjykuar kete ceshtje. Hazbi Nela eshte deklaruar fajtor nga Gjykata e Kukesit me vendim numer 59, date 24.6.'88 dhe eshte denuar me vdekje. Ka marre kete denim per tradheti ndaj atdheut, ne formen e arratisjes jashte shtetit, per krimin e terrorit dhe per armembajtje pa leje ne baze te neneve 47 germa c dhe 11, 15 pika e pare te Kodit Penal te asaj kohe. Kjo ceshtje ka ardhur ne Gjykaten e Larte ku une isha anetar i kesaj gjykate. Ne kolegjin penal te gjykates se larte, kjo ceshtje eshte shqyrtuar dhe eshte lene ne fuqi vendimi. Ne kolegjin penal pervec meje kane marre pjese si anetar z. Vili Robo, znj.Fatmira Laskaj dhe vendimi eshte lene ne fuqi, pasi eshte konstatuar se ai i kishte kryer veprat per te cilaj akuzohej. Pra dua te theksoj edhe njehere se akuza kryesore per te cilen ai u denua me vdekje ishte krimi i rende i terrorit. Pas kesaj kjo ceshtje ka shkuar ne Presidiumin e Kuvendit Popullo, dhe pasi eshte debatuar gjate per kete ceshtje, i eshte refuzuar kerkesa per faljen e jetes. Kjo eshte e gjithe e verteta per Havzi Nelajn per te cilin shume here mjaft politikane nga PD me kryetarin e tyre ne balle me kane pergojuar pa asnje shkak.

Them se ai eshte gjykuar ne baze te ligjit te kohes nga gjykatat kompetente, eshte hetuar nga hetuesia e asaj kohe, eshte akuzuar nga prokuroria e Kukesit eshte pare me vemendje ceshtja e tij nga Gjykata e Larte konform rregullave proceduriale. Dhe per kete e verteta duhet njohur si eshte dhe jo si u intereson disave per sulmet e tyre ndaj meje per motive krejtesisht politike.

Ka pak kohe qe flitet nga krahe te ndryshem te politikes per shkrirjen, apo zvogelimin e kompetencave te Gjykates Kushtetuese. Ju si kryetar i kesaj gjykate si do ta komentoni kete "deshire" te politikes?

Une nuk deshiroj te merrem shume me deshirat e politikes apo politikaneve te vecante, pasi jam i sigurte qe as deshire e politikes nuk mund te jete. Cilat jane opinionet e mia rreth tezes apo hipotezes per kufizimin e kompetencave te Gjykates Kushtetuese. Dua te theksoj se kompetencat e Gjykates Kushtetuese nuk i ka percaktuar kjo gjykate, nuk i ka percaktuar as ligji per Gjykaten Kushtetuese qe eshte miratuar nga Kuvendi. Kompetencat e Gjykates Kushtetuese jane percaktuar rigorozisht nga Kushtetuta. Pra kur eshte miratuar kushtetuta, kompetencat e saj jane pare e jane kontrolluar nga te gjithe, pra ato jane kompetenca te shprehuara rigorozisht duke menduar se ishin perpara nje konceptimi shume bashkekohor per nje Gjykate Kushtetuese qe te ishte e zonja per te kontrolluar balancuar, e zbutur pushtetet e tjera gjate kontrollit kushtetues mbi ta. Se dyti procedurat jane te zberthyera, ne ligjin per Gjykaten Kushtetuese ku jane trajtuar me hollesi, proceduarat qe ndjek Gjykata Kushtetuese gjate zhvillimit te ceshtjeve qe kane te bejne me kompetencat e saj. Per kete te fundit une dua te theksoj nje fakt qe nuk eshte bere shume publik: ligji per Gjykaten Kushtetuese eshte i pari dhe mbase i fundit, qe gjate legjislatures se kaluar eshte miratuar me konsesusin e 105 deputeteve qe ka pasur Kuvendi diten qe eshte miratuar ky ligj. Eshte miratuar me votat e te majteve dhe te djathteve. Dhe kjo ka te beje me proceduart shume transparente qe u ndoqen gjate kohes se pergatitjes se projektligjit te Gjykates Kushtetuese. Ai projekt eshte perpunuar nen kontrollin, vezhgimin dhe kujdesin e keshillit te Venecias, eshte administruar profesionalizmi i shume specialisteve kushtetues dhe pastaj pasi eshte pergatitur dhe i eshte dorezuar opozites. Verejtjet dhe sugjerimet e tyre, shumica jane te pasqyruara ne ligj. Mund te them se eshte nje nga ligjet me te mira ne Shqiperi, pa patur ndonje paragjykim ose pasion. Ne koncept te pretendosh per te pare nje ligj ose nje tjeter, nuk ka asgje te keqe, sic kane pretenduar personalitete te vecanta. Por gjithmone pretendimet per te ripare ligjet duhet te nisen nga synime konkrete shume domethenese, per te synuar nje ligj me te mire nga ai qe eshte. Une per fat te keq kete tendence nuk e ve re tek ata qe kane bere nje propozim si ky. Me sa kam kuptuar qe te gjithe kane mllef per institucionin, per gjykaten, per kompetencat e saj, per procedurat qe zbaton dhe ngaterrojne kompetencat qe ia ka dhene kushtetuta me ato qe ka ligji p`r Gjykaten Kushtetuese, duke synuar qe qofte nepermjet revizionimit te ligjit, qe eshte me i kollajte se amendimi i Kushtetutes, te revizionojne te rikompozojne apo deri dhe te shkrijne Gjykaten Kushtetuese. Tendencat e sotme apo teorite per shkrirjen e Gjykates Kushtetuese me ngjajne me teorite e 60-70 vjeteve me pare kur ne Gjermani u shkri Gjykata Kushtetuese. Por ky veprim i Hitlerit, mbahet nga gjermanet si nje njolle e zeze e historise se saj. Keto qendrime me kujtojne edhe nje fakt tjeter qe vjen po nga Gjermania. Para 30-35 vjetesh pas nje vendimi te Gjykates kushtetuese nje nga deputetet eshte ngritur e ka thene: "te mos lejojme tete horra te marrin neper kembe politiken gjermane". Nuk dua te besoj se ne jemi 35 apo 60 vjet prapa.

Une mendoj se koha flet kunder ketij koncepti. Ne te gjithe Europen, ne dhjetevjecaret e fundit eshte vene re tendenca te krijimit te Gjykatave Kushtetuese, te vleresimeve maksimale qe jane dhene per keto institucione nga personalitetet kryesore te vendeve te tyre dhe organizmat nderkombetare. Kjo fryme dhe kjo ide duhet te ishte dhe duhet te egzistoje edhe ne Shqiperi.

Fakti shume domethenes i punes te kesaj gjykate, eshte se nga njeri vit ne tjetrin, puna e saj eshte 13-fishuar krahasuar me vitin e themelimit te saj. Fakti qe vetem pas Kushtetutes se re, kjo gjykate ka shfuqizuar ne 15 raste, 15 ligje te ndryshme dhe dispozita te tyre te vecanta si antikushtetues, deshmon per kete. Fakti qe kjo gjykate gjate kontrolleve per proces te parregullt ligjor qe ka bere mbi veprimtarite e gjykatave te ndryshme ka shfuqizuar dhjetera e dhjetera vendime antikushtetuese, deshmon per kete. Fakti qe para kushtetutes dhe pas kushtetutes ka shfuqizuar akte normative te keshillit te ministrave, deshmon per kete. Pa qene nevoja per te hyre ne hollesira per keto probleme, une them qe e ardhmja dhe perspektiva eshte qe ky lloj kontrolli te jete faktori kryesor i stabilizimit ne vend dhe do te vije dita qe rreth ketij institucioni, rreth ketyre problemeve, shume prej te cilave nuk i kam permendur, njerezit do te kthejne koken per ta respektuar me shume se sot, kete institucion qe disa kerkojne ta fshine nga faqja e dheut.

Pavaresisht kesaj qe thate, Meidani, e gjithe opozita dhe nje pjese e maxhorances, sulmojne Gjykaten Kushtetuese, pas dy vendimeve te saj per ceshtjen "Rakipi"...?

Aq me keq. Te arrish ne perfundime per te suprimuar, per shkrire, per te rikompozuar, per te ndryshuar ligje apo dhe Kushtetuten nisur nga fakti se te kane pelqyer ose jo nje vendime apo dy apo tre, pra nga interesa te castit dhe interesa qe jane shoqeruar me emocione shume te medha, aq me keq me duket nje gabim shume i rende. Une ne koncept ashtu si cdo jurist tjeter as nuk kam qene dhe as nuk jam kunder per te rikontrolluar, praktikat e institucioneve, per t'i pare, per t'i vezhguar ata dhe veprimtarite e tyre. Por fakti qe ky problem ka lindur krejt papritur dhe krejt pa u menduar mire, vetem si rrjedhoje e qendrimeve te vecanta qe kane personalitete te vecanta per keto vendime konkrete, deshmon per njeanshmerine, subjektivizmin, per qendrime te tyre personale.

Rrezikohet parlamentarazmi, eshte deklarata me e fundit pas vendimit te Gjykates qe ju drejtoni, njekohesisht sot Dokle jep doreheqjen. Si do ta komentni?

Une nuk dua te beje shume koment pasi kjo pyetje eshte me shume e lidhur me politiken. Une them se parlamentarizmi sigurohet edhe nepermjet kontrollit kushtetues. Eshte kjo e fundit nje faktor i rendesishem qe i ben jehone parlamentarizmit te vertete. Nese duam parlamentarizem me arbitratrite te pakontrolluar, atehere nuk do te flasim per demokraci te vertete. Megjithate une do t'i shmangem kesaj pyetje ashtu si nuk dua te diskutoj per doreheqjen e z. Dokle. Eshte nje problem i tij, megjithese sipas mendimit tim nuk ka asnje shkak te perligjur per te dhene doreheqje. Nuk jam ne gjendje te di te verteten qe mendon z. Dokle.

Pas vendimit te dyte per ceshtjen "Rakipi" a keni pasur kontakte me Meidanin, Doklen, Nanon, apo Berishen?

Me asnjerin prej ketyre personaliteteve nuk kam pasur kontakte dhe nuk kam pse te kem ndonje predispozicion per te kontaktuar, ashtu dhe nuk ka pse t'u fshihem takimve zyrtare nese me lipset nevoja, por jo per te me treguar se cfare hataje ka bere Gjykata Kushtetuese.

Dokle nuk ju ka kerkuar asnje takim?

Ju siguroj qe as nuk me ka kerkuar as i kam kerkuar takim.

Intervistoi E.A

kj 2002





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 17-8-2008 nė 11:32 Edit Post Reply With Quote
mire abdiun e dekoroi moisiu po


bamir topi pse?

"Presidenti Topi duket se është mjaftuar vetëm me dekorimin me Urdhrin “Naim Frashëri” i Artë të dhënë një javë më parë për inspektoren e Përgjithshme Fatmira Laskaj"

albania

pse

topi?





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.2622449 sekonda, 33 pyetje