Solidarizim
Rebelimi i ish-të përndjekurve: Aranit Çela merr sa 5 pensione tona
Magdalena Alla | 19/11/2010
Solidarizim
Kanë qenë të shumta reagimet solidarizuese me dramën e Enrietës, vajzës së poetit të pushkatuar, e cila
rrezikon të humbasë jetën në një spital italian, për shkak të mungesës së kurave të shtrenjta.
Lexues të gazetës "Shekulli" janë treguar të gatshëm të kontribuojnë sadopak në shërimin e
saj.
Për t'iu dhënë mundësinë individëve apo bizneseve që të japin kontributin e tyre modest, dhe meqë
numri i llogarisë ende nuk është hapur redaksia e "Shekullit' vë në dispozicion numrin e telefonit të xhaxhait
të Enrietës. Bedri Blloshmi: 00355694059317 begin_of_the_skype_highlighting 00355694059317 end_of_the_skype_highlighting,
duke uruar një shërim sa më të shpejtë të saj.
Ish -të përndjekurit solidarizohen me apelin e bashkëvuajtësit të tyre, Bedri Blloshmi dhe i bëjnë thirrje
ish-mjekut Berisha të ndihmojë në shërimin e Enrietës. Akuza e tyre për zvarritjen e qëllimshme të
rehabilitimit të shtresës së vuajtur
Një numër llogarie për të ndihmuar vajzën e sëmurë të Vilson Blloshmit. Ata më të ndjeshmit, të
parët për ta ndihmuar, rezultojnë të jenë bashkëvuajtësit e të atit, ish-të përndjekurit
politikë.
'Sapo lexuam odisenë e dhimbshme të vuajtjeve të vajzës dhe xhaxhait të saj te gazeta "Shekulli" dhe heshtjen
e paprinciptë të zyrtarëve të shtetit, erdhëm të bëjmë thirrje dhe në emrin tonë që të
gjithë kush mundet të solidarizohet për ta ndihmuar!
Po e përjetojmë me zemër sëmundjen e Enerieta Blloshmit, vajzës simbol të mbijetesës, vajzës së
vëllait tonë të fateve tragjike, Vilson Blloshmit." Kështu shprehen krerët e Shoqatës së të Mbijetuarve
nga Burgjet Komuniste.
"Pushteti aktual po vret me indiferencën e tij edhe fëmijën e një heroi të demokracisë", thotë ish- i
përndjekuri politik Fatmir Lamaj. "I bëjmë thirrje asaj fije humanizmi që është duke u fikur te kryeministri
Berisha, të ndihmojë këtë fëmijë që të mos vdesë përpara kohe", thotë Xhaferr Agaraj,
kryetari i shoqatës. Problemet tona si shtresë janë të shumta, por problemi akut është ky.
Edhe pse vetë ndihen në gjendje të mjerueshme ekonomike, do të japin aq sa mundësi kanë. "Ne e dimë që
dhimbja jonë sjell gëzim te një ish-sekretar partie që ka urrejtje për shtresën tonë, siç është
Sali Berisha, por i kërkojmë të mos mishërojë Neronin, por i bëjmë thirrje atij pak humanizmi që i ka mbetur
si një ish-mjek ta tregojë për vajzën e Vilson Blloshmit."
"Tani jemi të persekutuar të neokomunizmit"
Mbartin dhimbje, ndiejnë padrejtësinë dhe mosvlerësimin si të asaj kohe dhe të kësaj kohe, që iu
shpërthen një pakënaqësi deri në mllef. Dhe të lirë kanë qenë dhe në atë kohë për
të thënë çfarë ndjenin, e sigurisht që janë edhe tani. Disa ish-të persekutuar na tregojnë...
Pse gjithë kjo pakënaqësi brenda jush si ndaj pushtetit komunist dje dhe këtij që pretendon se është demokratik
sot?
Fatmir Lamaj - Ne me dhimbje vërejmë se komunizmi në Shqipëri gjeti formën më efikase për të mbijetuar me
rigjenerimin e vetvetes. Nga komunizëm kaloi në pseudodemokraci ose neokomunizëm. Iku një sekretar partie i madh si Ramiz Alia dhe
erdhi një më pak i vogël si Sali Berisha, që mbetet viktimë e pashërueshme e urrejtjes ndaj shtresës sonë.
Çfarë po pësoni ju konkretisht për të nxjerrë këto përfundime?
Gjergj Ndreca - Ne gjendemi vazhdimisht nën opiumin e gënjeshtrave të qeverisë në pushtet. Dhe në këto vite
për ne njëlloj kanë qenë si të majtët dhe të djathtët. Po të paktën socialistët kanë
qenë më dinjitozë, se kanë mbajtur atë qëndrim që kanë pasur gjithmonë kundër nesh.
Por po na diskriminojnë dhe këta që dolën me gishtat e demokracisë në duar. Edhe në grevën tonë të
urisë një vit më parë ishin përfaqësues të PS-së që erdhën na takuan dhe i kujtojmë me respekt
dhe mirënjohje.
Fatmir Lamaj - Tani është konfonduar keq koncepti i së majtës me të djathtën. E djathta drejtohet nga një
ish-komunist, e majta nga një ish-disident që është përplasur edhe me të atin e tij kundër regjimit komunist.
Nëse hapet toka e këtij vendi nga Saranda në Tropojë gjen kockat tona. Por ne nuk morëm asgjë që meritonim. Na
drejtojnë akoma vrasësit tanë. Nuk është e habitshme për ne që e njohim mirë të shkuarën që
zv/ministri i Punëve të Brendshme sot është ish/zëvendësministri i diktaturës, që na rrahu në
revoltën e Qafës së Barit.
Nuk është e habitshme që në çdo zyrë të shtetit shqiptar janë ose ish-zyrtarët e kohës ose
pinjollët e tyre. Nuk është habi që edhe ata pak ish-të persekutuar që punësoi zoti Berisha në fillim të
ardhjes në pushtet për imazhin e tij, tani janë pushuar nga puna në administratën e lartë.
Ju gati një vit më parë hytë në një grevë urie. Dhe shkaku i grevës së urisë mbetet problem edhe
sot.
Xhaferr Agaraj - Po. Kërkuam të dëmshpërblehemi sipas ligjeve dhe Kushtetutës. Ne sot kemi humbur statusin e qytetarëve
normalë. Nuk jemi as qytetarë të dorës së tretë apo të katërt dhe ky është përsëri
një aparteid politik.
Ne nuk duam lëmoshë, por rehabilitim, integrim dhe drejtësi me dinjitet. Ka katër ligje në fuqi për
dëmshpërblimet dhe për ne është miratuar ligji që jep vlerën më të vogël, që llogarit
punën e detyruar në burg, por jo dhunën, torturat, mungesën e lirisë dhe dinjitetit. Është dëmshpërblyer
më shumë Fatos Nano e të tjerë byroistë këto kohë, se sa ne që kemi bërë burg në kohë
më të vështira.
Do të donim të falenderonim publikisht Sami Repishtin, ish-të përndjekurin politik që erdhi dhe na takoi nga SHBA, duke na
ndihmuar edhe financiarisht.
Fatmir Lamaj - Ne duam ta marrim brenda vitit dëmshpërblimin, jo në tetë vjet, sepse jemi specie në zhdukje. Kemi qenë
rreth 6000 ish-të përndjekur në vitin '90, sot kemi mbetur 1800. Të tjerët kanë vdekur. Dhe imagjinoni, ka tre vjet
që ka dalë ligji dhe nuk ka mbaruar së dhëni akoma kësti i parë.
Po marrin inkuzitorët tanë nga 30.000 lekë pension. Merr ish-prokurori famëkeq Aranit Çela pension të
posaçëm prej afërsisht 75.000 lekë në muaj. Ndërsa ne, të vuajturit edhe në pseudodemokraci marrim nga
15.000 lekë/muaj. Më mirë të kërkojmë strehim politik në Korenë e Veriut, se sa në një
neokomunizëm hipokrit si ky shqiptar.
Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?
|