Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: URAN BUTKA TASHME NE ROLIN E TREGIMTARIT REALIST
Valter bejkova

Postuar mė 18-7-2005 nė 18:52 Edit Post Reply With Quote
URAN BUTKA TASHME NE ROLIN E TREGIMTARIT REALIST

Shënime për vëllimin me tregime të Uran Butkës "Humbja nuk është mbarimi"

Humbja nuk është mbarimi, por fillimi i një dashurie të re

Miranda Haxhia


I sigurtë dhe me merakun se nuk i ka thënë të gjitha tek libri "Ringjallja"; pasi ka krijuar shtratin për panoramën historike te libri "Kthimin e Mit'hat Frashërit"; krijon një hartë të plotë dëshmish historike të pathëna më parë me librin "Mukja - shans i bashkimit, peng i tradhëtisë", kërkon e i sjell lexuesit të kualifikuar librin madhor "Gjeniu i kombit"; këmbëngul për të na përballur me "Vdekjen e bardhë" në 2001; bindet se ka ardhur koha të shkruajë historinë e atit të tij, "Safet Butka"që i kalon kufijtë e një biografie të thjeshtë kalimtare, po të një figure madhore të kulturës e të shkollës shqiptare, të një filozofi e studiuesi, të një lideri e luftëtari të Luftës së Dytë Botërore, të një "Krishti të Shqipërisë"- siç e quan Skënder Luarasi.

Të gjithë këta katalizatorë të fuqishëm të ndërgjegjësimit e moralit të lartë intelektual na bindin të ndjekim mbrritjen e tij në destinacionin psikologjik, shpirtëror, social, një oaz i përkohshëm qëndrimi mes figurave, prozës, fabulave, trillimit e përvijimit artistik me vëllimin "Humbja nuk është mbarimi" botim i shtëpisë botuese "Drier"

Shtatëmbëdhjetë tregime të vëllimit të ri me tregime të Uran Butkës, nuk mjaftojnë për të konfirmuar qëndresën dhe moralin e lartë të njeriut i cili kaloi nëpër ferrin komunist. Ai është i tillë që gjithë varret gërmadhë i bën të gjallë, me vullnetin e tij, pasi ka kuptuar se veç ku ka vdekje ka ngjallje. Megjithatë, janë mjaft për të theksuar cilësinë dhe mënyrën me të cilën autori ka ravijëzuar personazhet duke i ngritur ato artisitkisht, njëkohësisht duke i lënë me identitetin e privatësinë e vet. "Një jetë", "Fjalë të nëndheshme", apo "Bibla" mbajnë brenda tyre fjalën e njërës prej personazheve, Sabihasë, para vdekjes: - tani jam gati! Atje ndodhet ishulli i varreve, ishulli i heshtur që autori e bën të flasë, atje janë edhe varrat e rinisë së autorit, atje ku me armën e fortë të tregimit kërkon të çojë kurorën e gjelbër të jetës. Kjo është filozofia e grupit të parë të tregimeve, ku me një gjuhë të pastër e kurajo të kthjellët, autori risjell para nesh copëza të një realiteti të vrarë, të vdekur dhe ngjallur mes artit të narrativës së tij për të mos harruar kurrë, edhe pse mes humbjes së një kohe, ai sjell mos- harrimin, këmbanën e dëshiruar të kujtesës. Duke lexuar tregimet e Uran Butkës ndihet qartë dhe kthjellohet mendimi që atij vetëm një gjë nuk ia ka varrosur e nuk ia ka prekur koha, atë forcë të madhe e cila është në gjendje të thërmojë edhe shkëmbinjtë në rast nevoje, vullnetin. Këtë vullnet ai e mbart me vete duke kapërcyer fillin e librave të tij historikë që i paraprijnë këtij botimi; këtë vullnet të dukshëm për tu mbajtur fort në rrënjët e të patjetërsueshmes, shpirtit të shpëtuar gjallë prej diktature, ai e ka përzjerë mrekullisht me artin gjuhësor dhe imagjinatën e domosdoshme që e ka çuar drejt destinacionit të fundit, tregimit. Ideja se nuk është lartësia e tmerrshme, por është përkulja, ku syri bie poshtë e dora kapet lart, kur zemra drithëron para vullnetit të dyzuar është thërmuar në copëza jete, në histori të risjella, të rindërtuara mbi themele të qarta e mbi bazament të qëndrueshëm letrar.

Linja tjetër e tregimeve sjell formën e karakterit njerëzor me dy skajet e përvijuara: njeriun e mirë, dhe njeriun i cili ndryshon formë sipas kohës. Në tregimet e tij Uran Butka është prozator, analist, vëzhgues dhe përjetues situatash. Pas tregimeve të tij, shikojmë mjerimin, sidomos në karakterin njerëzor dhe ndryshimet e amoralin e shumë njerëzve. Syri i vëzhguesit të hollë, i përshkrimit të hollësishëm të sfondit të një shoqërie mbijetuar hidhur në diktaturë,i ngjashëm me Sollzenicinin, përcjellja e fabulës deri në grotesk janë forma të zgjedhura për të ndërtuar tregime të bukura si "Lugja", apo "Turpi" e për të mos i renditur të gjitha, deri tek "Erë me shi". Ai nuk ndërton personazhe klishe, modele të njëjta, stereotipe, ai lëviz sipas shpejtësisë së dalldisë letrare, sipas thellësisë së filozofisë që ka akumuluar, sipas gjerësisë së jetës e cila fillon që nga qyteti i vogël verior e përfundon në sallone pritjesh, apo rrugë protestash.

Një gjuhë e qëruar, një frazë e kujdeshme, një përmbajtje dhe shpërthim situatash, një ngjeshje e lëndës i bën tregimet të qëndrueshme, me bazament të fortë e të gjërë edhe për përvijime të mëtejshme duke i shfrytëzuar si shtrate romanesh (p.sh. "Një jetë").

Veprimtaria e tij politike, pozicionimi i tij si i djathtë, nuk e ka dëmtuar artistikisht, në qëndrimet, paralelet dhe pikëvështrimet sociale ai përqëndrohet dhe ngul merakun e tij si shkrimtar në anën e vuajtjes së bukur, të atij që është për tu dashur, për tu shpëtuar. Duke perifrazuar Niçen që thotë : "Vetëm kur të më mohoni të gjithë, do të dua të kthehem tek ju. Vërtet, me sy të tjerë, o vëllezër, do të kërkoj atëhere të humburit e mi, me një dashuri tjetër do t'ju dua."

Përfundoj se Uran Butka ka arritur të gjejë së fundi sytë e domosdoshëm me të cilët ai sheh veten, të tjerët, kohën dhe i do me një dashuri tjetër, me artin e krijimtarisë së tij, me letërsinë e tij. Ndaj "Humbja nuk është mbarimi", por fillimi i një dashurie të re, atë që ta siguron vetëm lexuesi.


RD

View User's Profile View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0677881 sekonda, 24 pyetje