Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Ballkanasit e Shqiptaret ne Zvicer
burimuji

Postuar mė 2-5-2005 nė 12:28 Edit Post Reply With Quote
Ballkanasit e Shqiptaret ne Zvicer

Shekulli, 02/05/2005 KATEGORIA: Analiza

Historia e një paragjykimi
Enver Robelli

I.
Në vitet 60-të, kur në Zvicër filluan të vijnë punëtorët e parë nga Jugosllavia e Titos, mjet i vetëm udhëtimi ishte treni. Ai nisej nga Athina ose Stambolli, ndalej në Shkup, Bujanoc dhe vazhdonte tutje nëpër Beograd, Zagreb, Lubjanë. Arkitektura austrohungareze e qyteteve sllovene ishte shenjë se pas pak kilometrash përfundonte Jugosllavia. Kufiri me Austrinë kalohej lehtësisht, pa vizë dhe pa shikime përbuzëse të policëve austriakë. Punëtorët që vinin nga trevat e harruara të Kosovës, Bosnjës, Serbisë, Maqedonisë mahniteshin me bukuritë natyrore të Austrisë, me urat e larta që lidhnin kodrat dhe me tunelet e gjata. Në kufirin e Zvicrës punëtorët nuk priteshin me lule, por me ekipe mjekësore. Shërbimi sanitar i shtetit i kontrollonte ata hollësisht. Zvicra pranonte vetëm njerëz të shëndoshë, të cilët do të punonin kryesisht nëpër kantiere ndërtimtarie. Pas nëntë muajsh punëtorët ktheheshin në shtëpi për gjithsejtë tre muaj. Sërish merrnin rrugën me tren, të ngarkuar me rrobe të reja dhe të vjetra për familje dhe farefis, me një televizor apo radio. Edhe kështu Ballkani u bë pjesë e botës globale. Në Zvicër punëtorët nga Jugosllavia çmoheshin si të vyeshëm, fjalëpakë dhe të urtë. Mes tyre kishte edhe njerëz me kualifikim të lartë: mjekë, dentistë, inxhinierë. Në vitin 1970 në Zvicër jetonin 25 mijë shtetas të Jugosllavisë.

II.
Rrethanat ndryshuan menjëherë pas vdekjes së Titos në vitin 1980. Situata ekonomike në Jugosllavi u keqësua, në Zvicër filluan të vijnë gjithnjë e më shumë njerëz nga shtresat më të ulëta sociale. Në fillim të viteve 90-të në vend të punëtorëve në Zvicër kërkuan shpëtim dhe gjetën strehë mijëra refugjatë nga Ballkani. Sot në këtë vend jetojnë 350 mijë ballkanas, prej tyre rreth 200 mijë shqiptarë.

III.
Shumica e ballkanasve vazhdojnë të punojnë dhe me kontributet e tyre sociale mbushin arkat pensionale të Zvicrës; pa punën e tyre shumë degë të ekonomisë zvicerane nuk do të funksiononin. Për shembull: ndërtimtaria, hoteleria, spitalet, transporti etj. Këta njerëz nuk bien në sy; ata vuajnë kur ndonjë bashkëkombës i tyre vret një tjetër, kur grupe të rinjsh grushtohen brutalisht nëpër rrugët e Zürich-ut, kur policia njofton se ka arrestuar tregtarë droge nga Ballkani. Viteve të fundit në katalogun e të këqijave ka hyrë edhe një delikt: vozitja e pakujdesshme me vetura të blera me kredi. Edhe më keq bëhet kur të rinj shqiptarë apo serbë mburren publikisht se nuk i respektojnë rregullat e trafikut.

IV. Si jetojnë qytetarët nga ish-Jugosllavia në Zvicër? ǒbëjnë në kohën e lirë? Pse kanë një imazh të keq? Këtyre pyetjeve përpiqet t’iu përgjigjet shtojca “Folio” e gazetës “Neue Zürcher Zeitung” në një numër special kushtuar fenomenit “jugo”, me të cilin përthekohen të gjithë: serbët, kroatët, shqiptarët, maqedonët, boshnjakët, malazezët etj. Andreas Heller, redaktor i “Folio”, shkruan se policia zvicerane ballafaqohet sidomos me banda, të cilat sillen tërë ditën nëpër stacione trenash dhe me veprimet e tyre rrezikojnë sigurinë publike, duke kërcënuar dhe vjedhur. Sipas statistikës kriminalistike të kantonit të Zürich-ut vetëm vitin e kaluar 16’133 persona me shtetësi të huaj janë paditur për delikte të ndryshme – këta janë gati 50 për qind e të gjithë delikuentëve. Në shikim të parë gjithçka duket e qartë. Mirëpo, edhe vetë policia thekson se shifrat duhet të relativizohen, sepse në statistikë janë të regjistruar edhe delikuentët, të cilët nuk disponojnë fare me leje qëndrimi në Zvicër. Pra, fjala është për të ashtuquajtur “turistë kriminelë”. Marcel Zwingli, një kineast dhe gazetar nga Zürich-u, ka përshkuar jetën e natës nëpër diskotekat e ballkanasve dhe sjell një reportazh fascinues. Ai ka vizituar klubin Groodonia, ku mblidhen kryesisht serbë, maqedonë dhe boshnjakë dhe ku për çdo fundjavë nga Beogradi sillen këngëtare këmbëgjata të estradës së turbo-folkut të gërditshëm serb. Mes tyre mysafirja më prominente është Ceca, gruaja e kriminelit të luftës Zhelko Razhnjatoviq Arkan. Në anën tjetër të rrugës gjendet “Rinora4”, tempulli i të gjithë të rinjve shqiptarë, ku defilon shpesh Adelina Ismajli. Ballkanasit në Zvicër jetojnë kryesisht nëpër geto.

V.
Të vetmit që kanë shpërthyer geton janë – futbollistët. Kosovari Milaim Rama luan për kombëtaren e Zvicrës dhe për FC Augsburg, shqiptari nga Tetova Blerim Xhemajli për FC Zürich dhe shpresat e Zvicrës, Johan Berisha për Young Boys Bernë etj. Vjeshtën e kaluar, kur votuesit zviceranë hodhën poshtë një ligj për dhënien e shtetësisë të huajve, Berisha dukshëm i dëshpëruar kishte deklaruar: “Edhe mua më zemërojnë vozitësit e papërgjegjshëm dhe kriminelët, por për shkak të tyre nuk duhet të dënohen kombësi të tëra”. Sipas një studimi të bërë publik këtë javë, të huajt e gjeneratës së dytë, të cilët arrijnë të marrin shpejt shtetësinë, shpesh i tejkalojnë edhe bashkëmoshatarët e tyre zviceranë si në shkollim ashtu dhe në karrierë profesionale.

VI.
“Ata që ne i quajmë jugo janë serbë, kroatë, shqiptarë nga Kosova, sllovenë, boshnjakë, maqedonë apo malazezë me kulturë dhe histori të tyre, dhe ata duan që të perceptohen si të tillë. Një dëshirë legjitime, të cilët ne duhet ta respektojmë. Kjo më lehtë mund të thuhet se sa të bëhet. Sepse të paktë janë ata zviceranë që mund t’i dallojnë njerëzit nga ish-Jugosllavia sipas prejardhjes së tyre”, shkruan Lilli Binzegger, zëvendëskryeredaktore e “Folio”.

VII.
Të gjithë artikujt e botuar në “Folio” mbi njerëzit nga Ballkani në Zvicër janë ilustruar me fotografi shumë domethënëse të dy fotografëve profesionistë nga Prishtina: Alban Bujari (fotograf i “Kohës Ditore”) dhe Enisa Rashlanin Kasemi. Në shikim të parë punimet e dy autorëve nga Kosova koketojnë me klishetë e njohura për ballkanasit dhe njëkohësisht i luftojnë ato me mjeshtëri.

VIII.
Në vitet e 60-të, kur në Zvicër s’kishte shumë “jugosllavë”, vendasit i urrenin italianët, të cilët vinin nga Sicilia, Kalabria dhe krahina të tjera. Imazhi i italianëve ka ndryshuar thelbësisht me rrjedhën e viteve, Zvicra është italienizuar përmes kuzhinës (me pica dhe pasta) dhe stilit të jetës. Ballkanasit, së paku sa i përket kuzhinës, e kanë më vështirë. Qoftet dhe suxhuku tashmë njihen si specialitete ekzotike turke dhe orientale. Por, ka shumë fusha të tjera, përveç futbollit. Për shembull në ekonomi, shkencë, kulturë.

IX.
Zvicra shpesh është ballafaquar me aksione të politikanëve popullistë kundër të huajve. Deri më tani të gjitha referendumet dhe iniciativat për kufizimin e numrit të të huajve kanë dështuar. Në momentet vendimtare zviceranët kanë qene pragmatikë. Shpesh intelektualë si shkrimtari Max Frisch i kanë shtyrë zviceranët të mendojnë më racionalisht. Në vitet 60-të Frisch kishte trokitur në ndërgjegjen e bashkëkombësve të tij: “Një popull i vogël padronësh është duke e parë veten në rrezik: Këtu janë ftuar fuqi punonjëse, por kanë ardhur njerëz”. Këtë fjali s’mund ta injorojë asnjë politikan, askush.

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.2298510 sekonda, 24 pyetje