Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: GRAMATIKA E KRAHASUAR E GJUHES SHQIPE E NDRE MJEDES (VITI 1900)
Mentor QUKU

Postuar mė 3-12-2004 nė 20:33 Edit Post Reply With Quote
GRAMATIKA E KRAHASUAR E GJUHES SHQIPE E NDRE MJEDES (VITI 1900)

Mentor QUKU
Telefon ++ 355 22 420-49
E-maili mentorquku@yahoo.com


GRAMATIKA E KRAHASUAR E GJUHES SHQIPE E NDRE MJEDES (VITI 1900)


Na kena namin me kenë të parët,
ndër popuj të Ballkanit, qi kena
nji gramatikë në gjuhë të tanë
ç prej vjetës 1716. (Ndre Mjeda)

Të dhënat kryesore lidhur me faktin tronditës se Ndre Mjeda paska hartuar një “Gramatikë krahasuese të gjuhës shqipe” në shkurt të vitit 1900 e mësojmë nga një relacion i albanologut të shquar Teodor Ippen, në atë kohë konsull i përgjithshëm i Austro-Hungarisë në Shkodër,ku mes të tjerave shkruan: “Një autor i klerit të këtushëm, famullitar, don Ndre Mjeda, mirret me hartimin e një gramatike krahasuese të gjuhës shqipe” .
Ippeni thekson rëndësinë e hartimit të një vepre të tillë, duke rekomanduar mbështetjen e nevojshmë që duhet t’i jepet autorit: “Kjo gramatikë krahasuese e gjuhës shqipe është aq më tepër e rëndësishme, sepse, me anën e saj zhduken disa luhatje në disa tinguj e forma gramatikore të pasurisë leksikore të gjuhës shqipe e don që të vendosë një uniformitet mbi baza shkencore” . Më poshtë mësojmë se në punën e tij, Ndre Mjeda kërkon të mbështetet në librin e Brugmanit “Gramatikë e krahasuar e gjuhëve indogjermane” , botuar në Strasburg në vitin 1897: Sipas Ippenit, Mjeda ka nevojë për studimet e tij, për pjesën e dytë të librit të Brugmanit, Grundriss der vergleichenden Grammatik der indogermanischen Sprachen. Po japim pjesë nga korrespondenca që gjëndet në arkivin e Vjenës lidhur me këtë problem:
“Ai ka nevojë për studimet e tij, një libër ndihmës, blerjen e të cilit, nuk ia lejojnë kushtet e tij. Është fjala për Brugman, Grundris der vergleichenden Grammatik der indogermanischen Sprachen II, Band (Volumin e parë e ka blerë nga një shitës librash të vjetra).” Konsulli Ippen- ministrit të Jashtëm Golluhovskit, me 1 shkurt 1900.
“Në zbatim të urdhërit të lartë të 16 shkurtit të këtij viti nr. 56, sipas porosisë kam nderin t’ju njoftoj se lutja që ka bërë dom Ndre Mjeda i referohet: Profesor Brugmann:Grundris der vergleichenden Grammatik der indogermanischen Sprache.” Konsulli Ippen- ministrit të Jashtëm Golluhovskit, me 8 mars 1900.
Me 31 mars 1900, biblioteka e Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë mbasi ka blerë tek libraria Stefanplatz, nr.8 e Vjenës librin e dytë të Brugmannit, e nis në konsullatën e Shkodrës, për t’ia dorëzuar Ndre Mjedës. “Duke iu refruar relacionit të 8 marsit të këtij viti, nr. 90/2 ju dërgoj bashkëngjitur vëllimin e dytë të Brugmann “Grundriss der vergleichenden Grammatik der indogermanischen Sprachen, me qëllim që t’ia dorëzoni don Ndre Mjedës”
Përfundimisht Ippeni njofton se, me 3 maj 1900, libri ka ardhë në Shkodër dhe i është dorëzuar don Ndre Mjedës: “Në referim të urdhnit të lartë të 31 marsit 1900, nr. 92 kam nderin të paraqes vërtetimin e marrjes në dorëzim të don Ndre Mjedës të volumit të dytë të Brugmann “Skicë e Gramatikës së krahasuar të gjuhëve indogjermane”
Informacioni që marrim është shumë intrigues për studimet albanologjike, sepse ndriçohet nga një lartësi e re, personaliteti shkencor i dom Ndre Mjedës. Bëhet fjalë për portretin prej shkencëtari të ri shqiptar. Kemi të bëjmë me nje neglizhim të pafalshëm të arritjeve të niveleve evropiane të kultures sonë. Në këtë drejtim ndofta nuk është edhe “pa faj” vetë Mjeda, i cili me famën e popullaritetin që kishte fituar që në të ri si poet, sikur i kishte eklipsuar, arritjet dhe portretin e tij prej gjuhëtari modern.
Cilat ishin interesat dhe formimi gjuhësor i Mjedës ? Në të gjitha studimet e tij gjuhësore, bie në sy prirja e Mjedës për të përdorë metoda krahasimtare.
Mjeda e kishte formimin shkencor, që të bënte të mundur hartimin e një gramatike të hapur të shqipes. Për këtë marrim sigurime nga albanologu i njohur T. Ippen, i cili në relacionin e lartpërmendur thotë: “Ky prift ka qenë shumë vjet anëtar i urdhnit të jezuitëve dhe doli prej tij mbasi aspiratat e tij kombëtare, ndeshën në qëndrimin tradicional të shoqërisë. Anëtarësisë së tij si jezuit i detyrohet ai edukim shkencor që e bën atë të aftë plotësisht për punimet e tij (nënvizimi im, M.Q.)” .
Një sprovë serioze ishte bërë, vite më parë, në këtë fushë: Arbëreshi Dhimtër Kamarda, kishte botuar në Livorno, në vitin 1864 librin e tij “Sprovë e gramatologjisë krahasuese mbi gjuhën shqipe” . Kjo përbënte të parën vepër që e trajtonte gjuhën shqipe në planin historik krahasues.
Interesat shkencore të xhakonit të ri Ndre Mjeda qenë të mëdha, të shumëllojshme e të thella. Jo pa sakrifica, ky student skrupuloz, punëtor e i zellshëm kishte arritur të fuste në dorë dhe kishte studiuar të gjitha gramatikat e shqipes, duke filluar nga ajo e Da Lecces (1716) , për të cilën ai i shkruan: “Na kena namin me kenë të parët, nder popuj të Ballkanit, qi kena nji gramatikë në giuhë tanë ç prej vjetës 1716” . Në moshën 26 vjeçare atij i mungonin vetëm dy gramatika, ajo e De Radës dhe ajo e Leake-ut. Në momentin kur ai po hartonte Gramatikën e krahasuar të gjuhës shqipe ai zotëronte shumë mirë italishten, latinishten, greqishten, frëngjishten, spanjishten, portugalishten, polonishten, serbokroatishten dhe gjermanishten. Gjithashtu zotëronte shumicën e të folmeve të kryedialektit gegë, ndërkohë që ishte i vetmi ndër shkrimtarët gegë që zotëronte toskërishten. Ai ishte njohës i mirë i autorëve tonë të letërsisë së vjetër (Buzuku,Budi, Bogdani, Matranga), gjuha e të cilëve, sipas Mjedës, mund të shërbente për një afrim të mundshëm mes dy kryedialekteve të shqipes, qoftë edhe për pasurimin e gjuhës së kohës. Ai kishte lidhje dhe bashkëpunonte me albanologët më të shquar të kohës si Gustavo Meyer, Brugman, Pedersen, Tagliavin, Jokl, Nachtigall.
Të gjithë këto faktorë duhet ta kenë ndihmuar Ndre Mjedën në formimin shkencor linguistik të tij, duke e pajisur ate me konceptet më moderne, për ta bërë të aftë për hartimin e një gramatike të hapur mbi gjuhën shqipe. Pothuaj në tërë letrat që i ka dërguar Gustavo Meyer-it në vitet 1892-93, Ndre Mjeda, i është lutur me zjarr atij që të gjejë kohën për të hartuar një gramatikë shkencore krahasuese të gjuhës shqipe. Është e vërtetë se Meyeri kishte botuar në Studimet e tij Shqiptare, punime për kategori të veçanta gramatikore të shqipes. Ndërsa Mjeda i lutet të botojë një gramatikë të plotë të krahasuar të shqipes. Për këtë ai është gati të vërë në dispozicion shumë studime nga mundi e djersa e tij.
Metoda krahasimtare u bë mishërim i punës kërkimore të Mjedës në fushë të gjuhësisë. Ai çdo fenomen gjuhësor e shihte apo e kërkonte historikisht dhe gjeografikisht. Mjeda përpiqej të studionte pasurinë leksikore, fenomenet dialektologjike, morfologjike, fonetike si kanë ndryshuar në kohë dhe në krahina të ndryshme. Ai e studionte fenomenin në historinë e gjuhës si dhe në gjeografinë e saj. Ai kishte një vizion të gjërë në fenomenet gjuhësore, të cilat i shihte në tërësinë e tyre hapsinore e kohore, në evolucionin dhe në shumëllojshmërinë e tyre. Ai mbështetej në problemet fonetike, por edhe në ato etimologjike të fenomeneve gjuhësore duke treguar se zotëronte konceptet më moderne për studime e hapura historike e të krahasuara të tyre. Kështu vepron që në veprën e parë gjuhësore të tij, kur harton në vitin 1888 një vepër krahasimtare mbi alfabetet ekzistuese të shqipes . Kështu do veprojë kur referon në Hamburg, punimin e tij mbi ndryshimin e dialekteve të shqipes në shqiptimin e paletaleve, kur boton veprën e tij “Parashtrim i alfabetit adoptue në konferencën e ipeshkvijve” . Më vonë kështu vepron edhe në hartimin e “Promemorjes së gjuhës shqipe’, hartuar nga Ndre Mjeda në bashkëpunim me albanologun Rajko Nachtigall, në vitin 1917, që përbën kartën drejtshkrimore deri në vitet ‘50 . Vepra e tij madhore “Vrejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe “ është ndërtuar e tëra me metodën krahasimtare. Kjo vepër e rendit Mjedën në të parët studiues shqiptarë, mbas Gjergj Pekmezit, që e ka trajtuar problemin e ndërlikuar të origjinës së peremnave pronorë në gramatikën historike . Kontribute të Mjedës në fushë të gramatikës së krahasuar të gjuhës shqipe, duhen kërkuar tek libreci “Lingua Albanase” e botuar nga Kordinjano në vitin 1931 në Milano , ku një e treta e veprës, pjesa e gramatikës është vepër ose sugjerim i Ndre Mjedës.
Në përpjekje për të zbuluar gramatikën e plotë të krahasuar të shqipes të Mjedës, në vitet ‘80 kam njohur në Arkivin e Komitetit Ekzekutiv të KP Rrethit Shkodër, një gramatikë shqipe në italisht gjetur mes librave të Justin Rrotës, nominuar me emrin e Ndre Mjedës . Sot ky fond e për pasojë edhe vepra e nominuar e Mjedës duhet të ketë kaluar në AQSH, prandaj edhe duhet kërkuar atje. Mendojmë të jetë një variant, apo një pjesë e gramatikës së krahasuar të Mjedës. Për t’u ardhur në ndihmë studimeve në këtë fushë, po jap një përshkrim fizik të veprës, në mënyrën si e kam njohur unë: Vepra është e daktilogrfauar në 34 gjysmë faqesh format letre të hollë. Mbi faqen e parë është shkruar nga një dorë me laps kopjativ “D.Ndre Miedia”. E njëjta dorë ka bërë shenimet në faqet 8, 12, 19, 23. Në faqen 11 ka një shenim që paraqet interes: “ D. Andrea thotë se e ka ndigjue në ndonji vend…” Kjo vepër duhet të jetë varianti italisht i një gramatike shqipe të hartuar nga Ndre Mjeda, por që, tani për tani, as nuk e njohim dhe as dimë lidhjet që kishte me Gramatikën e krahasuar historike të Mjedës të vitit 1900. Jemi të mendimit se ky përbënte tekstin e gramatikës shqipe që Mjeda përdorte, kur jepte mësim në seminarin e Shkodrës, në vitet 1929-1937.
Mjeda ishte i shkollës moderne gjuhësore, e cila e shihte metodën krahasimtare si rrugën më të saktë të studimeve gjuhësore. Po të vërehen gjithë botimet gjuhësore të Mjedës, duke përfunduar me broshurën “Vrejtje për artikuj e premna pronës të giuhës shqipe”, bie në sy metoda krahasimtare e përdorur prej tij. Këtë metodë përdori Mjeda edhe kur jeptë mësimen e gjuhës shqipe në seminarin e Shkodrës, gjatë viteve ’30. Po japim fragmente nga intervistat e marra nga disa ish nxënës të Mjedës :
Ernest Bushati, kimist, (1912), Tiranë: “Kam qenë nxanës i Mjedës në vitet 1931,32,33, në Shkodër. Na jepte gjuhën dhe letërsinë shqipe. Na ka dhënë edhe histori. Në gjuhë ishte jashtëzakonisht i thellë dhe gjuhën shqipe e konsideronte ndër më të vjetrat që jetojnë, në botë. Kjo, thoshte, shihet sepse ka shumë fjalë njirrokëshe.”
Rozar Dodmasej, agronom,(1912), Shkodër: “Më ka mësue shqip dhe histori në klasë të dytë dhe të tretë të liceut në Shkodër. Shqipen e zhvillonte në rang universiteti. Për mjaft çështje thoshte se për këtë kam bisedue me Joklin, ose mendimi i Meyerit asht ky. Mandej jepte mendimin e vet. Mezi çprisnim me ardha ora e tij. Na lente me gojë hapët. E përcillte leksionin me shembuj interesantë. Jepte etimologjinë e fjalës. Jepte edhe lidhjen në plan krahasues me gjuhët e tjera. Mbi historinë ka qenë shkencëtar i madh.”
Pjerin Koliqi, jurist, (1913), Shkodër: “Mjeda u prezantue tek ne klasë për herë të parë me këto fjalë: “Ju ka ardhë nji mësues plak, por idhnak!” Nuk na doli ashtu. Kur na bani hartimin e parë, kishim shumë frikë, sepse ishte autoritet në letrërsinë e gjuhësinë shqipe. Nxanësit e kanë dashtë jashtëzakonisht. Mësimin e shqipes e zhvillonte me pasion. Kur shkova njiherë në dhomën e tij, pashë nji skedar të nji fjalori shqip. Ishte hera e parë që shihja nji skedar, prandaj i çuditun e pyeta. Më tha se punonte për nji fjalor shqip. Atë ditë po punonte tek shkronja “L”. Mjeda na thoshte se në Dukagjin kishte mbledhë nga nji malcor rreth 1200 fjalë të rralla shqipe. Ngriti njiherë në mësim nji shok tonin për të recitue “Lissus-in” dhe ai e recitoi keq. Mjeda e qortoi tue qeshë: “Ta kisha dijtë se ke me e recitue kështu, nuk do e kisha shkrue. Profesorët italianë e pyesnin jo vetëm për çështje të shqipes, por edhe për letërsinë e gjuhën italiane, për Karduçin. Kur ishte diçka e diskutueshme, ata na thonin se e kanë pyetë don Andrean, i cili ka këtë mendim! Mjeda e ka njoftë shumë mirë historinë. Na pat ba përshtypje se na e njifshim vetëm për letrat.”
Në këtë kontekst citoj studiuesin Begzad Baliu, i cili duke folur për kontributin e Mjedës në fushën e Albanologjisë shkruan: “Ai e njeh mirë fonetikën dhe morfologjinë historike, prandaj objektet e tij shkencore i përvijon sipas ligjësive të tyre, njeh mirë metodën historike-krahasimtare prandaj sjell dëshmi të mjaftueshme historike të dokumenteve të kohës dhe shembujt e marrë në shqyrtim i bënë objekt krahasimi mbrenda zhvillimeve të brendshme gjuhësore të shqipes dhe në krahasim me gjuhët fqinje të kohës: kryesisht sllavishtes, latinishtes dhe greqishtes. Ai njeh mirë kërkesat e gjeografisë gjuhësore prandaj është shumë i kujdesshëm që të regjistrojë për aq sa është e mundur përmasën e paraqitjes së objektit të tij gjuhësor në të gjithë arealin krahinor dhe historik brendashqiptar dhe jashtë tij.”
Si lindi interesimi i Mjedës për një Gramatikë të hapur të Shqipes? Cilat ishin lidhjet mes Gramatikes së Mjedës e sëmundjes së Meye-rit në vitet 1897-1900.
Ne mendojmë ze Mjeda nuk i kishte mbledhë për hobi, apo për koleksion gjithë gramatikat e shqipes. Përkundrazi, ai bëri një punë titanike për një student të kolegjeve jezuite, me qëllim që të hartojë një gramatikë të krahasuar të shqipes. Në një moment, G. Meye-rit iu mbush mendja nën ndikimin e Mjedës sonë, që të sakrifikonte planet e tij, për të bërë një vepër të tillë shumë të rëndësishme për gjuhën shqipe. Ishte edhe një orientim i studimeve gjermane drejt balkonologjisë
Mjeda që në vitin 1892 filloi të thurë plane për hartimin e një vepre gramatikore krahasuese të shqipes, sepse kjo lidhej me planet e tij, për t’u kthyer në atdhe e për të ndërtuar nëj shkollë shqipe të mesme mbi baza shkencore. Atje libri i gramatikës së krahasuar të shqipes do ishte tekst bazë për të mësuar shqipen mbi baza të përsosura..
Po japim pjesë nga kërkesat e zjarrta që Mjeda i bën G. Meyer-it, gjatë periudhës 1892-1896, për të hartuar ai vetë një gramatikë të krahasuar të gjuhës shqipe :
“Shpresoj, se me kohë do të shtyheni me e zbukurue me një stoli edhe më të bukur gjuhën tonë, tue hartue një gramatikë ma të hapët, sipas parimeve të shkencës moderne”(Krakov, 2 maj 1892)
“Më ka gëzue, mandej, ku s’shkon ma, shpresa se ju keni për të përpilue një gramatikë ma të hapët, sambas parimeve të gjuhësisë krahasimtare, e cila do të jetë hijeshia ma e lartë ndaj atdheut tim”(Krakov, 22 maj 1892)
“Nëqoftëse zotënia e juej në gramatikën e re krahasimtare të gjuhës shqipe (të cilën dëshiroj ta shoh sa ma shpejt) do të merrte për nënshtresë gegënishten, tue vu, gjithashtu, edhe trajtat e dialekteve të tjerë, do t’u bante- besoj unë- themeluesi i letërsisë shqipe. Për arsye se, në Shkodër, kemi nën drejtimin tonë shkolla, për vendin, siç asht tashti, mjaft të ngrituna. Aty mësohet edhe gjuha shqipe, por asht nji gja e pavlefshme. Nga këto shkolla dalin të rij që tash janë mësues ndër disa qytete të Shqipnisë. Unë besoj, se prej këtu, mbrenda tri o katër vjetësh, do të dërgohem atje; dhe dëshiri im do të sihte me themelue atje, me pëlqimin e eprorëvet, nji shkollë të përsosun në gjuhën shqipe; punimi juej, i përkthyem në italisht dhe në shqip, do të ishte teksti ku s’shkon ma i përkryem”(Krakov, 2 korrik 1892)
“Pres me padurim gramatikën tuej të ardhshme; nëqoftëse ju mund të më thoni, pak a shumë, se kur mund ta shohim, do të më jepni një kënaqësi të madhe; për arsye se, siç ju a kam thanë edhe herë të tjera, unë kam një besim të pakufishëm ndër shkrimet e jueja”(Krakov, 5 nandor 1892)
Mirëpo vjen një moment, që me sa duket Mjeda ka mësuar nga letrat e Majerit, se ai tani për tani është i angazhuar me plane të tjera dhe kështu nuk mund të plotësojë dëshirat e Mjedës. Pas kësaj Mjeda kupton se duhet të presë edhe disa kohë që mjeshtri i tij, albanologu G.Majer, të shkruaj gramatikën krahasimtare të shqipes:
“Nëqoftëse dëshirat e mia rreth gramatikës shqipe nuk do të kënaqen kaq shpejt, për shkak se jeni i randuem me punime të tjera, gjithnjë më mban shpresa, se do të shoh së shpejti fashikujt e ri mbi përemnin e foljen”(Krakov, 6 dhjetor 1892)
“Shpesh herë më ka ardhë në mend me u ankue për punët e jueja, që ju pengojnë të merreni me shqipen: por jo, nuk due me qenë egoist, dhe me e ngushtue lavdinë tuej vetëm në një landë të vetme”(Krakov, 16 mars 1893)
Ndërkohë kanë ndodhur shumë gjëra që kanë ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve. Për dy vite shkollore me radhë Mjeda i humbi lidhjet me Meyer-in Me përfundimin e studimeve, në vitin 1895, Ndre Mjeda nuk dërgohet në Shkodër, ku ai kishte shpresë, por emërohet profesor i filozofisë në seminarin e Kraljevicës (Portore, Kroaci). Megjithate Mjeda edhe mbas dy vite shkëputjeje, nuk e harron problemin e hartimit të një gramatike të krahasuar të shqipes. Po japim pasazhe nga letrat që Mjeda i dërgon në këtë periudhë të dytë, profesorit të shquar, Meyer-it. Nga Portore-ja, ai i lutet deri në përgjërim, që të punojë për një gramatikë të plotë, të krahasuar, të gjuhës shqipe :
“Nuk do të pushoj për t’iu nxitur deri sa të mos keni bërë një gramatikë të plotë të krahasuar shqipe”( Portore, me 31 dhjetor 1895)
“Po kthehem përsëri në punën time të zakonshme, për t’iu lutur e iu marrë dorën për të plotësuar sa më shpejt gramatikën tuej të madhe shqipe. Do të më falni për këtë bëzdisje, por jam i bindur se do t’i bëni nder të madh dhe favor gjuhës shqipe, që unë aq fort e dua.” (Portore, 15 nëntor 1896)
Ndërkohë, pas shenjave të para të sëmundjes (1896), Majeri sëmuret rëndë (1897) dhe vdes në tetor të vitit 1900. Kjo bën të dështojë edhe plani i Mjedës për të angazhuar G. Majerin në hartimin e një gramatike krahasimtare të shqipes.
Mjeda në vitin 1898 ka dalë nga shoqata e jezuitëve dhe është kthyer në atdhe ( 1899). Këtu zen fill edhe njëherë ndërmarja e vjetër. Mjeda thur plane për realizimin e andrrës së tij të vjetër, ndërtimin e një shkolle shqipe të përsosur dhe të teksteve shkollore për këtë shkollë, mes të cilave Gramatika e Krahasuar e shqipes si dhe të Histroria e Shqipërisë.
Tani flasim për planet e Mjedës për t’u kthyer në atdhe e për të krijuar atje një shkollë të mesme, ku gramatika e tij e krahasuar, e plotë, e shqipes do të ishte tekst bazë.
Në vitin 1892 ai kishte hyrë në lidhje me rrethet atdhetare shqiptare të Bukureshtit, ku kryetari i shoqërisë Drita i kishte premtuar atij për ta angazhuar në hartimin e teksteve shkollore shqipe për shkollën e mesme pedagogjike që do të përgatiste mësues shqiptarë
Nuk është një koicidencë e rastit fakti se, menjëherë me vdekjen e Meyer-it, Mjeda merr përsipër vetë për të hartuar Gramatikën e krahasuar, të plotë, të shqipes. Ai sapo ishte kthyer në atdhe dhe kishte zhytur duart për të bërë realitet andrrën e tij të vjetër për të ndërtuar një shkollë shqipe ku shqipja të mësohej mbi baza shkencore, ku mësimet të jepeshin mbi metodat më të përparuara pedagogjike.
Në vitin 1904, Ndre Mjeda arriti të bëhet mësues i shqipes në fshatin Dajç të Zadrimës, ku krijon “Shkollën e dom Ndreut” . Pikërisht në këtë kohë ai mendon të realizojë ëndrrën e tij, për të ngritur një shkollë të mesme në gjuhën shqipe. Për këtë ai bën propozimin për ngritjen e një gjimnazi të ulët me katër klasa në Shkodër. Ja thelbi i propozimit të tij , bërë në dhjetor 1904:
“Deri tani dom Ndre Mjeda erdhi shpesh të më flasë për këtë temë…Unë besoj se ne duhet të pranojmë ofertën e tij për të punuar libra për një shkollë të mesme shqipe…Dhe ne mund të japim pëlqimin t’i shtypim ato . Më poshtë në këtë relacion sqarohet për të veçantat, pengesat e masat që duhen marrë për reformimin e shkollës teknike të seminarit tëShkodrës, në një gjimnaz të ulët shqip me katër klasa. Relacioni mbyllet me gatishmërinë e shprehur nga Ndre Mjeda: “ Dom Ndre Mjeda…është deklaruar i gatshëm të fillojë punimin e librave të destinuar për një gjimnaz të ulët, në rast se shkëlqesia e juaj do të ishte i prirur të marrë përsipër shtypjen e tyre” . Më poshtë po japim listën e gjatë të teksteve që Mjeda është i gatshëm të hartojë: “ Librat e letërsisë për të katër klasat, gramatikë latine, libër ushtrimesh në latinisht, histori e lashtësisë, histori e mesjetës, histori e kohës së re, botanikë, histori e natyrës, mineralogji, fizikë, aritmetikë, planimetri, stereometri” . Fakti se Mjeda kërkon t’i sjellin si model dy plane mësimore si dhe dy ekzemplarë udhëzimesh metodike, tregon se ai kishte ndër mend të përgatiste edhe dokumentacionin bazë edhe metodikat e shkollës së mesme. Dëshira e Mjedës për t’u kthyer në atdhe e për të ngritur një shkollë të përsosur shqipe në vitin 1892, propozimi i tij për të ngritur një gjimnaz të ulët shqip në vitin 1904, si dhe qenja e tij si mësues igjuhës shqipe e i letërsisë në kolegjin saverian, në vitet ’30, përbëjnë të njëjtin moment të tij, dëshirën e zjarrtë për shkollën shqipe.
Në këtë kuadër është interesant fakti, se përveç një gramatike shqipe moderne, Mjeda ka synuar të hartojë edhe një tekst të plotë të historisë së Shqipërisë. Por për këtë ai kërkon të gjurmojë në arkivat e Vatikanit dhe në ato të Vjenës. Të dy kërkesat , që i takojnë viteve 1903,1904, për arsye deri tani të paditura, janë refuzuar . Është i njohur interesimi i madh i Mjedës për historinë, e veçanërisht për atë të Shqipërisë . Me një erudicion të tmerrshëm Mjeda, gjithë legjendat ballkanase i mblodhi dhe i bëri ilire. Për Mjedën, gjuha dhe historia, ishin dy nga treguesit kryesorë të kombësisë shqiptare, aq shumë e rrezikuar nga dallgët e kohërave. Ja pse ai punoi pa u lodhur në këto dy fusha të dijes gjithë jetën, pa u ndalur asnjë çast. Jo rastësisht tema historike zuri vend të veçantë në poezinë e Mjedës.
Hartimi i gramatikës krahasimtare të shqipes nga Mjeda në vitin 1900 kishte lidhje direkte me vajtjen e tij, si delegat në Kongresin e XIII të orientalistëve në Hamburg. Në relacionin e 1 shkurtit 1900, albanologu Ippen, propozon gjuhëtarin e ri shqiptar, Ndre Mjeda, për të marrë pjesë si delegat në Kongresin e Orientalistëve që do të mbahej në Hamburg, dy vjet më vonë: “Prandaj unë do të propozoja që dom Ndre Mjeda... të marrë pjesë në Kongresin tjetër të Orientalistëve që do të mbahet në Hamburg, megjithëse nuk di kohën ekzakte, ku t’i paraqesë Kongresit, gramatikën e tij krahasuese.”
Me interes është lidhja që merr hartimi i gramatikës krahasimtare të shqipes nga Mjeda në vitin 1900, me planet për ta dërguar Mjedën në Kongresin e Orientalsitëve XII në Hamburg . Në vitin 1901 Mjeda është njoftuar nga miqtë se kongresi i ardhshëm do të mbahej në Hamburg më 4-10 shtator 1902 . Ai bën kërkesën e përsëritur disa herë, “që në interes të zhvillimit të gjuhës shqipe të bëhej e mundshme që ai të marrë pjesë në Kongres” . Golluhovski tregohet i gatshëm që, dijetari ynë, Ndre Mjeda, të marrë pjesë në kongres, megjithëse në dokumentet e kancelarive austriake nuk kursehen kritikat për naivitetin politik të Mjedës . Ata venë në dukje “rolin e çuditshëm të Mjedës në redaktimin dhe dërgimin e peticionit apokrif të mirditasve” . Veprimi i Mjedës, sipas, konsullit Ippen është “ i papeshuar e i ngutshëm” . Kjo lidhet me pjesëmarrjen e Mjedës në Lëvizjen e Mirditës e të Pukës kundër pushtimit turk. Nga të gjitha këto , në Vjenë, krijohet dyshimi se mos “dërgimi i projektuar i Mjedës në Hamburg...paraqitet akoma i mundshëm, apo duhet të hiqet dorë nga ai” . Megjithëse edhe kjo është kapërcyer: Ndre Mjedës i kërkohet, si kusht, premtimi se aktiviteti i tij në Kongres “ ka për ta kufizuar ngushtësisht në fushën shkencore dhe se do të heqë dorë krejtësisht nga politika” . Në periudhën 1-10 maj 1902, në Shkodër, zhvillohet Konferenca e Ipeshkvijve, ku vendoset që në shkollat e Veriut të përdoret alfabeti i Ndre Mjedës. Ndërkohë Mjeda njofton se “ka ndër mend të lexojë në Kongres një punim mbi ndryshimin e dialekteve në shqiptimin e paletaleve” . Gjithashtu Mjeda boton në Shkodër studimin krahasues “Parashtrim i alfabetit adoptue në Konfrencën e ipeshkvijve në Shkodër” . Me 2 korrik 1902, kont Golluhovski, ministër i Jashtëm i Austro-Hungarisë, kërkon që Mjeda të njoftojë sa më shpejt “për materialin që do të referojë ai” . Njofton gjithashtu se Mjeda të mësojë se profesorët e Institutin Oriental të Universitetit të Vjenës, J. Karabeck, L. Reinisch, H. Miler, etj. , të cilët do të marrin pjesë edhe ata në kongres, kanë shprehur gatishmërinë që të përkrahin Mjedën në çdo drejtim. “Detajet më të hollësishme mbi kohën dhe vendin se ku do të bashkohet Mjeda me këta shkencëtarë, do t’i njoftohen më vonë” . Ndre Mjeda niset për në Hamburg me 22 gusht 1902, duke kaluar nga Vjena”për të sqaruar problemet e alfabetit” . Ndërkohë, Mjedës i shkojnë spiunë të qeverisë turke, nga pas. Në Kongres, Mjeda, përveç se mbajti punimin e tij mbi shqiptimin e paletaleve në dialektet e ndryshme të gjuhës shqipe, ai bëri të aprovohej nga pjesëmarrësit edhe alfabetin e tij të gjuhës shqipe .
Unë kam arritur të gjej në Arkivin e Hamburgut, kopjen origjinale të dokumenteve të Kongrersit të XIII Ndërkombëtar të Hamburgut, mbajtur në shtator 1902, botuar në Leiden, 1904 . Aty mësojmë se Mjeda ka mbajtur ligjeratën e tij mbi shqiptimin e qellzoreve në dialekte të ndryshme shqipe, krahas edhe 9 ligjeratave të tjera në seksionin I të kongresit. Krahas kumtesës së Mjedës, paraqet interes për studimet albanologjike shqiptare edhe kumtesa e Xhiakomo de Gregorio, me titull “Lajmet e një zbulimi të një të folme shqiptare në Sicili”. Lidhur me proces-verbalin e mbajtur në kongres për ligjeratën e Ndre Mjedës, i cili mban titullin, profesor dhe numrin e delegatit, 700. Duke krahasuar kopjen time gjetur në Arkivin e Hamburgut me atë të botuar të përkthyer në shqip në Revistën “Gjuha, Letërsia dhe Historia në Shkollë”, Tiranë, 1966, fq. 163, rezulton se në këtë të fundit janë bërë gabime. Mendoj se shtypshkronjës i kanë munguar disa nga shenjat diakritike për të paraqitur me korrektësi tekstin e Mjedës. Ndërkohë, që kur bëhet fjalë për gjeografinë e formave dialektale të shqiptimit të qellzoreve, përmendet Shkodra, Gjakova, Prizreni, Shllaku, Mirdita, Malësia e madhe dhe Mirdita, por mungon Komani. Kjo duhet të ketë ndodhur sepse në kopjen origjinale botuesit gjermanë kanë vënë gabimisht, në vend të emrit Komani, emrin Romani. Që këndej është bërë gabimi tjetër nga pala jonë, duke hequr fare emrin e Komanit. Përveç gabimeve, mungesave, janë vënë re edhe shtesa siç janë rastet kur janë shtuar ekuivalencat me shkronjat e sotme të disa prej qellzoreve. Në një rast tjetër do japim një paraqitje të saktë të këtij proces-verbali të mbajtur lidhur me ligjeratën e Mjedës në Kongresin e XIII të Orientalistëve të Hamburgut.
Mjeda në Hamburg u njoh dhe u përkrah nga shumë personalitete nga mbarë bota si Thomsen, Schroeder, Blomfild, Schermann, Kuhn, Jarnik, Pedersen, Kretchner, Thurneyesen, etj. . Nga Hamburgu u kthye në Shkodër, me 10 tetor 1902, i vetmi që referoi në latinisht, që la me gojë haptë botën shkencore të kohës. Ishte e para herë që një albanolog shqiptar, përfaqësonte Shqipërinë në një kongres të niveleve ndërkombëtare. Mund të themi se gjithë punimet që bëri apo që paraqiti Mjeda në Kongresin e Hamburgut, lidhen ose janë pjesë e punës së tij për hartimin e gramatikës krahasuese të shqipes.

Shkodër, me 23. 11. 2004

View User's Profile View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0603290 sekonda, 24 pyetje