Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: SKENDERBEU PERKUJTOHET NE KONGRESIN AMERIKAN
AGRON RUMI

Postuar mė 29-10-2005 nė 00:14 Edit Post Reply With Quote
SKENDERBEU PERKUJTOHET NE KONGRESIN AMERIKAN

600-vjetori i lindjes së Skënderbeut,rezolutë në Kongresin Amerikan

Dy anëtarë të Kongresit Amerikan, demokrati Tom Lantosh dhe republikani Dana Rohrbaker i paraqitën të premten Dhomës së Përfaqësuesve një rezolutë për nder të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut. Është hera e parë që në Kongresin Amerikan paraqitet një dokument i tillë, i cili përkujton Skënderbeun si burrë shteti, diplomat dhe gjeni ushtarak, si dhe rolin e tij në shpëtimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi osman.

Projektrezoluta, e paraqitur në Kongres me ndihmën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, përshkruan me hollësi rolin e Skënderbeut në mposhtjen e ushtrive osmane para dyerve të Evropës, duke e shpëtuar kontinentin nga pushtimi. Meqenëse në Shtetet e Bashkuara nuk dëgjohet të flitet shumë për Skënderbeun, kjo projektrezolutë është një përpjekje për t'i njohur amerikanët me rolin e tij 6 shekuj më parë.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Dana Rohrbaker, një nga kongresmenët që paraqitën rezolutën, tha: “Skënderbeu, kjo figurë historike, ndali përparimin turk drejt Evropës Perëndimore, duke ndryshuar historinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Unë kam propozuar që Kongresi Amerikan të përkujtojë 600- vjetorin e lindjes së Skëndërbeut në mënyrë që ne të njohim rolin e rëndësishëm që ai luajti jo vetëm në historinë shqiptare, por edhe në historinë e krejt qytetërimit Perëndimor. Skënderbeu udhëhoqi popullin shqiptar kundër pushtimit osman të Evropës duke shpëtuar Perëndimin, prandaj ne duhet t'i shpërblejmë shqiptarët për këtë, të ndihmojmë Shqipërinë të përparojë në familjen e kombeve, si dhe që populli i Kosovës të gëzojë të drejtën për të vendosur për fatin e vet me anë të kutisë së votimit”. Zoti Rohrbaker komentoi me këtë rast për çështjen e statusit të Kosovës. Ai tha se negociatat për të ardhmen e Kosovës zhvillohen me vonesë, sepse ato duhet të kishin filluar shumë kohë më parë. Fakti që ato do të fillojnë, është diçka për t’u përshëndetur, por ne duhet të nisim punën për këto bisedime, tha Rohrbaker. Shumë të rinj në Kosovë, tha ai, nuk kanë punë, sepse të huajt nuk investojnë në një vend i cili nuk ka një status të përcaktuar qartë. “Këta të rinj po sakrifikojnë mirëqenien e tyre, por ata nuk kanë pse sakrifikojnë thjesht për faktin se disa njerëz kanë frikë se mos inatosen serbët. Këtu nuk hyjnë serbët, ata kanë të drejtë mbi vendin e tyre. Populli në Kosovë ka të drejtën për të qenë i lirë dhe i pavarur, ashtu si amerikanët që kanë të drejtën për të qenë të lirë dhe të pavarur, nëse kjo është mënyra që ata kanë zgjedhur vetë. Pikërisht kjo është demokracia. Pra, këto negociata do ta lejojnë popullin e Kosovës të jetë demokratik dhe të ketë të drejtat e tij. Për të ardhmen e Kosovës duhet të mbahet një referendum dhe duhet mbajtur menjëherë”, tha republikani Rohrbaker.

Kongresmeni Rohrbaker tha se kur ishte në Krujë për vizitë, i kishte lënë përshtypje të thellë lufta e gjatë për liri që kishte bërë Skënderbeu. Pa këtë luftë, e gjithë bota perëndimore do të kishte qenë ndryshe dhe Shtetet e Bashkuara do të kishin qenë një vend i ndryshëm, po të mos kishte qenë guximi që tregoi qindra vjet më parë Skënderbeu, tha Rohrbaker. Kryetari i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Joseph DioGuardi e shpjegon kështu rëndësinë e kësaj rezolute: “Kjo është një ditë e shënuar për të gjithë shqiptarët, sepse Gjergj Kastrioti është një nga figurat kryesore mes shumë heronjve historikë. Shqiptarët mund të jenë krenarë për historinë e tyre të lavdishme dhe trashëgiminë e cila ka filluar me Gjergj Kastrioti Skënderbeun dhe ka vazhduar në shekullin e 20-të me Nënë Terezën. Populli shqiptar nuk është ende i lirë. Në Kosovë ata nuk kanë ende pavarësi dhe Shqipëria nuk është ende anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Prandaj ne duam t’u kujtojmë atyre se Gjergj Kastrioti ka bërë shumë për Evropën Perëndimore, dhe ne në Shtetet e Bashkuara duhet ta mbajmë mend një gjë të tillë për të bërë atë që është e drejtë për popullin shqiptar, pra të integrojmë sa më shpejt në Evropë Shqipërinë dhe Kosovën si dy vende demokratike”. Në rezolutë citohet gjeneralmajor Xhejms Ulf, komandant i ushtrisë britanike në Kebek, sipas të cilit “Skënderbeu ua kalon të gjithë oficerëve, të lashtë dhe modernë, në udhëheqjen e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Aty citohet gjithashtu historiani britanik Edward Gibbon, i cili ka thënë se “fisnikëria dhe feja e tij e kanë rreshtuar princin shqiptar krahas emrave të Aleksandrit të Madh dhe Pirros”. Shqipëria nën Skënderbeun, thuhet në rezolutë, pengoi pushtimin e Romës dhe të krejt Italisë nga Perandoria Otomane, duke i hapur në fakt rrugën Rilindjes Italiane. Statujat e Skënderbeut mbi kalë dhe me shpatë në dorë zbukurojnë sot kryeqytetet e Italisë, Austrisë, Hungarisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Në projektrezolutën, e cila pret tani miratimin nga Dhoma e Përfaqësuesve, lavdërohen shqiptarët kudo në botë për nderimin që i bëjnë heroit të tyre Gjergj Kastrioti, si dhe i bëhet thirrje Qeverisë Amerikane të punojë me partnerët evropianë për të përshpejtuar integrimin e Shqipërisë dhe të një Kosove të lirë në Bashkimin Evropian, si shpërblim për kontributin dhe sakrificën e bërë nga Skënderbeu dhe nga populli shqiptar për të shpëtuar Evropën Perëndimore nga sundimi otoman.


DITA

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0616031 sekonda, 24 pyetje