Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Europa dhe Lindja e Mesme
Olsi Baze

Postuar mė 7-1-2005 nė 19:28 Edit Post Reply With Quote
Europa dhe Lindja e Mesme

EVROPA DHE LINDJA E MESME

Justin Vaisse

Justin Vaisse (http://vaisse.net), profesor në Sciences-Po në Paris, është studjues në qendrën e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës të Institutit Brookings. Ai është autor i disa librave dhe artikujve rreth Amerikës dhe Evropës.


Ne evropianët rallë herë kemi vepruar së bashku me Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme. Që nga luftrat e kryera nga marina e re amerikane kundër Shteteve Barbare në fillim të shekullit të 19-të deri në armëpushimin e shpallur nga Presidenti Ajzenhaur të operacioneve ushtarake franko-bitanike-izraelite në Suez në vitin 1956, Amerika dhe Evropa kanë vepruar përgjithësisht veçazi në rajon dhe shpesh herë në kundërshtim me njera tjetrën. Natyrisht ka patur edhe përjashtime, siç është për shembull Lufta e Gjirit Persik të vitit 1991, kur kontribuesit më të rëndësishëm të trupave ishin Britania e Madhe dhe Franca. Megjithatë, përgjithësisht Amerika dhe Evropa kanë patur mosmarrëveshje lidhur me Lindjen e Mesme, gjë që ka ngjallur shqetësime serioze për të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike. Lindja e Mesme, një zonë për të cilën ne zakonisht nuk jemi dakord, por që zakonisht ka qënë në periferi të preokupimeve tona, ka lëvizur tani në qendër të marrëdhënieve gjeopolitike amerikano-evropiane.

Është e lehtë të shikohet se si janë shfaqur mosmarrëveshjet amerikano-evropiane. Nga njera anë, në valën e rënies së Murit të Berlinit, një Evropë me e sigurt nuk është më në qendër të mendimit strategjik të Amerikës, që është zëvendësuar nga Lindja e Mesme e zgjeruar dhe Azia Lindore. Para rënies së komunizmit, Evropa ishte fokusi i llogaritjeve strategjike dhe politike të Amerikës, objektivi gjeopolitik që duhej mbrojtur me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet e nevojshme, duke përfshirë luftërat në rajone të largëta të botës për të ruajtur besueshmërinë e nevojshme politike dhe ushtarake në arenën evropiane. Ky nuk është më objektivi aktual. Njoftimi i Presidentit Bush në gusht të vitit 2004 se 30 mijë deri në 45 mijë trupa amerikane do të largoheshin nga Gjermania gjatë dekadës së ardhëshme, është thjesht një rezultat i vonuar i një realiteti të ri. Këta ushtarë do të vendosen atje ku ka nevojë, pra në Lindjen e Mesme.

Po ashtu, nga pikpamja evropiane Amerika nuk është më furnizuesi i artikujve kryesorë të sigurimit siç ka qënë për 50 vjet. Natyrisht, Shtetet e Bashkuara ende luajnë një rol të rëndësishëm në formimin e një mjedisi paqësor global, veçanërisht në Azi, ose duke siguruar linjat detare. Por ky rol dobiprurës është shumë më pak i dukshëm tek publiku i Evropës Perëndimore, që ka prirjen të shikojë një Amerikë egoiste dhe të papërgjegjshme, që rrezikon një vend të forcojë sigurinë e tyre. Kjo është veçanërisht e vërtetë për sa i përket politikës amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftës në Irak. Sipas rezultateve të një ankete të Fondit Marshall gjerman, të publikuara në shtator të vitit 2004 (“Prirjet Transatlantike në 2004”, që mund të gjendet në Internet me këtë adresë: www.transatlantictrends.org), 73% e evropianëve besojnë se lufta i ka shtuar rreziqet e terrorizmit në mbarë botën, ka shtuar paqendrueshmërinë e përgjithshme, dhe ka nxitur pështypjen e përplasjes së qytetërimeve.

Është sugjeruar se ndryshe nga Evropa Perëndimore, publiku në Evropën Lindore ka pikpamje shumë të ndryshme për këtë çështje. Në Evropën Lindore, veçanërisht në vendet balltike, ku Rusia ende mund të shikohet si kërcënim i mundshëm, presupozohet se Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja shikohen pozitivisht dhe Amerika gëzon një imazh të mirë. Por anketat e kohëve të fundit sugjerojnë se të paktën dy vende në rajon e sfidojnë këtë presupozim. Vetëm 52% e polakëve dhe 47% e Slovakëve e konsiderojnë NATO-n si një faktor esencial për sigurinë e vendeve të tyre, krahasuar me 70% të gjermanëve, britanikëve dhe hollandezëve. Po ashtu 79% e polakëve dhe sllovakëve mendojnë se Bashkimi Evropian është më i rëndësishëm se sa Shtetet e Bashkuara për interesat jetësore të vendeve të tyre, një përqindje kjo më e afërt me të italianëve (81%) dhe dukshëm më e lartë se e britanikëve (57%). Megjithëse nuk u bënë anketa në vendet balltike, që mendohet të jenë më tepër në favor të NATO-s si garanci ndaj një fqinji potencial kërcënues, rezultatet janë padyshim tepër treguese.

Pas rënies së Murit të Berlinit, shumë komentatorë e panë ngritjen e Kinës si çështjen tjetër më të madhe që do të preokuponte mendimin gjeopolitik amerikan në dekadat e ardhëshme. Sulmet e 11 shtatorit i nxorrën ata gabim, dhe një Lindje e Mesme më e zgjeruar la në hije Azinë Lindore si çështjen kryesore të strategjisë amerikane. Për fat të keq, kjo çështje i pozicionon evropianët kundër amerikanëve. Kjo nuk është aq një mosmarrëveshje në parim se sa një divergjencë strategjish, e rrënjosur në historinë, gjeografinë dhe politikat e brendëshme evropiane. Në fakt, evropianët dhe amerikanët janë dakord në shumë parime dhe qëllime kryesore dhe në aparencë uniteti transatlantik duket i fortë. Të dy palët e shikojnë demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik në Lindjen e Mesme si rrugën më të sigurt për të eliminuar terrorizmin e tipit të al-Kaidës dhe si kursin më të drejtë për çdo rajon të botës. Të dy palët mbështesin krijimin e një shteti palestinez që të jetojë në paqe me Izraelin. Ne duam të shmangim përhapjen e armëve të shkatërrimit në masë në rajon dhe jemi të interesuar që të vazhdojë furnizimi me naftë nga ky rajon në dekadat e ardhëshme.

Megjithatë, në nivelin operacional, gjërat duken shumë më pak të qarta, dhe pikërisht këtu dalin në pah divergjencat transatlantike. Një shembull i mirë është koncepti i “transformimit” në Lindjen e Mesme, që bën pjesë në qëllimet e shpalluara amerikane në luftën kundër Irakut (sëbashku me eliminimin e Saddam Husseinit dhe armët e tij të shkatërrimit në masë, si dhe me largimin e trupave amerikane nga Arabia Saudite). Kjo ide është shprehur qartë në interpretimin historik të paraqitur nga dijetari amerikan, Bernard Lewis. Ai thotë se bota arabe (por jo bota myslimane në tërësi) ndali përparimin drejt modernizmit diku aty mes shekujve të 14-të dhe të 19-të. Programi i Kombeve të Bashkura për Zhvillimin në raportet e tij të viteve 2002 dhe 2003 konfirmon se rajoni ka mbetur prapa pjesës tjetër të botës për sa u përket arritjeve ekonomike, arsimore dhe lirive bazë.

Duke pushtuar dhe demokratizuar Irakun, Amerika duhej të jepte një goditje që do të ndjehej në vendet fqinje dhe të inkurajonte ndryshime demokratike në mbarë rajonin. Të paktën, pretendojnë disa ligjvënës, ajo do të përbënte një shkëputje nga tradita e pamoralshme e tolerimit apo mbështetjes së regjimeve autoritare për hir të stabilitetit rajonal dhe vazhdimit të furnizimit me naftë. Më 6 nëntor të vitit 2003, Presidenti Bush foli rreth përfundimit të një periudhe “60 vjeçare gjatë të cilës vendet perëndimore kanë lejuar dhe i kanë krijuar kushte mungesës së lirisë në Lindjen e Mesme”. Kjo doktrinë u bë e njohur si “Nisma e Lindjes së Mesme më të Madhe”, që më vonë u riemërua “Nisma e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut më të Gjerë”.

Kur administrata e Presidentit Bush shpalli planin, shumë qeveri evropiane shprehën mbështetje dhe për më tepër disa prej dyre ofruan të dërgonin trupa në Irak. Disa prej tyre, si Britania e Madhe, e bënë këtë kryesisht sepse kishin të përbashkëta premisat e “trasformimit” të Lindjes së Mesme dhe i trembeshin armëve të shkatërrimit në masë të Irakut. Të tjerë, veçanërisht në Evropën Lindore, e bënë për shumë arsye, duke përfshirë respektin për rolin e Amerikës në shpërbërjen e perandorisë sovjetike dhe si detyrë aleatësh të Shteteve të Bashkuara. Shumica e këtyre qeverive nuk kishin aspak marrëdhënie politike apo tregtare me këtë rajon dhe as pikpamje specifike për të ardhmen e tij, por kishin besim se Amerika dinte se çfarë bënte.

Të tjerë, veçanërisht Franca dhe Gjermania, kishin kundërshtime të theksuara, që kryesisht përputheshin me pikpamjet e opinionit publik evropian. Ata besonin se Iraku do të ishte i vështirë për t’u stabilizuar, aq më pak për t’u demokratizuar pas pushtimit dhe se “efekti domino” nuk do të ndodhte. Ata u trembën se lufta do të nxiste destabilizimin dhe do të ndihmonte në rekrutimin e terroristëve. Ata menduan se konflikti do të thellonte perceptimin e përplasjes së qytetërimeve, që nuk do të ishte i favorshëm as për rajonin dhe as për politikat e tyre të brendëshme. Ndryshe nga pikpamja e administratës së Presidentit Bush, që rruga për në Jerusalem shkon nëpërmjet Bagdadit, ata e vunë në dyshim se lufta do të ndihmonte në zgjidhjen e çështjes palestineze. Dhe së fundi, por jo më e parëndësishmja, ata besonin se anti-amerikanizmi në rajon do të arrinte nivele më të larta, duke minuar kështu çdo mesazh demokratik të amerikanëve.

Edhe në qoftë se është ende shumë shpejt për të vlerësuar ndikimin e plotë të ndërhyrjes në Irak, ka mundësi të vërehet se si janë shpalosur vizionet e ndryshme për Lindjen e Mesme duke shtuar presionet në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës. Analisti amerikan, Robert Kagan, ka argumentuar në librin e tij “Of Paradise and Power”, “Parajsa dhe Pushteti” se preferenca evropiane për multilateralizëm, negociatat, ndihma për zhvillim e kështu me radhë, është thjesht rezultat i dobësisë ushtarake të Evropës. Por politikat e administratës Bush duket se kanë qënë së paku të ndikuara barabar nga fuqia ushtarake amerikane. Krahas kësaj, në fillim të shekullit të 21-të ndërhyrjet ushtarake dhe pushtimet kanë rezultuar të papranueshme për popullatat vendase ashtu si edhe në të kaluarën, edhe kur ndërhyrjet kanë patur qëllimet më të mira.

Vizioni mbizotërues i Bashkimit Evropian se çfarë duhet bërë në Lindjen e Mesme e ka fillesën në premisa të ndryshme nga teoria amerikane e “trasformimit”. Ajo pranon faktin se demokracia nuk realizohet menjëherë, por nuk e konsideron atë arsye për ta braktisur. Në të kundërtën, ky vizion është i mishëruar në besimin se duke punuar sistematikisht me shoqëritë civile të Lindjes së Mesme, duke përmirësuar ekonominë e Lindjes së Mesme dhe duke transformuar gradualisht qeverisjen e rajonit, që është edhe qëllimi i procesit të Barcelonës, që filloi në vitin 1995 dhe krahut të saj financiar MEDA, Evropa po krijon kushtet për ndryshime demokratike që mund të vinë vetëm nga vetë shoqëritë. (Është e vërtetë se këto programe nuk kanë dhënë prova se kanë qënë shumë eficiente). Gjithashtu Evropa i jep më shumë përparësi zgjidhjes së konfliktit arabo-izraelit në një formë më të balancuar që nuk do të kompromentonte sigurimin e Izraelit dhe nga ana tjetër nuk do të mbështeste automatikisht çdo vendim të qeverisë izraelite. Në aspektin e sigurimit, Evropa inkurajon dialogun dhe nxit respektimin e strukturave multilaterale, por është gati të vendosë sanksione kundër shteteve që nuk zbatojnë rregullat. (Një shembull i tillë është Libia në vitet 90-të). Evropa e konsideron luftën kundër terrorizmit, kryesisht si detyrë të policisë, organizatave të zbulimit, forcave speciale dhe prokurorëve.

Këto ide nuk janë rezultat e “dobësisë” së vetperceptuar. Por ato janë të rrënjosura në sensin specifikisht evropian të historisë, në traditën e marrëdhënieve intensive, si miqësore ashtu edhe antagoniste, me botën arabe, dhe gjithashtu në në një pozicion gjeografikisht të ndyshëm. Lindja e Mesme është në sferën tonë dhe zgjidhjet radikale, siç janë luftrat me përfitime të mudëshme, por edhe me rreziqe të mëdha, peshohen me kujdes. Për më tepër, Evropa është tani vendi i rreth 12 milionë deri në 15 milionë myslimanëve, që përbëjnë 5% të popullatës në Gjermani dhe më shumë se 8% të popullatës në Francë. Kur veprimet ushtarake në Lindjen e Mesme nuk shikohen si legjitime, ato mund të kenë gjithashtu pasoja në vend.

Këto ndryshime strukturore dhe përplasje lidhur me Irakun nuk tregojnë se bashkëpunimi transatlantik për Lindjen e Mesme është i pamundur. Krahas kësaj, kursi i ndjekur nga administrata Bush gjatë viteve 2001-2004 nuk do të ndiqet domosdoshmërisht nga administratat e tjera amerikane në të ardhmen. Por debatet serioze për Lindjen e Mesme mund të çojnë në mosmarrëveshje të reja mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, dhe partnerët nga të dy anët e Atlantikut duhet t’i zgjidhin ato, në qoftë se duan të realizojnë qëllimet e përbashkëta të demokratizimit, sigurimit nga terrorizmi, dhe parandalimit të përhapjes së armëve të shkatërrimit në masë.

revista europa e re

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0651162 sekonda, 24 pyetje