Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Ministrat e Nanos,vrases te artit
Valter bejkova

Postuar mė 30-9-2004 nė 16:53 Edit Post Reply With Quote
Ministrat e Nanos,vrases te artit

Ciko: E fal ministrin që më rrezikoi jetën



Gazeta “Ballkan” publikoi të martën skandalin e ditës së diel, kur bodigardët e një zyrtari ndaluan dhunshëm, tek dera e “Tajvanit” ekipin e mjekëve të Urgjencës që kishte ardhur t’i jepte ndihmën e parë muzikantit të njohur Zhani Ciko, i cili kishte humbur ndjenjat, pas një intoksikacioni akut. Ishte pikërisht mjeku i rojes së Spitalit të Urgjencës, Besnik Lamçe dhe ndihmësmjeku i turnit Frrok Bardhi, që kanë nxituar urgjentisht në vendin e ngjarjes, pas telefonatës së orës 19.30, e cila kërkonte ndihmë mjekësore për Zhani Cikon. Mirëpo, vrapi i bluzave të bardha është penguar tek dera e lokalit, ku bodigardët e një zyrtari të qeverisë shqiptare, kanë ndaluar dhunshëm hyrjen e ekipit mjekësor, me pretekstin se mund të shqetësohej “shefi”, dhe se mund të prishej darka e tij. Për këtë arsye, mjeku Besnik Lamçe dhe ndihmësmjeku Frrok Bardhi kanë pritur me shqetësim për minuta të tëra tek dera kryesore e lokalit, derisa disa njerëz të nxirrnin trupin pa ndjenja të muzikantit të madh, për t’i dhënë pastaj ndihmën e parë. E gjithë kjo ngjarje e pasqyruar realisht në gazetën “Ballkan”, ka ngjallur shqetësimin e mbarë opinionit publik shqiptar, të cilët i janë adresuar redaksisë së gazetës për të çuar në gjyq shkaktarët e kësaj ngjarjeje, ose për të zbardhur deri në fund të vërtetën e mbrëmjes së 26 shtatorit. Përveç kësaj, personeli mjekësor i spitalit të Urgjencës ka protestuar ashpër kundër kësaj mënxyre, duke përmendur këtu se normat ndërkombëtare në të gjithë botën, ligjërojnë lëvizjen absolute dhe të pakufizuar të mjekëve të Urgjencës, ku autoambulancat mund të qarkullojnë edhe kundër tabelave. Sidoqoftë, ajo që ndodhi të dielën në mbrëmje u konstatua nga shumë qytetarë dhe njerëz të rastësishëm, të cilëve u erdhi keq për trajtimin që i bënë bodigardët mjekëve të Urgjencës. Nga ana e tyre, personeli mjekësor mbajti një qëndrim korrekt, duke paralajmëruar penguesit, se sjellja e tyre ishte e pafalshme. Ndërsa, njeriu që priste ndihmën e parë mjekësore brenda mureve të lokalit ishte Zhani Ciko. Në ato çaste ai vetë nuk e dinte se ç’po ndodhte tek dera kryesore. Madje, edhe të nesërmen, kur gjendja e tij u përmirësua në spital, përsëri Ciko nuk e mësoi dot arsyen e vonesës së mjekëve të Urgjencës. Ai vetë, e mori vesh këtë pas publikimit në gazetën “Ballkan”, të intervistës së ndihmësmjekut Frrok Bardhi, i cili ishte njëri, nga dy përfaqësuesit e bluzave të bardha. Mirëpo, publikimi i këtij fakti që ngriti në këmbë qindra njerëz e bëri Cikon të rikujtonte ngjarjen dhe të shprehej i dëshpëruar për pengesën që kishte ndodhur të dielën ndaj ekipit të ndihmës mjekësore. “Unë dhe njerëzit e tjerë rreth meje u çuditëm për vonesën e mjekëve të Urgjencës dhe nuk e dinim se ata po pengoheshin tek dera”, u shpreh ai gjatë ditës së djeshme. Për këtë arsye, Ciko dënoi rëndë sjelljen e palejueshme ndaj ekipit mjekësor dhe tha se “ky fenomen, moralisht nuk mund t’i falet asnjë zyrtari të lartë”. Por, nga ana tjetër, duke folur për vijimësinë e hetimeve, Ciko u shpreh se nuk ka dëshirë të çojë në gjyq zyrtarin, i cili po darkonte atë mbrëmje në lokal. “Unë do ta fal atë njeri, në mënyrë që ta vrasë ndërgjegja e tij”, u shpreh Ciko. Në këtë mënyrë, muzikanti i madh tregoi edhe një herë urtësinë e tij, duke vërtetuar se “mençuria qëndron në thjeshtësinë, ashtu si trimëria në urtësinë”. “Unë nuk dua të bëj asnjë përplasje me zyrtarin, por dua të dënoj fenomenin e indiferencës së tij, duke ju siguruar se këtë do ta bëja, për çdo njeri tjetër që mund të ishte në vendin tim”, vuri në dukje ai. Ndërsa, emri i ministrit, për arsye etike, për Cikon nuk duhet të bëhet publik. Mirëpo, nëse Ciko është gati ta falë zyrtarin që mund të bëhej shkaktar për vdekjen e tij, përkundrazi, kolegët e tjerë artistë kanë bërë të kundërtën. Ata e kanë ndëshkuar rëndë veprimin e bodigardëve ndaj ekipit mjekësor, duke e cilësuar atë si një “krim”. Dhe numri i atyre artistëve me të cilët komunikuam gjatë ditës së djeshme, ka qenë shumë i madh. Për këtë arsye, ne vendosëm të publikojmë sot vetëm disa prej intervistave që zhvilluam me përfaqësuesit më të njohur të tyre.
Urgjenca
Ishte pikërisht shefi i Klinikës së Urgjencës, Emanuel Dungu, i cili nuk pranoi asnjë kompromis me shkaktarët që pengojnë punën e personelit mjekësor të këtij institucioni. “Çdo njeri, kudo në botë e di fare mirë se sistemet e Urgjencës nuk ndalohen kurrë, nga askush”, u shpreh ai i shqetësuar. Në këtë kontekst, Dungu vuri në dukje se pengesa të tilla kanë dalë edhe herë të tjera nga pronarë lokalesh, por asnjëherë nga bodigardë ministrash. Ai vetë, duke ndëshkuar aktin e ndalimit të mjekëve nga bodigardët, u shpreh se ndofta vetë ministri nuk ka dijeni për ngjarjen dhe se, mund të mos ketë qenë ai që ka urdhëruar bodigardët. Sepse, sipas tij, vetë ministri apo zyrtari i lartë, nuk do ta toleronte këtë sjellje. “Do të verifikojmë ngjarjen, dhe, nëse ndalimi i mjekëve është bërë me urdhër të zyrtarit, atëherë zgjidhjen e çështjes do ta kërkojmë në instancat më të larta”, nënvizoi ai. Për këtë arsye, Dungu përmendi edhe njëherë vështirësitë e shumta me të cilët ndeshen çdo ditë bluzat e bardha të Urgjencës, duke filluar që nga trafiku i rënduar i rrugëve e deri tek vështirësitë teknike të mjeteve. Mirëpo, sipas tij, pavarësisht nga këto vështirësi, punonjësit e klinikës së Urgjencës janë në çdo minutë në krye të detyrës. “Kjo është një shkelje flagrante që i bëhet ligjeve të shtetit shqiptar, sepse detyra jonë është që t’i shërbejmë çdo njeriu në nevojë, pavarësisht nga gradat dhe meritat që ka”, tha ai. Dhe, sipas tij, në rast se ngjarja në fjalë do të përfundonte me vdekje për shkak të vonesës, atëherë përgjegjësia e shkaktarëve do të ishte e pafalshme. Mirëpo, falë Zotit, Zhani Ciko është ende gjallë dhe darka ministrore apo indiferenca e tyre, nuk e dëmtoi dot muzikantin e madh, deri në atë masë saqë kjo darkë zyrtarësh të kthehej më tej në një mallkim popullor për të gjithë ministrat dhe politikanët e Shqipërisë.
Emri
Emri i zyrtarit të lartë të shtetit shqiptar nuk është identifikuar ende. As Zhani Ciko dhe as përfaqësuesit e ekipit mjekësor nuk e përmendin emrin e tij, qoftë edhe për arsye etike. Mirëpo, ajo që ka ndodhur të dielën në mbrëmje, ka shënuar më në fund tagenten fatale të moralitetit shoqëror, ku jeta e një njeriu sakrifikohet për hir të darkës së një zyrtari. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk mund të ndodhte as në vargëzimet e Iliadës, kur Perënditë mblidheshin në Olimp dhe as në rrëfimet tragjike të Hygoit, kur lypësve i binte të fikët nëpër gjirizet e Parisit. Por, kjo ka ndodhur dhe mund të ndodhë përsëri në Tiranë, ku ministrat tranzitë, shteti i ka marrë me qera dhe i ka zgjedhur jo nga aftësia, por nga shpirtligësia. Këtu zyrtarët e lartë të pushteteve, duke u marrë më shumë me pronat e tyre private, se sa me hallet e njerëzve, mendojnë se e kanë të privatizuar edhe rrugën ku ecin dhe madje edhe kariget ku ulen për të pirë një kafe. Mirëpo, mbase ka ardhur koha që kjo racë zyrtarësh të identifikohet me krijesat primitive, të cilëve u ka ikur koha. Jo më kot, kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi ka reaguar me ashpërsi duke thënë se: “Edhe Presidenti i SHBA-së, po të ishte prezent në atë kohë, ai do ta kishte ndihmuar vetë çdo njeri në nevojë, sepse kjo është ABC-ja e etikës dhe humanizmit”. Sidoqoftë, tanimë, gjithçka ka ndodhur dhe ka përfunduar. Zhani Cikon nesër ose pasnesër e pret një orkestër muzikantësh në Austri, në mënyrë që ai ta drejtojë atë me gjenialitetin e vet. Ndërsa, ministrat e çdo kohe që kishin një rast për të treguar se kush janë, i pret rruga, ku ata janë nisur me kohë. “E keqja do të keqësohet edhe më, ndërsa e mira do të kërkojë identitetin”, thotë ndihmësmjeku i turnit, Frrok Bardhi. Dhe Zhani Ciko, pas intoksikacionit akut që pësoi të dielën, tani po përgatit kalendarin dimëror të Teatrit të Operas dhe Baletit, për të emocionuar publikun me kryeveprat e mjeshtrave të mëdhenj. Ai do të duartrokitet gjatë dhe do të jetë gjithmonë midis njerëzve, ndërkohë që zyrtarët shpirtvegjël do të mbeten vetëm.

BALLKAN

View User's Profile View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0743239 sekonda, 24 pyetje