Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Velaj, familja qė i mbijetoi shfarrosjes komuniste
AGRON RUMI

Postuar mė 27-6-2005 nė 23:29 Edit Post Reply With Quote
Velaj, familja qė i mbijetoi shfarrosjes komuniste

Kush është djali vlonjat që mori rrugët e mërgimit menjëherë pas çlirimit të vendit tonë


Selahedin Velaj ka lindur në qytetin e bukur dhe bregdetar të Vlorës. Edhe pse ai ka vizituar shumë qytete dhe vende të botës, për të Vlora mbetet qyteti më i bukur dhe më i dashur. Ai vjen nga një familje me tradita patriotike dhe atdhetare. Ata ishin katër vellezër dhe një moter. Në Vlorë ka kaluar fëmijërinë dhe rininë. Aty ka kryer shkollën fillore, deri në përfundim të shkollës se mesme, ku ka spikatur për rezultate të shkëlqyera. Duke iu bashkuar grupit të të rinjve së bashku me Mit’hat Frashërin, në fundin e nëntorit 1944 anëtarët e KQ të Ballit e bashkë me nacionalistë të tjerë u nisën, në Itali. Pas disa vitesh, Selahedin Velaj emigroi në Kanada dhe në vitin 1954, në SHBA. Ndërkaq, në Shqipëri vëllai i tij i madh, Hulusi, i cili në atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës Kombëtare në Vlorë, u akuzua nga regjimi komunist si bashkëpunëtor me amerikanët. Për këtë akuzë ai u pushkatua në moshën 38-vjeçare. Vëllai tjetër, i mesmi, Petriti, vuajti 37 vjet në burgjet dhe fushat shfarrosëse. Është quajtur si i burgosuri Nr. 2 me gjatësi burgimi pas Mandelës së Afrikës, ku më vonë Vlora i dha titullin "Mandela i Shqipërisë". Ndërsa vëllai tjetër i vogël, Fehmiu vuajti me tepër se 15 vjet burg, ku në trupin e tij u përdorën torturat nga më çnjerëzoret. E gjithë familja dhe fisi i tij ka qenë në “shënjestrën” e regjimit komunist.

INTERVISTA/ Flet vëllai i “Mandelës” shqiptare, Selahedin Velaj: “Rrethanat që më detyruan të braktis gjithçka”

Jeta amerikane e një antikomunisti

Cilat ishin vështirësitë e emigrantit politik. Ingranimi në jetën perëndimore dhe ndihma për bashkëatdhetarët

Pierre-Pandeli Simsia

New York

“Jeta nuk rrjedh gjithmonë si uji i mullirit”. Ai që e thotë këtë shprehje ia di mirë kuptimin, jo thjesht si një aforizëm, por e ka provuar mbi vete. Selahedin Velaj ka të drejtë që e thotë këtë. Jeta e tij nuk ka patur asgjë të përbashkët me ujin e mullirit. I emigruar për arsye politike që pas çlirimit të vendit, atij i është dashur një sakrificë e jashtëzakonshme për t’u integruar në jetën e re, fillimisht në Itali dhe më pas në Amerikë. Megjithatë, edhe pse shumë shpejt triumfoi duke u bërë një akademik dhe doktor i shquar, pengu më i madh ishin familjarët e tij. Njëri pas tjetrit, ata që mbanin mbiemrin Velaj në Vlorë, nisën të persekutoheshin, ku fatin më të keq e patën të vëllezëit, një i pushkatuar, tjetri i burgosur me 37 vjet dhe më i vogli me 15 të tjera. Por ndërkohë që familja po i masakrohej dita-ditës nga regjimi kominist, vetë Selahedini iu përkushtua çështjes shqiptare në Amerikë, duke ndërhyrë në zgjidhjen e shumë problemeve. Të gjitha këto, doktori i madh ka vendosur që t’i rrëfejë më poshtë nëpërmjet kësaj interviste.

Doktor, mund të na thoni ju lutem, cilat ishin arsyet që ju u larguat nga atdheu?

(Psherëtin) Pyetje shumë prekëse. Jeta nuk rrjedh gjithmonë drejt si uji i mullirit. Ajo ka kthesat dhe të papriturat e saj. Me rrëzimin e boshtit Nazi-Fashist, ai regjim barbar u zëvendësua me një regjim më të tmerrshëm që ka parë historia dhe populli shqiptar, regjimi komunist i Hoxhës. Meqenëse aleatët u vendosën në Yalta, me qëllim që Ballkani të mbetej në influencën e Sovjetikëve, për nacionalistët nuk kishte rrugë dalje tjetër, veçse të largoheshin përkohësisht nga atdheu. Komiteti Qendror i Ballit Kombëtar, që ishte vendosur me seli në Shkodër me në krye Mit'hat Frashërin, vendosi të largohej për në Itali. Kështu, në fundin e nëntorit 1944 anëtarët e KQ të Ballit, e bashkë me ta edhe një grup të rinjsh të tjerë nacionalista, u nisën në Itali.

Pas pak vjetësh, unë me disa të rinj të tjerë emigruam në Kanada dhe në vitin 1954 erdhëm në SHBA.

Si ishte jeta juaj në emigracion dhe si arritët të vazhdonit shkollën e lartë?

Duke qenë se arsyeja e lënies së atdheut ishte politike dhe jo ekonomike, nuk m'u duk e arsyeshme mënyra, se si pjesa më e madhe e të rinjve në atë kohë iu futën punës dhe mjeshtërisë së kamerierit. Megjithëse një pozitë e tillë prodhonte të ardhura të mira në atë kohë, pothuajse edhe sot, unë nuk u influencova nga të ardhurat. Ëndrra dhe dëshira ime e madhe ka qenë shkollimi dhe vazhdimi i shkollës. Sapo erdha në Amerikë fillova studimet në "Rosevelt High School" dhe pasi e kryeva me sukses, u regjistrova në një prej instituteve më famë "City College" degë e universitetit të qytetit të Nju-Jorkut. Nga ai institut kanë dalë studentë të shkëlqyer, të cilët më vonë me punën e tyre fituan famë në Amerikë në fusha të ndryshme. Ky institut atëherë ishte "On a par" me Universitetin e Kolumbias. Pas tre vjet studime u diplomova me titullin Bachelor of Sciences, "CUM LAUDE", duke u përqendruar në shkencat ekonomike dhe financiare.

Pas mbarimit të këtyre shkollave u hapën edhe dyert për të punuar në profesionin tuaj?

Sigurisht! Dyert u hapën me oferta punësimi profesional, sidomos kompanive të ndryshme financiare. Duke qene se në vetvete kisha prirje ekonomike-financiare, fillova ta ushtroj këtë profesion në të njëjtën kompani për 35 vjet. Megjithëse suksesi është gjithmonë relativ, ëndrra ime u plotësua më së miri. Gjithmonë kam qenë kërkues ndaj vetes. Për t'u specializuar në fushën financiare frekuentova "The American College of Life Underwriters" dhe pas katër vjetësh mora titullin akademik "C.L.U.". Më vonë, me kalimin e kohës, megjithëse i zënë me punë dhe me profesionin tim, e gjeta kohën për të vazhduar kurse të ndryshme financiare. Kështu me punën dhe vullnetin tim arrita të bëhem anëtar i "The International Ascociation of Registered", Financial Plamers. Inc. Këtë vit m'u ofrua anëtarësia në "National Registered's WHO'S WHO in Exelutive & Professional”, duke më nderuar, që emri im të regjistrohet në librin e posaçëm për vitet 2005-2006.

Doktor! Ju mbani titullin akademik. Mund të na flisni pak më tepër ju lutem?

Patjetër! Unë kësaj pyetjeje do t'i shtoja shprehjen popullore: "Ku nuk rrjedh do pikojë" Siç e thashë edhe më siper, dashuria dhe vullneti për të mësuar nuk më kanë munguar asnjëherë, jo vetëm për veten time, por kam pasur një dëshire dhe iniciativë për t'u ardhur edhe të tjerëve në ndihmë. Nisur nga këto për sa po ju flas, mora iniciativën të regjistrohem në Universitetin Oriental në Napoli, Itali. Kështu, në vitin 1972 mora titullin: Akademik Doktor Filozofie me rezultatin shkëlqyeshëm 110/110. Duke marrë shembull veten time dhe të të tjerëve si miq dhe dashamirës të arsimit, në vitin 1965 kryesova me një grup arsimtarësh, duke hapur shkollën shqiptare në Nju-Jork. Rezultati i shkollës prej 100 nxënësish në atë kohë ishte i kënaqshëm. Dhashë i pari shembullin tim, duke regjistruar në atë shkolle dy djemtë e mi, të cilët jo vetëm u rriten më kulturën dhe traditën e bukur shqiptare, por që edhe e flasin mjaft mirë gjuhën e babait të tyre.

Ju ndër shokë dhe miq, si dhe në pjesën me të madhe të komunitetit tonë këtu, njiheni si njeri aktivist, antikomunist i flaktë dhe atdhetar i madh. Do ishte në interesin e të gjithëve të dinim pse karakterizoheni si i tillë?

Po hyni shumë thellë në ndjenjat e mija me këtë pyetje, që edhe pse jam në këtë moshë, po më lëndohet shpirti im, për atë çfarë i bëri rregjimi komunist shqiptar familjes sime. Nuk ka njeri në botë të tregojë atë barbarizëm të regjimit gjakatar të Hoxhës, përveç atyre që e vuajten mbi shpinë atë barbarizëm. Edhe TULE KUANI konsiderohet më pak barbar se Enver Hoxha. Regjimi gjakatar i Enver Hoxhës, sapo mori fuqinë e shtetit shqiptar në dorë, filloi të persekutojë (siç dihet) intelektualët dhe personalitetet me të njohura në Shqipëri. Vëllai im i madh, Hulusi, i cili në atë kohë ishte nëndrejtor i Bankës Kombëtare në Vlorë, u akuzua nga ai regjim si bashkëpunëtor ose kolaboratorist me amerikanët dhe për këtë akuzë, u pushkatua në moshën 38-vjeçare. Vëllai tjetër, i mesmi, Petriti vuajti 37 vjet në burgjet dhe fushat shfarrosëse. Është quajtur si i burgosuri Nr. 2 me gjatësi burgimi pas Mandelës së Afrikës. Vlora trime dhe heroike i ka dhënë titullin "Mandela i Shqipërisë". Vëllai tjetër i vogël, Fehmiu vuajti me tepër se 15 vjet burg, ku në trupin e tij u përdorën torturat nga më çnjerëzoret. Pra, siç po e dëgjoni edhe vetë, ai regjim barbar më shuajti pothuajse gjithë familjen time.

Mund të na thoni ndonjë detaj të rëndësishëm nga jeta juaj gjatë aktiviteteve për mbrojtjen e çështjes shqiptare dhe të shqiptarizmit në përgjithësi?

Një nga këto që kërkoni ju është edhe kjo: në vitin 1977 me rekomandimin e një miku, përsonalitet republikan, unë, i shoqëruar nga i përndershmi Arthur Liolin, Kancelar i Kishës Ortodokse Shqiptare, si dhe me editorin e "Diellit", zotin Xhevat Kallajxhiu shkuam në Washington dhe u takuam me senatorin e shtetit të Connecticut, zotin Lowell Weichler.

Arsyeja e kësaj vizite ishte të njoftonim senatorin për shqetësimin tonë dhe të gjithë shqiptarëve, gjendjen kritike të popullit të Kosovës nën regjimin terrorist serb.

Senatori, pasi na dëgjoi me vëmendje, e vlerësoi takimin tonë me të. Menjëherë lëshoi një deklaratë zyrtare në shtetin e Connecticut, me titull: "Titua flet në të dy anët e gojës, prandaj nuk duhet besuar". Gjithashtu, ky senator na krijoi mundësinë të hynim e të bisedonim për shqetësimin tonë edhe në Departamentin e Shtetit. Edhe atje kur shkuam na mirëpritën, duke na dëgjuar me vëmendje për gjithë ato shqetësimet tona dhe ccështjen shqiptare, që në i parashtruam atje.

VLERËSIMI/ Si e njeh diaspora jonë në SHBA të larguarin për arsye politike nga Shqipëria që në rini

Kur emigranti bëhet doktor me famë dhe Nderi i Kombit

Për shumë kohë emri i tij u ndalua të gërmëzohej në Shqipëri. I shpallur si “armik” nga regjimi komunist, jo vetëm Selahedin Velaj, por gjithë të afërmit e tij do të ishin në qendër të persekutimeve të gjata, deri gati në shfarosje të mbiemrit. Megjithatë, dhimbja dhe malli do ta bënin më të fortë atë. I emigruar në vitin 1954 në “tokën e premtuar”, vit pas vit, jo vetëm shqiptarët, por e gjithë bota do ta merrte vesh se kush është në të vërtetë djali nga Vlora.

Vlerësimi

Selahedin Velaj! Emër i nderuar dhe i respektuar. Nuk besoj se ka njeri sot në komunitetin tonë të mos e njohë këtë emër. Veprimtar i zjarrtë, antikomunist dhe atdhetar i flaktë që gjithë jetën në emigracion ia ka kushtuar çështjes shqiptare dhe mbrojtjes së saj. Të njihesh me të është një fat dhe privilegj i madh, sepse ky njeri me "magjinë" e tij ta largon druajtjen dhe emocionin, nëse të kanë pushtuar në ato çastet e para të takimit me të.

Gjatë bisedës me të nuk ke si të heshtësh, kur mëson jo vetëm për veprimtaritë e tij atdhetare, por ajo që të trishton me tepër është se si regjimi komunist shqiptar i shuajti pothuajse gjithë familjen e tij në Shqipëri. Antikomunizmin dhe dashurinë për Shqiperinë dhe shqiptarët, Dr. Velaj ka ditur ta brumosë edhe tek bashkëshortja e tij, Rina, një grua intelektuale me kulturë të lartë si vetë bashkëshorti, si dhe dy djemtë e tij, Drini dhe Leka, njëri mjek dhe tjetri biznesmen i suksesshëm.

Si e njeh diaspora

Selahedin Velaj nuk është vetëm babai i dy djemve, ai është njeriu i dashur dhe i nderuar për gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë. Ai është biri i shtrenjtë i shqiptarisë, sepse gjithë jetën e tij në emigracion nuk ka pushuar asnjëherë së shkruari, së punuari dhe së ndihmuari për çështjet e mëdha të kombit tonë. Para disa viteve z.Velaj shkruajti një libër për Social Security, duke u ardhur shqiptarëve në ndihmë për të patur njohuri më të gjera në sistemin ekonomik shoqëror. Me interes ishte edhe broshura "Testamenti", duke sjellë njohuri me ligjet federale dhe shtetërore amerikane në lidhje me testamentin. Këto libra doktori i nderuar i ka shpërndarë falas gjithë shqiptarëve, shoqatave bamirëse (jo fitimprurëse) dhe institucioneve fetare në SHBA. Dr. Velaj është simboli i diasporës shqiptare në SHBA. Rënia e komunizmit në Shqipëri ishte ëndrra e tij, që siç e thotë edhe vetë: "Nuk mund të ikja nga kjo jetë pa e parë të çliruar vendin tim nga vampiri komunist".

Kthimi

Me ardhjen e demokracisë, ai i kthye në Shqipëri me një mision humanitar, duke ndihmuar popullin dhe vendin e tij të vuajtur me ato ndihma që ia lejonte mundësia e tij financiare. Dr. Velaj ia arriti qëllimit me ndihmat që kapnin shumën e dhjetëra mijë dollarëve, mes atij korrupsioni dhe varfërisë që kalonte vendi ynë në ato vite... Ai është një intelektual që zotëron disa gjuhë të huaja. Ka qenë dhe është kërkues ndaj vetes dhe të tjereve. Ka pasur një etje të madhe për të studiuar, etje të cilën e trashëgojnë edhe dy djemtë e tij. Në biseda të ndryshme me njerëz që njohin Dr. Selahedinin të thonë në konfidencë se ai njeri është nderi i kombit tonë. Njerëz të tillë si ai ka edhe të tjerë në komunitetin tonë, patriotët e vërtetë, emigrantët e hershëm politikë. Gjithashtu Dr. Selahedinin e njohin edhe si vëllai i Mandelës Shqiptare, pas Mandelës së Afrikës. Jo vëllai i atyre të vetëquajtur Mandela, por i Mandelës së vërtetë shqiptare. Megjithëse ky është fakt, doktori asnjëherë nuk është munduar ta shfrytëzojë këtë për interesat e tij.

BOTIMET/ Cilat janë disa nga librat që mbajnë autorësinë e akademikut të njohur

Arti i një shqiptari për shqiptarët

TIRANË – Veçse një doktor, akademik dhe atdhetar i flaktë, Selahedin Velaj është autor i shumë shkrimeve nëpër gazeta të ndryshme në Amerikë, si dhe i librave personalë. Para disa viteve ai ka botuar një libër të vogël mbi të drejtat që u takojnë shqiptarëve në SHBA, prej sistemit ekonomik shoqëror "Social Security". Vitin që kaloi, pra në vitin 2004, u botua "Testamenti", për të cilin shkruajti edhe gazeta “Ilyria” në diasporën e Amerikës. Gjithashtu, është edhe një libër tjetër prej 100 faqesh, i cili u vjen në ndihmë të rinjve që nderojnë profesionin. Libri stërvitës është shkruar në shqip, i cili mund të përdoret në Prishtinë dhe në Tiranë. Ndërkaq, Velaj ka shkruar edhe një libër tjetër humoristik dhe sarkastik me titull: "The Plastic Tongue". Ky botim flet për pjesën më të madhe të amerikaneve, si njerëz pa kurrfare shije për ushqimin. Libri tregon se çdo gjë ka përparuar në Amerikë, me përjashtim të artit kulinar, sepse për shumicën e amerikanëve çdo ushqim është "delicious", pasi gjuha e tyre "plastike" nuk e dallon shijen e mirë dhe të keqe të ushqimit. Një tjetër botim i fundit është edhe rasti i albanologut të ri japonez, Prof.Dr. Kazuhiko Yamatos. Ky njeri i nderuar e ka autorizuar dr. Velajn që të përkthente veprën e tij mbi kanunin, që është i një rëndësie të madhe. Megjithëse pati pak lodhje në përkthimin e këtij libri, sepse i duhej të "shtrydhte" më se gjashtëqind mijë fjalë në gjuhën angleze në gjashtëdhjetë mijë fjalë në gjuhën shqipe, Selahedin Velaj ia ka dalë mbanë. Libri i përkhyer "Struktura etike e kanunit dhe nënkuptimi i saj kulturor", sapo ka dalë nga shtypi në muajt e parë të vitit 2005. Meqënëse ky libër ka vlera të larta, ai ka menduar që ta përkthejë edhe në gjuhën italiane. Një libër tjetër që ka përgatitur për shtyp është një vepër e shkrimtarit të njohur spanjoll Pio Baroja. Ky autor përshkruan aventurat e një të riu, Vaskes dhe titullohet: "Zalacain El Aventureco".

DITA

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member
Anton Ashta

Postuar mė 28-6-2005 nė 21:45 Edit Post Reply With Quote
Respekt, respekt, respekt!

Te falenderoj shume per kete artikull!





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0865059 sekonda, 26 pyetje