Petrolifera Italo Albanese
"Petrolifera Italo Albanese" (PIA), ushtron aktivitetin e vet, në shërbimet portuale dhe magazinimin e produkteve hidrokarbure
Sot përurohet terminali "Petrolifera", një investim prej 57.7 milion euro
Terminali "Petrolifera", një investim prej 57.7 milion euro, i kompanisë italo-shqiptare PIA, i konkretizuar në bregdetin
perëndimor të qytetit të Vlorës, tashmë ka përfunduar, ndërkohë që sot pritet përurimi i tij.
Përfaqësuesi i kompanisë italo-shqiptare dhe njëkohësisht drejtor i këtij objekti, Gazmend Shalësi, tha për
ATSH, "se kanë përfunduar të gjitha punimet për zbatimin e projektit dhe objekti pritet të vihet në shfrytëzim
me plotësimin e modaliteteve ligjore". 20 muaj pas fillimit të punimeve, terminali "Petrolifera", një objekt i
përmasave mjaft të mëdha, është konturuar plotësisht. Gërmadhat e ish-Uzinës së Sodës, që
shkaktonin një ndotje të jashtëzakonshme në këtë pjesë të bregdetit, tashmë janë
zëvendësuar nga një objekt i krahasueshëm me standardet më të përparuara që aplikohen në vendet e
zhvilluara perëndimore, në këtë fushë.
Terminali "Petrolifera" në këndvështrimin fiskal do të funksionojë si një "zonë e lirë",
me të gjitha atributet dhe përfitimet e ndërsjellta mes shtetit shqiptar, subjekteve që do të operojnë në
këtë objekt dhe vetë kompanisë ndërtuese dhe menaxhuese. Shoqëria "Petrolifera Italo Albanese"(PIA), ushtron
aktivitetin e vet, në shërbimet portuale dhe magazinimin e produketve hidrokarbure, për llogari të klientëve të saj,
të cilët janë importues shqiptarë dhe të huaj. Në këto kushte, terminali do të jetë një zonë e
lirë doganore, ku PIA, merr përgjegjësi ligjore kundrejt shtetit shqiptar, për shlyerjen e detyrimeve fiskale për llogari
të subjekteve që përfitojnë nga këto shërbime. Ky sistem, i ri i menaxhimit të porteve që përbën
rastin e parë në Shqipëri, krijon mjaft avantazhe. Të gjitha procedurat e llogaritjes dhe të shlyerjes së detyrimeve
fiskale, do të kryhen nga ana e kompanisë "Petrolifera", për llogari të klientëve të saj. Kështu,
garantohet vjelja 100 përqind e detyrimeve fiskale nga ana e shtetit shqiptar, sikurse lehtësohen importuesit për kryerjen e
procedurave përkatëse, duke u kursyer atyre kohë dhe mund. Nga ana tjetër, kjo skemë garanton standardet më të
përparuara të mbrojtjes së mjedisit, përmes një teknologjie që përmbledh impiantet e rikuperimit të avujve,
të pastrimit të ujërave të shiut, të mbrojtjes kundër zjarrit si dhe impiantet e dedektimit të rrjedhjeve të
mundshme.
Pjesë përbërëse të objektit, janë dy sferat gjigande të gazit të lëngshëm, me një kapacitet
2000 metër kub, secila, 4 rezervuarë të benzinës, me kapacitet 3000 metër kub secili, 6 rezervuarë gazoili, me kapacitet
5000 metër kub secili, një rezervuar për naftën bruto, me një kapacitet të përgjithshëm prej 13 mijë
metër kub, sistemi i komunikimit të tubacioneve, për të gjitha rezervuarët, sistemet e impianteve të mbrojtjes
kundër zjarrit. Gjithashtu, brenda terminalit ndodhen zyrat e doganës, të Kapitenerisë dhe të Policisë Kufitare, 6 vila
moderne të zonës rezidenciale dhe një far 30 metra i lartë, pjesë e strukturës portuale. Terminali do të
funksionojë mbi bazën e respektimit të standardeve më të larta të sigurisë. Ai i ka të gjithë
elementët për të izoluar brenda portit, çdo derdhje të mundshme të naftës. Terminali, do të jetë i
pajisur me një impiant modern automatik kundër zjarrit dhe një tjetër për rikuperimin e avujve. Vetëm impianti i
pastrimit të avujve të benzinës, ka një kosto financiare prej 1 milion euro. Ky terminal konsiderohet nga më modernët
në pellgun e Mesdheut, gjë që mundëson tërheqjen e kompanive më të njohura, në Evropë në fushën
e tregtimit të karburanteve.
H.Koçi
rd
http://www.gruppopir.com/opencms/opencms/sites/default/pirgroup/it/pia/about.html
Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?
|