Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Parime te Konservatorit
burimuji

Postuar mė 20-2-2005 nė 17:37 Edit Post Reply With Quote
Parime te Konservatorit

Tradita

53 Parime te mendimit Konservator
Giuseppe Prezzolini (1882-1982)

I lindur në Perugia, Prezzolini kalon një pjesë të mirë të adoleshencës së tij mes studimeve dhe udhëtimeve (sidomos në Paris). Gjatë viteve të para të Nëntëqindës njihet me Giovanni Papini, i cili e ndihmon në themelimin e revistës «Leonardo», si dhe me Benedetto Croce që do të influencojë në mënyrë vendimtare në idetë e tij, duke e nxitur atë në botimin e shkrimeve të tij të para. Në vitin 1908 themelon revistën «La Voce», në të cilën do të jetë drejtor deri në vitin 1913. Më 1914 kjo revistë do të ndërrojë emrin dhe do të ndahet në dy revista të pavarura nga njëra-tjetra: «La Voce gialla» me karakter politik, që e drejtonte vetë Prezzolini dhe në «La Voce bianca» me karakter letraro-artistik, që drejtohej nga De Robertis.

Merr pjesë në luftën e parë botërore, gjithësesi, pa hequr dorë dhe nga aktivitetet e tij: themelon Institutin Biografik Italian, organ konsultativ biografik dhe botues, si dhe thërritet si profesor për një kurs intensiv në Columbia University të New York-ut, detyrë që do ta vazhdojë edhe gjatë viteve në vazhdim. Këtu marrin udhë për shkrimtarin një sërë udhëtimesh të vazhdueshme, sa në Francë, në Shtetet e Bashkuara deri sa, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh mungesë, rikthehet në Itali, ku rivendos kontakte të shumta me shtëpi të ndryshme botuese, për publikimin e librave të tij. Në vitin 1968 transferohet në Luksemburg dhe tri vjet më pas dekorohet Kalorës i Kryqit të Madh, në një ceremoni madhështore të organizuar në Romë.


1. Konservatori ka respekt më tepër për kohën sesa për hapësirën dhe vlerëson më fort cilësinë ndaj sasisë, nuk përçmon nocionet por e di mirë se nuk kanë vlerë pa parimet. Di të kthehet mbrapsht, sepse për të ecur përpara duhet të dish të tërhiqesh për të marrë më mirë hovin.

2. Konservatori, para së gjithash, nuk do të ngatërrohet me reaksionarët e tradicionalistët, sepse konservatori kërkon të “vazhdojë përpara duke mbajtur” e nuk kërkon të ecë mbrapsht për të ribërë eksperienca të falimentuara. Ai është i ndërgjegjshëm se për probleme të reja duhen përgjigje të reja, të frymëzuara nga parime të pandryshueshme e të sprovuara.

3. Konservatori është i bindur se, nëqoftëse nuk është njeriu i së nesërmes, sigurisht që do të jetë njeriu i së pasnesërmes, i cili do të njihet kur kundërshtarët e tij politikë të kenë dështuar. Konservatori ndihet rinovuesi i ligjeve të përjetshme, të harruara ose të fshehura nga hipokritët, të lëna pasdore, të dhunuara çdo ditë.

4. Konservatori nuk është kundër së resë pse është e re; por nuk shkëmben injorancën e novatorëve të rremë me të renë.

5. Konservatori do të ketë kujdes nga e dhënia e doktrinës konservatore një vule fetare, sepse doktrina e konservatorit nuk është zbatuar mbi zbulime, por mbi fakte e arsyetime. Duke respektuar besimet fetare të vendit, si agjentë besimi e stabiliteti shoqëror, konservatori, preferon të mbështetet tek biologjia dhe historia: tek biologjia, sepse ajo ka stabilizuar rëndësinë e elementëve (geneve) që ruajnë vazhdimësinë më tepër se ambienti; tek historia, e cila përsëritet edhe pse jo asnjëherë saktësisht siç ka qënë, që ka treguar se çfarë dëmesh mund të ushtrojnë disa forca mbi shoqërinë njerëzore. Konservatori e di mirë se nuk mund të modifikohen, pa rrezik, bazat e jetës shoqërore.

6. Konservatori preferon natyrën ndaj abstraksionit, të provuarën kundër të teorizuarës, të pandryshueshmen ndaj jetëshkurtrës.

7. Elementët natyrale të shoqërisë, për një konservator janë: PRONA PRIVATE, FAMILJA, ATDHEU dhe BESIMI FETAR.

8. Konservatori lartëson ndjenjën e përgjegjësisë kundër neglizhimit, improvizimit, lehtësirës, të ardhmes, përmbysjes, utopisë. Konservatori vepron, por me vetëdije; mendon me respekt për të kaluarën; parashikon të ardhmen, por pa harruar kurrë të kaluarën.

9. Konservatori është i bindur se njeriu nuk është ndryshuar komplet që kur është shfaqur mbi toke; ai është i aftë të ndryshojë ambientin e tij me një sforco të përbashkët dhe se ndryshimet e trashëguara vijnë në sasi shumë të vogël e graduale.

10.Konservatori pranon nevojën e ndryshimeve politike, sepse edhe vetë historia është një ndryshim i vazhdueshëm; por ai punon që ndryshimet të bëhen me kujdes, me rregull, me qartësi, shkallë-shkallë.

11.Konservatori i quan Utopike programet universale (zhdukja e varfërisë, analfebetizmit, urisë në të gjitha vendet e botës); ai propozon programe të pjesshme, të zbatuara në një vend e në një periudhë të caktuar kohe, për të studiuar frytet e pritura.

12.Konservatori e konsideron idenë e progresit si gabim logjik, meqenëse nuk mund të dimë se si mund të ecim përpara nëse nuk do dimë se çfarë drejtimi do të marrim e ku do të ndalemi: pra, në një moment të tillë progresisti duhet të bëhet konservator; kjo kërkon kujdes, sepse jo gjithmonë ajo që vjen pas është më e mirë nga ajo që e ka paraprirë.

13.Konservatori nuk mendon që varfëria e mossuksesi vjen gjithmonë nga kushtet shoqërore dhe injoranca e individëve: ai e kupton se ato varen edhe nga kushtet e përgjithshme të jetës, nga skarciteti i aftësisë ose vullneti i dobët për të punuar, nga varfëria e imagjinatës, nga inferioriteti fizik e fiziologjik. Këto duhet të përballohen me dashamirësi private e publike, sa më tepër direkte, lokale e sa më pak burokratike, pa ndryshime në strukturat shoqërore.

14.Konservatori është dakord me mendimin se ekzistenca e institucioneve, të cilat kanë vepruar për një kohë të gjatë në një vend, tregon që përgjithësisht ato institucionë kanë patur një arsye të ekzistojnë e të zhvillohen dhe, para se të modifikohen ose të hiqen, duhet të pritet që të jenë provuar e eksperimentuar të paktën pjesërisht. Ai nuk beson në projektet që e deklarojnë të lehtë ndryshimin dhe që gjejnë mbështetjen e publikut të manipulueshëm.

15.Për një konservator, qëllimi më i rëndësishëm i çdo bashkësie, është të ruajë të paprekura karakteristikat e veta të veprimeve, të gjuhës e, kur është koha, edhe të fesë e racës; këtij qëllimi i shërben sigurimi i mirëqenjes për zhvillimin e një numri sa më të madh të cilësive të individit.

16.Konservatori e di se shkatërrimi ose ndryshimi i një institucioni, mund të provokojë në institucione të tjera dobësimin e ekuilibrit të përgjithshëm të një shoqërie.

17.Konservatori është i bindur se energjitë e masës më të gjerë të njerëzve nuk janë racionale por pasionale dhe si efekt imagjinate; pra ai sforcohet që drejtimi të mbetet në duart e njerëzve më racionalë, më të kulturuar, më të edukuar, që kanë treguar se dinë të veprojnë, të ruajnë prodhimin dhe të kenë ndjenjën e përgjegjësisë në përdorimin e pushtetit dhe të pasurise, të cilën e fitojnë me punë e djersë.

18.Konservatori beson se GARA ka përmirësuar aftësitë e racës njërëzore dhe si rrjedhim nuk gjen arsye të modifikojë kushtet që e kanë bërë të mundur deri tani zhvillimin.

19.Ndarja e elementëve më të mirë nga të këqinjtë, është për konservatorin sistemi më i përshtatshëm për zhvillimin shoqëror, ndërsa përzierja e të vonuarve, me të gatshmit, e të shëndetshmëve me të sëmuret, e inteligjentëve me budallenjtë, e aktivëve me pasivët, është sistemi më i përshtatshëm për ta ngadalësuar ritmin e zhvillimit.

20.Konservatori është realist, niset nga parimi se njerëzit nuk janë njëlloj. Çdo kushtetutë që niset nga parime të tjera sjell pa diskutim me vete mungesa të mbushura me hipokrizi.

21.Njerëzit nuk janë njëlloj nga shëndeti, mosha, seksi, dukja, edukata, intelekti, forca, trimëria, mirësia si dhe për shumë kushte të diktuara nga trashëgimia dhe fati. Kushtetuta e ligjshme që nuk mban parasysh këto, duhet të konsiderohet jo vetëm e kotë por dhe e dëmshme.

22.Konservatori e di se shoqëritë njerëzore janë fryt i një rritje të ngadalshme e jo makina që mund të rregullohen copë pas cope; është e vështirë dhe e rrezikshme për shoqërinë, modifikimi i një pjese pa shkatërruar harmoninë që është formuar në kohë midis pjesëve të ndryshme.

23.Konservatori pranon si ligj natyror që çdo shoqëri të luftojë për të ruajtur vetveten.

24.Konservatori e di se burimi më i madh i respektit shoqëror është AUTORITETI, se shembulli vlen me tepër nga çdo diskutim; kështu ai do të kërkojë të jetë një kampion, së bashku me familjen e vet, i virtyteve që bëjnë zakonisht të fitohet autoriteti: ato janë kryerja e detyrave të veta, ndershmëria personale, gjykimi i drejtë, mbajtja e fjalës së dhënë, koherenca e veprimeve dhe mendimeve, modestia në jetën shoqërore.

25.Konservatori është kundër ekspansionit të fuqisë dhe të të drejtave të shtetit, i cili duhet vetëm të parashikojë në mënyrë teknike e të përkryer, mbi sigurimin e pavarësisë kombëtare, komunikacionin e shpejtë me çmime të mira, higjienën që i duhet popullit, shkollën e cila zgjedh më të mirët, shërbimin falas të sëmundjeve e, mbi të gjitha, një kod me ligje të qarta, ekzekutimin e drejtësisë të shpejtë dhe pak të kushtueshme për të gjithë dhe stabilititet të institucioneve që t’u lejojë qytëtarëve të parashikojnë të ardhmen me siguri.

26.Konservatori konsideron si rrezik shoqëror përqëndrimin e tepruar të pasurisë në duart e pak njëerëzve, si një varfëri e tepruar e masave dhe kërkon një kushtetutë për klasat e mesme, superiore në numër nga të paktët tepër të pasur dhe të shumtët tepër të varfër.

27.Konservatori pret gjithçka nga dëshira intime që ka çdo njeri të përmirësohet e të tejkalojë ata që ka pranë dhe nuk është për favoret e bëra nga shteti atyre që janë më pak inteligjentë e ambiciozë.

28.Konservatori e di se liria individuale është një burim i madh zbulimesh, shpikjesh e shtytjesh; por edhe shtypjesh e shkatërrimesh për të dobëtit. Asnjë rregull nuk ekziston se si të përcaktohet momenti kur një liri bëhet e dëmshme; por konservatori beson se liria personale nuk mund të jetë vetëm një e drejtë dhe, kur ajo dëmton të tjerët, konsiderohet si një konçesion që shteti mund ta heqë, ta tërheqë e ta modifikojë.

29.Konservatori respekton lirinë e kulteve fetare, por nuk i lejon asnjë grupi fetar të ushtrojë influencë mbi jetën politike të shoqërisë.

30.Konservatori mbron dhe zhvillon qytetërimin e lindur nga tradita e lashtë historike dhe ideali i jetës aktive në shoqëri e politikë.

31.Konservatori beson se sigurimi i të vjetërve realizohet më mirë nga individë të aftë, që kursejnë, sesa nga zemërgjerësia e shtetit. Ata që i kërkojnë ndihmë shtetit, duhet që në të njëjtën kohë të heqin dore nga çdo pjesëmarrje në qëverisje (të varfër të ndihmuar, të pasur të mbrojtur).

32.Konservatori mendon se historia kurrë nuk përsëritet saktësisht; askush nuk mëson nga të mësuarit mbi atë që natyra e ka aftësuar të thithë. Por ai e di se ka modele ngjarjesh të cilat mund të sugjerojnë kujdes e zgjidhje për të evituar dëme e shkatërrime të tjera; gjithnjë në mënyrë që të mësuarit të mos jetë vetëm një formulë dhe parashikimet të vendosen në peshore, pa paragjykime.

33.Konservatori e di se përhapja e burokracisë, përdorimi i armëve të huaja ose mercenarëve, rritja progresive e taksave, zhvleftësimi i monedhës, kanë qenë gjithmonë fillimi i dekadencës së shoqërive dhe kanë shpallur fillimin e fundit të pavarësisë së tyre.

34.Konservatori e di se pasuria nuk zëvendëson aftësitë, as varfëria nuk përbën ndonjë meritë; që atmosfera më e mirë shoqërore është ajo në të cilën më aktivët, më të ndershmit, më të kulturuarit, më të zotët, të mbajnë postet e drejtimit. Privimi i më të mirëve është një ‘tirani’ e barabartë me skllavërimin e më të shumtëve në interes të më të paktëve.

35.Konservatori nuk pranon që njerëzit janë kriminelë ose të mirë si rrjedhim i institucioneve; por se në çdo person e keqja ose e mira lind nga një parim që i nxit dëshirën për t’i shërbyer shoqërisë për në mënyrë të dobishme apo jo.

36.Nuk ka asgjë më të mirë për një konservator sesa votimi i fshehtë për të siguruar përkrahjen e publikut; për të, referendumi ose plebishiti, vlejnë vetëm po të jenë të shoqëruara nga diskutime të lira. Por vota, për të demonstruar vlerën e vet, duhet llogaritur në proporcion me kontributin që jep votuesi për shoqërinë dhe me atë çka ai merr nga ajo.

37.Konservatori mendon se në përgjithësi është mirë që një popull të jetë i mësuar, por se jo gjithmonë të diturit favorizon lumturinë e tij dhe kontribuon në ruajtjen e identitetit të vet.

38.Konservatori është pesimist si natyrë; nuk beson se njerëzit lindin të mirë e bëhen të këqinj nga shoqëria, por se ajo gjë jo e mirë që mund të pritet nga njerëzit është rezultati i ngadalshëm, shekullor, i luftës dhe mirëkuptimit nga shoqëritë për të përfituar nga qenie agresive të natyrës, një sforcim bashkëpunimi. Konservatori e di se devotshmëria ndaj atdheut, ndjenja e detyrës, respekti njerëzor, janë virtyt i pakicës.

39.Konservatori sheh me dyshim sa dominimin e diktatorëve aq edhe të masave.

40.Konservatori mendon se ai qytetar që është i zoti të gjykojë mirë për punët e bashkësise se vet e që i interesojnë direkt, është i pazoti të gjykojë për politikën e përgjithshme të shtetit, veçanërisht të jashtmen, se një dallim i elektoratit është i nevojshëm nëse do të ruajë fuqinë për më kompetentët e në të njëjtën kohë t’i japë fuqisë mbështetjen e duhur të konsensusit.

41.Konservatori është i bindur se demokracia është forma qëverisëse më e korruptueshme dhe sidomos ajo parlamentare u ofron rastin deputetëve të përfitojnë nga paratë publike, si direkt për vete apo për familjarët e tyre, ashtu edhe indirekt për të blerë favore nga disa rradhë të elektoratit ose të qytetit të vet e të një klase të caktuar.

42.Konservatori është i bindur se forcat e punës, të organizuara në sindikata, duhet të marrin pjesë në jetën publike e të shtetit me përgjegjësi të plotë financiare të veprimit të vet; përveç atyre që i përkasin shërbimeve publike, spitaleve, shkollave e policisë, të cilët duhet të konsiderohen si “ushtarakë”, të detyruar në punët e tyre shoqërore.

43.Konservatori shikon me simpati pjesëmarrjen në pronën individuale të klasave punëtore, nga shtëpia deri tek “aksioni” i shoqërive anonime, nga shoqëritë kooperative tek fondi i pensioneve të çdo ndërmarrjeje (që vlerëson aktivitetin e gjatë të dikujt), mjaft që të kenë formë individuale, të sforcohen për të kursyer duke rritur krenarinë dhe pavarësinë e çdo bërthame familjare.

44.Konservatori nuk mendon se për të qenë modern duhet të shkruash në mënyrë që mos të të kuptojnë, se për të protestuar ndaj padrejtësisë shoqërore duhet të mbahen flokët e gjatë dhe veshjet të pista; që për të provuar barazinë e sekseve këto të ndërkëmbehen, se për të treguar një mendim të zhvilluar të adoptohen zakonet e popujve të tjerë, se për të pohuar fenë e vet të pranohet feja e të tjerëve.

45.Konservatori është kundër ekzotizmit, sepse është shenjë rënieje e popujve.

46.Për një konservator shtypi publik duhet të jetë vërtet i lirë, por në të njëjtën kohë edhe shumë i përgjegjshëm. Përgjegjësia duhet të fiksohet nga norma të qarta praktike, ekzakte e pa çensurim.

47.Liria individuale për një konservator është burim i çmueshëm i jetës se një shteti, por konsiderohet më tepër “lëshim” se sa “e drejtë”.

48.Konservatori e di se për çdo rregull të përgjithshëm ka edhe përjashtime dhe do ta mbajë parasysh këtë në formulimin e ndalimeve ligjore.

49.Konservatori do ta shtyjë shoqërinë të kuptojë se konfliktet ndërmjet punëtoreve dhe kapitalistëve duhet të zgjidhen nga gjykatësit, pa arritur deri në sistemin e shpenzueshëm e barbar të grevës.

50.Konservatori nuk ka nostalgji për të kaluarën, gjykon ashpërsisht të sotmen dhe nuk i buzëqesh kollaj imazheve të së ardhmes; ai e di se afërsisht të gjitha qeveritë janë shtypëse, se të gjitha revoltat liberale janë krijuese tiranish dhe lumturia e ëndërruar është e paarritshme; prandaj ai i trembet revolucioneve, agonisë së të priturit, premtimeve triumfale të përfituesve, u sugjeron njerëzve të kënaqen me ndryshime të logjikshme, me reforma graduale e serioze dhe me krijimin e sistemeve të reja me durim.

51.Konservatori e di se diferenca e një klase, varfëria e një krahine, mungesa e rendit, ndihen nga e gjithë shoqëria dhe shoqëria duhet të parashikojë zgjidhje, duke forcuar aftësinë autonome të rimarrjes së vetes e të rishëndoshjes shoqërore.

52.Konservatori mendon se njerëzit nuk janë të mirë nga natyra, d.m.th. nuk janë të aftë të frenojnë egoizmin personal e familjar të nevojshëm për të jetuar; që, të lënë në vetvete, pa nevojën që i shtyn të fitojnë, pa kërcënimin e ndëshkimit që i mban larg nga dhunimi i ligjeve, pa stimulin e krenarisë që i shtyn të marrin pjesë në jetën shoqërore, ata do të jepen më të shumtën e herëve pas dembelizmit, pastaj pas gallatës e më pas akoma pas humbjes se pasurisë e dëmtimit të familjes.

53.Për një konservator, divergjencat ndërmjet shteteve nuk mund të zgjidhen të gjitha me marrëveshje që varen nga arsyet dhe diskutimet; asnjë gjykatë ndërkombëtare nuk ekziston që të ketë fuqinë të imponojë ekzekutimin e gjykimeve të veta. Kështu që, edhe pse urohet zgjidhja paqësore e çdo konflikti, duhet t’i dorëzohesh mundësisë së luftës.

Në këtë rast, konservatori pranon mendimin e atyre të cilët prej shekujsh kanë njohur përgatitjen ushtarake dhe aleancat mbrojtëse si mjetet më të mira për të vështirësuar sa më tepër kërcënimet e agresionet e armatosura.


Përkthyer nga “Il manifesto dei conservatori”, i Giuseppe Prezzolini.

Bonin Toptani

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0650010 sekonda, 24 pyetje