Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: Kosoves Nuk i Duhet Nje Gjuhe e Re Letrare!
burimuji

Postuar mė 30-11-2005 nė 02:12 Edit Post Reply With Quote
Kosoves Nuk i Duhet Nje Gjuhe e Re Letrare!

Shekulli, E Martë, 29 Nëntor 2005


A i duhet Kosovës një gjuhë e re letrare?
dr. Shefkije Islamaj

Prishtinë-Jo! Kosovës nuk i duhet një gjuhë e re letrare.

Për një gjuhë të përbashkët standarde të pranuar në rrafsh të gjerë kombëtar tashmë kanë vendosur shqiptarët, rrjedhimisht edhe shqiptarët e Kosovës. Mosha e saj ka kapërcyer tre dhjetëvjetësha. Tre dhjetëvjetësha historie të gjuhës letrare janë pak në raport me historitë e shumë gjuhëve të tjera letrare përreth e më gjerë, por janë të mjaftueshme që kthimi prapa të jetë i pamundshëm, i vështirë, anakronik dhe me pasoja të rënda e të pakapërcyeshme gjuhësore e kombëtare. Ata që propagandojnë e që përpiqen të aktualizojnë krijimin e një gjuhe të re për shqiptarët e Kosovës jo se nuk janë seriozë, jo se nuk mund ta kuptojnë problemin, por mund të thuhet me sigurinë më të madhe me vetëdije po gërmojnë shkatërrueshëm në ardhmërinë tonë jo vetëm gjuhësore, po edhe kombëtare.

Përpjekjet për veçimin tonë gjuhësor, përpjekjet për një variantizim të qëllimshëm gjuhësor, përpjekjet për krijimin e një standardi të ri për hapësira të caktuara shqipfolëse janë përpjekje plotësisht jashtëgjuhësore, përpjekje politike për të çelur rrugë edhe për ndarje të tjera në rrafsh kombëtar dhe në këtë kontekst kemi pak shembuj në botën e qytetëruar.

Prirjet për veçim në mjedisin tonë janë intensifikuar së fundi dhe janë shpërfaqur në qarqe të caktuara intelektuale dhe ato nisin e sosin në argumentimin se standardi i pranuar është i imponuar në rrethana jodemokratike, se legjitimiteti i këtij veprimi është i lëkundshëm, se standardi ekzistues vështirë të jetë i pranueshëm dhe i realizueshëm për mjedise të caktuara të arealit gjeografik shqiptar. Në të gjitha rastet, harrohet se krijimi i gjuhëve letrare gjithmonë nxitet a shtyhet nga faktorë jashtëgjuhësorë e gjuhësorë, se gjuhët letrare nuk mund të ndërtohen mbi shumë baza dialektore, se gjuha standarde nuk është njësoj lehtë e përvetësueshme prej të gjithë folësve të bashkësisë së caktuar gjuhësore, se shqiptarët nuk kanë vepruar ndryshe nga popujt e tjerë, se gjuha e përbashkët letrare është shprehje e qytetërimit dhe e zhvillimit shoqëror e kulturor të tij dhe se duhet të mësohet parreshtur prej të gjithëve, se ajo gjendet në zhvillim të vazhdueshëm.

Pse shqiptarët të veprojnë ndryshe nga të tjerët? Pse shqiptarëve të mos u duhet integrimi gjuhësor? ǒpërjashtim duhet të përbëjnë ata në këtë rrafsh? Prandaj pyetja nëse u duhet shqiptarëve të Kosovës një gjuhë e re është njësoj me pyetjen – nëse atyre u duhet një emër i ri, jo shqiptar.

Mund të thuhet se shqiptarët po kalojnë një kohë vështirësish të mëdha. A nuk kanë kaluar ata edhe më parë vështirësi të tilla dhe a nuk kanë kaluar edhe popuj të tjerë nëpër to? Dhe mund të thuhet se shqiptarët sot ballafaqohen me probleme jetike të kombit, të cilat ndonjëherë çështjen e gjuhës mund ta skajojnë dhe, madje, ta zhvendosin në hierarkinë e çështjeve më pak të rëndësishme kombëtare ose në rastin më të keq edhe ta rrënojnë standardin e arritur, megjithatë, unë them se, pavarësisht të gjithave, integrimi gjuhësor i shqiptarëve ka qenë dhe mbetet çështja më e rëndësishme dhe më jetike për shqiptarët edhe sot, edhe nesër.

Sot dalin me shumë rëndësi edhe integrimet: ekonomike, kulturore, arsimore e të tjera, por integrimi gjuhësor duhet të jetë baza e të gjitha integrimeve të tjera me rëndësi kombëtare. Unë nuk di edhe një rast të vetëm në Evropë, as edhe në historinë e kombeve moderne që nuk e konsiderojnë gjuhën përmasën kryesore dhe më integruese kombëtare. Ne nuk bëjmë pjesë në grupin e kombeve me fat, të cilët çështjen e gjuhës së përbashkët për kombin e kanë zgjidhur e vendosur moti. Por, ne, as nuk hyjmë në numrin fare të vogël të popujve që vazhdojnë të jenë ende në kërkim të një standardi gjuhësor. Ne nuk hyjmë as në grupin e popujve që me shqetësime të mëdha kanë përfunduar punët rreth gjuhës së përbashkët standarde. Prandaj do të ishte jo e favorshme, kundërhistorike dhe kundërqytetëruese po të fillonim të “gërmonim” në historinë e re të standardizimit të shqipes, me mbulesën a me preteksin e korrigjimit të pabarazisë eventuale gjuhësore. Janë të dëmshme e të papërmirësueshme në vija të shkurtra e në vija të gjata përpjekjet për variantizim e për veçim gjuhësor. Kjo nuk do të thotë se nuk na nevojiten diskutime për probleme normale gjuhësore, për problemet aktuale të gjuhës standarde – probleme që dalin në rrugën e zhvillimit të saj. Duhet ta ndihmojmë gjuhën në rrugën e saj të zhvillimit.

Gjuhët nuk bëhen të zhvilluara vetvetishëm, po me politikë gjuhësore e me planifikim gjuhësor, me diskutime, rivështrime, korrigjime e plotësime, që marrin për bazë situatën aktuale gjuhësore dhe që nuk lënë anash rëndësinë e integrimit gjuhësor në rrafsh kombëtar. Në këtë mënyrë integrimi gjuhësor bëhet më i qëndrueshëm dhe më reflektues për integrime të tjera me interes.

Ndryshimet rrënjësore në fazën e parë të zhvillimit të gjuhëve letrare, siç është rasti edhe me shqipen, sjellin pasoja të rënda gjuhësore. Gjuhët letrare nuk standardizohen vetëm për një brez folës, po për breza e breza, sepse gjuha mbijeton brezat.

Prandaj e përsëris se integrimi gjuhësor për shqiptarët është po aq i rëndësishëm sa ai për kombet e tjera. Edhe gjuhët e tjera standarde janë krijuar mbi kompromise dhe nën ndikimin e faktorëve jashtëgjuhësorë, po kjo nuk i ka penguar e nuk i pengon për pranimin e saj të përgjithshëm e të gjerë, sepse qëllimi parësor që ndjek krijimin e çdo gjuhe të përbashkët standarde është ai i integrimit kombëtar.

Kur të formohet shteti në Kosovë, në të gjitha përmasat që e përbëjnë një shtet bashkëkohor e modern, do të dimë të vlerësojmë, ndoshta, më mirë se cili është interesi ynë për integrimin tonë kombëtar, kulturor, arsimor dhe natyrisht edhe gjuhësor. Ndoshta edhe qëndrimin institucional do ta kemi më pozitiv e më qytetërues ndaj saj e ndaj kulturës gjuhësore. Në kohë krizash të ndryshme, të tilla nëpër të cilat po kalon shoqëria shqiptare, sot, duken të tjera gjëra me përparësi. Por, duhet ta dimë se edhe në kohët si këto duhet të mendojmë për kohën kur do ta kemi më mirë ose kur do ta kemi më së miri. Dhe kjo më mirë ose më së miri nuk do të mund të jetë e tillë pa gjuhë të përbashkët e pa gjuhë të kujdesur e të zhvilluar.

29/11/2005 KATEGORIA: Kulture

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0816231 sekonda, 24 pyetje