Greket Pretendojne Veriun, Ahere Neve Jugun ... e Epirit!
Shekulli, 09/02/2005
KATEGORIA: Analiza
FARSA POLITIKE GREKE ME EMRIN EPIR I VERIUT
Zef Mazi, Diplomat i vjetër në profesion
Ka afro 100 vjet që politika greke ka filluar dhe vazhdon edhe sot propagandimin e kuptimit apo të përfytyrimit Epir i Veriut (Vorio
Epir) dhe të pretendimeve për të. Propaganda tepër intensive e deri e pasaktë, gjithëkund përfshin masivisht mediat
dhe sferat politike dhe ka bërë që kuptimi Epir i Veriut të përvetësohet dhe të përdoret sot edhe nga zyra
të ndryshme europiane e të tjera. Por ai përdoret në kuptimin e vet jo të vërtetë; ai trajtohet si një dukuri
që ekziston, që përbën shqetësim dhe që kërkon një farë trajtimi dhe zgjidhjeje pa u thelluar në
vërtetësinë historike.
Ndoshta jo krejtësisht në këtë kuptim por thjesht si term referues për një territor gjeografik i banuar nga një
popullsi e caktuar greke, përsëri pa u thelluar sa duhet ai është përdorur edhe nga autorë të ndryshëm
perëndimorë, përfshirë edhe Robert D. Kaplanin në librin e tij Greqia, dashnorja e Perëndimit, gruaja e Lindjes.
Njoftimet e mediave në vend që të shpjegonin Greqinë moderne nuk bënë gjë tjetër veçse hodhën
dritë mbi injorancën e Perëndimit për shtrirjet më të gjëra dhe më të rëndësishme të
historisë greke, shkruan Kaplan. Prandaj është gjetur me vend përfshirja këtu e disa sqarimeve themelore për
këtë çështje.
Deri në vitet 1912-1913, me ndarjen e Ballkanit sipas linjave që vendosi Kongresi i Berlinit më 1878, termat apo kuptimet Epir i Veriut
(Vorio Epir, Northern Epirus) dhe vorioepirote (Vorioepirotes), siç e quajnë grekët sot popullsinë që jeton atje, nuk
janë përmendur absolutisht në asnjë dokument. Kjo pasqyron një të vërtetë, sepse termi Vorio Epir nuk
përfaqëson ndonjë kuptim gjeografik të Epirit si territor. Për të kuptuar drejt problemin e kufijve jugorë të
Shqipërisë duhen studiuar me vëmendje ndarja administrative e Perandorisë Bizantine para pushtimit otoman, si dhe emërtimet
që morën këto territore në organizimin e shtetit otoman në shekullin XV e më tej. Në këtë kuadër,
vend të posaçëm merr edhe Epiri, për të cilin përmbledhtazi pa pretenduar zbulime të reja disa gjëra
kryesore mund të thuhen me saktësi historike të provuar.
Epiri përbën një krahinë dhe njërin nga shtetet e Ilirisë të Jugut. Ai shtrihej në malet e Vetëtimës
(Akrokeraunet antike) dhe në rrjedhën e mesme të Vjosës, deri në gjirin e Ambrakisë në jug, dhe nga malet e Pindit
në lindje deri në brigjet e detit Jon në perëndim. Si emër i përveçëm gjeografik ai fillon të njihet
nga fundi i shekullit VI p.e.r., derisa në shekullin IV p.e.r. mori edhe kuptim të përcaktuar politik. Fiset që banonin në
këtë trevë ishin Tesprotët, Kaonët dhe Molosët. Ato fise dolën në histori si forma politike më vete
në Luftën e Peloponezit (432-404 p.e.r.) dhe ishin aleatë të Spartës më 429 p.e.r. Sundimtari i Molosëve, Tarypa,
krijoi edhe shtetin që u quajt Lidhja e Molosëve. Pas mesit të shekullit IV p.e.r., ata përfshihen nën ndikimin maqedon, por
sundimtarët vendas vazhduan procesin e bashkimit më tej derisa erdhën tek Aleanca Epirote, një shtet federalist i kohës
së Aleksandrit Molos (342-31 p.e.r.). Etapa e tretë është sundimi i Pirros (307-272 p.e.r.), i cili shtiu nën zotërim
edhe pjesë të Maqedonisë, Tesalisë dhe disa krahina të Ambrakisë, Amfilokisë dhe Akarnanisë.
Shteti monarkik epiriot humbi rëndësinë në vitet 30 të shekullit III p.e.r. dhe u kthye në shtet republikan i njohur me
emrin Lidhja Epirote. Në vitin 167 p.e.r. ajo ra nën sundimin romak dhe pas vitit 148 p.e.r. u bë pjesë e provincës maqedone.
Me reformën e Dioklecianit (fundi i shekullit III e.r.), emërtimi Epir shtrihet deri në brigjet e Vjosës dhe u quajt Epiri i Ri
(Epir Nova) për tu dalluar nga pjesa tradicionale që u quajt Epiri i Vjetër (Epirus Veins). Në trevën e Epirit të
Vjetër, në fillim të shekullit XIII, u krijua i quajturi Despotati i Epirit dhe nga shekulli XV nuk bëhej më dallim
ndërmjet Epirit të Ri dhe të Vjetër. Pra, Epiri i Ri u krijua si provincë e prefekturës së Ilirikumit -Ilirise, nga
reformat e Dioklecianit. Ai përfshinte krahinat e Shqipërisë së sotme, Qendrore dhe Jugore, nga lumi Mat deri në lumin Vjosa
dhe qeverisej nga një konsullar e kishte si qendër Dyrrahiumin. Edhe Epiri i Vjetër përfshihej në prefekturën e
Ilirikumit dhe shtrihej nga lumi Vjosa deri në gjirin e Ambrakisë, qeverisej nga një hegjemon dhe kishte si qendër Nikopolin
(Prevezën e sotme).
Shumë autorë të lashtë si Herodoti, Tukididi, Straboni, të cilët mbahen si baballarët e historisë greke,
kanë arritur në përfundimet për përcaktimin e Epirit si territor dhe si popull duke dëshmuar se kjo hapësirë
(Epiri) nuk përfshinte pjesë të Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia kufizohej me Akarnian (sot malet e Pindit) dhe me gjirin e
Ambrakisë në veri, si dhe me territorin e quajtur Epir të banuar nga barbarë, siç i quanin grekët e lashtë
të gjithë ata që nuk flisnin greqisht. Pra, i takonin një race tjetër, barbarëve. Ka jo pak autorë dhe
shkencëtarë seriozë europianë që kanë dëshmuar se Epiri nuk ka qenë ndonjëherë grek. Mund të
përmenden edhe disa harta zyrtare të botuara në Angli, Gjermani dhe Austro-Hungari në shekujt e kaluar ku përdoret termi
Shqipëri e Jugut dhe jo përcaktimi Epir.
Prandaj, koncepti gjeografik dhe politik i Epirit ka qenë ai që përshkruam, Epir i Vjetër dhe Epir i Ri. Ndarja dhe
përcaktimi i Epirit në Epir të Veriut dhe për rrjedhojë edhe në Epir të Jugut nuk ka asnjë vërtetësi
historike. Termi Vorio Epir është një përfytyrim, një kuptim politik, falsifikim i së vërtetës historike
për Epirin, për trashëgiminë dhe gjeografinë e tij. Ai është krijim i atyre qarqeve të cilët si
platformë politike shtetërore në Asamblenë Kombëtare të Greqisë më 1844, përmes gojës së
kryeministrit Jan Koteli, shpallën Megali-Idene (Idenë e Madhe) si themel të ekzistencës së Greqisë. Synimi ka qenë
krijimi i një shteti të madh grek në kufijtë e Perandorisë Bizantine, ku do të përfshiheshin edhe popullsi të
tjera ballkanike, si shqiptare, bullgare, maqedone, etj.
Ndër të tjera, objekt i kësaj platforme ishte përfshirja në shtetin grek të një pjese të tokave shqiptare, e
thënë më saktë edhe krahinat e Korçës dhe Gjirokastrës (mundësisht edhe më shumë), që
Fuqitë e Mëdha Europiane i njohën si pjesë të shtetit shqiptar pasi i dhuruan Greqisë rajonet më jugore shqiptare
në Epir, si Çamërinë dhe krahina të tjera, si Janinën e Kosturin. Për arritjen e këtij synimi u krijua, u
përdor dhe vazhdon të përdoret pasaktësisht përfytyrimi i ashtuquajtur Vorio Epir. Kjo ka qenë baza e politikës
greke gjatë shekujve XIX dhe XX në marrëdhëniet ndërkombëtare. Fatkeqësisht, ajo edhe sot duket se mbizotëron
drejtimin e politikës greke ndaj Shqipërisë, pavarësisht se me çfarë velloje dhe etiketimi përpiqet të
mbulohet.
|