Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Disa mendime pėr deklaratėn hollandeze
Olsi Baze

Postuar mė 20-9-2004 nė 17:00 Edit Post Reply With Quote
Disa mendime pėr deklaratėn hollandeze

Disa mendime për deklaratën hollandeze


Agron Alibali

Për ta nisur me një notë humori, edhe sikur kombëtarja shqiptare ta kish mundur Hollandën në futboll, nuk do të ishte pritur një deklaratë e Presidencës hollandeze të BE-së me një ton të tillë aq negativ e jodinjitoz, për të mos thënë fyes, kundrejt një vendi sovran që, gjithsesi, ka aspirata të ligjshme e të natyrshme për t’u bërë anëtar i BE-së.

Dora e munguar e Hollandës
Si një vend relativisht i vogël, por që është ndër themeluesit e BE-së dhe kontribuesi financiar më i rëndësishëm për frymë, Hollanda mbetet shembull i veçantë pozitiv, sidomos për nivelin e lartë ekonomik, frymën e përgjithshme progresiste e tolerante të shoqërisë, si dhe njohjen dhe respektin ndaj së drejtës ndërkombëtare, qoftë me personalitetet e shquara hollandeze, krijuese të saj, ashtu edhe me institucionet e rangut botëror që kanë selinë atje.

Lidhjet Hollandë–Shqipëri fillojnë herët, qysh me themelimin e shtetit modern shqiptar më 1912-‘13, kur disa qindra oficerë trima hollandezë ndihmuan në ngritjen e xhandarmërisë shqiptare. Madje, disa prej tyre dhanë edhe jetën tek luftonin krah për krah shqiptarëve kundër bandave “vorioepirote” dhe ushtrisë greke, gjatë maskaradës së të ashtuquajturit “Epir Autonom”. Nga ana tjetër, disa nga këto trupa u bënë edhe objekt kritikash për qëndrimin gati indiferent dhe vëzhgues ndaj masakrave greke në Hormovë, Panarit e fshatra të tjera të Toskërisë, si dhe për rolin negativ të Kolonelit Thompson në imponimin e Protokollit famëkeq të Korfuzit. Koloneli ra më vonë dëshmor, duke mbrojtur me armë në dorë qeverinë e Vidit, dhe Protokolli i Korfuzit u hodh në koshin e plehrave të historisë, porse shija e hidhur e ndërhyrjes, në favor të shovinizmit grek, ende ka mbetur e gjallë jo vetëm në qarqet akademike dhe studimore shqiptare.

Duke pasur parasysh këtë sfond historik, dhe duke shpresuar se diplomacia hollandeze do të kishte hequr dorë përfundimisht nga politika e saj e gabuar ballkanike, e karakterizuar nga dritëshkurtësia, aleancat me karakter fetar dhe impotenca, të përcjella, sidomos në masakrën dhe genocidin e Srebenicës, shpresat ishin të mëdha për një vend të vogël si Shqipëria, që përpjekjet e saj integruese të gjenin mirëkuptimin e duhur gjatë gjashtëmujorit hollandez.

Por mjafton të lexosh Deklaratën e 14 shtatorit për të pësuar zhgënjimin e radhës; kësaj radhe mjaft të madhe.

Së pari, kjo deklaratë përcillet si një qëndrim zyrtar i Bashkimit Evropian. Si e tillë ajo duhet të përqëndrohej ekskluzivisht në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe BE-së. Përse atëhere Deklarata u referohet dy herë integrimit Euro-Atlantik të vendit, kur dihet se ky koncept nënkupton jo vetëm BE-në, por edhe NATO-n, pra, një subjekt tjetër të së drejtës ndërkombëtare? Të jetë kjo thjesht një gabim a lapsus i shkruesit të tekstit të Deklaratës apo një gafë diplomatike?

Përsëri për pakicat në BE dhe Shqipëri
Së dyti, një ndër pretendimet e Deklaratës, kundrejt Shqipërisë, përmenden “të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve”. Është e udhës të përsëritet, për të disatën herë, derisa të dëgjohet nga ana e burokratëve të Brukselit: Në Shqipëri nuk ka diskriminim mbi bazë race, etnije etj.; në Shqipëri nuk ka antisemitizëm e racizëm, sikurse ka me bollëk, për fat të keq, në vendet e BE-së; Shqipëria ka standarde për minoritetet, më të larta se vetë BE-ja, dhe vende anëtare të saj sikurse është Greqia, për shembull.

Përse atëherë, Presidenca hollandeze dhe burokratët e Brukselit ende i mëshojnë kësaj gozhde? Ku e kanë hallin ata? Përse manipulohen nga Greqia dhe nuk e lenë atë t’i ngrejë vetë pretendimet e saj të pavlera në rrafsh dypalësh, po të dëshirojë?

Po qe se Brukseli është me të vërtetë serioz për gjendjen e pakicave apo minoriteteve në BE, në Shqipëri dhe Evropën Juglindore, atëherë le të tregojë interesimin minimal për refugjatët e pakicës çame, që jetojnë përkohësisht në Shqipëri, si dhe për pakicën çame të besimit ortodoks, që jeton në Çamëri, Greqia Veriperëndimore. Deri kur Brukseli do të vazhdojë të manipulohet nga propaganda e Athinës dhe e qarqeve shoviniste greke, në qëndrimet e veta ndaj Shqipërisë, dhe të injorojë të drejtat e pakicës më të harruar në Evropë, asaj çame, pjesëtarët e së cilës, “de facto” janë qytetarë evropianë?

Dhe më tej. Përse Greqia dhe vetë BE-ja, ende refuzojnë të ratifikojnë Konventën-Kuadër të Këshillit të Evropës dhe, njëkohësisht, i bëjnë trysni Shqipërisë bazuar tek e njëjta Konventë? Nuk do të ishte e drejtë ta quanim këtë sjellje si hipokrizi apo zbatim standardesh të dyfishta në marrëdhëniet dhe të drejtën ndërkombëtare? Dhe së fundi. Përse Presidenca hollandeze dhe Brukseli lejojnë një vend anëtar të mbajë ende në legjislacionin e vet Ligjin për Gjendjen e Luftës me Shqipërinë, të vitit 1941, një fakt ky i pranuar, madje, edhe nga gazeta prestigjioze francez “Lë Mondë Diplomatikë”? [“Adriatiku, kufiri i shumë rreziqeve”, artikull i Zhan Arnold Derren, korrik 2004, fq. 10-11].

Jo korrupsionit dhe kriminalitetit “etnik”
Së treti, le të ndalemi pak te korrupsioni dhe krimi i organizuar. Nuk diskutohet që këto dy dukuri janë bërë të padurueshme për qytetarët shqiptarë, por që një krismë banale dhe, njëkohësisht, kriminale në një fshat të Gjirokastrës të dëgjohet deri në Bruksel, dhe të përdoret, mandej, si provë se Shqipëria dhe shqiptarët janë delja e zezë e Evropës; se Shqipëria është kthyer në një eksportuese të kriminalitetit në Evropë [“edhe vende të tjera i vuajnë rrjedhimet e këtij problemi të tmerrshëm,- thuhet diku në Deklaratë”]. Kjo është e papranueshme.

Kriminaliteti i sotëm nuk respekton kufijtë politikë të vendeve, madje, ka prirje për t’i anashkaluar ato. Njëkohësisht, korrupsioni dhe krimi i organizuar as nuk kanë pasur, as nuk kanë karakter etnik. Për këto arsye, lufta kundër këtyre dukurive kërkon angazhimin e plotë të të gjitha palëve. Sigurisht, që këto aksioma njihen mirë në Bruksel. Por ndofta, atyre u duhet kujtuar e perifrazuar thënia e famshme e Skënderbeut, e sjellë nga Fan S. Noli, se “korrupsionin dhe krimin e organizuar nuk ua sollëm ne, zotërinj të nderuar të burokracisë evropiane, porse, fatkeqësisht, ato i gjetëm midis jush!”.

Po qe se Brukseli do të ishte vërtet serioz në Deklaratën vet, atëherë le të ndërmarrë një nismë konkrete me autoritetet përkatëse shqiptare për gjurmimin, identifikimin në bankat evropiane dhe kthimin e të gjitha parave të vjedhura e të grabitura shqiptarëve, gjatë krizës së piramidave financiare të vitit 1997. Nuk përbën sekret fakti se këto para – gati një miliard dollarë - ndodhen sot e gjithë ditën në bankat e disa vendeve anëtare të BE-së. Kjo do të ishte një ndihmë konkrete e BE-së ndaj qytetarëve të Shqipërisë, si dhe në luftën kundër krimit financiar dhe të organizuar. Madje, mund të thuhet se një angazhim i tillë i Brukselit do të ishte guri i provës për sinqeritetin, dëshirën dhe vullnetin e mirë të BE-së ndaj shqiptarëve.

Më tej. Përse Brukseli, si dhe Haga, nuk bashkëpunon seriozisht dhe konkretisht me qeverinë shqiptare për të zbatuar programe reale në ndihmë të bujqërve shqiptarë, të cilët sot janë pa fjalë bujqërit më të braktisur, më të varfër dhe më të pafavorizuar në Evropë? Kurrsesi, një bujk shqiptar nuk do të nxitej të mbillte bimë të ndaluara, po qe se ai do të favorizohej dhe ndihmohej që të mbarështonte e kultivonte vreshtarinë, ullishtarinë, agrumet, pemëtarinë, duhanin etj., që rriten aq cilësisht në klimëm mesdhetare të vendit. Për këtë gjendje, përgjegjësia kryesore i bie qeverive të Tiranës, por do të ishte e padrejtë që të mos përmendej përgjegjësia e thellë e Brukselit. Janë pikërisht politikat, tejet favorizuese të BE-së ndaj bujqërve dhe eksporteve të tyre – të dënuara kohët e fundit edhe në rrafshin e Organizatës Botërore të Tregtisë - si dhe indiferentizmi i qeverive shqiptare, disa nga shkaqet që kanë sjellë edhe rrënimin e bujqësisë vendase, braktisjen masive të fshatit, mbipopullimin e qyteteve, emigracionin e paligjshëm e të tjera dukuri shqetësuese sociale.

Zgjedhjet dhe miti i listave të zgjedhësve
Së fundi. Le të analizojmë mesazhin e Deklaratës hollandeze për zgjedhjet. Këto dhjetë vjetët e fundit është folur shumë për reformën zgjedhore në Shqipëri; miliona para janë harxhuar, dhjetëra “ekspertë të huaj” janë angazhuar dhe, prapëseprapë, ende ndodhemi në pikën e nisjes. Vallë a mund të mohohet përgjegjësia e ODIHR-it dhe e OSBE-së në dështimin e reformës zgjedhore dhe Kodit Zgjedhor të hartuar kryesisht, në mos ekskluzivisht, nga ekspertët e tyre? A nuk janë pikërisht këta aktorë, autorët e atyre “rekomandimeve” që Deklarata mbështet pa kurrfarë rezerve?

Kush i garanton shqiptartët që, edhe “rekomandimet” e radhës nuk do të jenë sërish po aq të gabuara sa edhe ato të përparshmet? Përse, bie fjala, ende i mëshohet sistemit proporcional apo proporcional-rajonal në Shqipëri, kur tashmë është vërtetuar se ky sistem – ndryshe nga ai maxhoritar – u ka hapur mundësi përfaqësimi një numri politikanësh të pavotuar dhe jopërfaqësues në vend? A është demokratike që votat e shqiptarëve, qoftë për krahun e majtë apo të djathtë, të tëhollohen dhe, kësisoj, dy partitë kryesore ta ndajnë mandatin popullor dhe pushtetin me parti të tjera të pavotuara apo dypikëpesëpërqindëshe? Përse BE-ja ka mbyllur sytë, në mos ka shprehur miratimin e vet heshturazi, për një praktikë të tillë antidemokratike e antievropiane në Shqipëri?

Të kuptohemi, kurrkush nuk vë në dyshim të drejtën dhe angazhimin e partive të vogla, për të siguruar elektorat, sidomos te masa e gjerë e abstenueseve shqiptarë, por që këto parti të kthehen si bishti që u bë më i rëndë se sëpata, kjo nuk shkon.

Një tjetër refren i propagandës politike tiranase, por që për fat të keq gjeti jehonë edhe në Bruksel, është edhe pseudoproblemi i listave të zgjedhësve. Dihet se lista zgjedhore të përkryera nuk ka. Edhe në zgjedhjet e periudhës komuniste, të kohës së pasaportizimeve, kur abstenimi gati konsiderohej akt penal, dhe jo vetëm kundërshtim politik, nëpunësit e sektorëve të organizimit punonin deri të shtunave në mesnatë që të përditësonin listat për të dielën e zgjedhjeve. Kjo, sepse dikush edhe mund të ndërronte jetë, ndokush mbushte moshën, pikërisht atë ditë, ndokush shtrohej në spital, detyrohej të largohej përkohësisht nga vendbanimi për shkaqe të ndryshme familjare, shërbimi etj.

Po t’i shtojmë kësaj, rritjen natyrale të popullsisë në dhjetë vitet e fundit, por sidomos lëvizshmërinë e jashtëzakonshme të elektoratit shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, atëherë problemi koklavitet dhe ndërlikohet, thuajse pambarimisht.

Dy janë çështjet themelore të listave zgjedhore, në mënyrë që ato të sigurojnë zgjedhje të lira e të ndershme. Së pari: a ka prova të sakta manipulimesh apo gabimesh të kryera me keqbesim? Dhe, së dyti: nëse po - a kanë ndikuar këto manipulime në ndryshimin e rezultatit të zgjedhjeve? Po qe se përgjigjja e pyetjes së dytë është pozitive, atëherë problemi me listat është vërtet serioz dhe duhet zgjidhur sa më parë. Porse, po qe se defektet në listat janë thjesht objektive dhe, gjithsesi, nuk kanë apo nuk kanë pasur kurrfarë ndikimi në shprehjen e vullnetit popullor, pra, në rezultatin e zgjedhjeve, atëherë “shqetësimi i madh” i Presidencës hollandeze dhe i BE-së është i adresuar gabim.

Në këtë pikë, ndofta ka ardhur koha që të kalohet në sistemin me regjistrim individual zgjedhësish, ku barra e regjistrimit t’i kalojë secilit zgjedhës dhe listat të mos hartohen automatikisht nga organet vendore. Kalimi nga sistemi i listave me regjistrim automatik universal – sikurse përdoret sot – në sistem të listave me regjistrim vullnetar individual, ndofta do t’i jepte fund, njëherë e mirë mitit të listave zgjedhore.

Mësimet e Deklaratës dhe përgjigjja alla Erdogan
Mësimi më i mirë i nxjerrë nga Deklarata është se sherret pa bukë, ndër politikanët shqiptarë, vetëm se e vonojnë popullin dhe vendin në rrugën drejt integrimit dinjitoz, dhe si të barabartë në BE. Është tashmë e domosdoshme që politikanët shqiptarë, më së fundi, të respektojnë normat dhe rregullat e lojës demokratike, të ndihmojnë në kryerjen e zgjedhjeve të lira, të ndershme, të qeta dhe të pakontestueshme, të respektojnë vullnetin e popullit dhe të tërheqin vazhdimisht mendimin e tij, dhe jo vetëm një herë në katër vjet etj. Mësimi tjetër është se rryma kundërintegruese është shumë e fuqishme në Bruksel. Përfaqësuesit e saj janë të gatshëm ta shfrytëzojnë edhe sinjalin më të vogël negativ, për të vonuar procesin integrues të Shqipërisë. Këtu duhet theksuar edhe roli i Misionit Vëzhgues të BE-së, i cili u pranua në vend, fillimisht për të vëzhguar gjendjen në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1990, porse qysh nga viti 2000 vëzhgon Shqipërinë!? Për të justifikuar misionin, punën dhe rrogat e tyre – krejtësisht dubluese me ato të delegazionit të BE-së – këta “vëzhgues” janë të parët që lexojnë gazetat e mëngjesit, me lajmet më të fundit negative nga Shqipëria, apo që “hynë” në Lazarat, për t’i dhënë raportet e tyre, po aq negative, drejt Brukselit, duke garantuar kështu zgjatjen e afatit të qëndrimit të tyre në klimën mesdhetare shqiptare dhe vonimin e procesit integrues të vendit.

Po qe se vëzhguesit evropianë janë të interesuar të shikojnë shfaqje që vërtet shkojnë ndesh me frymën evropiane, dhe me detyrimet e një vendi anëtar si p.sh. racizëm, antisemitizëm etj., atëherë ata mund të shkojnë disa kilometra më në jug, në Greqi, ku vetëm disa ditë më përpara u kryen akte të hapta “fashiste”, sipas shtypit të Athinës. Duke pasur parasysh qëllimin subjektiv të zgjatjes së mandatit të tyre, që përplaset me detyrimin dhe nevojën për një vëzhgim objektiv, të paanshëm dhe të saktë, ndofta qeveria shqiptare duhet ta rishikojë statusin e Misionit të Vëzhguesve Evropianë në Shqipëri, me synim mospërtëritjen e afatit të tij.

Deklarata e Presidencës hollandeze rrekte të ngrejë probleme të shumta e të rëndësishme, porse, fatkeqësisht, ajo përmban në vetvete mjaft probleme që venë në pikëpyetje sinqeritetin dhe frymën e vullnetit të mirë të saj. Përveç sa më lart, një tjetër shqetësim përbën edhe toni negativ e arrogant, thuajse pa precedentë, në marrëdhëniet ndërkombëtare midis subjekteve sovrane. Miku dhe partneri i ndershëm dhe i barabartë e gjen mënyrën, po të dojë, që ta përcjellë kumtin me dinjitet dhe korrektesë, edhe kur ky është tejet kritik. Diplomacia e sprovuar hollandeze i kishte të gjitha mundësitë dhe aftësitë që ta bënte këtë. Nuk e bëri, duke vendosur kështu një precedent aspak të dëshirueshëm në raport me një popull si shqiptarët, vlerat e mirëfillta humaniste dhe evropiane të të cilit janë demonstruar prej kohësh. Le të përmendim, sidomos, tolerancën dhe harmoninë ndërfetare, standardet e larta në mbrojtjen e pakicave, shpëtimin e gjithë hebrenjve gjatë holokaustit, ndihmën ndaj refugjatëve grekë dhe ushtarakëve italianë gjatë Luftës II Botërore, shpëtimin e refugjatëve çamë më 1944-‘45 dhe kosovarë më 1999 etj. Do të mjaftonin këto vlera – tashmë të harruara nga Brukseli – për të përmirësuar shanset integruese të Shqipërisë. Por rrymat e fuqishme kundërintegruese në BE e dinë mirë, madje me cinizëm, se një vend i vogël si Shqipëria, ndryshe nga Turqia, nuk i përgjigjet dot Brukselit me gjuhën e kryeministri Erdogan, sikurse ndodhi para disa ditësh në Ankara.

panorama






View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0670900 sekonda, 25 pyetje