Kuvend-eDSH
Aktiv pėr herė tė fundit: Aktiv pėr herė tė fundit : Kurrė
Nuk keni hyrė [Hyrje - Regjistrohu]


Version i printueshėm | Dėrgo pėr njė shok
Nėnshkruaj | Shtoni tek preferencat
Autori: Subjekti: E drejta pėr alarm
Anton Ashta

Postuar mė 26-10-2002 nė 16:51 Edit Post Reply With Quote
E drejta pėr alarm

E drejta për alarm
Nga Arbën XHAFERI

Syçeltësia, vetëdija, të qenit i ndërgjegjshëm për atë që ndodh me ty dhe rreth teje është njëra nga cilësitë kryesore të pjekurisë së një individi apo të një shoqërie. Politika zakonisht luan rolin e pararojes. Ajo e para, me kompetencë apo pa të, reagon e para ndaj rreziqeve të para të vërteta apo të shpifura, ajo alarmon, ajo nxit organizmin të zgjohet. Alarmet shpesh janë të rrejshme. Por, alarmi i rrejshëm është shumë më pak i dëmshëm se kllapia, plogështia. Popujt e vetëdijshëm, që kanë politikë të zhvilluar sensorët alarmues i kanë shumë të përparuar, reagojnë në shenjat e para, sado të vogla të rrezikut dhe nuk pushojnë së alarmuari derisa nuk mënjanohet rreziku. Organizmat që kanë defekt në sistemin alarmues, sinjalizues nuk janë në gjendje të mbrohen dhe sëmuren rëndë. Së këndejmi detyra e parë e sulmuesit është që të neutralizojë sistemin alarmues-sinjalizues, qoftë përmes aktit fizik, qoftë përmes kamuflimit të ndërhyrjes, duke paraqitur atë si një mision beninj.
Një kohë të gjatë jemi mësuar të dëgjojmë, gjithnjë në vijë të funksionimit të këtij sistemi alarmues, se në Kosovë mbrohen interesat ruse (mbase për shkak të Çeçenisë), kineze (çështja e Tibetit), turke (çështja kurde), serbe, maqedonase (Gligorovi shpesh thoshte, pa marrë grusht turinjve se pavarësia e Kosovës rrezikoka interesat e shtetit maqedonas) etj. Këto ndërhyrje aq u familiarizuan saqë edhe te vetë shqiptarët u formua bindja e shtrembëruar se, nëse një shqiptar i Maqedonisë apo i Shqipërisë thotë diçka për Kosovën, kjo qenka përzierje në punët e brendshme të Kosovës, ose të klasës politike që e përfaqëson atë. Shqiptarët janë një popull me origjinë, histori, kulturë dhe interesa të njëjta sa u përket çështjeve strategjike, por kanë një handikap. Ata nuk kanë strategji dhe sistem alarmues të përbashkët. Kjo situatë sjellë përfundime paradoksale, kinezët, rusët në Këshillin e Sigurimit mbrojnë interesat e tyre në Kosovë, serbët e Beogradit vendosin për interesat e serbëve të Kosovës, ndërkaq shteti turk merr në mbrojtje interesat turke në Kosovë, të gjithë pra mbrojnë diçka të tyren në Kosovë. Si duket ka ardhur koha të plasë perdja dhe të bërtasim njëzëri se në këto hapësira mbrohet interesi unik dhe i vërtetë i shqiptarëve. Këto ditë doli në opinion plani i kryeadministratorit Steiner për Decentralizim.
Vetë titulli nuk jep të drejtë për alarm, ngaqë çdo shtet demokratik e kultivon idenë për devolucion të pushtetit, pra decentralizimin. Nga ky aspekt, me të drejtë presidenti Rugova dhe kryetari i PDK- së, z. Hashim Thaçi e mbështetën këtë ide, sa demokratike po aq qytetëruese për decentralizim. Pra, ku qëndron e meta e këtij plani? Ky propozim ka një të metë kruciale dhe një të metë metodologjike. E meta kruciale qëndron në faktin se në të identifikohet decentralizimi me ndarjen territoriale, ose me ofertë që çështja etnike të territorializohet. Në pikën e parë të këtij koncepti parashikohet formimi i komunave për pakicat e konsiderueshme, pra mbi baza të përkatësisë etnike. Ç' të keqe ka këtu? Në rend të parë: -përuron principin e organizimit etnik brenda një shoqërie, çka rrënon principin e multietnizmit. Me këtë koncept bashkësitë etnike do të jetojnë të izoluar në bantustanet e tyre, enklavat që do të pamundësojnë krijimin e kohezionit brenda një sistemi, pa të cilin asnjë shoqëri nuk mund të funksionojë; - e spikat elementi etnik në krijimin e komunave e jo atë ekonomik, gjeografik, administrativ dhe infrastrukturor; - e rrënon karakterin unik të Kosovës; - krijon parakushte ligjore që të pamundësohet në të ardhmen referendumi për pavarësi të Kosovës, ngaqë do të krijohen kushte që të legjitimohet ideja e referendumit në suazat e njësive vetadministrative, komunave.
Ky plan pra, me vetëdije apo pa të, është një pledoaje për pamundësimin e referendumit për pavarësi të Kosovës, ose eventualisht për ndarje të Kosovës; - hap shtegun për rishqyrtim të zgjidhjeve të këtyre problemeve në hapësirat tjera të Jugosllavisë së dikurshme në rend të parë në Maqedoni. Siç dihet shqiptarët e Maqedonisë edhe në çaste më të rënda të luftës gjetën forca politike dhe morale që të mos e territorializojnë çështjen shqiptare në Maqedoni, por kërkuan të drejta duke ruajtur unitetin e shtetit dhe krijuan mundësi reale për krijimin e një kohezioni të ri në kushte të reja. Paralajmërimet e tilla shikuar objektivisht do të destabilizojnë drejtpërsëdrejti projektin e multietnizmit në Maqedoni. Habit fakti se si nuk kuptohet njëherë e përgjithmonë se përfillja pa kriter i konceptit serb që e afirmon idenë territoriale si formë të zgjidhjes së kontesteve etnike është burim i krizave si në të kaluarën, ashtu edhe në të ardhmen. E meta metodologjike e këtij koncepti është fakti se në Kosovë përurohet metoda e shantazhit si formë e imponimit të ideve dhe të zgjidhjeve që jo vetëm vijnë ndesh me koncepte qytetëruese që afirmojnë idetë inkluzive, por kanë efekte të drejtpërdrejta negative në hapësirat e tjera ku këto ide deri diku janë përfillur. Ky koncept i z. Steiner hap një edhe një dilemë tjetër: a thua faktori ndërkombëtar ka ide unike, të veta për zgjidhjen e krizës jugosllave apo këto ide janë konjukturale, në varësi nga njohuritë dhe bindjet personale të përfaqësuesve të ndryshëm ndërkombëtarë.
Ideja për territorializim të çështjes sërbe në Kosovë nuk është kompakte me konceptin multietnik që aq shumë e favorizon faktorin ndërkombëtar. Koncepti territorial i zgjidhjes së kontesteve ndëretnike përfundimisht do të shpjerë drejt krijimit të shteteve nacionale apo drejt sakatosjes së qyteteve. Praktika e Mostarit dhe Mitrovicës së ndarë do të shpjerë drejt ndarjes së Shkupit. Koncepti i z. Steiner ngërthen në vete dhe gabimin në vlerësimin e prioriteteve ngaqë nis t'i zgjidhë punët nga bishti. Nuk mund të zgjidhet çështja serbe në Kosovë, nëse ajo ekziston fare pa u zgjidhur çështja e Kosovës si çështje kruciale e krizës jugosllave.
Pra, pa e zgjidhur çëshjen e statusit të Kosovës nuk mund të zgjidhen çështje të tjera. Është e qartë se nëse së pari zgjidhet çështja e statusit të Kosovës, në vijë të të drejtës së saj legale, legjitime si element konstituiv të federatës së mëparshme për vetëvendosje, atëherë shqiptarët do të jenë shumë më tolerantë në procesin e kërkimit të zgjidhjeve për ruajtjen e interesit të popullatës serbe dhe trashëgimisë së tyre kulturore në Kosovë. Është po aq e qartë se serbët deri më tani përmes shantazheve ushtarake, politike dhe të tjera arritën të vënë në rend të parë interesin e tyre. Edhe pse shkaktarë të pamohueshëm të luftës, ata arritën të detyrojnë faktorin ndërkombëtar që ta zgjidhë çëshjen serbe në Jugosllavi: e gllabëruan gjysmën e Bosnjës, ruajtën pozicione në vitale në Kroacinë lindore, e mbajnë në ethe Malin e zi duke krijuar, me ndihmën e faktorit evropian variantet e ndryshme të Jugosllavisë, e mbyllën pa zhurmë çështjen e Vojvodinës së aneksuar në vitin 1918, e pacifizuan me oferta fyese çështjen shqiptare në Kosovën lindore dhe tash e detyrojnë përmes shantazheve të ndryshme që z. Steiner të mos jetë vetëm i dërguari special i OKB-së por nëpunës i kabinetit të Çoviqit. Politika serbe arrin, përmes alarmit histerik ta paraqesë makutërinë e tyre për territore si mbrojtje, ndërkaq politika mosalarmuese shqiptare i fut ata në rrugën e sprapsjes pa kthim.

shek





Por sot, Shqypni, pa m´thuej si je?

View User's Profile E-Mail User View All Posts By User U2U Member





Powered by XMB 1.8 Partagium Beta Build 20110207PM
Developed By Aventure Media & The XMB Group © 2002
Procesi i kryer nė 0.0630279 sekonda, 25 pyetje