Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Revolta e Spacit
Anton Ashta

Postuar mė 24-5-2005 nė 10:28 Edit Post Reply With Quote
Revolta e Spacit

Në përkujtim të Revoltës së Burgut të Spaçit 21-23 Maj 1973
Revolta që tronditi botën
Nga Mimoza Dajçi, New York
Shumë ka vuajtur populli ynë, shumë kanë parë e dëgjuar ato mure të gurta brënda telave me gjëmba për afro gjysëm shekulli nën diktaturë. Dhe jo më kot bota e ka quajtur diktatura më e egër në Europë. Qindra e mijëra të rinj e të reja, njerëz të moshave të ndryshme u pushkatuan, burgosën dhe u internuan deri tek fëmijët e vegjël për një Shqipëri të lirë e demokratike.
Duke u kthyer mbrapa në histori, ku 32 vjet më parë me 21-23 maj të vitit 1973, shpërtheu fuqishëm nga të burgosurit politikë të Spaçit “Revolta e Spaçit”, një nga revoltat më të mëdha kundra rregjimit komunist në fuqi. Për herë të parë djemtë e shqipes guxuan dhe ngritën flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare pa yllin e kuq në krye brenda kampit socialist. “Poshtë diktatura”, “Europa është me ne”, “Niksoni do të vijë një ditë në Tiranë” (pak muaj më parë Niksoni dhe Kisingeri kishin qenë në Kinë dhe kishin deklaruar se do të shkonin edhe në Shqipëri), “Rroftë Europa e Bashkuar”, “Poshtë Komunizmi”etj, këto ishin disa nga parullat me të cilat të burgosurit e ndërgjegjes kishin shkruar nëpër pankartat që mbanin në duar apo në thirrjet kundra dhunës diktatoriale. Parrullat kundra pushtetit, ku vëllai po vriste vëllanë ishin mjaft të fuqishme sa që edhe malet e Mirditës e të Oroshit oshëtinin.
Këtë ngjarje e kujtojnë me dhimbje të madhe edhe vendasit e zonës përqark kampit famëkeq të Spaçit. Mbi 500 burra, shumica të rinj të moshës 20 deri 29 vjeç u bashkuan si një trup i vetëm për të kundërshtuar ligjet e kampit buknker, për kushtet e rënda të punës, për punën e papaguar, si dhe për izolimin e padrejtë që u bëhej nga jeta, familja e shoqëria. Miniera e Spaçit ishte krijuar për të izoluar brenda saj të gjthë ata të rinj të mençur e të fuqishëm dhe që në bindjet e tyre urrenin rregjimin komunist. Kjo ishte revolta e parë dhe e vetme që i doli jashtë kontrollit komandës së burgut, guardianëve dhe Ministrisë së Brenshme të asaj kohe, si dhe revolta më e madhe që ka njohur bota.
Pse vallë ndodhi një genocid 50 vjeçar në Shqipëri, pse u pushkatuan dhe u burgosën njerëz të pafajshëm, duke i izoluar nëpër biruca sikur të ishin kavje dhe kafshë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin të rinj, apo të shkolluar nëpër universitetet më të njohura të botës. Lufta e klasave ishte prezente kudo, vetëm e vetëm që diktatura me injorancën dhe shtazërinë e saj të mbijetonte dhe të triumfonte mbi njeriun e ditur dhe të kulturuar, mbi pronarin dhe fshatarin e varfër.
Dhe pas këtij kalari vuajtjesh e mundimesh do të vinte data 21 maj e vitit 1973 me Revoltën e Spaçit. Me këtë rast i bëj thirrje kineastëve shqiptarë le të ndalen tek ky moment i madh historik që ngriti krye dhe sfidoi klikën komuniste të asaj kohe.
Ja si do të shprehej i dënuari politikë Z. Caush Çoku, (njëri prej dëshmitarëve okularë të kësaj ngjarjeje) në linjë telefonike New York-Itali për gazetën “TemA”:- Diktatura kishte arritur kulmin e dhunimit dhe të drejtave njerëzore ndaj njeriut.
Të burgosurit nuk trajtoheshin si njerëz por si skllevër, kështu që askush nuk po duronte më këtë diskriminim të njeriut ndaj njeriut. Gardianët po kundërshtoheshin hapur nga të burgosurit, pasi ata na digjnin librat që ne lexonim si në gjuhën shqipe ashtu edhe ato në gjuhë të huaja, ata donin që ne të lexonim vetëm veprat e Enver Hoxhës, i cili kohëve të fundit “kishte një krijmtari të madhe”. Si dhe duke iu referuar situatës së ngjarjeve të viteve 72-73 të lëvizjeve në Europën e Bashkuar, pikërisht më 21 maj pas një incidenti të vogël që ndodhi mëngjesin e asaj dite në Kampin e Spaçit mes një të burgosuri dhe një gardiani, që unë në librin tim do ta quaja “Incidenti i vëllezërve Gjoka”, filloi edhe Revolta e Paharruar e Spaçit. Ndërsa në mbrëmje vonë protesta mori përmasa akoma më të mëdha, u dogjën fletushkat e këndet e emulacionit socialist, të burgosurit shpërthyen birucat dhe po mbanin pranë vetes mjetet më të rënda të punës. Në atë kohë sapo Feti Kumanaku grisi jorganin e tij që e kishte në ngjyrë të kuqe, unë i them Mersin Vlashit piktorit të burgut, pikturo të lutem sa më shpejt shqiponjën dy krenare dhe ta ngjisim sa më lartë që të jetë e mundur, për tu dukur edhe matanë këtyre mureve. Dhe pastaj vazhdoj duke i thënë shokëve të mi, jepini djema nuk kemi se çfarë të humbasim veç prangave. Dhe vërtetë ashtu ndodhi, në këtë proçes shumë emocionues dhe tepër të rrallë të asaj kohe u angazhuan Murat Marku dhe Naim Pashaj, ndërsa flamurin e ngriti lart dhe e valviti në qiell vëllai im Bedri Çoku. Dhe në vendin ku u vendos flamuri u vendosën dy roje nga pala jonë, Shuahip Ibrahimi dhe Ndrec Çoku.
Revoltës i dhamë ngjyra politike pasi edhe ne ishim të burgosur politikë. Me parrullat tona të fuqishme si “Poshtë komunizmi”, “Poshtë Diktatura”, “Rroftë Europa e lirë” etj, u bashkuan edhe pjesa tjetër e të burgosurve që ishin të mashtruar apo ish pjesë e nomenklaturës së kuqe. Dhe kjo situatë vazhdoi deri në mbrëmje të datës 23 maj deri kur forcat dhe përforcimet e policisë dhe ushtrisë rrethuan kampin me mjetet e tyre luftarake si tanksa, mitroloza dhe mjete të sigurisë së lartë duke na bërë thirrje për t’u dorëzuar dhe për të larguar nga vetja mjetet e rënda të punës, që për ata ishin armatimi ynë. Për tre ditë me rradhë komanda e burgut na preu ujin dhe ushqimin.
Dhe më pas Z. Çoku vazhdon:-
 Më vonë pas marrjes së situatës nën kontroll nga ana e sigurimit të shtetit filloi edhe raprezalja ndaj nesh. Me urdhër të qeverisë kishte ardhur për të bërë ndëshkimin ndaj nesh Ministri i Brendshëm i asaj kohe Feçor Shehu, Prokurori i Rrethit të Mirditës si dhe titullarë të tjerë të lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Sipas tregimit të Caush Çokut në atë kohë kur erdhi Feçor Shehu, filloi edhe një incident tjeter, mes këtij të fundit dhe një të burgosuri nga Mallakastra, Hajri Pashait, të cilin e pushkatojnë më pas edhe me tre nga protagonistët e tjerë të kësaj ngjarjeje, Dervish Bejko, Skënder Daja dhe Zef Pali. Këta u pushkatuan më datën 25 maj, tek Ura e Rrëshenit kur shkon për në Spaç. Ndërsa 25 të tjerët duke përfshirë edhe Caushin, vëllanë tjetër Bedriun e të tjerë u dërguan nëpër Gjykata të ndryshme të vendit me makina të përforcuara me ushtarë dhe policë dhe me Vendimet 48, 49 të Kuvendit Popullor ridënohen të dënuarit për agjitacion e propagandë kundra pushtetit popullor.
 Me 25 vjet u dënuan Bedri Çoku, Murat Marta, Feti Kumanaku, Pal Marku. Me 23-21-20 vjet u dënuan Caush Çoku, Hasan Hibo, Ndrec Çoku, Haxhi Bena dhe Dervish Sulo. Pjesa tjetër u ridënua me 17 vjet e poshtë, afërsisht u ridënuan 70 kryengritës të lirisë dhe “Armiq të Pushtetit Popullor”, gjyqet speciale të të cilëve u zhvilluan në Tiranë, Durrës dhe Mirditë.
Në kujtimet e tij Z. Çoku, shton se:- Me pushkatimn e shokëve tanë më trima dhe të vendosur në luftë kundra komunuzmit u njohëm nëpërmjet fotografive të tyre që u ishin bërë pas ekzekutimit dhe që na i tregoi në Hetuesinë e Tiranës, hetuesi Florian Koloneci, duke na thënë: “se edhe ju do të pësoni fatin e këtyre”.
Caush Çoku ish i burgosur politik në Shqipëri jeton e punon në Romë, Itali që nga viti 1991, kohë kjo kur ai u largua nga vendi si shumë shqiptarë të tjerë me anijen “Panama” duke vënë në rrezik edhe jetën e tij, pasi gjatë udhëtimit për në brigjet e Puljes anija kishte pësuar një difekt të rëndë. Edhe vëllezërit e tij Esat e Bedri Çoku kanë qenë të dënuar politikë dhe kanë vuajtur nëpër burgjet e kampet e punës me dënime kapitale.
Esat Çoku gjatë kohës së Qeverisjes Demokratike në Shqipëri ka qenë Deputet i Partisë Demokratike, ndërsa Bedri Çoku ka qenë Nëndrejtor i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë.
Revolta e Spaçit vitet e fundit po përkujtohet çdo vit në Shqipëri, këtë vit me 21 Maj, Shoqatat e të Përndjekurve Politikë në Tiranë dhe në rrethe si dhe “Shoqata e Grave ish të Burgosura dhe të Përndjekura Politike të Shqipërisë” me Kryetare Zj. Marie Dvorani Medicina dhe Fondacioni “Musine Kokalari” me Kryetar Z. Agim Musta organizuan një tubim në një nga mjediset e Muzeut Historik në Tiranë.

temA





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 21-5-2009 nė 08:43 Edit Post Reply With Quote
21 Maji, dita e flamurit pa yllin e komunizmit…. PDF Print E-mail
Written by Gazeta SOT
Wednesday, 20 May 2009 14:55
Nga Bedri ÇOKU
Po afron 21 Maj, dita kur shpërtheu një nga ngjarjet më të bujshme antikomuniste, Kryengritja e të Burgosurve Politikë, në burgun e Spaçit. Por absurdi i këtyre 18 viteve ka qenë dhe është sepse, kjo ngjarje, e vetmja në të gjithë historinë e kampit komunist, jo që nuk është përkujtuar zyrtarisht nga Shteti Demokratik, qoftë edhe formalisht, por me format tashmë të njohura dhe deklarimet se demokracinë në Shqipëri e sollën komunistët e devotshëm, me Ramiz Alinë në krye, ka bërë që antikomunistët e vërtetë që u vranë, u burgosën apo u internuan me dekada të tëra dhe fëmijët e tyre që iu nënshtruan luftës së pamëshirshme të klasës sot denigrohen, fyhen apo më e keqja, detyrohen të heshtin ose mundësisht edhe të shpifin kundra kësaj ngjarjeje, e cila, në një farë mënyre, vendosi dinjitetin kombëtar me ngritjen e Flamurit, pa yllin, simbolin e komunizmit. “More, Bedri, më thoshte një ditë një nga protagonistët e famshëm të Kryengritjes, pikërisht, Luan Burimi, i cili jeton në emigracion, si ore nuk dëgjova apo nuk lexova diçka gjatë këtyre viteve ku të thuhej të paktën se në kohën e diktaturës ka pasur dy vetë, apo ja, pesë, që e kundërshtuan atë regjim antinjerëzor, antikombëtar. Në fund të fundit është krenari kombëtar që bota, e cila na monitoron, të mësojë se ka pasur edhe shqiptarë që e kanë urryer komunizmin. U çanë gazetat dhe mediat vizive duke treguar vetëm bëmat dhe heroizmat e diktatorëve e të krimineleve në Shqipëri.
Sikur ende vazhdojnë mbledhjet e Byrosë Politike në Komitetin Qendror me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Sulo Gradecin, Hysni Kapon... të cilët po grinden, po shamatosen për zhvillimin me konseguencë të luftës së klasave, fytyrat e shëndetshme e me pamje artistike të të cilëve i shohim përditë në faqet e gazetave e të ekraneve. Marrëzisht po pyetet populli ende se me cilët janë e, kë preferojnë më shumë, Enverin apo Ramizin, Mehmetin apo Kadriun...? Skandal i vërtetë! Turp!...Nuk dëgjojmë në asnjë vend, as nuk shohim në asnjë ekran cilat kanë qenë përmasat e diktaturës në Shqipëri, ç’formë pati ajo dhe sa njerëz të pafajshëm mori në qafë, sa intelektualë, artistë, shkrimtarë dhe shkencëtarë u zhdukën ose u burgosën për të vetmen arsye se nuk përshtateshin me administratën injorante dhe xhahile të regjimit, ngaqë ishin intelektualist më lart e me histori familjare kryekëput ndryshe nga ç’parapëlqente diktatura. Të lihet përshtypja sikur në ’92-shin u rrëzuan bustet dhe u dogjën vetëm ca makina. Kaq.
Ndërsa në planin politik e moral, Shqipëria vazhdon të nanuriset ende me figurat politike që brumosi Partia, Enveri dhe Ramizi. Si mund të shkohet në Evropë kur njerëzit e masakruar nga diktatura ndodhen ende moralisht dhe ekonomikisht në statusin e ’90-’91-shit, ndërsa njerëzit e nomenklaturës komuniste, fëmijët e familjaret e tyre, që populli në ato vite i rrezoi nga karriget e pushtetit të përgjakur, sot janë “bosët” e Shqipërisë e të Ballkanit?” Kjo ishte ligjërata e mikut tim, i cili ndien dhimbje për njerëzit që vuajtën në Diktaturë dhe fatkeqësisht gjenden ende pa asnjë mbështetje morale, politike dhe ekonomike. Pas 18 vjetësh postkomunizëm mund të thuhet me të drejtë: Ku ishe, asgjëkund! Çfarë bëre, hiçasgjë! Ata që u tretën burgjeve e internimeve, që vuajtën dhe punuan në kushtet e skllavërisë komuniste, jo vetëm që nuk janë shpërblyer kurrë për çka u takonte ligjërisht për punën e pa paguar, por nuk dëgjuan qoftë edhe një fjalë të ngrohtë e vlerësuese, nga ata që morën pushtetin, premtuan në emër të lirisë e të demokracisë... 21 Maj i vitit 1973 më siguri që kjo datë, në një vend tjetër ish komunist, do të ishte përkujtuar si një ngjarje e Madhe e Dinjitetit Kombëtar, si një nga kryengritjet më në zë kundra diktaturës komuniste, e cila ashtu siç u organizua dhe u realizua pati një jehonë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare. Ngjarje, e cila tregoi edhe një herë se edhe diktatura më e egër në botë, nuk arrin dot ta mposhtë kurrë një popull, i cili e do atdheun e tij e do lirinë dhe demokracinë...
21 Maji i vitit 1973 ishte një “klithmë” kundra regjimit, i cili me vendim të Byrosë Politike të asaj kohe, deklaroi botërisht se nuk do të bashkohej kurrë me nismën paqësore të të gjitha vendeve të Evropës, Sigurimin dhe Bashkëpunimin Evropianë, ishte thirrje jo vetëm për shqiptarët brenda e jashtë atdheut që të bashkoheshin kundra “mynxyrës” që po përgatisnin komunistët për Shqipërinë, pikërisht “baballarët dhe gjyshërit” e socialisteve të sotëm, por edhe shteteve të mëdha e demokratike për ta ndihmuar Shqipërinë të çlirohej nga kthetrat e komunizmit antinjerëzor... Me këtë rast, në emër të të gjithë atyre që u flijuan dhe u sakrifikuan për çështjen e madhe të çlirimit të Shqipërisë nga kuçedra komuniste, u bëj thirrje shqiptarëve që e ndiejnë veten krenarë për këtë Ngjarje, kudo që ndodhen, që ta përkujtojmë 21 Majin, ditën e Flamurit Kombëtar pa yllin komunist.... me një minutë zi për katër heronjtë e asaj beteje të përgjakshme, emrat e të cilëve, pavarësisht se asnjë Qeveri e Pluralizmit Demokratik nuk është kujtuar për memorialin e tyre, le ta bëjmë atë të gjithë së bashku: Të shqipërojmë emrat e Skënder Dajës, Palë Zefit, Hajri Pashajt, Dervish Bejkos.... deri sa të vijë DITA E MEMORIALIT TE MADH KOMBËTAR! LAVDI HERONJVE ANTIKOMUNISTË!





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0607901 sekonda, 26 pyetje