Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: lufta kunder informalitetit
nurellari

Postuar mė 20-5-2007 nė 16:39 Edit Post Reply With Quote
lufta kunder informalitetit

Poshtë shteti kusar dhe rroftë informaliteti!!!
Adri Nurellari
Botuar tek gazeta Panorama


Në momentet e fundit të fundit të komunizmit, ende pa dhënë shpirt, befas në Shqipëri filloi të shfaqej tregu informal që asokohe u stigmatizua si treg i zi. Kuptohet që ideologjia komuniste nuk kishte sesi të mos ta përçmonte rendin spontan që përfaqësohet nga tregu informal ndërkohë që ky treg në të vërtetë jo vetëm që ishte treg i bardhë, por ishte treg i shndritshëm sepse shërbeu si barkë shpëtimi për shoqërinë shqiptare që ishte e kërcënuar nga zia e bukës dhe i dha fund kalvarit të fukarallëkut dhe dyqaneve shtetërore me rafte të zbrazura, radha, racione, tollona që ua kishin nxirë jetën shqiptarëve të ngratë për dekada të tëra. Mjerisht mentaliteti i sistemit të vjetër është ende gjallë në shoqërinë tonë dhe një ndër format tipike të manifestimit të saj është përçmimi dhe urrejtja që iu drejtohet njerëzve të pasur. Edhe pse dihet që shumë njerëz tek ne e kanë bërë pasurinë me korrupsion politik, krim apo trafik nuk mund të paragjykojmë dhe përbaltim apriori çdo njeri të pasur në Shqipëri. Ka boll njerëz në Shqipëri që janë duke u larë në “vaska të arta” duke gëzuar frytet e djersës, talentit, fatit apo mundit të tyre. Që një i pasur do të gëzojë në këtë jetë më shumë se një i varfër kjo gjë duhet të dihet mirë dhe të pranohet tashmë sepse përndryshe stimuli moral, stema sulmuesi apo fleta e lavdërimit vështirë se do të na zgjonte që në mëngjes për të dalë në punë dhe për të punuar gjithë ditën me ngulm. Ata që nuk e kanë kuptuar këtë filozofi të sistemit ku jetojmë bëjnë mirë të emigrojnë në Kubë apo Korenë e Veriut se pjesa me e madhe e botës fatmirësisht vlerëson supremacinë e sipërmarrjes private.
Në fakt është për të ardhur keq por kjo prirje për të stigmatizuar biznesmenët është goxha masive në Shqipëri dhe është tipike sidomos tek njerëzit dështak kanë zili e smirë ndaj kujtdo njeriu të suksesshëm. Etatizmi i ka rrënjët të thella në shoqërinë tonë dhe kjo është arsyeja pse shumica dërmuese e shqiptarëve janë të gatshëm të dënojnë rëndë evazionin fiskal dhe informalitetin e biznesve që veprojnë në vendin tonë, por shumë pak prej tyre vrasin mendjen nëse shteti shqiptar e meriton buxhetin që ka. Sepse mirë nga njëra anë kërkojmë që të shtohet sasia e parave që i çojmë shtetit por a mund të jemi të sigurtë që një buxhet më i madh do të përkthehet përmirësimin e mirëqënies sonë. Prandaj ia vlen që për një moment të ndalim të reflektojmë nëse shteti është duke përmbushur anën e vetë të kontratës përpara se të kërkojmë që bizneset dhe gjithë të tjerët të derdhin më shumë para në arkën e shtetit.
Në dekadën e fundit të ardhurat e shtetit shqiptar janë shumëfishuar por a është shoqëruar kjo majmje e xhepave të shtetit nga rritja apo përmirësimi i shërbimeve që ofron shteti shqiptar. Administrimi i parave ka qenë gjithnjë e më i korruptuar dhe në pak vite ne e kemi përkeqësuar me dhjetëra vende pozicionin tonë në renditjen e korrupsionit të nxjerrë çdo vit nga Transparency International (Për informacion në renditjen e fundit të vitit 2006 ishim në numrin 111 fill prapa Ugandës dhe Malavit). Nëse merremi pak me teori politike nxjerrim si rol parësor të shtetit garantimin e integritetit territorial, sigurisë dhe të zbatimit të ligjit. Për sa i përket integritetit territorial atë e dimë mirë që na e garanton konjuktura e sotme ndërkombëtare dhe NATO se po të ishte për ushtrinë e shtetit tonë ne nuk mundëm të parandalonim dot as minimin nga serbët të kufirit verilindor e jo më ndonjë sulm të mundshëm frontal. Kur bëhet fjalë për siguri mjafton të përmendet që vitin e kaluar në Shqipëri janë vrarë mbi 200 njerëz dhe kanë vdekur në aksidente rrugore mbi 200 të tjerë për të kuptuar se sa siguri ke po të qarkullosh në rrugët shqiptare.
Zbatueshmëria e ligjit pastaj është një histori më vete, dhe në dekadën e fundit kjo zbatueshmëri ka rrënë në pikiadë dhe në renditjen botërore të studimeve të ndryshme jemi duke garuar krah për krah me disa shtete të bregut perëndimor të Afrikës si dhe me disa republika bananesh. Të kesh të bësh me sistemin shqiptar të drejtësisë do të thotë që të hallakatesh në një labirint të vërtetë pa krye ku vetëm ryshfeti apo ndonjë ofiq politik të bën derman. Edhe për ata të paktë që marrin pas vitesh peripecie ndonjë përgjigje të formës së prerë nga gjykata nuk e kanë të kopsitur punën sepse zbatimi i vendimeve të formës së prerë nga përmbarimi është një sfidë më vete. Infrastrukturën është e kotë ta përmendim pasi të gjithëve ngelemi nën kërcënimin e të zënurit të makinës si pasojë e rrugëve me gropa, kemi ardhur era qiri gjatë dimrit dhe përdorim një rezervuar uji të salduar me mundim në majë të çatisë apo tarracës.
Po të rrugëtojmë disi më tej në teorinë politike dhe t’ë kërkojmë nga shteti shërbime të tjera publike të rëndësishme si arsimi apo shëndetësia shikojmë se panorama është po aq e zymtë. Në vitin 1989 një shqiptar kishte mesatarisht 12.5 vite arsim tani jo vetëm që nuk jemi përmirësuar por mesatarja vërtitet diku tek 8.5 vite për frymë. Pra jemi duke u shndërruar me galop në një ndër popujt më injorant të Evropës dhe këtu jemi duke marrë për bazë vetëm indikatorin sasior se po të flasim për ndryshimin e cilësisë së arsimit zbulojmë se është njësoj sikur të biesh nga tigani në zjarr. Në këtë periudhë të tranzicionit shqiptar, ndërkohë që buxheti i shtetit është shumëfishuar, indikatorë të shëndetit publik si vdekshmëria foshnjore, jetëgjatësia e pritshme, shëmundshmëria epidemiologjike e kështu me radhë janë përkeqësuar ndjeshëm duke përngjarë gjithnjë e më tepër me indikatorët që gjenden në vendet e Azisë qendrore. E vetmja pjesë që funksionon mirë është shërbimi farmaceutik dhe dentar që janë privatizuar ndërkohë që janë dhjetëra mijëra “turistë” shqiptar që edhe pse kanë paguar taksa detyrohen të shkojnë dhe kërkojnë shërbim mjekësor privat jashtë vendit.
Pra po të analizohet ndryshimi i shërbimeve dhe produkteve të shtetit shqiptar në korrelacion me shumëfishimin e të ardhurave të buxhetit shtetëror del se jo vetëm që këto dy nuk kanë ecur paralel, por kanë ecur në kahe të kundërta. Buxheti në rritje i shtetit shqiptar është duke u administruar me një efiçiencë që vjen gjithnjë në ulje. Paguajmë shumë më tepër para për të marrë shumë më pak në këmbim. Me një buxhet më të vogël financiar shtetëror ne përfitonim më shumë shërbime dhe me më shumë cilësi në fillimin e dekadës së mëparshme. Dhe lind natyrshëm pyetja, a është më mirë që t’i lëmë paratë në duartë e atyre që i meritojnë sepse i kanë nxjerrë vetë dhe që nëpërmjet sipërmarrjes private na sigurojnë vënde të reja pune dhe produkte apo shërbime gjithnjë e më të mira dhe të lira apo t’i ccojmë në qypin me vrimë të shtetit shqiptar i cili është administruar vazhdimisht nga politikanë që nuk tremben as nga vota e as nga ligji se të dyja i komandojnë vetë? Se po të ishte ky yni një shtet si ai gjerman, ku administrata publike funksionon me maksimumin e integritetit dhe me një eficcencë të ngjashme me sektorin privat, atëhere ky etatizëm i bashkëkombasve të mi mbase do të ishte i kuptueshëm dhe i justifikueshëm. Po me një palo shtet si ky yni etatizmi nuk ka fare kuptim.
Ndërkohë që kërkojmë më shumë para nga biznesmenët duhet të kemi parasysh se këta të fundit marrin gjithmonë e më pak shërbime dhe gjithnjë e më shumë shkopinj në rrota nga shteti. Shumë njerëz kërkojnë më shumë para nga këta biznesmenë ndërkohë që këtyre të fundit tashmë iu duhet të paguajnë polici private, gjeneratorë për energjinë, rezervuarë për ujin, ryshfete për ligjin vetëm sepse shteti nuk menaxhon siç duhet buxhetin. Pse duhet të kërkojmë më shumë para nga këta individë që i kanë nxjerrë vetë këto para për të mbushur një arkë shteti e cila o i çon dëm në hullitë e korrupsionit ose i harxhon në shpenzime operative për të blerë tauregë e për të siguruar privilegje të tjera për ofiqarët. Ka ardhur koha që shteti të zbatojë kontratën e vetë me qytetarin, të menaxhoj mirë duke merituar ato asete e të ardhura që tashmë ka, përpara se të pretendojë më shumë prej qytetarit.

View User's Profile Visit User's Homepage View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0427508 sekonda, 24 pyetje